2013-06-29

Grekët, Bibla dhe Shqiptarët



nga Ardian Arifaj

Duke kërkuar përgjigje për identitetin e vet, shqiptarët do t’i ndihmojnë edhe Evropës që të kuptojë identitetin e saj. Të kuptojë që praktikat që shihen si të kundërta, armiqësore e përjashtuese, në fakt mund të jetojnë bashkë dhe të përqafohen nga një shoqëri.

Dita e Evropës, 9 maji, ishte rast i mirë për t’u ndalur e për të reflektuar për Kosovën, Shqipërinë, shqiptarët në përgjithësi, marrëdhënien me Evropën, vendin e shqiptarëve në Evropë, për atë se si e kuptojmë Evropën dhe çfarë roli mund të luajmë në Evropë.

Evropën shpesh e identifikojmë, me të drejtë, me Bashkimin Evropian. Ky organizëm edhe ashtu përfshin pjesën më të madhe të kontinentit. BE-ja është kthyer në sinonim për një jetë më të mirë, në prosperitet dhe në paqe, gjë që e synojnë edhe shqiptarët. Por, deri sa nga jashtë e idealizojmë këtë Evropë, kur të shikohet më afër kuptojmë se edhe ajo ka problemet e veta.

Ndër problemet më thelbësore mbetet ai i vet idesë së Evropës. Evropa ende nuk ka ndërtuar një identitet të vetin por ende është në kërkim të tij. Kjo veçanërisht vjen në shprehje në procesin e forcimit të institucioneve të BE-së dhe evropianizimit të shteteve-kombe si dhe në debatin për zgjerimin e këtij bashkimi shtetesh. Në kërkim të vlerave të përbashkëta Evropa ende nuk ka gjetur një përgjigje përfundimtare. Përkundrazi. Është një debat që sa vjen e intensifikohet. Përtej bashkimit ekonomik brenda të cilit lëvizin lirisht njerëzit, fuqia punëtore, paraja dhe mallrat, çdo gjë tjetër në Evropë mbetet me pikëpyetje. E këto pikëpyetje eskalojnë në tensione sa herë që hapet çështja se ku është kufiri lindor i Evropës. Ka shumë qytetarë të BE-së që mendojnë që kjo organizatë ka arritur kufirin e vet në lindje. Në këtë debat janë të përfshirë të gjithë, qytetarët si dhe politikanët e akademikët. Dilema në thelb të këtij debati më së miri do të përshkruhej me dallimin mes përshkrimeve për Evropën që kanë bërë dy filozofë: Emmanuel Levinas, filozofi francez, që Evropën e quajti “Bibla dhe grekët”; përshkrimin e tij e plotësoi filozofi tjetër francez, Jacques Derrida duke thënë se në të vërtetë Evropa është “Bibla, grekët dhe përtej/diçka më tepër”.

Vërtet identiteti i Evropës është ndërtuar mbi filozofinë e Biblës dhe është korrigjuar pas mesjetës me humanizmin që evropianëve ua kujtoi ri-gjetja e Greqisë antike. Për shekuj të tërë, sa herë kërkonte “tjetrin” përballë të cilit do të identifikonte veten, Evropa shikonte kah Islami, si fe dhe kulturë. Islami preku kontinentin që prej lindjes të tij, njëherë nëpërmjet maurëve në Spanjë e pastaj nëpërmjet osmanlinjve në Ballkan e deri në Vjenë. Shumë gjatë Islami është parë si diçka e huaj për Evropën dhe vetëm tash, në fund të shekullit XX, ka filluar të vihet në pikëpyetje kjo bindje dhe është intensifikuar literatura akademike që argumenton se Islami ka pasur një marrëdhënie shumë më të gjallë, shumë më organike dhe shumë më të shëndoshë me Evropën. Një debat i tillë nuk është as afër që të përfundojë. Këtë e rëndojnë dhe e bëjnë më të vështirë sfidat me të cilat përballet vet Islami sot, interpretimet ekstremiste e radikale të grupeve me agjenda politike. Sa sensitive është kjo temë në Evropë tregon tmerri i parë në Norvegji, verën e kaluar, kur një ekstremist dhe fundamentalist i krahut tjetër, atij të krishterë, u ngrit kundër multi-kulturalizmit dhe vrau mbi 70 bashkëkombas të tij. Kjo tragjedi zbulon se sa i rëndë është ky debat edhe për shoqëritë më të hapura, më sekulare, më tolerante por edhe më prosperuese në Evropë, ku qytetarët nuk kanë shumë arsye që të kërkojnë një “tjetër” që t’ia vënë fajin për çfarëdo që nuk funksionon në shtetin e shoqërinë e tyre.

Një dilemë të tillë të ngjashme me atë të Evropës e kanë edhe shqiptarët. Njëqind vjet pas pavarësimit të Shqipërisë, shqiptarët ende pyeten nëse i përkasin Evropës dhe civilizimit perëndimor apo i përkasin Lindjes. Në fillim të shekullit XX, pas shpalljes së pavarësisë, kishte ende prej atyre që kërkonin që të kthehej “baba Sulltan” apo të mos përdorej alfabeti i Manastirit. Në fund të shekullit XX, kur Kosova kërkonte pavarësinë, kishte plot shqiptarë që mendonin se sikur shqiptarët të kishin qenë të krishterë, atëherë Evropa do të njihte pavarësinë e Kosovës. Disa vite më vonë, kur Evropa nuk i hoqi vizat për shqiptarët në Shqipëri e Kosovë si edhe për Bosnjën, ishte më lehtë të thuhej se motivet ishin “religjioze” se sa të shikohej nëse kjo kishte të bënte me disa parakushte që duhej plotësuar.

Paradoksalisht, kjo dilemë dhe ky vet-reflektim i bën shqiptarët më evropianë se çdo gjë tjetër. Nevoja për të vënë çdo gjë në pikëpyetje dhe për të kërkuar dhe gjetur vet përgjigjen, për të vënë në dyshim çdo autoritet e çdo mendim, është gjëja më “evropiane”. Nuk ka asgjë që e dallon Evropën më shumë se sa pjesët tjera të botës, se sa civilizimet tjera, se sa nevoja për të qenë përherë dyshues, përherë kritik, gjithmonë duke kërkuar përgjigje. Dhe deri sa shqiptarët njësoj vazhdojnë të shtrojnë pyetje për veten e tyre, të kërkojnë identitetin e tyre, do të mbesin evropianë të mirëfilltë. Ky debat duhet të bëhet edhe më i gjallë dhe në të të përfshihen sa më shumë protagonistë. Protestat si këto të fundit në Maqedoni tregojnë se një gjë e tillë është duke u bërë nevojë e ndoshta edhe nevojë urgjente. Shqiptarët me të drejtë kërkojnë që t’u pranohet identiteti i tyre kombëtar, kulturor por edhe fetar. Duhet të respektohet e drejta e shqiptarëve që të ushtrojnë kulturën dhe fenë. Të respektohen dhe të pranohen shqiptarët që i përkasin fesë Islame por edhe atë që praktikojnë Bektashizmin apo Ortodoksizmin.

Debati për identitetin e shqiptarëve dhe përkatësinë e tyre duhet të tregojë se shoqëria shqiptare, kultura shqiptare, praktikon vlera që janë pothuajse universale. Vlerat si respekti për jetën e njeriut, e drejta për të jetuar në prosperitet e dinjitet, nevoja për solidaritet me njëri tjetrin janë vlera që i promovon edhe Kanuni i shqiptarëve, edhe librat e shenjtë, por edhe kushtetutat e shteteve perëndimore apo konventat dhe traktet mbi të cilat është ndërtuar BE-ja. Duke gjetur përgjigje në pyetjet për identitetin e vet, shqiptarët do t’i ndihmojnë edhe Evropës që të kuptojë identitetin e vet. Të kuptojë që praktikat që shihen si të kundërta, armiqësore e përjashtuese, në fakt mund të jetojnë bashkë dhe të përqafohen nga një shoqëri. Ky do të ishte kontributi më i madh që shqiptarët mund t’i a japin Evropës sot.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...