Pejë : Promovohet monografia për intelektualin Smajl Kelmendi
“Smajl Kelmendi ‘Një gjurmë intelektuale përgjatë një jete’”, është monografia e autorëve Naim Kelmendi e Skender Mulliqi, e cila u promovua para shumë të pranishmëve në ambientet e teatrit “Istref Begolli” në Pejë.
Recensenti i monografisë, Valdet Hysenaj, para të pranishmëve tha se ky libër nderon jetën , veprën dhe vlerat e një intelektuali dhe veprimtari të çështjes kombëtare, siç është Smajl Kelmendi.
“Në retrospektivë sot, do të ravizohet personaliteti dhe vepra e tij. Do të ravizohet shtegtimi jetësor me rrjedhë motesh, të atij promotori të denjë të luftës për ekonomi, humanizëm, drejtësi dhe liri”, thotë Hysenaj.
Autori i monografisë, Naim Kelmendi, sqaroi se ideja për një monografi jetësore e të karrierës për intelektualin e atdhetarin Smajl Kelmendi ishte e kamotshme, por u arrit të realizohet në 10 vjetorin e vdekjes së tij.
“Ishte ndër të parët ai, që i kundërshtoi publikisht ato masat e ish pushtetit okupator, dhe kështu ja çjerri maskën atij regjimi se në Kosovë ishte instaluar për ta shkatërruar ekonominë e Kosovës dhe jo aspak për tjetër qëllim”, deklaron ai.
Në vazhdim të këtij tubimi promovues, i organizuar mjaft mirë, u shfaq edhe filmi dokumentar prej 20 minutave i cili i kushtohej jetës dhe veprës së Smajl Kelmendit që nga ditët e rinisë studentore e deri te aktivitetet e tij politike në kuadër të LDK-së dhe takimi i tij më presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova.
Po ashtu këtij tubimi ia shtoi mallin dhe i dha frymë emocionuese tek të pranishmit ishte këngëtari dhe aktori i Ansamblit Folklorik Autokton “Rugova” , Shaban Lajqi i cili mjaft bukur e këndoi këngën kushtuar veprimtarit dhe atdhetarit Ismajl Kelmendi.
Po sjellim poezinë kushtuar Smajl Kelmendit nga poeti:
Naim KELMENDI - PAS NESH
Të gjitha janë fjalë,
që pështyhen që nuk hahen,
që hahen më bukë me dashuri,
që më në fund ikin avullohen,
vijnë pasardhësit e gërmojnë,
epope të moralshme fjalësh..
Ish-kryetari i Komunës së Pejës, Ali Lajqi, e kujton Smajl Kelmendin si njeri përkrahës të lëvizjes kombëtare për liri dhe pavarësi të Kosovës.
“Një njeri po ashtu, përkrahës i lëvizjes sonë kombëtare për liri e pavarësitë Kosovës, edhe para vitit 81 e pas saj,por edhe gjatë periudhës 90’të e këtej, dhe sigurisht përgatitja e tij profesionale bëri që në kuadër të vendosjes së tij si drejtor për zhvillim ekonomik, ishin atribute pa të cilat nuk mund të kalohej dhe u emëruar drejtor për zhvillim ekonomik në një kohë mjaftë të vështirë”, shprehet Lajqi.
Në fund të promovimit të Monografisë, është shfaqur edhe një film dokumentar për jetën dhe veprën e Smajl Kelmendit.
No comments:
Post a Comment