Universitetet publike, një pikëpyetje e madhe

 Ada Shehu


*Shkrimi është bazuar në intervista me studentë të universiteteve të ndryshme publike

Kur janë në gjimnaz të gjithë mezi presin të ikin vitet e t’i prekin sa më shpejt ato ditë kur do të quhen “studentë”. Shumë nga ata që kam njohur kanë dashur me gjithë shpirt të bëhen pjesë e “studentëve të shtetit”. Është një mit që ende vazhdon dhe në ditët e sotme; po të jesh në shtet je studenti më i mirë, më i përgatitur, universitetet e tjera nuk vlejnë fare. Pa i hyrë temës së konkurrencës ndërmjet universiteteve do ishte mirë të flitej për ato momente që e bëjnë shumë shqetësuese të qënit student në një universitet publik në Shqipëri (duke marrë për bazë Tiranën si destinacioni më i kërkuar).

Ambjentet

Gjëja më bazike në një ambjent ku qëndrojmë për çfarëdolloj arsye është që ai ambjent të jetë i mirëkonstruktuar. Besoj, kjo gjë nuk është e vlefshme vetëm për anën vizuale , por lidhet dhe me ndryshimin e klimës stinë për stinë, me sëmundjet e ndryshme nga lagështia e në rastet më ekstreme deri në rrezikimin e jetës. Kam qenë në disa universitete publike (jo për të studiuar) dhe kushtet atje janë vërtetë “për të vënë duart në kokë”. Mure të palyera, të parregulluara, karrige të të gjitha formave e përmasave, shpeshherë të shkatërruara, tavane deri diku të frikshme. Në muajt e verës studentët e kanë të pamundur qëndrimin për shkak të temperaturave të larta, numrit të madh të studentëve e mospasjes së kondicionerëve. Por më e keqja është në muajt e dimrit ku ndryshimet klimatike, jo vetëm temperaturat e ftohta dhe mungesa e një sistemi ngrohës sjellin dhe reshje shiu që krijojnë lagështirë në godinat e vjetra të shumicës së universiteteve. Madje këto godina nuk janë as si ato domatet e rritura në mënyrë organike, të bukura nga jashtë e të prishura brenda, i kanë të dyja bashkë, nuk të mashtrojnë. Por arsyeja pse janë aq “të shitura” si “produkte” është emri i mirë. Një karakteristikë dalluese në kontabilitet për firmat ashtu si dhe një element plus kur ato shiten, por siç duket jo vetëm për to. Kushtet higjeno-sanitare gjithashtu mungojnë. Jemi njerëz dhe nevoja fiziologjike kemi të gjithë, por nëqoftëse je në universitete publike dhe në një moment “të vështirë” bën mirë të durosh e të shkosh në lokalin më të afërt pasi kushtet në tualete janë kritike. Dhe pastrueset siç deklarojnë studentët shihen aq rrallë në shkollë sa një pjesë e tyre thonë se nuk ka pastruese. Janë bërë goxha përmirësime gjatë viteve të fundit. Duke filluar nga reduktimi i numrit të studentëve për grup (30 studentë) deri tek interneti në shkollë. Por ky shërbim nuk dihet sesa mund të quhet publik pasi është me pagesë. Vërtet është ulur numri i studentëve në grup por minimumi dy herë në vit kur bëhen provime të prapambetura, studentët bëjnë disa ditë pushim sepse nuk ka salla. Godina e Fakultetit Ekonomik përshembull është shumë e vogël për të përballuar kapacitetet e studentëve që kanë.

Pedagogët

Duke u drejtuar nga pamja në brendinë e këtyre universiteteve gjejmë problematika nga më të ndryshmet. Çdo student i intervistuar të thotë diçka të re. Nga ato më të dëgjuarat si përshembull: “Pedagogu donte lekë për të më dhënë provimin” ose “Nuk arrita as sot të ulesha në bankat e para, kështuqë nuk dëgjova asgjë nga leksioni” e një kundërpërgjigje “Unë nuk arrita të ulesha fare” deri tek ato më të çuditshmet “Provimet u gjetën në koshin e plehrave të pakorrigjuara, notat janë vënë me kujt i bie dhjeta”. Komunikimi me pedagogët ende sot që jemi në 2012 mbetet një problem serioz. Studentët ankohen mes tyre po asnjeri nuk ka guxim ta bëjë publike, sepse presioni që ushtrohet është shumë i fortë. Ka pedagogë që të detyrojnë t’i blesh librin ose përndryshe nuk hyn dot në provim (e të mendosh që ka familje që nuk arrijnë dot fundin e muajit vetëm për ushqime), ka të tjerë që të ofendojnë në mes të 100 studentëve të tjerë, deri tek pedagogët që mungojnë gjysmën e semestrit. Një sondazh i bërë nga “Qendra për kërkim dhe zhvillim” ka treguar se 12 % e studentëve të “Universitetit Bujqësor të Tiranës” kanë deklaruar që pedagoget i kanë kërkuar raporte seksuale në këmbim të notës. Kjo përqindje ishte përqindja më e lartë, por dhe në universitetet e tjera ishte i pranishëm si fenomen. Anë tjetër e jetës studentore tingëllon e çuditshme dhe absurde por është e vërtetë.

Sekretaret

Gjithmonë flitet për këtë profesion si një profesion i thjeshtë, që nuk ka nevojë për shumë kualifikim dhe ndonjëhere i japin dhe konotacion negativ arsyes pse merren në punë. Janë të gjitha përralla urbane. Sekretaret janë kryesisht në moshë, autoritare, të frikshme, dhe në universitete nuk i gjen kurrë në vendin e punës. Nëqoftëse je aq me fat sa ti gjesh aty prapë nuk do të jesh me fat të marrësh informacionin që do. Studentët shprehen se nuk e kanë kuptuar kurrë se çfarë kënaqësie kanë ato të të sjellin minimumi tre herë në sekretari për të të dhënë një vërtetim të thjeshtë studenti, ose notash. Të gjitha këto që thashë anë jo të mira, por më e keqe akoma është heshtja e pjesës më të madhe të studentëve që pranojnë të mbeten të nënshtruar. Ky artikull ka qëllim tërësisht sensibilizues dhe nuk synon aspak të kritikojë universitetet publike të cilat vitet e fundit janë përmirësuar ndjeshëm. Por, siç duket, jo mjaftueshëm.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)