Edicioni i sivjetshëm i Panairit të Librit të Prishtinës është përmbyllur dje, në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjatë një jave sa zgjati këtë vit ky panair, u zhvilluan shumë aktivitete të rëndësishme për librin, u dhanë shumë mesazhe, kurse më i rëndësishmi ishte mesazhi që u dha për letërsinë për fëmijë. Kështu ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", shkrimtari Albatros Rexhaj, i cili nga juria e Panairit është zgjedhur shkrimtari i vitit, për romanet 'Bombë në Beograd" dhe "Ditar dashurie i një shkrimtari".
I nderuar me çmimin e jurisë
Rexhaj ka thënë se me mbarëvajtjen që ka pasur ky panair ka arsyetuar plotësisht epitetin jubilar. "Panairi i 15-të i librit ka sjellë risi, aktivitete të shumta, ka krijuar atmosferën e festës, e më i rëndësishmi është mesazhi që u dha në mbyllje të panairit, e që është kujdesi dhe promovimi më i madh i letërsinë për fëmijë", ka thënë Rexhaj, duke shtuar se ka mbetur mjaft i emocionuar, por edhe i nderuar me çmimin që i është dhënë nga juria e Panairit. "Ky çmim për mua ka vlerë shpirtërore, emocionale, të papërshkrueshme", ka thënë Rexhaj, duke u bërë thirrje krijuesve të rinj që të mos dorëzohen nga zhgënjimet që do të përballen në rrugën e tyre krijuese.
Librat elektronikë
Përveç çmimit, Rexhaj i ka sjellë panairit të Prishtinës dhe të veçantën e këtij viti, e që është prezantimi i botimeve elektronike përmes Shtëpisë së tij të Botimeve Elektronike, "Filozofia Urbane". Qëllimi i prezantimit të botimeve elektronike, sipas tij, ishte rekrutimi i lexuesve, që siç ka thënë ai, është përfitimi më i madh. "Edhe ne, nëse duam ta rrisim interesimin për librin sikurse është në botë, nuk mund ta bëjmë po nuk rekrutuam lexues. Ideja ishte që ta përdorim këtë rast unik, ta promovojmë leximin dhe kjo u tregua shumë e suksesshme. Libraria elektronike ishte shumë prezente, sepse u diskutua për librin elektronik, atë klasik dhe në të gjitha këto diskutime njerëzit e mbajnë në mend vetëm një gjë, librin", ka thënë Rexhaj.
Pjesëmarrës, 90 botues
Duke e vlerësuar si të suksesshëm Panairin e sivjetmë, organizatorët në një konferencë për medie kanë thënë se çdo gjë ka ecur sipas parashikimeve. Sipas tyre, këtë vit kanë marrë pjesë 90 botues.
Ndërsa u mbajtën 40 aktivitete të ndryshme, si promovime, prezantim krijuesish dhe përvjetorë për krijuesit e mëdhenj shqiptarë. Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës Daut Demaku ka thënë se me gjithë mangësitë që kanë mundur të jenë evidentuar, nga organizatorët është bërë më e mira. "Një përgëzim të veçantë e meriton nënkryetari i SHBK-së dhe stafi i tij për organizimin e mirë", ka thënë Demaku.
Ndërsa më pas, organizatorët kanë shpallur edhe librat më të kërkuar të autorëve shqiptarë, si: "Një histori e kontestuar", i Jakup Krasniqit, "Shqipëria dhe Kosova" i Rexhep Qosjes, "Bisedë për brilantet e pasdites së dhjetorit", i Kadaresë dhe "Kukullat nuk kanë atdhe" i Flutura Açkës.
Ndërsa, autorët e huaj më të shitur, sipas organizatorëve, ishin: "Dhe malet oshtinë" i Khalid Hossein, "Revolta e atlasit" i Ayn Rand, "Aleph", i Paolo Kohelos, "Nderi" nga Elof Shafak dhe Mistriku O'Sho. Ndërsa librat më të shitur për fëmijë ishin "Eko lbirus" nga Drenusha Zajmi- Hoxha, "Histori gazmore"nga Jeronim Sticton, "Djali i miliarderit" i David Valliams, "Minierat e mbretit Sallomon" nga H.R. Hegerd dhe "101 fabula dhe përralla' nga vëllezërit Tafaj. Kurse në fund, redaksitë e Kulturës së medieve të ndryshme dhanë edhe rekomandimet e tyre për librin më të lexuar të Panairit.