2013-06-28

ZASTAVA ME NUMËR TË TRILLUAR


RIZA LAHI

Tregim

NGA LIBRI KUSHTUAR RINISE SE LAVDISHME KOSOVARE
”LULJA NDER HEKURA”


 
Ai ishte i urtë, i pafjalë. Prania e tij të sillte ndërmend flladin në piskun e vapës. Sa herë që hynte babi, ngrihej në këmbë, i bindej verbërisht vëllait të madh dhe sapo shfaqej në ndonjë derë, hiqte këpucët. Ishte i bukur si nusja në gjerdek dhe skuqej kur fliste me vajza. Shtatlartë e shalgjatë, me atë hundë të kërrusur alpinesh, pasi të rrije pakë me të, të krijonte ndjenjën se po rrije me ndonjërin prej banorëve të eposit të kreshnikëve, që kishte dalë nga xheneti për të shëtitur pak. 



Me atë shpirt prej engjëlli…
I bukur dhe i vetëm, duke ecur në punën e vet, mbërthyen policët mu në mes të qytetit, dhe pas pyetjes së parë se përse i kishte shikuar ata ashtu i kërkuan që t’u jepte pistoletën që mbante të fshehur në shtëpi.


 Ata ishin krejt të sigurt për këtë. Pistoleta ishte e tipit “Zastava”. Bile e kishte numrin 390001944. Atij nisi t’i merrej goja. Ai nuk kishte mbajtur kurrë në jetën e tij asnjë lloj pistolete. Për këtë gjë ishte kujdesur veçanërisht e ëma. Ishte kaq i bukur, edhe e ëma i frikësohej, se poqese ai do të mbante pistoletë, ai kishte për të shtënë një herë, kushedi se kur do të ndodhte kjo, por edhe kish për të pritur plumba nga një pistoletë tjetër. “Pushka, aq sa e ka grykën, aq e ka nafakën”- mërmëriste e ëma me vete, duke menduar, se po t[‘ia gjente gjë atë, më të voglin e saj kish për t’u shituar i tëri fisi, se ishte mashkulli më i bukur.
Nuk e mbajtën më tepër se sa 48 orë në stacionin e policisë. E rrahën e shanë “mustaqe mi”, dhe para se ta lironin, ia hoqën të mbathurat edhe e ulën mbi sobën e policëve, ku bubulonte flaka poshtë kapakëve të skuqur. Tek mbushej dhoma e policëve me aromën e mishit që digjej, ata nuk pushonin së kërkuari pistoletën me numër 390001944. Mes britmave të tija dikush i preu njërën anë të mustakëve me gërshërë.
Kur po dilte nga stacioni i policisë e shoqëruan të qeshura të shfrenuara policësh. Por në ato çaste, D. L. 19 vjeçar, një metër e tetëdhjetë e shtatë, vetëm se i pa maskarenjtë e tij me vëmendje. Ai qe kthyer në përbindësh.

Dhe kish fiksuar njërin prej policëve. Dërgoi fjalë në shtëpi me shokun e tij më të ngushtë se qe nisur te daja në Suharekë. Si u shërua, u kthye në shtëpi, atje në fshat.
Nuk i tha askujt asgjë. Vetëm të vëllait, atij që i bindej si një këlysh i zoti, i tregoi se e kishin kapur në polici.
Por as atij nuk i tregoi se ishte kthyer në një përbindësh. Por në një përbindësh të bukur si dielli në drekë, të pafjalë si rrasa e varreve e të përulur para njerëzve të shtëpisë si një mace që rri pranë zjarrit në dimër.
Mirëpo ngjarja e mëposhtme mori dheun e përtej. Ngjau krejt papritur për të gjithë. Ngjau në të njëjtën rrugë ku e patën kapur.
Përbindëshi me pamjen e engjëllit shtiu shtatë herë me “Zastavë”. Ai ishte bërë copash dhe kishte gjetur pikërisht një alltie me atë numër 3900001944, që ia përmendnin gjatë torturave, numër ky i trilluar, e që torturuesit e tij e dinin fare mirë që ishte i këtillë.

Të shtatë plumbat në vend që të përqafonin për jetë zemrën e torturuesit, kishin ndeshur në “pancerveste”, siç quhen jelekët special që nuk i përshkon plumbi i revolverit a pushkës. 



Polici serb kishte vrapuar. Turma qe hapur. Ndodheshin, siç thamë, mu në qendër të qytetit. Zenda e qytetit zakonisht është plot me policë. Atë ditë, çuditërisht, se nga qenë futur. Ai me këmishën antiplumb, që nuk ra nga shtatë të shtënat, ishte vet i dytë. Mirëpo, kur nuk dëgjoi më të shtëna, vendosi të ndalej. 


Dhe t’i kthehej atij që kishte dashur t’i merrte jetën. Pra të gjithë. Ngjau në të njëjtën rrugë, ku siç qe kthyer dikur Vulo Serdari. Por, ndërkohë, shalët gjata të përbindëshit e kishin arritur, dhe ai u kujtua që kish nënë kur ndjeu t’i çahej koca e kokës nga qyta e pistoletës “Zastava” 390001944. Dhe ofshani “Moja majka”.

Kur policët i bënë ekspertizën në morg, në qafë i konstatuan shenja thonjsh.
Por, mjekët nuk kishin se si të verifikonin që ata thonë, që kishin lënë shenja në qafën e kufomës, kishin pasur edhe ata shenjat e veta-thumba të ngulur në mishin e tyre. D. L. tani është larg atdheut. Kur i del në telefon familjes, përsëri flet me atë zë të avashtë si nga altari i kishës. UDB-ja ende s’e ka zënë. UDB-ja organizoi të tërë rrjetin e saj në shtetin Amë për ta kapur, se mos ishte strehuar atje, por ai nuk gjendej. E kërkon kënd e kënd Evropës, por ai fshihet.
Tashmë ai nuk është më një përbindësh. Është D. L.-ja i parë. I javashtë, fjalëpak. I bukur si nusja në gjerdek. Kur shkon ndokund për vizitë, i heq këpucët te dera dhe përsëri skuqet sa herë që bisedon me vajza qofshin ato edhe prej asish që ta heqin marren. Dhe flet me zë të ulët e të ëmbël, siç flasin në altarin e kishës.


Mirëpo nget edhe nganjëherë të kthehet në përbindësh. Fare rrallë, por ngjet. Ja që ngjet.

E, në kësi rastesh. Le të jetë në secilin shtet të Evropës, merr turr e shkon në lagje, nëqoftëse ka ndonjë lagje, ku janë strehuar serbë. Emigrantë serbë. Fare i vetëm. Dhe u thërret të dalin të rrihen me të. Cili të dojë. Qoftë edhe dy me një. A nuk e shihnin ata se ai është krejt i vetëm? 

Dhe krejt i paarmatosur? Qoftë edhe një thikë s’e kishte me vete. I provokon duke i sharë nga nëna (ka mësuar të shajë nga nëna). Në kësi rastesh, ai i ka sytë të skuqur, dhe i lëviz një nerv poshtë syrit të djathtë. Pasi ngjau për herë të parë një diçka e tillë, shokët kanë nisur ta ruajnë. E mbërthejnë nëpër krahësh, dhe e çojnë në spital, sapo konstatojnë se ai ka shkuar në lagjen ku banojnë emigrantë serbë të cilëve u thërret të dalin e të rrihet me të, qoftë edhe dy për një, pasi ka vendosur të vdesë.
Kriza më e gjatë ka vazhduar katër ditë në një spital të Hamburgut.

 
***
I tërë qyteti ende e kujton ngjarjen në mesin e bulevardit kryesor.
Vetëm e ëma e D. L. nuk beson asgjë. sidomos nuk beson se biri i saj ka raste që kthehet në përbindësh. Sa herë që ai e merr në telefon, sado larg që të jetë, ka një zë sikur vjen nga thellësitë e xhenetit, dhe ajo çuditet se përse ai nuk vjen që ta përqafoj. Pasi t’i heqë këpucët te dera e shtëpisë. Për të ndenjur pranë të atit, pranë vëllait, si macja pranë zjarrit në dimër.


Dhe panë motrave. Pranë dhëndurëve.
Pranë nipave e mbesave.
Dhe të këndojë me sharki këngën e tij.
“Mos m’i lidhni sytë me shami.
Se jam shqiptar, jam kosovarli”
Pranë saj.

 

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...