Pedagogët iu kërkojnë studentët të blejnë librat që mbajnë autorësinë e tyre. Këta libra kërkohen që në orën e parë të leksionit. Ky fenomen është i përhapur në shumicën e fakulteteve në Tiranë. “Pedagogia erdhi në orën e parë me 100 tekste të saj.
Ajo vendosi në secilën bangë nga një tekst dhe na kërkoi shumën prej 800 lekësh që përkonte me çmimin e librit të saj. Studentët që nuk kishin aq të ardhura me vete u penalizuan që nga ai moment.” Kështu u shprehën studentët për një pedagoge në fakultetin e shkencave sociale.
I njëjti fenomen është përhapur edhe në fakultete të tjera. Studentët ankohen se pedagogët kërkojnë të blihen librat e tyre mepatjetër.
Ka raste që pedagogë të veçantë nuk paraqiten në asnjë orë leksioni nëse studentët nuk kanë librat e tyre dhe shkojnë vetëm orën e provimit. Në degë të veçanta, si ajo e gjeografisë, pedagogë që akoma nuk kanë përfunduar librin e tyre dhe sapo janë emëruar në detyrën e mësimdhënësit japin leksione me shënime për studentët dhe nuk pranojnë të sugjerojnë tekste të autorëve të tjerë.
Problemet me literaturën shfaqen në mënyra të ndryshme. Nuk ka vetëm literaturë “të detyruar” , por edhe mungesë literature. Në master studentët ankohen se nuk kanë tekstet bazë për shkak se nuk ka literaturë të përkthyer në gjuhën shqipe. Ndërsa studentët e sistemit Bachelor përballen me një tjetër problem: Leksione në gjuhë të huaj. Pedagogët në degë të ndryshme, si ajo e adminisTrimit dhe politikave sociale në Fakultetin e Shkencave Sociale ju dërgojnë studentëve leksione anglisht përmes email-it, të marra nga faqe të ndryshme Web-i, pa i përkthyer apo shpjeguar më parë.
Studentët e sistemit Bachelor të viteve të para vijnë nga qytete të ndryshme. Gjithashtu të ndryshëm janë edhe programet mësimore të gjimnazeve nga ato vijnë.
Përveç ndarjes së gjimnazeve sipas profilit të tyre shkollat e mesme ndahen edhe sipas gjuhëve të huaja, që kanë në program. Një pjesë e konsiderueshme e studentëve kanë mësuar në gjimnaz gjuhën frënge dhe është e vështirë për ata të mësojnë literaturën anglisht.
Studentët thonë se e vështirë është edhe për ata që zotërojnë gjuhën angleze që të mësojnë leksionet në gjuhë të huaj për shkak të termave të panjohur dhe përmbajtjes së artikujve. Kjo literaturë në anglisht në provimet e sezonit që kaloi zuri rreth 50% të tezes së lëndës përkatëse.
Arsimi i lartë po plagoset nga përfitimet vetjake të pedagogëve të veçantë, ndërsa personat përgjegjës janë bërë palë me ata që shfrytëzojnë dijet e tyrë për të vënë disa para më tepër mënjanë. Gjithçka “në kurriz” të buxhetit të varfër të studentëve dhe arsimit cilësor.