Fundi i viteve 60 shënojnë një etapë me rëndësi në përparimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që u pasqyrua edhe në zhvillimin e letërsisë shqipe.
Një veprimtari të madhe në këtë fushë zhvilloi Kostandin Kristoforidhi. Duke hyrë në shërbim të një organizate protestante angleze, të Shoqërisë Biblike, e cila botonte përkthime të ungjillit në gjuhë të ndryshme të botës për përhapjen e besimit fetar, Kostandin Kristoforidhi kishte shpresë që të vinte në jetë planet e tij për zhvillimin e letërsisë në gjuhën shqipe me fondet e kësaj Shoqërie. Dhe me të vërtetë, në vitet 1864-1872, me ndihmën e Shoqërisë Biblike, ai mundi të botonte mbi 10 vëllime, ndërmjet të cilave ishin disa përkthime të rëndësishme fetare, si “Dhjata e re” etj.
Por Kostandin Kristoforidhi nuk mendonte ta kufizonte veprimtarinë e vet vetëm në botime fetare. Në këtë kohë ai vijoi punën për hartimin e një fjalori themelor të gjuhës shqipe dhe përgatiti një varg botimesh popullore, si dhe një revistë kulturore. Nga këto ai mundi të botonte më 1867 “Abetaren e gjuhës shqipe” toskërisht e gegërisht. Ndonëse planet e tij për mungesë përkrahjeje nuk mundën të arriheshin veçse pjesërisht, veprimtaria e Kostandin Kristoforidhit në këto vite pati rëndësi të madhe. Përkthimet e shkrimeve fetare të Kostandin Kristoforidhit u bënë objektivisht një mjet lufte kundër propagandës shkombëtarizuese të kishës greke; ato shënonin një hap të ri drejt krijimit të një kishe ortodokse shqiptare dhe rrëzonin pretendimet e “panhelenistëve” që thoshin se gjuha shqipe ishte një gjuhë e varfër dhe nuk mund të shërbente si gjuhë kulture. Me përkthimet e tij Kostandin Kristoforidhi bëri gjithashtu një punë të madhe për pasurimin e gjuhës së shkruar me një varg termash dhe shprehjesh të nxjerra nga gjuha e popullit. Për më tepër, me shkrimet e tij ai ndihmoi për afrimin e dy dialekteve kryesore të shqipes, të gegërishtes dhe të toskërishtes, duke marrë si bazë për përkthimet e tij gegërisht autorët e vjetër të Shqipërisë së Veriut, që ishin shumë afër toskërishtes.
Në këto vite letërsia shqiptare filloi të merrte përmbajtje të re më të përparuar, lidhur me detyrat e reja që shtronte koha dhe gjendja e vendit. Kështu, krahas shkrimeve me karakter fetar e didaktik që kishin mbizotëruar deri tani, filloi të trajtohej tema patriotike. Në këto krijime rilindësit u bënin thirrje bashkatdhetarëve për të luftuar sundimin e huaj, për ta vënë çështjen kombëtare përmbi fetë, për të zhvilluar e për të lëvruar gjuhën e kulturën kombëtare. Një rol të rëndësishëm si aktivist i letërsisë artistike shqipe dhe i lëvizjes kombëtare në përgjithësi filloi të luante në këto vite Thimi Mitkoja nga Korça. I mërguar në Egjipt, ai zhvilloi një veprimtari të madhe e të frytshme për mbledhjen e folklorit shqiptar.
Në të njëjtën kohë filloi të shkruante vjersha Spiro Risto Dineja nga Vithkuqi i Korçës (1846-1922), që përshkoheshin nga fryma atdhetare. Shovinistëve grekë Spiro Dineja nuk ua kurseu qortimet për armiqësinë që tregonin kundrejt shqiptarëve, si p.sh. për vrasjen e pabesë të Naum Veqilharxhit.
Dashuria për atdheun gjeti një shprehje të zjarrtë dhe artistikisht të lartë në vjershat e Preng Doçit (1846-1917), siç dëshmojnë ndër të tjera vargjet: “Shqyptarë trima, zgjedhën lshoni, / kputni prangat e luftoni!”
Fryma patriotike përfshiu edhe të tjerë poetë klerikë katolikë të veriut si Pjetër Zarishin (1806-1866), Ndue Bytyçin (1847-1917), Leonard de Martinon (1830-1923) etj.
Në këtë lëvizje morën pjesë edhe intelektualë arbëreshë, duke dhënë një ndihmë të çmuar në dobi të çështjes kombëtare. Besnikë ndaj traditave demokratike, që ishin shfaqur edhe me pjesëmarrjen masive të arbëreshëve në Revolucionin e vitit 1848 edhe në lëvizjen për çlirimin e Italisë në vitet 1859-1861, një plejadë intelektualësh arbëreshë, midis të cilëve shquheshin Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Vinçenc Dorsa, Zef Serembe etj., iu dhanë me mish e me shpirt mbledhjes dhe studimit të thesareve të gjuhës e të kulturës së popullit shqiptar.
Një rol veçanërisht të rëndësishëm në këtë drejtim vijonte të luante Jeronim de Rada (1814-1903) me punën e tij si poet i shquar, studiues i palodhur dhe propagandist i flaktë i çështjes së çlirimit të popullit shqiptar. Me veprat e tij shkencore, si “Vjetërsi e kombit shqiptar”, me poemat epike madhore, si “Skënderbeu i pafanë”, të botuara në vitet 60 e në fillim të viteve 70, De Rada u bë një figurë e madhe e kulturës shqiptare, e njohur jo vetëm në kolonitë arbëreshe e në Shqipëri, por edhe në botën letrare e kulturore evropiane. Veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e nderonin De Radën si një udhëheqës të shquar të luftës së tyre. Veprat e tij i çmuan edhe figurat e mëdha të letërsisë evropiane të kohës, si A. de Lamartinë, F. Mistral; ato u përkthyen në një varg gjuhësh të huaja.
Në vitin 1866 u botuan dy përmbledhje të rëndësishme të folklorit arbëresh-shqiptar, njëra “Rapsodi e një poemi shqiptar” prej De Radës dhe tjetra prej filologut të shquar Dhimitër Kamarda (1821-1882) nga Hora e Arbëreshve pranë Palermos, si “Shtojcë” e veprës “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe”. Nëpërmjet pasurisë së madhe artistike që paraqiste folklori, të dy studiuesit arbëreshë u përpoqën me sukses të tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik botëror mbi popullin shqiptar dhe lashtësinë e tij, si dhe mbi të drejtën e tij për t’u njohur si komb më vete. Nga viti 1865 filloi të bashkëpunonte me studiuesit arbëreshë edhe Dora d’Istria (Elena Gjika). Ajo zhvilloi një veprimtari të gjallë publicistike veçanërisht mbi tema lindore, midis tyre edhe shqiptare, që e bënë më shumë të njohur dhe shërbyen njëkohësisht për ta popullarizuar çështjen shqiptare në opinionin publik botëror.
Duke marrë shkas nga libri i De Radës, Dora d’Istria botoi po atë vit (më 1865) në gjuhën frënge një studim me titull “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”. Në të autorja vinte në dukje se këngët popullore historike shqiptare, e në mënyrë të veçantë rapsoditë e botuara nga De Rada që kishin si figurë kryesore Skënderbeun, flisnin jo vetëm për aftësitë krijuese artistike të një populli me kulturë të lashtë, por përbënin edhe një dokument historik, i cili dëshmonte për dashurinë për liri e pavarësi që kishte ruajtur populli shqiptar gjatë shekujve, me gjithë kushtet e vështira të pushtimit të huaj. “Ka ardhur koha, – i shkruante ajo De Radës, – që historia jonë të dalë gjithashtu nga varri ku e kanë groposur kaq e kaq farisej”. Duke u mbështetur në të dhënat e historisë, në këtë vepër dhe në vepra të mëvonshme, Dora d’Istria vinte në dukje se shqiptarët kishin të drejtë, me rastin e një risistemimi të ardhshëm politik të Evropës Juglindore, të fitonin lirinë e tyre dhe mundësinë për përparim në kuadrin e shtetit të tyre të pavarur.
Grupi i patriotëve arbëreshë u vu në lidhje me atdhetarë shqiptarë në Shqipëri dhe në kolonitë, si p.sh. me Zef Jubanin në Shkodër, Thimi Mitkon në Egjipt etj., të cilët u dhanë zemër për të vijuar veprimtarinë politike e letrare për të mirën e çështjes shqiptare. Duke u nisur nga parimi i shprehur nga Dora d’Istria, se “pa rilindje letrare nuk ka ringjallje politike”, grupi arbëresh përpiqej të themelonte një shoqëri letrare mbarëshqiptare, që do të botonte një gazetë me emrin “Flamuri i Skënderbeut”, një fjalor dhe një gramatikë të gjuhës shqipe.
Grupi arbëresh zhvilloi një veprimtari të rëndësishme për të bërë të njohur çështjen shqiptare në opinionin publik botëror dhe për të krijuar lidhje me lëvizjen atdhetare në Shqipëri. Dëshmi e këtij bashkëpunimi u bë libri me titull “Dora d’Istrias – shqiptarët”, një përmbledhje vjershash botuar nga Dhimitër Kamarda më 1870, për të cilën kishin bashkëpunuar autorë shqiptarë dhe arbëreshë të kolonive të Italisë e të Greqisë si Zef Jubani, Thimi Mitkoja, I. Pema, Preng Doçi, Jeronim de Rada, Anton Santori, Zef Serembja etj. Përtej qëllimit kryesor, për t’i shprehur filoshqiptares së shquar mirënjohjen për ndihmën që i jepte çështjes shqiptare, libri u bë një manifest i parë, i përbashkët i lëvizjes letrare kombëtare që po rritej në këto vite.