2013-06-22

Për romanin “Histori në natën e vranët”, të H. Haxhosajt

Lulzim Palushi: Metaforë e llojit të vecantë


NJË METAFORË E LLOJIT TË VEÇANTË

(Për romanin “Histori në natën e vranët”, të H. Haxhosajt)



Xh. Suift në veprën “Përralla e fuqisë dhe përralla të tjera”, ndërmjet të tjerash shkruante: “Librat janë llogaritur të jetojnë të paktën derisa gjuha dhe shijet tona të mos pësojnë ndryshime të mëdha”. Duke iu kthyer mendimit të Xh. Suift, mund të them se edhe shkrimtari Halil Haxhosaj e ka bërë një llogaritje të tillë.
Ku e mbështes mendimin tim?
Romani “Histori në natën e vranët”, i përgjigjet shijes së lexuesit të të gjitha trevave shqiptare; për nga stili e mënyra e të rrëfyerit, po kështu edhe për nga pasuria gjuhësore, një gjuhë mjaft e pastër letrare si dhe figura të shumta me një fjalor të pasur e bëjnë veprën lehtësisht të përvetësueshme nga lexuesi.
Në gjykimin tim si lexues, mendoj se shkrimtari ka hyrë me guxim nëpërmjet kësaj vepre në letërsinë shqipe duke bërë një hap të madh përpara dhe në një mënyrë spirale duke shkuar drejt modernes.
Autori i qëndron shumë besnik gjuhës së kombit të vet, sidomos në emërtimet toponimike, si: Anavrrini, Kroi i Akullt, Shtegu i Zanave, Guri i Pasjes, Shkalla e Keqe, etj., apo dhe në drejtim të pasurimit të leksikut (si p.sh.: hinore).
Duke mos hyrë thellë në detaje, pasi nuk dua të jem në rolin e kritikut, por dua të mbetem në atë të lexuesit të thjeshtë e të pasionuar, mendoj se Nusja e Natës si figurë (metaforë) është e një lloji krejt të veçantë, e arrirë artistikisht dhe vështirë të të shqitet nga kujtesa.
Me një vëmendje të kujdesshme vëmë re se autori i qëndron besnik idesë dhe titullit të romanit që e bëjnë shumë interesant dhe solid atë pa e lënë të zhdredhet dhe të zbehet në sytë e lexuesit.
Pothuajse, autori Halil Haxhosaj, që të gjithë kapitujt e romanit “Histori në natën e vranët” i fillon me shprehje mjaft të goditura për Natën e Vranët si:
Kreu 1. “Nata e vranët e kish shtrirë pelerinën mbi çdo gjë”.
Kreu 2. “Hëna e kishte ndezur fenerin e vet të përnatshëm”.
Kreu 8. “Një terr i zi e kishte mbuluar hapësirën e qytetit”.
Kreu 12. “Nën dritën e zbehtë të hënës nata ishte bërë shumë romantike”.
Jetësoren, ikjen tragjike që i ndodh popullit të vet prej pushtuesit ardhacak nga “Perandoria e stepave”, Haxhosaj mundohet t’ia përcjellë lexuesit me nota po mjaft tronditëse, sikurse:
- fëmijët ndalën vajin…
- pleqtë e plakat i ndalën ofshamat…
- djemtë e ri nuk vraponin ...
- nuset e reja dhe vajzat ishin ngurtësuar.
Së fundi mendoj se mitet dhe legjendat nuk i kanë munguar letërsisë shqipe, por në romanin “Histori në natën e vranët” janë trajtuar në mënyrë të veçantë, që e bëjnë interesant romanin për lexuesin.
Rrëfimi i ngjarjeve në mënyrë të natyrshme tregon respekt për lexuesin, pasi kemi vërejtur se në dekadat e fundit, shumë autorë duke dashur të hiqen modernë, i bëjnë veprat e tyre shumë abstrakte për lexuesin.
Së fundi, shkrimtari Halil Haxhosaj e respekton shijen e lexuesit dhe me këtë vepër ai është përpjekur të jetë sa më dinjitoz para lexuesit.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...