2013-06-22

Gjashtë të vërteta poetike për Teodor Kekon





Nga Natasha Lako
1.
E bukur, e thjeshtë, e ngrohtë dhe e mbushur plot dritë. Kështu mund të përcaktohet poezia e Teodor Kekos, e cila vjen te lexuesi shqiptar në kolanën e poezisë së sotme shqipe të Shtëpisë Botuese “Toena”. Kur themi fjalët “e bukur” dhe “e thjeshtë”, e dimë se kemi mundësi që të flasim për gjithçka të prekshme të kësaj bote, që na tërheq pas vetes. Kur përdorim fjalët “e ngrohtë” dhe “e mbushur plot dritë”, largohemi prej botës së pafrymë dhe hyjmë në shpirtin e njeriut dhe të gjithë gjallesave të tjera, gjerbërore, ku drita vjen me reflekse të shumëfishta dhe të ndryshme, ashtu si në poezinë e Teodor Kekos. Mes për mes këtij kufiri shkrirës dhe reflekseve të ndërthyerjeve të ndriçimit njerëzor, është më lehtë t’i thuash lexuesit disa fjalë mbi poezinë e Teodor Kekos, të mbushur plot dritë dhe ngrohtësi vetjake, që nga poezitë e tij të para deri tek ato të fundit. Kjo frymëmarrje ritmike poetike dhe e ngrohtë, e ndjek Teodor Kekon gjatë jetës së tij të mbyllur një herë e përgjithmonë para kohe, jo vetëm thjesht si një shteg i parë nisjeje, si ndodh rëndon me shumë shkrimtarë të tjerë. Bota e tij e letrave, sot e përgjithmonë, bashkëjeton mes prozës dhe poezisë.
Sigurisht që gjithmonë ka një fillim dhe një shtysë, të cilën e mësojmë nëpërmjet prozës së tij, ku shpesh gjejmë të gjitha burimet e jetës personale. Mjafton që të lexosh novelën e tij “Curriculum Vitae”, të shkruar me një frymë dhe me ngut, si për ta lënë para vdekjes bekimin dhe dashurinë e tij, ku Teodor Keko lë për të gjithë përshkrimin e shtratit të tij djaloshar ku mbetën të varura mbi kokë brilantet më të ngrohta, më me dritë, më të thjeshta dhe më të drejtpërdrejta të poezisë shqipe.
Poezia e Teodor Kekos ndërhyn me të madhe në këtë histori të gjatë të poezisë shqipe, ku “me kohën tonë lumenjtë nderojnë rrjedhën në rendjen drejt dashurisë”, si thotë poeti në poezinë ”Sërish si djalë çapkën do fishkëllejë horizonti” dhe kur jetojmë në një vend ku “si ogur i keq, hollë vishen njerëzit dhe monumentet tmerrësisht trashë” te poezia “Shqipëria, dhjetor ’90 - janar ’91".
2.
Kështu për Teodor Kekon fillon një rrugë e gjatë poetike, që do ta renditë atë në radhën e poetëve më të dashur dhe më të drejtpërdrejtë shqiptarë, një poezi që përmban një mister të madh suksesi. Bëj ta gjej çelësin e këtij misteri te proza e tij që thyen norma dhe kanune të vjetra letrare, në të kundërt të poezisë së tij të mbështetur në traditën e gjatë dhe të dridhshme. Dhe ndoshta dëshiroj t’i them lexuesve të tij se te Teodor Keko ndodh një këmbim i çuditshëm letrar, që vlen si një rrugëzgjidhje origjinale. Në prozën e tij, nëpërmjet personazheve qendrore të shkruar pothuajse gjithnjë në vetën e parë, zbulohet së pari bota e brendshme dhe e turbulluar e një njeriu ku shpesh janë të tjerët që i zbulojnë veten. Në poezinë e Teodor Kekos, që nga fillimet e tyre deri te poezitë e fundit, është vetë poeti që shërben si reliev për të zbuluar plotësisht gjithçka rreth e rrotull. Çelës i çuditshëm ky, çelës i përkryer për të zbuluar botën.
3.
Kush lexon poezinë e Teodor Kekos që nga fillimet e veta deri në fund të jetës së tij të shkurtër, por të padorëzuar asnjëherë para vdekjes, ka të drejtë që ta konsiderojë kraharorin e unit të tij poetik si një truall prej nga lind dhe ndriçohet një vizion për të tjerët. Kam dëshirë të citoj një nga poezitë e tij të para të vitit 1980.
Kur nisem për te ty vetëtij dhe bubullij,
Bëhem trim i madh dhe më pushton një guxim i rrallë.
Para teje hesht. Nën heshtje zbardhem dhe ngrij.
Zbres në zemrën tënde lehtë, siç bie në rrugë borë e bardhë.
Zbres atje dhe dashurinë time ngroh,
Dhe pres të vijë pranvera e fara të çelet.
Kur të ndodhë kjo, kur të ndodhë kjo....
Trim i madh do të bëhem dhe do të bubullij patjetër.
Ka në këtë poezi mundësi dhe pamundësi për një ngrohtësi dhe dritë më të madhe që nuk gjendet dot pa praninë e njeriut tjetër, atij më të dashur. Kështu, hap pas hapi fillon e ndihet në poezinë e Teodor Kekos prania e domosdoshme e të tjerëve, si një dialog i hapur pranimi, si një univers dashurie që krijon një botë të tërë të domosdoshme, një kërkesë që në subkoshiencën njerëzore, njeriu e pati kërkuar që në zgjimin e tij të parë. Por që nuk e dallojnë dot të gjithë. Do të ishte fare e pakuptimtë sikur në mes të radhës së gjatë të “të tjerëve”, çuditërisht dhe para kohe Teodor Keko të mos shihte edhe vdekjen si në poezinë “Larg. Afër”, ku ai thotë:
Dëgjoj trokitjen, puthjen ia ndiej,
Shprishje gjymtyrësh në trupin tim.
I dashuruar pas dashurisë. Mbeta
I veshur në qefin.

Sot s’është çudi në prag të jetë
Duke trokitur vetë dashuria.
Por unë s’e njoh. Kam frikë. Hap derën.
Drejt vdekjes shkoj, siç një jetë ika.
Dhe pastaj një tufë të freskët poezie për praninë dhe njohjen njerëzore, me poezi për shokun e vet Shekspir, të njohurin e tij Meksi apo për vajzën që rri në dritare si në poezinë “Fryma në xham dhe bota në dritare”. Kështu, pranë poetit renditet një botë e madhe ku njerëzit e dashur, Irena që e lë poetin pa ëndrra si në shkretëtirë (“Kur dikush bri meje thotë Irenë”) apo dy punëtore që rregullojnë ekspresin nën hënën si kurriz delfini (“Peizazh në plazhin dimëror”) renditen pranë selvive që nuk duhen prerë, pasi në to ka trishtim, ka dashuri. Ky pranim kërkon një zemër të madhe.
4.
Që të arrish të zbulosh praninë e tjetrit, kaq thjesht, kaq butë dhe kaq poetikisht, Teodor Keko nuk ka nevojë të kapërcejë nëpër barriera. Prania e tjetrit e hap botën, e zbërthen në mënyra-mënyra. Pikërisht nga kjo koshiencë e parë njerëzore, njeriu bëhet i ndërgjegjshëm për veten dhe për shoqërinë deri në atë masë sa krijon vizionin e atdheut dhe të njerëzve të kësaj bote. Ta ndiesh apo ta shohësh botën bëhet pothuaj njësoj në një botë kaq të personalizuar të një njeriu të vetëm poezie, kaq të personalizuar prej një njeriu të vetëm. Kështu poeti duket sikur e merr në duart e tij për ta treguar si fëmijë pyllin dhe heshtjen, vajzën që do dhe emrin e thjeshtë të një shoku, në një dialog gjithnjë më të hapur dhe më të domosdoshëm herë me atin, herë me birin, herë me fëmijën e vogël të porsalindur, pasi poeti vetë nuk jeton dot pa të tjerët. Në këtë këndvështrim, mjetet poetike gjithashtu janë aq të buta, të brendshme dhe pothuaj të padukshme, pothuajse si lënda vetë, pasi për t’u parë është gjithmonë e nevojshme pasqyra e shpirtit të njeriut. Janë shumë arsye të çuditshme që e rendisin poezinë e poetit pranë gëzimit, haresë dhe shpengimit emocional që jeton si pasojë e kësaj marrëdhënie me të tjerët, që nuk ka se si ta gjesh kaq hapur dhe në mënyrë kaq ngazëlluese në prozën e tij. Por ajo që bashkon poetin me prozatorin është ky terren plot reflekse shoqërore. Me poezinë e tij, Teodor Keko të udhëheq drejt shtigjeve të një qytetërimi pothuaj personal dhe të domosdoshëm. Dhe, mbi të gjitha, ai kërkon praninë e dashurisë.
“Po forca?”, do të pyesë ndonjëri. E bukur, e thjeshtë, e ngrohtë, inteligjente është poezia e tij, ashtu si është kaq vrojtuese dhe kaq zbuluese për marrëdhënie pa fund të qenies njerëzore me të tjerët, derisa shtrihet përtej natës në pyllin e heshtur (“Natë në pyll”). E kërkojmë këtë forcë njerëzore në poezinë e tij të qetë dhe njëkohësisht të trazuar, që pranon brenda edhe harresën, edhe trishtimin.
E thënë pa frikë, në poezinë e Teodor Kekos forca e tij e vetme mbetet gëzimi që mbisundon edhe vdekjen. Dhe për këtë forcë ai shkruan poezinë lapidare që zbërthen sekretin e forcës së tij poetike.
Hapi krahët!
Në gjoksin tënd Dajti
U struk si foshnjë.
Jo ti,
Natyra
Është foshnja jote.
Në njohjen dhe praninë e tjetrit ose tjetrës, poeti krijon pak nga pak botën e tij shoqërore. Dhe ai vetë, si thotë në poezi, mbetet natyra.
5.
Në poezitë e tij të botuara në vëllime të ndryshme, gjendet megjithatë një vjershë e rrallë që i drejtohet vetvetes (“Teodorit të dashur”), e cila në asnjë çast dhe në kundërshtim me tezat e narcizmit njerëzor, megjithatë nuk flet aq për vetveten, sa për shndërrimin e njeriut, sado që te Keko nuk kalon dot në mutacion.
Nga jeta ime shtegtuan zogjtë,
Dhe njerëzimi e humbi seksin,
Tani unë flas për ç’do të lindë,
Pa parë turmat që po vdesin.

O miku im oportunizëm,
Ma hëngre kokën, ma bëre gropën,
Kujt t’i ankohem. Kë të mallkoj,
Më mirë po ik të plehëroj botën.
Gjoksi i tij poetik, sa herë që shfaqet, është aq i njerëzishëm, sa shndërrohet dalëngadalë në një reliev metaforik, për të rilevuar vetëm të tjerët.
Poezia dhe jeta e tij është aq bujare sa t’ua lërë vendin edhe të tjerëve. Kështu në poezinë e Teodor Kekos fillon të ndihet prirja e sinqertë e një largimi, si një dëshirë tjetër për të gjetur përmasat e lartësive, ose të thellësive.
Poetit i largohen shpesh dashuritë, si diçka na ishte që kurrë nuk ndodh (“Fatkeqësia”), largohen vitet, vijnë ndarjet derisa arrin dhe finalja e vërtetë e tij ekzistenciale (“Ftohtë”).
Askush s’kuptoi se gjithë ky ujë
Vajtimi im qe, madhështor.
TË DUA, thanë ujërat me zhurmë,
Po kush dëgjoi dhe kush dëgjon.
Disa nga poezitë e tij më të bukura dhe më të ndiera janë shkruar kur poeti mësoi se kishte të strehuar në trupin e tij vdekjen e parakohshme. Por ai është i gatshëm ta pranojë fundin.
Nga poshtë gjithçka duket e madhërishme,
Mjerë ju kundruesit e botës nga lart!
Nuk ka më për poetin asgjë të dhimbshme dhe të papranueshme. Kjo është ndoshta kundërshtia e tij e vetme. Pranimi.
Shpirti i tij krijohet vërtet si në një reliev që tërhiqet. Kështu ai lë në poezi, sipër trupit dhe shpirtit të tij, vetëm atë që mbetet e përjetshme. Kështu ai lë pas një botë poetike ku lëvrijnë dhe marrin frymë gjithnjë të tjerë dhe të tjerë, poezi të tilla brilante e njerëzore dhe shumë të prekshme, madje të brishta dhe delikate, si: “Dashuri e përjetshme”, “Pa kthyer kokën”, “Unë të kam dashur, por...”, “I mundur”, “Magjepsësja”, “Letra dashurie”, etj., etj., si do të thoshte vetë poeti.
6.
Lexuesi që mirëpret poezinë e Teodorit i ngjan një lloj radari. Është lexuesi që ndien dhe provon së pari sinqeritetin e një njeriu për njeriun. Në thelb të këtij pranimi të vërtetë poetik qëndron dashuria njerëzore, të cilën në prozë Teodor Keko nuk dëshiron ta shfaqë kaq hapur dhe kaq në dritë, duke i dhënë poezisë tipare të veçanta dhe të dallueshme prej prozës së tij të gjallë jetësore.
Lexuesi e ndien se kush e do me të vërtetë dhe kush jo, pasi jeton me reflekset dhe instinktet e tij të përhershme narciztike, si do të thoshin psikoanalistët e shumtë të kohëve postmoderne. Teodor Keko pranon njeriun deri në banalitetin dhe në surogaton e tij. Por në poezi, më shumë se në prozën e tij, ai është i gatshëm që të pastrojë njeriun me shpirtin e tij të madh dhe të çiltër. Ai është dashamirës dhe i çelët.
Ndoshta kjo është një nga magjitë që i shkakton popullaritetin, të ndërtuar edhe në vargje. Qofshim një ditë të shtatë në pushim si vetë i zoti i vargjeve të kësaj përmbledhjeje, sa herë që do të vazhdojmë të flasim dhe të flasim për poezinë e Teodor Kekos, ku arti dhe jeta, pas një krijimi të vërtetë, na kanë dhënë një kolazh të përbashkët dhe të njësuar.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...