Arbana Xhara: “Patriotët” dhe plazmat e Serbisë

Edi Rama fyen gazetarët e pavarur të Kosovës

Viteve të fundit edhe pse janë shtuar prodhimet gjermane në tregun izraelit, shumica e hebrenjve refuzojnë të blejnë prodhimet e tyre. Pas aq shumë dekadash? Ka të bëjë kjo me ksenofobinë, racizmin? “Jo, jo shkruan Dr. Michael Federman, presidenti i Dhomës izraelito-gjermane për Industri dhe Tregti dhe shpjegon: “Nuk ka aspak kjo të bëjë me aversionin e gjeneratave të reja ndaj gjermanëve të sotëm. Pas LDB-së një gjë e tillë ishte krejt normale. Nuk ia ndihmon ekonominë një vendi që të ka shkatërruar deri në aortë”. Ndërkohë, sipas tij, shumica e izraelitëve të sotëm e kanë bërë kulturë, parim që mos blejnë prodhime gjermane, sepse thonë, e para: “Jemi në treg të lirë, secili ka të drejtë të blejë çfarë dëshiron e prej kujt jo”, shpjegon Federman qasjen hebre ndaj prodhimeve gjermane edhe pas kaq shumë dekadash.

Po të tërhiqet një paralele në Kosovë që nga mbarimi i luftës së vitit 1999, në diskursin publik, debati mbi patriotizmin e nacionalizimin, të jep një përshtypje sikur është krijuar averision në raport me gjithçka që është serbe. Patriotë të vetëshpallur, që marrin guximin të linçojnë publikisht “spiunët” dhe “jugo-nostalgjikët” ...Të tjerë që peshojnë se, kush është më atdhetarë së tjetri. Të tjerë që flasin për Shqipëri etnike e që fshehurazi ende mbajnë në sirtarë CD-të e këngëtares serbe, Ceca Razhnjatoviq. Patriotët e rrejshëm që bëjnë sikur të entuziazmuar “mbrojnë” flamurin kombëtar, por që për ta “s’ka me prodhime të Serbisë”.

E për patriotizmin false të shqiptarëve, flasin si askush më mirë, raportet ekonomike të këmbimeve tregtare me Serbinë. Hiç më pak se 3 miliardë euro i kanë shkuar Serbisë para kesh nga Kosova, që nga viti 2002. Një hulumtim disaditor i gazetës “Zëri” ka nxjerrë në detaje shumat marramendëse, emra dhe mbiemra të importuesve, kompanive të mëdha e të vogla, përmes të cilëve Serbia ka marrë në dorë tregun në sektorët kyç të Kosovës. Numëruar nga produktet bazë: bukën që kosovarët e hanë gatuhet me miellin e Serbisë dhe shumica e produkteve të tjera esenciale që nga ky shtet “ushqen” Kosovën. Dhe nuk janë të paktë ata “patriotë” që nga mbarimi i luftës bënë turr për në Serbi që të marrë ekskluzivitetin e shtrirjes së bizneseve serbe në Kosovë.

Disa prej të cilëve në 1999 nisën biznesin me ndihmën e oligarkut të madh transballkanik, Mirosllav Mishkoviq, i cili që nga koha e sundimit të Slobodan Millosheviqit gëzonte privilegje shtetërore për të zgjeruar perandorinë e tij ekonomike në Ballkan. Kështu një numër biznesmenësh shqiptarë, duke shfrytëzuar miqësinë e paraluftës, lehtësisht vazhduan kontaktet për të bërë biznes legal dhe ilegal edhe pasluftës.

Për një dekade e gjysmë, shteti i Kosovës ka arritur të jetë i varur ekonomikisht nga Serbia, në industrinë e ushqimit, energjisë, karburanteve, barnave, materialeve ndërtimore... Realitet për të cilin politika nuk deklarohet, sepse janë pikërisht financuesit e partive politike në vend importuesit më të mëdhenj të mallrave serbe. Refuzimi për të bojkotuar prodhimet serbe ka qenë qëndrim shtetëror i Kosovës për 15 vjet me radhë, pa harruar edhe vullnetin e konsumatorit për t’i blerë ato. Në shumë rrethana politike, Prishtina ka mundur të kushtëzojë Beogradin me embargo, në fund të fundit bëhet fjalë për miliarda euro që i shkojnë Serbisë nga xhepat e kosovarëve që do t’i jepnin një shkelm të rëndë Serbisë. Por, kjo zor të ndodhë derisa të kemi patriotët që çirren se mbrojnë kombin e shqiptarinë, por ju shkon lëng prej gojës për plazmat e Serbisë!

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)