2013-06-21

“Stop piraterisë!”-Shkrimtarët duan agjenci kundër piraterisë



Ditë më parë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka filluar fushatën kundër piraterisë dhe falsifikimit, ku pas 15 gushtit do të konfiskohet çdo material i paautorizuar dhe do të ndiqen ligjërisht shkelësit e ligjit. Task Forca kundër piraterisë dhe falsifikimit, e themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e ka nisur fushatën informuese dhe edukuese kundër piraterisë dhe falsifikimit, me moton “Stop piraterisë!”.
Shkrimet e autorëve do të mbrohen me ligj, sipas Kodit Penal


Sipas Ligjit për të drejtat e autorit, nëse personi juridik, në kuadër të veprimtarisë së vet, ose në biznes me të tjerët, e shfrytëzon pa leje veprën e autorit ose lëndën nga të drejtat e përafërta, dënohet me gjobë prej dymijë (2 000) deri në dhjetëmijë (10 000) euro.


 Ndërkaq, sipas Kodit Penal, kushdo që bën shkeljen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta dënohet me gjobë, ose me burg prej 3 muaj deri në 8 vjet. Pajisjet për prodhimin e produkteve që i shkelin të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, sipas ligjit, konfiskohen. Ky lajm është i mirëseardhur për të gjithë autorët, veçmas për shkrimtarët, meqë tani e tutje krijimet e tyre do të mbrohen me ligj. Mirëpo, ata duan që ta kenë një agjenci të veten që do të merrej me mbrojtjen e të drejtës së autorit.


Shkrimtari Fahredin Shehu thotë se themelimi i një agjencie të tillë është nevojë e kohës.

“Është domosdoshmëri e kohës, ndoshta me fajin e vet, shkrimtarët nuk kanë mundur dhe ditur të ballafaqohen me rrethanat e reja, sepse nuk ka menaxhim të mirë të artit letrar. Vetëm nëpër festivale, shkrimtarët marrin ndonjë honorar simbolik, ose me rastin e ndonjë promovimi të veprave të tyre, por jo edhe nga institucionet.

 Nuk ka agjent letrar apo përfaqësues ligjor, i cili do t’i mbronte interesat e shkrimtarëve, të bëjë promovimin e tyre nëpër panaire të ndryshme ndërkombëtare, deri te mbrojtja e tyre nga plagjiatura që është me bollëk, pavarësisht se ekziston ligji për pronën intelektuale”.

Praktikat dhe sigla ‘copyright’

Ndërkaq botuesi i “Buzukut” dhe shkrimtari, Abdullah Zeneli, thotë se ligji për të drejtat e autorit është jetik. “Ligji do të duhej të gjente zbatim në të gjitha poret ku manifestohet kjo e drejtë. Fillimisht, te përfituesit e drejtpërdrejtë, siç janë botuesit e librit, të CD-ve (muzikës), radiot, televizionet, gazetat, por edhe subjektet publike që e shfrytëzojnë pronën intelektuale, si bibliotekat, lokalet publike që emetojnë muzikë, e kështu me radhë”, tha ai. Zeneli shton se mungesa e agjencive përkatëse vërehet shumë.

Mbase edhe sensibilizimi mungon, që nga hapat e parë e deri te maja e piramidës, shteti! Me gjykatat neglizhuese, e që i zvarritin lëndët me vite, vështirë të presim një mbrojtje adekuate të të drejtave të autorit, apo tarifave të larta të avokatëve në ndjekje të shkeljeve të të drejtave, që për një autor janë të papërballueshme. Po ashtu, edhe mungesa e agjencive të specializuara, të licencuara e koherente, që të merren praktikisht më shumë për drejtat e autorit.

Kurse shkrimtari Adrian Haxhaj thotë se Agjencia për mbrojtjen e te drejtave të autorëve do të përfshinte edhe fushëveprimtarinë e letërsisë. “Çështja e mbrojtjes të të drejtave të autorit është komplekse, por nuk nevojitet kohë për ta kuptuar, pasi sigla copyright tashmë e përcakton qartë këtë veprimtari. Ne vetëm duhet t’i zbatojmë praktikat e copyright-it, që bëhen në Perëndim”, shtoi ai.


B. ZYBERI

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...