Ç'thonë burimet historike për familjen e Kastriotëve...

Familja e Kastriotëve nis të shquhet nga mbarimi i shekullit XIV dhe në fillim të të XV-it, me Gjon Kastriotin, t'atin e Skënderbeut. Mbi të parët e tij nuk dimë pothuajse asgjë. Gjin Muzaka, në Gjenealogjinë, thotë se i gjyshi i Skënderbeut quhej Pal Kastrioti dhe se zotëronte vetëm dy fshatra, Sinjën dhe Gardhin e Poshtmë, që ndodhen në Dibrën e Poshtme, pranë Drinit. Dëshmi e Gjin Muzakës ka të ngjarë të jetë e vërtetë, sepse ky ishte i njëkohshëm i Skënderbeut dhe kishte lidhje familjare me Kastriotët. Një tjetër gjenealogji e lajluar, shkruar më vonë prej Andrea Engjëll Komnenit, na çon gjer tek stërgjyshi i Skënderbeut, i cili, sipas këtij auktori, quhej Kostandin, dhe i gjyshi, Gjergj. Ky emër i fundit përputhet me atë që jep historiani gjerman J. Hammer-Purgstall, i cili thotë se në luftën e Kosovës, më 1389, ndodhej edhe një princ shqiptar i quajtur Gjergj Kastrioti, që propozoi në këshillën e luftës t'iu bihej Turqvet natën. Veçse Hammer-i nuk shënon se ngaha e di këtë hollësi, dhe s'kemi asnjë dokument që t'a vërtetojë. Ndoshta Hammer-i e ngatërron emrin e Gjergj Balshës me atë të Gjergj Kastriotit.

Është shkruar shumë edhe mbi origjinën e Kastriotëvet. Por dokumentat më të pakundërshtuarshme vërtetojnë se ishin prej malësisë së Hasit, nga një katund i quajtur Kastriot.

Sikurse Balshajt, ashtu edhe Kastriotët, të dalë nga një origjinë fshatare, patën një ngritje të shpejtë. I pari që e bëri të njohur familjen e Kastriotëvet dhe që e vuri në një radhë me familjet princore më të mëdha të Shqipërisë, qe Gjon Kastrioti. Ka shumë të ngjarë që ky të mos ketë trashëguar nga i ati veçse dy fshatrat që përmend Gjin Muzaka. Por pastaj vetë, duke përdorur herë politikën e herë forcën, arriti të formojë një principatë.

Në tronditjen që pësoi Shqipëria dhe gjithë Ballkani nga sulmet e para të Turqvet, Gjon Kastrioti, duke manevruar me mjeshtëri, herë si aliat i Venetikut, herë si vasal i Sulltanit, i zgjeroi vazhdimisht zotërimet e veta mbi ngastrat e principatës së Balshajvet dhe t'asaj së Thopiajvet. Nuk mund të japim kufij të përpiktë të principatës së Gjon Kastriotit, sepse kufijt e zotërimevet feudale, n'atë kohë, ndryshohëshin shumë shpejt. Sipas dokumentavet më të pranuarshme, Gjon Kastrioti, pasi zotëroi Dibrën dhe Matin, e shtriu sundimin e tij gjer në rrethet e Tiranës dhe, nga anë e detit, gjer në Shufadajë të Leshit, duke përfshirë kështu të tërë principatën e vjetër t'Arbërisë. Por Krujën duket se nuk e pati ose e mori më pastaj. Nga veri-lindja, principata e tij arrinte gjer në Prizrend. Këta kufij, në vija të përgjithshme, vërtetohen nga një traktat tregëtie dhe të drejtash doganore nënshkruar prej Gjon Kastriotit dhe katër bijvet me Republikën e Raguzës, më 1420. Aty caktohen taksat që duhej të paguanin tregëtarët raguzanë për të kaluar nëpër tokat e Kastriotëvet, prej Shufadajës, në jugë të Leshit, gjer në Prizrend.

Gjon Kastrioti ishte martuar me Voisavën, të bijën e sundimtarit të Pollogut, krahinë që shtrihej midis Tetovës dhe Shkupit. Megjithëse një pjesë e banorëve të Pollogut përbëhej prej Bullgarësh, familja sundonjëse Tribalda (ose "Triballorum princeps" siç e quante Barleti, emër që vjen nga dy fjalët shqipe : Tri-ballë) ishte fjeshtë shqiptare dhe i vazhdonte martesat me dyer shqiptare. Sipas Gjin Muzakës, Voisava lidhej nga e ëma me familjen e Muzakajvet. Prej kësaj martese Gjon Kastrioti pati pesë vajza dhe katër djem: Stanishin, Reposhin1 Kostandinin dhe Gjergjin. Ky m'i vogli u bë Skënderbeu i famshëm. Duket se Stanishi i qe dhënë peng Sulltanit disa herë, dhe ish martuar me një zonjë turke nga e cila pati një djalë, Hamzë Kastriotin2 që e nisi aq mirë dhe e sosi aq keq historinë e tij. Katër nga vajzat i martoi Gjon Kastrioti në familje të mëdha, duke zgjeruar rrethin e lidhjevet miqësore. Më të voglën, Mamicën, e martoi Skënderbeu me Muzakë Thopinë, pasi e çliroi principatën prej Turqvet.

Nuk i dimë me hollësi përpjekjet e para të Gjon Kastriotit, nga mbarimi i shekullit XIV, sesi arriti të formonte një principatë duke u nisur nga dy fshatrat që i la i-ati. Duket se dinte të përfitonte nga rastet a rrethanat e brendëshme e të jashtëme dhe t'a loste mirë politikën e kohës.

Gjatë luftës së brendëshme që plasi në Turqi midis djemve të Bajazitit I për trashëgimin e fronit, Gjon Kastrioti, sikurse edhe krerët e tjerë të Shqipërisë, u përpoq të çlirohej nga sundimi turk. Por duket se më 1410 u thye dhe u shtrëngua t'iu jepte Turqve si peng një nga djemtë e tij, ndoshta Stanishin. Një vit më vonë, Gjon Kastrioti kërkon t'afrohet përsëri me Republikën e Venetikut si edhe me atë të Raguzës, të cilat, më 1413, e njohën njëra edhe tjetra si qytetar nderi. Me këto lidhje shpresonte ndoshta të forconte pozitën e tij kundrejt Turqvet. Por kur lufta për fronin mori fund tek Osmanllinjtë dhe Sulltan Mehmeti I e mblodhi të tërë Perandorinë nër duart e tij, Gjon Kastrioti e pau pisk, si të gjithë Shqiptarët. Më 1415, ushtëritë turke sulmuan përsëri Shqipërinë për të rivendosur autoritetin e lëkundur të Sulltanit. Gjon Kastrioti duket se u nënshtrua, mbasi më 1416 përmendet si vasal i Turqisë. Por principatën e tij e ruajti dhe ndoshta e zgjeroi ca më shumë. Vazhdonte gjithashtu të bënte një politikë të tijnë me shtetet fqinjë. Më 1420, nënshkroi me Republikën e Raguzës traktatin që përmendëm më sipër. Më 1422, kur Venetiku ndodhej në luftë me Krajlin e Serbisë, Stefan Lazareviçin, Gjon Kastrioti mori anën e Krajlit, të cilit i dërgoi në ndihmë edhe një nga djemtë e tij me një ushtëri shqiptare. Por pastaj u tërhoq nga lufta dhe hyri si ndërmjetës për të rregulluar paqen midis dy palëve.

Më 1423, Sulltan Murati II dërgon një ushtëri të fortë në Shqipëri për të vendosur pushtetin turk - gjithmonë i lëkundshëm deri atëhere - dhe për të siguruar besnikërinë e vasalëvet. Gjon Kastrioti mundi t'a shpëtojë edhe këtë herë principatën e tij, por duket se u shtrëngua t'i jepte Sulltanit tre ose katër djemtë si peng.

Më 1426, Gjon Kastrioti me të katër të bijtë përmenden së bashku në një dokument me anën e të cilit i falin dy fshatra manastirit serb të Hilandarit, në Mal të Shenjtë. Nga kjo mund të besohet se në këtë datë të katër djemtë ndodhen përsëri pranë familjes3.

Organizimi që patën nisur të bënin Turqit në Shqipëri duke regjistruar tokat dhe popullsinë dhe duke futur administratën e tyre në shumë pjesë të vendit, pat mërzitur jo vetëm krerët feudalë por edhe masat e gjera të popullit, të cilat në shumicë përbëhëshin prej fshatarësh të lirë. Prandaj që të gjithë ishin gati për kryengritje porsa të paraqitej rasti i volitshëm.

Gjon Kastriotit iu duk se erdhi ky rast më 1428, kur Sulltan Murati II i hapi luftë Venetikut për t'i marrë Selanikun. Njëkohësisht Turqit sulmuan edhe qytetet bregdetare të Shqipërisë që ndodhëshin nën Venetikun. Lufta mori gjatë në fillim, dhe Gjon Kastrioti u lidh me Republikën duke shpresuar se këtë herë mund të shkëputej nga mvarësia e Sulltanit. Por fati i luftës ndryshoi më 1430. Turqit e pushtuan Selanikun dhe nisën në drejtim të Shqipërisë një ushtëri të madhe, nën kumandën e Isak Bej Evrenozit, për të shtypur kryengritësit. Furtuna u përplas mbi Gjon Kastriotin, i cili këtë herë u thye keq dhe u shtrëngua të bënte me Sulltanin një paqe me kondita shumë të rënda: të gjitha kështjellat e Gjon Kastriotit u pushtuan prej Turqvet. Ca prej tyre u prishnë; në disa të tjera, si në Krujë e në Sfetigrad, Turqit vunë garnizone ushtarake. Krahina e Dibrës kaloi nën sundimin e Turqve, që e lidhën me vilajetin e Kosovës. Pjesa tjetër e principatës fort e ngushtuar i mbet prapë Gjon Kastriotit, por ky detyrohej të paguante haraç më të rëndë dhe të shërbente n'ushtërinë turke bashkë me të bijtë kurdoherë që të thërritej. Për t'i shpëtuar furtunës, ati edhe djemtë u kthyen myslimanë, sa për dukje, dhe Gjoni vetë mori emrin Hamza.

Venetiku bëri paqe të veçantë me Sulltanin dhe i ruajti qytetet që kishte në Shqipëri. Por Gjon Kastrioti s'u ngrit dot më prej katastrofës së vitit 1430. Përmendet edhe një herë më 1438, kur ai bashkë me të bijtë kërkojnë të bëhen qytetarë të Venetikut. Sipas një dokumenti të datës 10 Korrik 1439, u bënë edhe qytetarë nderi të Republikës së Raguzës. Në këtë dokument, emri i Gjergj Kastriotit është shkruar dhe pastaj prishur me një vijë. Nga kjo kuptohet se Skënderbeu, n'atë kohë, kishte marrë famë n'ushtërinë turke dhe shikohej si armik i krishterimit. Gjon Kastrioti vdiq aty nga viti 1442, dhe mbeturitë e principatës së tij u pushtuan prej Turqvet.

Mbasi dërrmuan Gjon Kastriotin, më 1430, dhe e shkelën të tërë Epirin duke marrë edhe Janinën, më 1431, Turqit iu vunë me forcë organizimit të vendit sipas mënyrës së tyre. Krijuan një sanxhak të Shqipërisë, me qendër në Gjirokastër, i cili përmblidhte pothuajse të gjitha krahinat e shkelura, përveç disa malësive të veriut dhe qytetevet që ndodhëshin nën Venetikun. Vendosja e administratës turke, me regjistrimin e tokave dhe të popullsisë, me detyrimin e taksave dhe t'angarive, ishte një masë fort e rëndë për Shqiptarët, të cilët qenë mësuar të jetonin të lirë nër malet e tyre. Prandaj, si krerët ashtu edhe populli u gjetën të gatishëm për një kryengritje të përgjithshme.

Flamurin e kryengritjes, këtë radhë, e rroku Gjergj Araniti pasi u muar vesh me të tjerë krerë të pakënaqur si ai. Por shënjat e para të luftës i dha Andrea Thopia, i cili u ngrit me rrethet e Durrësit dhe të Tiranës, në verën e vitit 1432, dhe theu një ushtëri turke në malet e Krrabës. Kryengritja u përhap deri në veri, ku Shqiptarët, nën kumandën e Nikollë Dukagjinit, sulmuan qytetin e Danjës. Kryengritësit iu ranë kudo garnizonevet turke dhe e spastruan vendin prej spahinjve të Sulltanit. Turqit dërguan fuqi të reja dhe e shtypën lëvizjen në veri dhe në Shqipërinë e Mesme. Por kur u ndeshën, në jugë, në qëndresën e Gjergj Aranitit, u thyen plotësisht. Atëhere Ali Bej Evrenozi, sanxhakbeu i Shqipërisë, u nis me një ushtëri të madhe për t'a shtypur kryengritjen e Aranitit dhe për t'a shtruar vendin me zjarr e me hekur. Ngado që kaloi kjo ushtëri, bëri dëme të mëdha. Por në male të Kurveleshit, ku e priste Gjergj Araniti, u bë një luftë e përgjakshme në të cilën Turqit u dërrmuan plotësisht. Në sulmet e tyre për të kapërcyer grykat e maleve, ata u shpartalluan dhe u copëtuan tërësej prej Shqiptarëvet. Ali Bej Evrenozi mezi mundi të tërhiqej me një pjesë të vogël t'ushtërisë së tij.

Kjo fitore e Gjergj Aranitit bëri bujë lartushtuëse n'Evropë dhe ngjalli shpresa të reja, sepse ishte e para herë që një ushtëri e madhe turke dërrmohej në një mënyrë t'atillë prej një ushtërie të krishtere. Papa Eugjeni IV, mbreti Alfons V i Napolit, Republika e Raguzës dhe perandori gjerman Sigismund i dërguan Aranitit letra përgëzimi dhe premtime për ndihmë.

Po n'atë vit, më 1433, Araniti korri një fitore të dytë kundër Turqve, dhe një fitore të tretë në vitin 1434. Kjo iu dha zemër edhe Shqiptarëve të krahinave të tjera. Rrethet e Gjirokastrës thirrën Depe Zenebishin, që ndodhej në Korfus, u ngritën dhe e qarkuan qytetin. Por garnizoni turk qëndroi deri sa arriti nga Thesalia, në mes të dimrit, Turhan Pasha me një ushtëri të madhe, i cili iu ra Shqiptarëvet prapa krahëvet. Të ndodhur befas midis dy zjarresh, Shqiptarët u thyen duke lënë përmbi njëmijë të vrarë. Depe Zenebishin e zunë rob Turqit edhe e varën.

Fuqi të reja turke erdhën nga Rumelia, nën kumandën e Sinan Pashës, për të shtypur kryengritjen shqiptare. Gjergj Araniti iu bëri ballë deri më 1435. Pastaj u thye, u tërhoq malevet dhe u shtrëngua të nënshtrohej si vasal i Sulltanit.

Më 1437, një tjetër kryengritje shpërtheu në rrethet e Beratit, e udhëhequr nga Theodhor Korona Muzaka, i cili e mori qytetin. Por një ushtëri e madhe turke arriti rishtaz nga Thesalia, nën kumandën e Turhan Pashës, dhe e rrethoi Beratin. Kjo ushtëri, pasi e rrahu me top fortesën disa muaj me radhë dhe s'mundi t'a merrte, iu lëshua Myzeqesë ku vrau e preu barbarisht sa deshi, dhe Turhan Pasha e nxori dufin duke ngritur një piramidë me koka të prera Shqiptarësh. Ata krerë të Myzeqesë që u zunë të gjallë, Turqit i vranë duke ua thyer kockat me çekan.

Siç shihet, të gjitha këto kryengritje u shtypën njëra pas tjetrës se nuk ishin të lidhura në një plan vepërimi të përbashkët, nuk bëhëshin në të njëjtën kohë dhe nën një kumandë të vetëme. Secili princ a kryetar luftonte veças në krahinën e tij, kur i mbushej mendja, dhe natyrisht ishte i dënuar që të shtypej. Kundër një perandorie ushtarake aq të fortë siç ishte Turqia, duhëshin bashkuar të gjitha fuqitë e kombit në një shtet të përqendruar dhe nën një kumandë. Mandej duhej ndërlidhur lufta e Shqiptarëvet me atë të popujve të tjerë që kishin të njëjtin armik. Këtë bashkim të forcavet shqiptare nën një kumandë të vetëme dhe në një shtet të përqendruar u mundua t'a bënte Skënderbeu, siç do t'a shohim më poshtë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit