Artan Fuga
Në shkrimin e një jave më parë jam përpjekur të nxjerr në pah disa tipare të thelbit kulturor të qytetërimit shqiptar që kanë ngjasime me kulturën evropiane. Dhe kjo ngjashmëri nuk është fare e rastit. Përgjithësisht, historia e traditave të lashta të qytetërimit shqiptar është ngjizur me lidhje të fuqishme me botën evropiane. Ndikimet greko-romake nuk mund të kalonin pa lënë gjurmë edhe në trevat tona. Një periudhë mesjetare deri në ardhjen e osmanëve është kryer nën ndikimin e fuqishëm dhe mbisundues të Krishtërimit, si të Kishës Romane ashtu edhe nga ajo e Bizantit, e cila mbajti flamurin e fesë në Evropë nën presionin e valëve të barbarëve që vërshuan mbi të pas rënies së Romës dhe më tej. Po kështu, sado që në sundimin otoman dhe të kulturës së tyre sunduese në planin fetar, ideologjik dhe të modelit të zhvillimit ekonomik, përsëri bota shqiptare nuk është se doli jashtë konceptit të përgjithshëm tradicional të zhvillimit të kulturës së kohës. Po kështu, ndikime të forta konstatohen edhe në kohët moderne.
Gjithsesi, në kulturologji duket se ka tri parime të para, të cilat vështirë se mund t'iu shmangesh.
Parimi i parë ka të bëjë me atë që më së pari kultura përbën një bërthamë shpirtërore, është një fenomen ideal. Sado që ajo ngurtësohet në një realitet të gjerë material, në sjelljen njerëzore, në mënyrën sesi ndërtohen lidhjet shoqërore duke nisur nga familja deri te shteti, në mënyrën si vishen, si zbukurohen, si përshëndeten etj., anëtarët e një kulture, kuptohet logjikshëm se këta modele janë fillimisht ideorë, ndodhen në ndërgjegjen kolektive të njerëzve, dhe vetëm më pas, mund të projektohen në botën e vëzhgueshme empirikisht.
Parimi i dytë, që duket i mbështetur nga pothuajse të gjithë ata që kanë bërë emër në kulturologji, është se ky thelb shpirtëror, shpesh herë i ndërtuar në mënyrë mistike, fetare, apo mitologjike, çfarë rëndësi ka kjo gjë!, strukturohet në pak elemente thelbësore, thuajse shekullarisht të pandryshueshme, kurse më pas këtij thelbi i bashkëngjiten pa fund anë dytësore. Dhe pikërisht, këtu qëndron vështirësia, pra te dallimi mes asaj që quhet identitet kulturor dhe kulturës në përgjithësi në të cilën mund të futësh çdo gjë.
Parimi i tretë bazë ka të bëjë, më duket, me atë se thelbi kulturor i një qytetërimi nuk mund të shfaqet vetëm duke bërë analiza që rrokin disa vjet, apo disa dekada. Ai është një fenomen historik afatgjatë dhe kërkon patjetër një shqyrtim që të shtrihet në kohë, me një fjalë nuk mund të ngatërrohet me karakteristika shoqërore që karakterizojnë këtë apo atë periudhë të dinamikave shoqërore të një kombi, por jo historinë afatgjatë të tij.
Të tria këto parime bazë më bëjnë të mendojnë se ne kemi një nevojë urgjente metodologjike për të dalluar koniunkturën nga kultura dhe kulturën nga koniunktura.
Çfarë dëshiroj të them me këtë?
Ideja është e thjeshtë. Ka vend që të ndahet shapi nga sheqeri në një farë mënyre. Kjo do të thotë se ka nevojë që periudha historike ndofta krejt të ndryshme nga pikëpamja e dukurive objektive dhe materiale që i karakterizojnë, mbase edhe të kundërta midis tyre, përsëri të arrijnë të shpjegohen nisur nga i njëjti thelbi kulturor.
Edhe kur kombi bën luftë edhe kur ai bën paqe, është i njëjti komb, nuk janë dy kombe të ndryshme. Nuk është një komb i keq dhe një komb i mirë.
Edhe kur kombi i gëzohet tributeve të marra nga popujt që ka mundur, dhe kur vuan nga shtypja e kombeve fqinje, përsëri është i njëjti komb.
Edhe kur ndërton monumente të magjishme kulture, edhe kur shpërthen mes vetes luftëra dhe masakra të ndryshme, përsëri e bën këtë gjë brenda të njëjtit thelb kulturor.
Edhe ku celebron lindjen, edhe kur përgatitjet për vdekjen, edhe kur qan të rënët në fushë betejë, edhe kur sheh se fatkeqësitë kolektive i kanë zënë derën, përsëri reagon duke mbetur i njëjti, nuk janë dy kombe të veçantë.
Kombi edhe kur qan, dhe kur qesh, dhe kur harbon nga hareja dhe kur mblidhet kruspull nga hidhërimi dhe dhimbja, në çdo rast është i njëjti komb. është i njëjti qytetërim. Ndryshon sjellje, por nuk ndryshon model të sjelli.
Sepse na ndodh një gjë e çuditshme që na gabon shpesh pa dashje. Nga historia jonë nxjerrim në pah kryesisht vetëm vuajtjet, nga e sotmja jonë dalin në pah vetëm anët shumë negative, kurse jeta e popujve të tjerë na duket vetëm një rreze drite e shndritshme dhe e magjishme. E para, sepse shpesh e kundrojmë këtë të fundit nisur nga një pozicion i jashtëm dhe nga jashtë është vështirë të kuptosh se çfarë ka brenda. E dyta sepse shpesh frekuentojmë perimetrin periferik të shoqërive të huaja, ato që i shfaqen të huajit, ku i zoti i shtëpisë paraqet anët e veta më të mira, aeroportet, hotelet, kryeqytetet, universitetet, restorantet, trenat. Por, jeta e një kombi nuk mund të përmblidhet këtu. E treta, sepse shpesh jeta e qytetërimeve të tjera na del para syve nisur nga imazhet që na sjell një kulturë shpirtërore e sublimuar, sikurse është informacioni mediatik, poezia, shkenca, etj.
Ndonjëherë thuhet se edhe flamuri unë duke pasur një qendër një shqiponjë me dy koka, qysh në simbolikë qenka i dyzuar midis Lindjes dhe Perëndimit. Ndërkaq që dihet se ky simbol vjen nga aq larg saqë dallimi i sotëm Lindje - Perëndim atëherë nuk do të kishte pikë kuptimi.
Nga një vështrim, në Tiranë, thuhet se do të gjesh mjaft restorante me aromë shijesh dhe organizimi lindore, qofte, byreqe, bakllava, brumëra me yndyrë, pilaf, imam-bajalldi, salep, bozë, dhe prej këtej, ose nga dukuri të ngjashme me këto, dilet në përfundimin se kultura jonë lindore është mbisunduese. A thua se janë anët materiale të jetës që ngatërrohen me thelbin kulturor të një qytetërimit. Meqë përdorim autovetura ta zëmë japoneze, të flasim për thelbin tonë kulturor imagjinar aziatik, meqë përdorim Macintosh, këtej do të rridhte thelbi ynë kulturor amerikan, meqë kemi edhe restorante italiane atëherë do të ishim edhe pak italianë, e kështu me radhë.
Po të përdoreshin këto kritere atëherë do të humbitnim krejtësisht dallimin midis Perëndimit dhe Lindjes, ndonëse dallimet nuk janë gjithmonë të lehta të bëhen, sepse edhe në kryeqytet e mëdha të botës perëndimore ka edhe restorante turke, edhe mongole, edhe japoneze, edhe kineze, dhe të gjithë pothuajse janë të kënaqur të shkojnë në to dhe të shijojnë kulinarinë e tyre krejtësisht të veçantë.
Ngatërrimi i koniunkturës, pra atë që shkaktohet nga disa rrethana të jashtme me veprim të përkohshëm (çka mund të kapë edhe dhjetëra vjet), me kulturën, do të na çonte në një rrugë metodologjike pa krye. Dikush do të konsideronte disa dukuri negative si shprehje e thelbit kulturor të një qytetërimi, kurse dikush tjetër do të tregonte me gisht disa dukuri pozitive për të vërtetuar se ato tregojnë thelbin kulturor të një qytetërimi apo kombi. Numërimi i fakteve nga të dy anët nuk do të kishte fund.
Shpesh tregojnë me gisht gjendjen në të cilën ne kemi katandisur mjedisin, territoret, hapësirat tona në zonat rurale dhe urbane. I dëshmojnë si fakte që vijnë në kundërshtim me kulturën perëndimore. Po, kur në Perëndim, ngrihen shqetësime po aq serioze për ndotjen e mjedisit nga industria, a nuk është ky i njëjti problem në marrëdhëniet mes njeriut dhe natyrës? Jo, na thotë dikush, nuk është e njëjta gjë, meqë atje është industria e madhe që ndot, kurse te ne kemi individin që hedh plehrat nga kati i gjashtë drejt e në rrugë! Ndofta, por ky dallim ka të bëjë pikërisht me koniunkturën. Ne kemi pjesën dërmuese të popullsive demografike që ka ardhur tashmë në zonat tona urbane për të jetuar, e cila nuk e ka ende sa duhet edukatën e jetës urbane. Nuk mund ta kishte meqë ka jetuar në fshat. Ajo nuk e di mirë sesi të sillet në qytet. Kurse popullsia urbane e vendeve perëndimore është ngujuar në qytete prej shekujsh dhe këtë aspekt të jashtëm të një thelbi shpirtëror kulturor, modeli i sjelljes urbane, e ka bërë të vetin prej kohësh. Pra, nuk kemi dallim veçse për një periudhë historike dhe koniunkturale të kohës, dallim që brenda një kohe historike të shkurtër do të zbehet.
Po kthehem nga Gjakova duke ecur me autoveturë në rrugën e kombit. Shoh pas se një veturë në ngjyrë metalike po më afrohet me një shpejtësi marramendëse. Hap krahun dhe pothuajse ngjitem pas pareteve të krahut të djathtë të rrugës. Makina më parakalon duke vërshëllyer rrotat e saj. Sipas llogarive të mia duhet të ecë me një shpejtësi mbi njëqind e pesëdhjetë në orë. Ka targa Kosove. Kthej kokën të shoh se kush është ky i marrë që ecën me këtë shpejtësi marramendëse. Në timon shoh një grua, duhet të jetë sigurisht nga Kosova. Targa e makinës, fakti që jemi disa dhjetëra kilometra nga kufiri, profili i saj i fytyrës, më bëjnë të mendoj se nuk ka si të jetë ndryshe. Për çudi vë re se është krejt e qetë në veprimet e saj. Veturën e kontrollon në mënyrë perfekte. Habitem që me gjithë atë shpejtësi, nuk i a përton të ketë ndezur edhe një cigare. Me një dorë mban timonin dhe me tjetrën, kapur me dy gishta, afron cigaren e saj në buzë, sheh pas në pasqyrë dhe një shtëllungë tym duhani ngjitet sipër kokës së saj. Brenda disa sekondash mbetem pas saj në rrugën e kombit. Sigurisht që i ka shkelur të gjitha kodet rrugore, evropiane apo rajonale. Por, duket se kërkon të ngasë një avion, meqë autovetura e bukur që drejton nuk i mjafton për t'i përmbushur kërkesat e psikologjisë që zotëron.
Çfarë do të ishte ajo sikur zhvillimi të ishte vonuar edhe një qind vjet më shumë? Ndofta do të ishte e ngarkuar me dru, apo e martuar qysh në djep, apo duke shërbyer për të ushqyer burrat që diskutojnë mes tyre në odë. Ndofta ashtu ka qenë gjyshja e saj. Jam i bindur se po ta pyesësh nëse vjen nga po ato tradita sikurse gjyshja e saj, me siguri do të përgjigjej në mënyrë pohuese. Gjyshja në kalë dhe mbesa në autoveturë, ndonëse kanë mentalitete të ndryshme, sjellje të jashtme të ndryshme, i takojnë një qytetërimi, një kombi të lashtë, pra në një farë mënyre kanë të njëjtin thelb të brendshëm kulturor. Përndryshe midis tyre nuk do të përjetohej asnjë vazhdimësi. Po të shoh rrugëve të zonave rurale do të mund të shoh edhe gra që janë të ngarkuara rëndë, ndonjëra ecën pas burrit, nuk ka të njëjtat të drejta reale me të, por janë të dyja tipet femërore pjesë e jetës shqiptare. Pjesë e një thelbi kulturor kombëtar të përbashkët por të shfaqur materialisht, për shkak të rrethanave, në mënyre antagoniste me njëra-tjetrën.
Jo vetëm disa dukuri të sipërfaqshme, por të rëndësishme, kulturore nuk dëshmojë për thelbin kulturor të një qytetërimi, por këto anë koniunkturale zakonisht gjithmonë janë në kundërshtim me dukuri të tjera që shfaqen në po atë kohë dhe në kushte e rrethana të tjera.
Ja përse thelbi kulturor i një qytetërimi është në radhë të parë në sferën e tij shpirtërore, sado materialist që të shfaqet. Ai duhet studiuar në mitet, folklorin e tij, krijimtarinë artistike, ideologjike, si edhe në çastet e veta kulmore, atëherë kur ai ka qenë i lirë të shfaqet ashtu sikurse është.
Në shkrimin e ardhshëm, të fundit të këtij cikli, do të doja të shihja paksa më nga afër disa dukuri si gjakmarrja, konvertimi fetar, sistemi i varësisë shoqërore etj., që shpesh janë thënë se përbëjnë vetëm specifika shqiptare, si dukuri që ndajnë nga traditat evropiane.
Por, a është e vërtetë?