2014-12-30

RRUSTEM RUGOVA : QËNDRESA SHQIPTARE NË RRETHIN E ISTOGUT, PAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE 1945- 1956



Duke e respektuar këtë auditorium dhe kohën në dispozicion, së pari dua të jap pak të dhëna gjeografike për Rrethin e Istogut në kohën që i referohem.
Rrethi i Istogut shtrihet në maje të Dukagjinit verior, buzë Bjeshkëve të Thata dhe Bjeshkëve të Moknës. Në veri kufizohet me Serbinë e në veripërndim me Malin e Zi, pra shtrihet në ballë të furtunave që vinin nga andej, në lindje kufizohet me Rrethin e Skënderajt, me Drenicën, në jug me Lugun e Drinit dhe në jugprëndim me Rrethin e Pejës. Është rajon shumë pjellor, e përshkojnë dy lumenj, lumi më i madh e më i gjatë shqiptar, Drini i Bardhë, që edhe buron në këto anë, dhe Lumi i Istogut. Në kuptimin e atëhershëm administrativ, Rrethi të Istogut i kanë takuar edhe vendbanimet e sotme të Komunës së Pejës, Radaci me fshatrat përreth dhe Zllakuqani e Shtupeli, që tash janë me komunën e Klinës.
Ky rreth që ndryshe quhet edhe Podguri, atëherë ka pasur lidhje të forta me Mitrovicën, Pejën, Rugovën, Plavën, Jeni Pazarin, por edhe me Shkodrën. Gjeografikisht, pra, shtrihet në zemër të rrugëve të moçme të lëvizjeve kombëtare shqiptare, që i kanë trasuar vetë shqiptarët, me kohë si thuhet që nga Molla e Kuqe e deri në Shkodër, se këndej në kohën që i referohen, ka kaluar të thuash e vetmja rrugë magjistrale që e ka lidhur Rrafshin e Kosovës me Rrafshin e Dukagjinit, rruga magjistrale Mitrovicë-Pejë. Atëherë nuk ka ekzistuar rruga e tashme magjistrale Prishtinë-Pejë, nëpër Kijevë, pos hekurudhës për në Pejë, që është ndërtuar në prag të Luftës së Dytë Botërore.
Nëpër rrugën Mitrovicë-Pejë gjithmonë kanë depërtuar së pari ushtritë serbe gjithnjë kohë vjeshte, më 1912, në kohë vjeshte të vonë më 1918 dhe për koincidencë, edhe ushtritë partizane – komuniste, po ashtu, kanë depërtuar në këto anë në kohë të vjeshtës së vonë, në fund të nëntorit të vitit 1944. Dhe gjithnjë kur kanë depërtuar këto ushtri, kanë hasur në rezistencë të armatosur të shqiptarëve, së pari në Kërninën e Nak Berishës, Kamber Loshit e të Beqir Rexhë Balës, në rezistencën e burrave të Uçës, të Istogut, të Vrellës e të Radacit, të Lugut të Drinit, etj. Rezistenca dhe lëvizja nacionale shqiptare në të vërtetë gjithnjë më vonë kanë qenë më të theksuara dhe më të qëndrueshme pikërisht në këto mjedise, si do të shohim pak më vonë.

Sipas regjistrimit të popullsisë, që e ka bërë Mbretëria SKS më 1921, Rrethi i Istogut ka pasur atëherë 20.159 banorë, prej të cilëve 13.203 kanë qenë shqiptarë, ka pasur 2.661 familje dhe sipërfaqe prej 587 kilometra katrorë. Afërsisht ky rreth edhe pas LDB ka dalë me kaq banorë dhe kjo mund të shpjegohet me vrasjen e popullsisë dhe me migrimet e saj. Me qëllim kolonizimi deri në prill të vitit 1941, në Rrethin e Istogut pushteti okupues serb e malazias ka vendosur 1.234 familje kolonësh, që është gati njëfishi i familjeve shqiptare që kishte ky rreth, sipas atij regjistrimi. Kolonët përbënin 17 për qind të popullsisë së mbarë Rrethit, sipas dokumenteve serbe. Nga Mali i Zi erdhën 899 familje, nga Serbia 188 etj.

Kthesa e madhe më 1944-45

Kthesa e parë e madhe në të mirë të shqiptarëve në këto anë ka ndodhur në fillim të vitit 1941, kur ka kapituluar ushtria e atëhershme jugosllave para fuqive të Koalicionit gjerma-italian dhe japonez.
Atëherë edhe në këto anë shqiptarët kanë zënë të marrin frymë më lirshëm, ishin hapur shkollat e para shqipe, nëpunësit ishin shqiptarë, valonte flamuri shqiptar. Shqiptarët e kësaj ane ishin organizuar edhe në ushtrinë e rregullt të regjencës së Tiranës, por edhe në njëfarë ushtrie vullnetare që ruante kufijtë verior të Kosovës nga mësymjet e çetnikëve nga ana e Kolashinit dhe nga ana e Jeni Pazarit.
Por, kthesa tjetër për të keqen e shqiptarëve ndodhi në fund të Luftës së Dytë Botërore. Bashkë me brigadat partizane të Shqipërisë, në këto anë në fund të nëntorit të vitit 1944, depërtuan edhe brigadat partizane të Malit të Zi, “Bokeshka Brigada” dhe ato të Serbisë.
Me të vendosur njëfarë Komanda e Vendit në Istog, kryesisht nga serbët dhe malazezët dhe ndonjë komunist shqiptar, si ishte Sahit Zatriqi e ndonjë tjetër, organizata terroriste policore e politike, OZNA famëkeqe, po në dhjetor të vitit 1944, filloi arrestimin dhe likuidimin pa gjyq të burrave më të njohur të kësaj ane.

Brigadat partizane dhe OZNA gjatë dhjetor-janarit të atij dimri ndër të parët kanë zënë e likuiduar bajraktarin e Gashit, Col Sokol Bajraktarin e Uçës, njërin ndër njerëzit më autoratitativ të kësaj ane, pastaj Bajram Ramën e Istogut, Fazli Sylën e Synesë, Zhujë Halitin e Zenun Blakën e Kovragës, Hazir Januzin e Rrustem Kadën e Lubozhdës, Rrustë Rugovën, me të birin Ukën, nga Cerrca, Rexhep Hotin nga Rësniku, Pjetër Jakun, nga Renoci, Llesh Gjonin nga Zllakuqani, Azem Kokën nga Shtupeli bashkë me të birin Ibrahimin, 22 vjeçar, Qazim Bojën nga Kërnica, Feriz e Idriz Ahmetin nga Syneja, Bajram Rexhepin nga Dushkaja, Idriz Lipjan, nga Kamenica, Rexhep Hajdarin nga Novo Sella, Ali Xhemë Shatrin, nga Tomoci, Adem Arifin, nga Dubova e Vogël, Nezir Rexhepin, nga Tomoci, Nezir Xhemajl Blakajn, Beqir Blakajn, Ahmet Nuhin, Sylë Ahmetin e Brahim Ahmetin e Istogut, Adem Gashin, Fekë Jahajn, Bajram Sokolin, Salih Sokolin dhe Bajram Ramë Zeqirajn nga Uça, Ukë Zenelin e Gjurgjevikut, Fane Elezin nga Prekalla (e vetmja femër e pushkatuar në këtë masakër), Sadri Hotin nga Rësniku, imamin Haxhi Jaha, Bajram Metë Grabocin nga Saradrani e shumë të tjerë.
Disa burra të tjerë që i kishin prirë lëvizjes kombëtare dhe kishin organizuar mbrojtjen e kufijve të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore kishin dalë në mal, ose iu kishin bashkuar çetave kryengritëse në Lug të Drinit, në Drenicë, në Rugovë dhe në bjeshkët e Istogut.
Mënya se si janë vrarë e likuiduar këta burra me shenjë të lëvizjes kombëtare shqiptare, ashti si i kanë deklaruar dëshmitarët që e kanë mbijetuar masakrën e Kullës së Popit në Istog, janë barbare e të tmerrshme. Njerëzit janë mbytur edhe me mjete të topitura.

Tri varret e përbashkëta në Istog

Kanë qenë disa vendpushkatime dhe vende ku i kanë hudhur kufomat e këtyre burrave. Dëshmitarët thonë se kanë qenë shumë të rrallë ata që kanë pasur guximin t’u afrohen vendpushkatimeve gjatë atij dimri. Është ditur për to, është ditur se ku ndodhen kufomat. Ato kanë qenë më pak te Gropat e ushtrisë në Bollovan mbi Istog, në dy kanale të vaditjes, tek arat e Bytyçëve, në Llugë të Xhamisë së Istogut dhe në dy bunare puse në oborrin e Kullës së Popit në Istog dhe në oborrin e shkollës fillore në Istog, në Lagjen e Gurajave.

Dëshmitarët e rrallë thonë se në kanalin kryesor të vaditjes në arat e Bytyçëve, që ka qenë i gjatë 200-300 metra, i thellë dy metra dhe i gjerë dy-tri metra, i rrethuar me llugë, verre, shelgje, në jug të motelit të sotëm “Trofta”, janë numëruar afër 220 të vrarë. Në kanalin tjetër afër tij, më i vogël, janë numëruar afërsisht 70 kufoma. Në Përroin e Bollovanit, te Zabeli i Sadik Rexhës, në Gropat e ushtrisë, po ashtu janë llogaritur 70-80 kufoma. Nuk ka qenë e mundshme të numërohen kufomat në pusin e thellë të oborrit të shkollës në Guraja dhe në oborrin e Kullës së Popit, por me siguri dihet se në to janë hedhur kufomat e shqiptarëve të mbytur në Dhomën e Vdekjes dhe të tjerë të mbytur nëpër shtëpitë-burgje të Istogut.
Kufomat kanë qenë me duar të lidhura me tel, shumë sosh të zhveshura, të prishura në fytyrë dhe nga fytyra nuk ka pasur mundësi të identifikohen. Pjesë të tyre kanë qenë edhe të shpërndara. Kanë qenë të mbuluara me borë, grumbuj, dhjetëra sosh njëra mbi tjetrën. Në pranverë, kur ka zënë të shkrihet bora dhe kur njerëzit kanë filluar të marrin frymë pak më lirshëm, kanë njohur ndonjërin nga të varët, sipas veshjes apo sipas ndonjë shenje tjetër. Por, shumica e tyre nuk janë identifikuar kurrë dhe janë mbuluar bashkërisht, ashtu si kanë qenë në këto varreza të përbashkëta të këtyre martirëve që edhe sot e kësaj dite prehen këtu. Këto gropa, varreza të përbashkëta, nuk janë hapur ende.
Dihet saktësisht se Ramë Alia dhe Bajram Gashi, ish prefekti i Pejës, bashkë me të birin e Ramës, Salihun, janë varrosur në një varr të përbashkët afër murit të sotëm të varrezave të xhamisë së Istogut, në pjesën jugore, afër Kroit të Pazarit, nga ana e fushës së basketbollit këtu.

Rrustë Rugova supozohet se është varrosur në gropën e ushtrisë në Bollovan, ndërkaq biri i tij Uka, është zhdukur pa gjurmë deri me sot.

Qëndresa nëpër male

Kurorat e bjeshkëve të larta me pyje të dendura të anës së Istogut u kanë shërbyer si shtëpi e dytë shumë të strehuarve gjat atij dimri të egër. Pos shumë familjeve të strehuara, në këto bjeshkë u gjendën edhe shumë luftetarë që kishin vendosur ta bënin luftën deri në vdekje.

Grupet e luftetarëve nëpër malet e afërta të Rakoshit, Istogut, etj. dalloheshin se ishin të udhëhequra nga Bajram Salih Gashi, (është dekoruar nga ish presidenti i Shqipërisë, dr. Salih Berisha, për meritat kombëtare), Bik Pazari, Feriz Boja dhe Ndue Perlleshi, Tal Kurteshi, Bardh Isufi, Sali Hoxha, etj. Këto grupe mbanin lidhje me Mehmet Gradicën e Muharrem Bajraktarin, si dhe me grupet e tjera të rezistencës në Rugovë. Por rezistenca e përgjithshme ka munguar, përkrahja e pritur nga jashtë ka munguar dhe pushteti i konsoliduar, pas përfundimit të luftës së Drenicës, e ka ngushtuar gjithnjë e më shumë rrethin e Istogut.
Tragjedia e këtyre njerëzve atdhetarë dhe kundërshtarë të vendosur të serbizimit të trojeve etnike shqiptare kështu bëhej më e madhe edhe për shkak se për her të parë nuk e gjejnë përkrahjen as të Shqipërisë.

Pushteti i Shqipërisë komuniste ato ditë të thuash se ishte vazal i Titos! Dhe, posaçërisht gjatë periudhës deri në fillim të viteve ’60, pushteti në Shqipëri, në bashkëpunim me UDB-ën jugosllave, i ka bërë shumë sherre lëvizjes kombëtare shqiptare në Kosovë, pra edhe në Rrethin e Istogut, si i ka bërë sherr kësaj lëvizjeje nacional-demokratike edhe gjithnjë më vonë. Sepse, derisa më parë kundërshtarët e okupimit serb, sidomos pjesëtarët e Lëvizjes Kaçake në Kosovë dhe në viset e tjera etnike shqiptare këndej kufirit arbitrar me Shqipërinë, në çastet më kritike gjenin strehim në gjirin e pushtetit të Nënës Shqipëri, kësaj rahe, për shkaqe ideologjike, për shkak se në Shqipëri dhe në Jugosllavi, si edhe në Kosovë, pushtetin ushtarak dhe politik e fituan komunistët, vëllezër të një ideologjie, të përkrahur nga një qendër, nga Moska staliniste, u ndodhën pa asnjë përkrahje, në një rreth të mbyllur!
Kundërshtarët e sllavizmit, evroperëndimorët e Serbisë, kundërshtarët e komunizmit, idealistët e Shqipërisë etnike, evroperëndimorët, u gjetën pa asnjë përkrahje nga jashtë e tash as nga Shqipëria. Tragjedia kështu ishte e plotë dhe ajo do të ndodhte!

Në ato ditë apokaliptike për shqiptarët liridashës ka ndodhur edhe një ngjarje që e ka trondutur pushtetin partizan-komunist në Istog, ka ndodhur rrethimi i Istogut. Udhëheqja e Vrellës, bashkë me shumë qytetarë të armatosur, bëhet fjalë për aro 800 vetë të armatosur, e kanë rrethuar Istogun, bashkë me Komandën e Vendit, aty nga fillimi i shkurtit të vitit 1945. Dëshmitarët i tregojnë dy variante për qëllimin e këtij rrethimi. Njëri është se vrellasit donin t’i mbronin qytetarët e vet nga zullumi i OZNËS dhe i aradhave të ndjekjes partizane dhe varianti tjetër ishte se vrellasit ishin tejet të revoltuar nga masakrat dhe pushkatimet pa gjyq që i bëheshin popullsisë së këtij rrethi dhe me gjerë. Vrellasit i kanë tërhequr forcat e rrethimit pas marrëveshjes me komandën e atëhershme partizane dhe Komandën e Vendit, me fjalën e dhënë se nuk do të ketë më pushkatime pa gjyq të shqiptarëve. Por, pushteti i komunistëve në Istog përseri e ka mbajtur fjalën.

Vrasja e kryetarit të Nacionaldemokratikës shqiptare në Istog

Për të përfituar masat e gjera popullore, pushteti atëherë kishte vendosur dhe kishte bërë për veti edhe një pjesë të njerëzve autoritarë të kësaj ane dhe kishte vendosur ata për kryetar komunash, që administrativisht atëherë e kishin kuptimin e sotëm të bashkësive lokale. Në Istog p.sh. e kishte vendosur për kryetar komune Rrustem Nimon Bajramajn, njërin ndër njerëzit më autoritativ të këtij vendi. Rrustemi kaherë ishte kyçur në lëvizjen kombëtare shqiptare. I takonte familjes së madhe Bajramaj të Istogut, ishte farefis i trimit në zë të kësaj ane, Ramë Alisë. Por, Rrustem Bajramaj kishte kundërshtuar haptazi vendimet e Mbledhjes së Kuvendit të Prizrenit, kur kinse delegatët e Kosovës votuan që Kosova “t’i bashkohej Serbisë Federale”. Vërtet Rrustem Nimani ishte anëtar i Nacionaldemokratikës dhe anëtar i Komitetit Shqiptar të Shkupit. Ai haptazi mbronte pikëpamjet e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por haptazi kishte ndërhyrë edhe në mbrojtje të të arrestuarve në Kullën e Popit gjatë dimrit 44-45 në Istog.
Me gjasë, kjo i ka mjaftuar pushtetit të atëhershëm që ta arrestonte Rrustem Nimanin, në rrugën Istog-Gurakoc, ku me qerre zyrtare kryetari Istogut shkonte në Gurakoc për të mbajtur një mbledhje. E kanë arrestuar ushtarakët dhe e kanë zhdukur diku pa gjurmë. Kjo ngjarje ka ndodhur menjëherë pas mbledhjes së 5 korrikut të vitit 1945 të Prizrenit.
Gjatë viteve në vijim zullumi mbi shqiptarët në Rrethin e Istogut vazhdoi në forma të tjera: në emër të reformës agrare e kolektivizimit dhe të grumbullimit të tepricave të ushqimeve dhe të prodhimeve bujqësore, pastaj bëhej konfiskimi i pasurisë së “kullakëve” e të ngjashme, dobësohej dhe varfërohej ekonomikisht popullsia, zhvillohej propaganda e përçarjes dhe e shkeljes morale të familjeve dhe të individëve me heqjen e havalës etj. Me këtë rast do të themi se sipas hulumtimeve tona të deritashme aksioni i parë në Kosovë për formimin e kooperativave të kolektivizimit është zhvilluar pikërisht në Rrethin e Istogut, aksioni i parë për heqjen e havalës është zhvilluar po ashtu në Istog (“Rilindja” atëherë shkroi se ishte një femër e familjes Blakaj që e para heqi havalën) dhe se, po ashtu, sipas të dhënave që ka hulumtuar prof. Muhamet Shatri, në Istog në vitin 1956, po ahtu ka filluar aksioni i parë i grumbullimit të armëve.

Në shënjestër të pushtetit atëherë përsëri ishin familjet e mëdha shqiptare, njerëzit autoritativë, të rezistencës, por edhe intelektualët. Më së shumti mësuesit, burgosja dhe vrasja e të cilëve nuk ka pushuar deri në luftën e fundit, më 1999, për çka besojmë se do të bëhen shkrime e hulumtime më të plota.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...