FALMA FSHAZI
Mundësia të ndjek nga afër zgjedhjet në Francë më ndihmoi të vëzhgoja e analizoja në praktikë të majtën europiane dhe mendimin e majtë në tërësi. Nëse vërejmë nga afër tendencat në Francë, duket qartë se në mendimin e majtë po integrohen gjithnjë e më shumë linjat ambientaliste. Ndjesia e përkeqësimit të kushteve të jetesës, veçanërisht nga shfrytëzimi i pakujdesshëm i ambientit, bëri që shumë votues të reagojnë pozitivisht ndaj programeve politike me prioritete ekologjike. Shqetësimet ekologjike dhe rritja e ndjeshmërisë politike të shtetasve ndaj tyre ka vite që ka një grafik në rritje në Europë. Duke qenë se jemi në një stad të zhvillimit të shoqërisë, kur ambienti është i rrezikuar seriozisht dhe vazhdimisht, këto ndjeshmëri nuk do të pësojnë ulje, por rritje konstante. Përveç asaj reale, rëndësia politike e faktorit ambient sa vjen e bëhet më e madhe në këto vite që mund t’i quajmë post-ideologjike. Bëhet fjalë për periudha kur krahët ideologjikë klasikë, të djathtë e të majtë, kanë kuptime mjaft të ndryshme e shumë ndarje të mëparshme nuk vlejnë më. Në këtë aspekt do të ketë elementë të tjerë, që do të bëjnë diferencën mes grupimeve e krahëve politikë.Ndër këto elemente, ndërsa e djathta ka në dorë konsumimin, nacionalizmin, konservatorizmin, e majta ka ambientin, multikulturalizmin dhe rinovimin. Bëhet fjalë për një të djathtë që mbron industrializmin në emër të pasurimit të disave, duke theksuar hendeqet mes grupeve socialë, ekonomikë e kulturorë, duke i legjitimuar ato. Një të djathtë ku grupet me lidhje të pandryshuara në vite (tradicionale) janë gjithnjë në pushtet dhe përdorin të renë vetëm si kozmetikë për të maskuar të vjetrën. Nga ana tjetër kemi të bëjmë me një të majtë që është e hapur ndaj ndryshimit, të resë, nuk sakrifikon ambientin në emër të industrializimit dhe ruan balancat mes grupeve.Këto dallime janë dhe po bëhen çdo ditë e më shumë ndarja sa teorike aq dhe praktike mes së majtës dhe së djathtës në përgjithësi. Nga ana tjetër, nëse gjithë elementët e lartpërmendur të majtë do të bashkoheshin në një koncept me efekte konkrete praktike, ai do të ishte eko-kultura. Bëhet fjalë për një teori e praktikë që shërben në afrimin e të ndryshmeve, në bashkëjetesën e tyre, në bashkëpunimin që nuk lejon të dizavantazhohet apo subordinohet shtetasi dhe të preket ambienti i tij në favor të kujtdo individi apo grupi që mendon se ka lindur me apo ka fituar të drejtat mbi të tjerët.
Ajo tregon një kulturë që është e frymëzuar nga natyra, duke përfshirë shumë të ndryshme të gjitha në harmoni me njëra-tjetrën. Harmoni e cila nënvizon tre fjalë kyçe; respekt, detaj, përgjegjësi.Respekti për çdo gjë e për të gjithë. Kujdesi për detajet dhe bindja që çdo gjë ka vlerë, prandaj duhet të ruhet. Përgjegjësia që lind nga ndërgjegjësimi se çdo veprim/aksion ka konsekuenca në vazhdimësi e për të gjithë. Një kulturë në të cilën kujdesi ndaj ambientit zë një vend kryesor. Ambienti vendoset si kriter i zhvillimit të vendit dhe nuk mendohet një vend i zhvilluar pa një ambient të mbrojtur.Eko-kultura promovon idenë që ka vend për të gjithë e pa bashkëpunimin e të gjithëve nuk mund të ndërtohet mirëqenia e vazhdueshme. Për ta promovuar këtë mentalitet duhet një bashkëpunim sa në arsim, sa në drejtim lokal, sa një angazhim qendror. Eko-kultura është koncepti i një botë në kushte krejt të reja, si rrjedhim i gjeneratave të reja. Ndërkohë që është një koncept që i përket së majtës së reformuar. E majta shqiptare, pavarësisht nga si u sulmua, adoptoi një linjë mendimi, të së majtës së re.Kjo linjë nuk doli plotësisht e qartë. Vetë PS duhej të insistonte në shpjegimin e saj. Ndoshta duhej të trajnoheshin shkurtimisht në lidhje me këtë linjë mendimi vetë njerëzit, që u përfshinë në fushatën e PS kudo në qendër apo rrethe. Gjithsesi, “përtej së majtës dhe së djathtës” që kur u hodh si ide nga Giddens, bënte fjalë për një të majtë që ecte përtej komplekseve të klasave, përtej shkëputjes nga pjesët e mëdha të popullsisë, përtej gjuhës katastrofale apo revolucionare. Një e majtë që nuk kishte kompleks biznesin apo biznesmenët, por i sillte ato në platforma sociale.Ajo çfarë nuk doli qartë në Shqipëri qe fakti se “përtej së majtës dhe së djathtës” është një ide e iniciativë e majtë. Është e vërtetë që në vendin e lindjes së saj, këto ide u aplikuan edhe nga të djathtët. Gjithsesi, bëhej fjalë për një tentativë për të nxjerrë të djathtën nga ndrydhja konservatore dhe krijimi i diferencave fatale mes grupeve socio-ekonomike e kulturore. Ishte një tentativë për të sjellë të djathtën tek e majta, e cila qe reformuar, duke qenë më realiste, si rrjedhim duke u kthyer më pranë shtetasit të përditshëm. Në këtë kuptim me “përtej së majtës dhe së djathtës”, qe e majta në tërësi ajo që tregoi të kishte kuptuar se çdo ditë e më shumë po krijoheshin grupe socio-kulturore-ekonomike të papajtueshme me njëra- tjetrën. Dhe, se kjo papajtueshmëri do të frenonte zhvillimin e shoqërive.Për t’i dalë para kësaj, e majta vjen me ide edhe më të reja siç është eko-kultura. Prioritetet e eko-kulturës nuk bazohen në elemente propagande ambientaliste, që në disa raste përdoren të krijojnë gjendje katastrofale që nuk ekzistojnë. Bëhet fjalë për faktorë që janë sa globalë, aq dhe lokalë. Bëhet fjalë për të menduar mirëqenien si të pandashme me ambientin që na rrethon dhe për të menduar ambientin si një frymëzim për harmoni sociale, ekonomike e kulturore. Në këtë linjë, një nga aspektet praktikë më të rëndësishëm të eko-kulturës është decentralizimi dhe menaxhimi lokal i lokaliteteve. Mbështet idenë e ndërtimit të strategjive lokale të zhvillimit. Vendosen prioritet e çdo lokaliteti dhe në kuadrin e strategjisë të zhvillimit lokal mbështeten sipërmarrjet lokale.Kjo platformë angazhon shtetasin lokal në ruajtjen e ambientit të vet dhe parandalon dëmtimin e tij për interesa super grupesh lokale dhe qendrore. Kështu zhvillohen prodhimet lokale, kulturat lokale, punësimi lokal dhe hapet rruga drejt pjesëmarrjes më të gjerë të shtetasve lokalë në qeverisjen e vetë vendit të tyre. Shteti bëhet rregullator dhe garantues i këtij sistemi, duke dhënë mbështetjet e nevojshme për të gjithë lokalitetet. Për më tepër është qendra ajo që i krijon hapësira ndërrajonale e ndërkombëtare prodhimeve e iniciativave lokale. Adoptimi i elementëve e ideve të tilla do ta sillte sa teorikisht, aq dhe praktikisht më afër të majtën shqiptare me atë europiane. Për më tepër do ta bënte atë të ecte në një hap me të.Natyrshëm, sot, e majta shqiptare është në një periudhë të vështirë, sepse në ambientin politik shqiptar nuk është krijuar akoma mundësia e debatimit mbi ide e strategji zhvillimi. Ky anormalitet i ambientit politik, nuk ka aq lidhje me të majtën, sa me një pushtet që në fakt është shumë larg së qenit europian, për të nënkuptuar demokratik, konstruktiv e i përgjegjshëm. Në qorrsokakun që ky pushtet ka futur veten, po edhe gjithë vendin, duke detyruar rezistencën qytetare nuk ka se si të dalë i fituar, ndërsa bën llogaritë e super grupeve. Opinioni ka nevojë të hedhë pas krahëve këtë makth, i cili, siç po tregon me sjelljet e veta qeveria, nuk do të mbarojë derisa ajo të ndryshojë qëndrim ose derisa të ndryshohet krejtësisht. Në fund të fundit, ç’opsion tjetër i ka lënë vetvetes! Vetë opinioni shqiptar, çdo ditë e më shumë, do të insistojë të dalë nga anormaliteti politik dhe si do që të bëhet dalja, do të kërkohet rinovimi i diskursit, sjellja e ideve të reja dhe qëndrimeve që nuk kanë lidhje me shkëmbime batutash fyese apo përralla mbi jetë personale, mbi të cilat ka stërprovuar specializimin e vet pushteti aktual. Në këtë moment do të jetë e favorizuar e majta, për aq sa do të tregojë se përpos rezistencës ka dhe forcë krijuese, rinovuese, ka gjithnjë prurje të reja, di të çojë përpara mendimet e veta dhe është në një hap me shqetësimet e shtetasve dhe zhvillimin e vendit në një kontekst europian të vërtetë ndryshe nga ai demagogjik i pushtetit të sotëm.