2012-04-22

Takim i vonuar... mister!



Enkas për Floripress nga Vilhelme Vranari Haxhiraj


Sahati i qytetit tingëlloi njëmbëdhjetë herë.

Qielli i përflakur kuqëlonte nga një grumbull resh të kuqrremta, në ngjyrën e zjarrit. Dukej sikur stinët kishin ngatërruar kohën e riciklimit. Moti vetëdeklarohej për një verë të nxehtë, të pa parashikueshme.
Një djalë i ri priste në këmbë, para kafe “Iliria”.

Pas pak vuri re se para hotel “Turizmit” ndali një taksi. Një burrë, në dukje “Zotëri” mbi të pesëdhjetat, pagoi shoferin dhe zbriti prej saj. Me një çantë turistike në supin e majtë dhe një valixhe diplomatike në dorë, qëndroi disa çaste palëvizur duke kundruar përreth. Një vëzhgues i hollë do të kuptonte se vizitori rikthehej pas sa e sa vitesh dhe ndoshta kërkonte të shihte ndryshimin që sjell koha. Tundja e pakënaqur e kokës, fliste për zhgënjimin e të sapoardhurit.

“ -Të jetë ky vallë?

-Ndoshta...”-dialogoi me veten. Gjithsesi nuk lëvizi nga vendi... Gjithmonë në pritje...Ajo pritje ngjante me një mister...takim i vonuar...A ishte i duhur ky takim? Ndoshta po, ndoshta jo... Veçse atij i dukej si një mister...Po, po ishte mister i një takimi të vonuar, që ndoshta s'duhej të ishte bërë kurrë. Gjithsesi i riu priste si mbi gjemba...

Pas rreth gjysmë ore vuri re se “Ai” doli nga hoteli, vetëm me një çantë turisti në sup. Veshja e tij e kushtueshme, mënyra e qëndrimit nën vetkontroll, ecja me hap të matur, tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve të rastit. Qëndroi pak në shëtitoren, që u duk sikur kërkoi të orientohej. Pastaj me hap të matur, gjë që dëshmonte për ecurinë e qetë të jetës së tij, u drejtua te kafe “Iliria”. I riu ndërkohë hyri brenda në kafeteri, për të mos i dhënë “Atij” të kuptonte se po e priste në ankth.

Për cilindo që do të takohet me një njeri të afërm, pas sa vitesh, pritja është e ethshme, ngjall shumë emocione dhe shqetësime. Madje aq e ngutshme, sa i duket sikur akrepat e orës nuk lëvizin dhe koha është strukur diku, ka ngecur në një gradë meridiani. Kurse djali nuk provonte ndjesi të tilla, por zemërimi e bënte të ngashërehej gjithë duf. Dukej sheshit se kërkonte vetëm një shkak që të shpërthente.

”Po unë ç'bëj këtu? Përse më duhet ky takim? “Ai” është një i panjohur, ose...ose një i vdekur për mua...”- mendimet ia ndërpreu zilja e telefonit të kafenesë. Baristi që i kishte lënë porosi, u përgjigj se njeriu për të cilin interesohej ndodhej brenda.

I panjohuri hyri, përshëndeti baristin i cili i tregoi me kokë nga djali. I përhumbur për këtë takim të padobishëm, i riu s' e vuri re fare.

-Hello...!- përshëndetja e tij e ftohtë dhe tejet e huaj, e bindi akoma më shumë që kishte gabuar me ardhjen në këtë takim. U ngrit në këmbë me përtesë dhe tejet i lënduar. Krenaria për nënën, motrën dhe veten ia kyçi gojën.

-Ah,! Më fal! Forca e zakonit atje në...Tungjatjeta! Mister Xhon...- u paraqit i huaji dhe i zgjati dorën të riut.
Djali ia ktheu përshëndetjen ftohtë, me një përkulje koke dhe i zgjati dorën me përtesë. Në atë shtrëngim duarësh ndjeu ngricën e akullit që përciell vdekja.

-Përse këtu dhe jo në shtëpi, zotëri? Në këto rrethana nuk mund të bisedohet. Pas këtij takimi ju do të lini këtu vetëm hijen e një të panjohuri apo të një fantazme...Kurse unë do të bëhem objekt bisede kafenesh. Ndaj nuk lashë asnjë vendtakimi. Kujtoja se ende e mbanit mend rrugën për në shtëpi.

-Ndoshta...nëna jote nuk do të...Pastaj ku ta dija se nuk jetoni diku gjetkë...Gjithsesi, shko përpara se po të arrij...

Dhjetë minuta pas meje ai trokiti në portë. Pas një hetimi të shpejtë me një shikim disi pyetës, shprehu habinë, që ...

-Akoma në këtë hale jetokeni? Qenkeni në ditë të hallit, në po atë gjendje që ju kam lënë. Çudi?!
-Qysh kur vallë braktisja e familjes së varfër nga babai, i dhuroka asaj një jetë prrallore?! Po të isha në vendin e tim ati dhe të isha po aq fajtor sa “Ai” nuk do ta kisha shqepur fare. E dini që ndaj nënës sonë dhe ne të dyve “Ai” ka bërë një krim të shëmtuar?

 Nuk e kishim kufomën e babait, askush nuk e pa, që ta besonim se nuk jetonte më. Gjithsesi për ne ka qenë dhe ngelet i vdekur. Kush mund ta besonte apo ta besojë se babai i fëmijëve të braktisur, të lënë në mëshirën e fatit jeton në Amerikë me një grua tjetër?!

-Ti dhe askush nuk dini gjë dhe nuk keni për ta mësuar kurrë. Ndaj nuk keni të drejtë ta gjykoni babanë. Për këdo ai është Xhon Nikols... Babai yt vdiq atë ditë, kur la gjithçka. Ai i përket së shkuarës...Dua të di përse më ke thirrur? Çfarë do të mësosh, ç'kërkon të dish për babanë tënd?

-Nuk e kam kërkuar dhe nuk e kërkoj kurrë, sepse nuk kam çfarë të marrë nga një i vdekur. Kanë qenë të tjerët që të nxitën të vish këtu e të takosh djalin legjitim të Nikolin Prelës. Ti je një i huaj me të cilin nuk më lidh asgjë. Po të ishte gjallë babai, genet e të cilit trashëgoj, do t'i kërkoja që të na ndihmonte të ndërtonim një shtëpi, që ti Mister Xhon mos ta konsiderojë më hale.

Kjo nevojtore e ndyrë mban erën e të pëgërit që la kryefamiljari, kur na tradhtoi, na mohoi si pjellën e tij, pasi mori një identitet të ri dhe u quajt Mister Xhon.

Zotëri, unë kam të drejtën të pyes, si një bir i një ati që e mohoi, e harroi, e la në mes të katër rrugëve. Dua një përgjigje: “meshkujt që nuk janë në gjendje të mbajnë përgjegjësitë e familjes, përse martohen vallë?! Më mirë le t'i përkasin mosekzistencës dhe harresës. Egoizmi për të realizuar veten, e shtyu tim atë në një veprim të skajshëm çnjerëzor. Sa shtrenjtë ia kanë shpërblyer heshtjen eprorët?

 Dua ta di cilët e joshën e ia mohuan identitetin, Sigurimi i Shtetit Shqiptar apo agjentura e huaj?

-Asnjëri dhe as tjetri...I ke buzët ende me qumësht për të më gjykuar dhe për të zgjidhur enigmat. Harroje Nikolinin...Para teje është një tjetër zotëri që nuk e lidh asgjë me të shkuarën....

 Di vetëm një gjë, se i ashtuquajturi “baba” jeton në një makth, ka frikë nga e vërteta. Nuk di çfarë ishte më e rëndësishme për të, të jetuarit në mosekzistencë apo të qenit bashkëshort dhe baba?

 Ai që i mohon vetes të qenit prind, nuk është asgjë. Jeta e tij s'ka asnjë synim, shpirti i këtij katili është një zgavër bosh. Jeton me ankthin e së vërtetës, ndaj nuk mund të përballet kurrë me të. “Ai” bënë një jetë të dyfishtë mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, mes reales dhe ireales, mes jetës dhe vdekjes, mes të qenësishmes dhe të paqenësishmes, mes pohimit dhe mohimit. Janë pikërisht këto të kundërta që veprojnë brenda personit të tij, që nuk e lejojnë të dijë se cili është.

Ankthi i të vërtetës së hidhur e pengon të njohë veten. Tani që mësova ekzistencën e tij të rreme, çuditem me nënën time se si e deshi dhe e do aq shumë atë njeri. Për nënën, mua dhe motrën, tani që e mësova se fantazma e tij jeton, “Ai” është askushi. Nuk dua asgjë prej tij se brenda asaj qenieje gjenden njëkohësh dy gjysma qenieje, gjysmëjete e vdekur dhe gjysma tjetër e gjallë.

Për ne është një varr i rihapur...që kall vetëm tmerr dhe frikë.

Nuk e kuptoj dot... përse e mohoi jetën e tij?

Mos vallë për shtetin?

Dhe nëse do të ishte e vërtetë, po për cilin shtet ëëë...?

Për një shtetburg, për një vendbunker ?!

Bashkëshorti, babai i dy fëmijëve u zhduk sikur të mos kishte qenë kurrë dhe për kë?

Për një qeveri kriminele, që tokën tonë të pasur dhe të bukur si ëndërr, e mbushi me kufoma që ngelën pa identitet. Vendi im i bukur, binte era kufomë pa hyrë ende në kufijtë tanë shtetëror.

Vendin e lirë me emrin “Parajsë” e vaditi me gjak të pafajshëm shqiptari.

Harroi përgjegjësinë e prindit. Dhe përse? Për një shtet utopik që na izoloi si kafshët e egra të xhunglës brenda një kopshti zoologjik, ku u eksperimentua me jetët njerëzore, me një popull të tërë, vetëm për të parë se edhe sa kohë do të mbijetonim të ndarë nga bota e të gjallëve?

Këtë provë bëri edhe i ashtuquajturi “baba” me ne?

Shteti nis te familja e nëse kjo është e përdhosur, mjerë ai komb... Me se do të mburret vallë?

Familja është themeli i shtetit dhe nëse këto themele kalben, godina shtetërore nuk e ka të gjatë dhe një ditë do të rrëzohet. Si mund të jesh atdhetar, i mirë kur mohon familjen?

Nuk e besoj dot më as atë dhe askënd që ka ndjekur këtë rrugë të gënjeshtërt, rrugën e mohimit. Kjo ishte veç një pandehmë e imja. Burra të tillë, pa moral dhe pa përgjegjësi familjare, nuk ka ç'i duhen atdheut.
Jo, im atë ka vdekur ditën kur e bija e tij, ime motër mbushi tre vjeçe.

Më thuaj, ç'më duhet ekzistenca e tij tani?

A ka ndërgjegje “Ai”? Po paska qenë fare i paskrupullt!

Edhe mëshirës do t'i vinte krupë nga një i vdekur e i pakallur si babai im...

Zotëri, më vjen keq, por do ta këshilloja atë, të ashtuquajturin baba, të shihet në pasqyrë dhe të pyesë atë pak ndërgjegje që mund t'i ketë ngelur se, përballë me të a ndodhet shembëlltyra e tij e vërtetë?! Këtë herë a do të ketë guximin e duhur që të japë përgjigje?

Kurrën e kurrës! Le të vazhdojë të qëndrojë në hije dhe t'i përkasë mosekzistencës...Asnjëherë nuk ka për të qenë vetvetja.

Unë dhe ime motër kemi lindur nga një nënë e mrekullueshme, që meriton nderim dhe mirënjohje. Sikur të mundja asaj zonje të rrallë, do t'i dhuroja gjithë të mirat e botës, por...”-ndërsa unë flisja ...ai heshtëte si gur varri...

Djali heshti disa çaste, mbështeti kokën në kraharorin e nënës dhe duke i kërkuar ndjesë asaj gruaje heroinë, i tha: “kjo ishte hija e misterit dhe enigmës së këtyre ditëve, ndoshta ditët më të gjata e më të lodhshme të jetës sime...”

Pas këtij rrëfimi të dhembshëm, që duket si aktakuza e një dëshmitari në gjyq, vështroja nënën që qante heshturazi e lotët i rrëshqisnin mbi faqet e flashkura, tejet të lodhur si jeta e saj, si jeta jonë.

-Të faleminderit bir! Edhe pse je treguar i ashpër me të, ishte e drejta jote t'i kërkoje llogari. Më vjen mirë që ai mësoi se vuajtja dhe mungesa e babait të kanë burrëruar.

Gjithsesi, do apo s'do ti, është babai yt... Ndoshta një ditë “Ai” do të jetë gjykatës i ndërgjegjes së tij të ndotur, pasi jetoi një jetë enigmë. Por tani s'ka asnjë dobi, biri im… Për mua dhe të tjerët, zhdukja e tij do të ngelet mister...

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...