2013-06-22

Udhëve të një Shqipërie tjetër

NË LEKAS, ATJE KU RRUGA ËSHTË MIT DHE ËNDËRR


Për të shkuar nga Tirana në Korçë duhen tri orë. Për të shkuar nga Korça në Lekas duhen më shumë se dy orë, megjithëse largësia është vetëm 38 kilometra. Dhe prej Voskopojës, ku rruga “e mirë” ndërpritet, mbeten vetëm 18 kilometra. Udhëtojmë në heshtje mes gropave dhe rrëkeve derisa diku përballë na shfaqen katër drejtime rrugësh të ndara si gishtat e një dore.
Asnjë shenjë jete, asnjë zë, madje dhe natyra sikur po bënte pak pushim: shiu sikur ishte rralluar dhe nuk ndihej asnjë gjëmim. Vetëm përrenj që shfryjnë dhe fishkëllimë furish të frikshme. Kaq e vetme, pa frymë njeriu, vetëm me vrazhdësinë e natyrës, e sertë dhe e bukur njëherësh, s’mbaj mend të kisha qenë ndonjëherë.
Gratë dhe fëmijët
Kjo është shtëpia e Xhelo Mahmutit, një shtëpi e bukur fshati. Dy vëllezërit kanë ndërtuar shtëpi me një oborr të përbashkët, të njëjtat në pamje e funksione. Gjithçka është krejt e rregullt dhe e pastër. Ndanë çdo hyrjeje gjendet një çezmë, ku pikon ujë i maleve. Mikpritja e banorëve dhe zemërgjerësia janë prekëse. Familja e Xhelo Mahmutit na pret me zemërbardhësi. Dikur shtëpia e tij ka shërbyer si bazë për antifashistët. E zonja e shtëpisë ka qenë aktiviste e grave komuniste të Lekasit. Me mundimet e njohura të jetës, ka arritur të mbarojë ekonomikun me korrespondencë. Fshati Lekas ka qenë një fshat shumë arsimdashës. Të gjithë të rinjtë synonin të shkonin në fakultet, rrallë mbeteshin vetëm me gjimnaz. Familja e Xhelos ka katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë. Të gjithë janë të ikur nga Lekasi, “si gjithë të rinjtë e fshatit” sa jashtë sa në qytetet e mëdha. Familja mbahet me te ardhurat që i dërgon herë pas here i biri emigrant në Amerikë.
Lekasi është një fshat në braktisje dhe krejt i izoluar. Nuk duhet të na gënjejë mikpritja dhe bujaria e Xhelos, por gjatë bisedës mësojmë se fshati është krejt i varfër. Lekasit janë njerëz të ndershëm dhe kanë jetuar me vështirësi, me djersën e tyre. Janë të thjeshtë dhe shumë mikpritës. Po nuk ua pranove ftesën, dije se i ke fyer e zemëruar shumë. Fshati është rreth 850 metra lartësi mbidetare dhe i varet faqes së malit të Ostrovicës, që është në 2200 metra lartësi. Para viteve 1990 ka pasur mbi 100 shtëpi. Lekasit janë marrë kryesisht me blegtori dhe ndërtim. Gratë janë të shquara për gatimet e shijshme, si të dorës së tyre! Tani në Lekas kanë mbetur vetëm njëzet familje. Dimri është i ftohtë, por “këto vitet e fundme s’po bën dhe aq dimër, për shkak të asaj, si i thoni juve, të ngrohjes, çfarë është ajo… ngrohja globale”, shpjegon zoti Xhelo.
Ndihma ekonomike
Në zyrën e asistencës sociale në qytetin e Korçës, mësojmë se është hartuar një skemë e re për familjet në nevojë dhe sidomos për gratë kryefamiljare, por kjo skemë nuk është aplikuar ende, për shkak se ende nuk janë nënshkruar aktet nënligjore. Sipas statistikave, janë 47 familje me ndihmë të pjesshme, por në gjendjen civile figurojnë rreth 168 familje. Gra kryefamiljare, që duhet të kenë një kompensim, 65, por kompensimi deri tani është vetëm teorik. Mesatarja e të ardhurave mujore që përfitojnë si ndihmë të pjesshme është rreth 2000 lekë të reja. Asistenca është vetëm 600 lekë të reja për frymë, domethënë tri mijë lekë të reja për familje.
Instituti i Kërkimeve Urbane dhe Qendra Kombëtare për Studime Sociale konfirmon se ndihma aktuale sociale ofron kryesisht përfitime “ekonomike”, por jo dhe “sociale” për fëmijët. Ndihma ekonomike, siç është tani, ka ndikim të vogël mbi fëmijët, prindërit e të cilëve e përfitojnë atë. Ka ndikim të vogël në ndjekjen e shkollës ose mbi shëndetin dhe ushqyerjen e fëmijës, si dhe nuk i ndihmon fëmijët të shkëputen nga kurthi i varfërisë.
Ndërkohë që njihemi me të dhënat e ndihmës, kujtohemi për një propozim që u është bërë një gjysmë viti më parë disa kandidatëve të zgjedhjeve për qeverisjen vendore: që të njihnin si pragun minimum jetik një kufi prej 10 mijë lekësh në muaj për frymë. Asnjëri prej tyre nuk iu mbajt këtij kufiri, sepse ishte shumë i lartë. Duhet të vesh në Lekas për të kuptuar sa larg janë premtimi me të vërtetën.
As qendër shëndetësore, as mjek
Në Lekas nuk ka mjek, por është një infermiere. Ajo na shpjegon se shërbimin e bën në shtëpi dhe në ambulancë.
Këtu njerëzit e zonës vuajnë më shumë nga alergjitë, lëndimet aksidentale, pickimet e gjarprit apo dhe të bletëve, shpjegon ajo. Por një gjë është e sigurt: e tërë kjo zonë po shkon drejt plakjes absolute. E si të kesh lindje këtu?! Pa rrugë, pa makina, pa drita, na thotë infermierja. Të sjellësh fatkeq në jetë!
Për dentist as që bëhet fjalë, fëmijët mund të mos i kenë kontrolluar kurrë dhëmbët te një specialist.
Nga fshati për në Korçë shkon dy herë në ditë një makinë si e jona. Bileta për në Korçë kushton aq sa udhëtimi Tiranë-Shkodër apo Tiranë-Vlorë. Nisja e parë është në orën 7:00 të mëngjesit dhe e dyta në orën 14:00. Nëse do të udhëtosh, duhet të jesh krejtësisht i përpiktë në këto dy orare, si me trenat zviceranë.
Fshatarët duan rrugë, thonë vëllezërit Mahmutaj. Prej Lekasit në Korçë, që ne na u duk një ditë udhë, është gjithsej vetëm 38 kilometra, madje deri në Voskopojë vetëm 18 kilometra.
Një rrugë për të shkuar në shkollë
Në mëngjes vizitojmë shkollën, e cila ka vetëm dy klasa, me 35 nxënës gjithsej. Fëmijët ecin deri dy orë më këmbë për të arritur këtu në shkollë. Dy mësueset e Lekasit i duan shumë. Ato punojnë plot pasion. Qëndrojnë gjithë javën në fshat dhe kthehen në Korçë në fundjavë.
Në Lekas nuk ka shkollë të mesme, “njerëzia është rralluar”, megjithëse para viteve 1990 ka pasur një shkollë të mesme bujqësore, madje me konvikt; ka pasur gjimnaz, spital, farmaci, kopsht dhe shërbime të tjera: ambulancë, vatër kulturore. Gati-gati si një qytezë ka qenë Lekasi. Nuk mbahet mend të ketë pasur fëmijë të pashkolluar që nga mesi i shekullit të kaluar. Tani Lekasi ka vetëm një shkollë 9-vjeçare, me dy klasa gjithsej. Tokat e bukës tani janë kthyer thuajse të gjitha në kullota, sepse nuk ka kush i punon. S’ka njerëz më, e kështu ato toka i gëzojnë bagëtia. Dhe ne me ato të uruara jetojmë, na japin sa për vete.
Është shumë e vështirë të bëhet mësim i rregullt, sidomos tani në dimër. Klasat që ndryshe quhen klasa kolektive, që do të thotë se bëhet një kombinim për orën e mësimit: e para me të tretën, e dyta me të katërtën e kështu me radhë.
Nuk ka mësues për gjuhë të huaj, dhe ky fakt i privon fëmijët e Lekasit që të ndjekin shkollën e mesme, gjimnazin, sepse atje duhet gjuhë e huaj, kështu që nuk kanë ku shkojnë tjetër veçse në shkollat teknike dhe profesionale. Shkojnë në Korçë dhe gjimnazet u mbyllin dyert, sepse nuk dinë anglisht. Mësueset kanë kërkuar që t’ua mësojnë ato vetë anglishten, por nuk kanë gjetur pëlqim. Haxhi Brahimllari, një djalë dhjetë vjeç, na thotë se e do shumë shkollën dhe nuk do të humbasë asnjë orë mësimi. Ai niset nga shtëpia në orën gjashtë me natë. Ndërsa marrim këto shpjegime, hyn dikush dhe të gjithë ngrihen më këmbë menjëherë, ashtu si ne dikur, atëherë kur autoriteti i mësuesit ishte i padiskutueshëm.
Çfarë dëshironi më shumë ju, fëmijë? - i pyes. Rrugë, thonë korazi të gjithë. Rrugë dhe asgjë tjetër. Po të ftohtë nuk keni ju fëmijë? Jooo, ne kemi sobë dhe dru, s’kemi ftohtë. Duam vetëm rrugë, rrugë dhe makinë për të ardhur në shkollë. Është shumë prekëse kjo bisedë: ata s’kërkojnë as të vishen më mirë, as të ushqehen më mirë, as të kenë jetesë më të pasur, ata duan vetëm rrugë dhe lehtësi për të ndjekur shkollat. Nuk guxoj t’i pyesim për lojëra dhe dhurata Krishtlindjesh, sepse ma merr mendja që as u shkon ndërmend, dhe kjo thjesht mund t’i trishtojë. Jo, nuk duhet folur këtu për pemën e Krishtlindjeve. Duan vetëm rrugë, që të mos humbin orët e para të mësimit, të mos u çahen çizmet e llastikut nëpër gurë, të mos rrinë gjithë ditën në klasë me këmbë të lagura e me baltë.
“Ne duhet të përmbysim tendencën ku zhvillimi fillon në kryeqytet dhe humbet para se të arrijë në fshatrat e thella. Zhvillimi duhet të fillojë në periferi, kështu që ata që jetojnë jetë më të vështira do të jenë të parët që përfitojnë. Gjithashtu Shqipëria duhet të bëjë kujdes të shmangë fenomenin që të pasurit të pasurohen më shpejt sesa të varfrit të dalin nga varfëria. Fëmijët, si ata të fshatit Lekas, mund të thyejnë ciklin e varfërisë vetëm në qoftë se ata përfitojnë arsim të mirë cilësor”, - shprehet Detlef Palm, përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...