Agim Pipa: Libri i Albert Zholit "Sekretet e gazetarëve të RTSH-së



I ngjan një këmbane të madhe qiellore. Që, përhap papushim dhe pafundësisht, zëra njerëzore dhe tinguj muzikorë, nga toka jone e mirë, deri në hapsirat e largëta të globit, atje ku jetojnë mijra njerëz, si pjesë e pandashme e popullit tonë. Sa më shumë afrohesh pranë RTSH, aq më shumë e dashuron atë. Sa më shumë i largohesh, aq më shumë të merr malli për të. Për gjithçka. Nga mëngjesi i butë, kur ti i drejtohesh aparatit të thjeshtë të radios dhe kërkon me intuitë valët e saj, për të dëgjuar zërin e ëmbël të spikeres, që të përshëndet: “Këtu Radio Tirana…me valë të mesme…Ju urojmë një ditë të mbarë të dashur bashkëkombas dhe bashkatdhetarë!”, deri në mbrëmjen e thellë, ku muzika e Zadesë, e Harapit, Gjonit, apo zëri I M.Xhemalit, V.Zelës, i grupeve polifonike apo i rapsodëve të magjishëm të bjeshkëve tona, të përcjellin në gjumin e mirë! Po ashtu ka ndodhur deri dje dhe me televizionin”.

Kujtimet

Po nis kujtimet dhe rrëfimet, për një pjesë të legjendave të mikrofonit të Radios. Mikrofonit, që, sa njerëz patën fatin dhe folën në membranën e tij magjike, u dashuruan me të dhe e quajtën të shenjtë.Ishin ditë vjeshte. Viti 1979. Unë hyra në godinën e bukur, që i ngjante një godine të kristaltë zërash dhe, përballja e parë, ishte zyra e drejtorit të saj. Zotit Klimi Misa. Si bashkëpuntor i afërm i Radios, unë kisha vite që udhëtoja me magnetofonin e rëndë dhe të saktë, “Uher”, që, sapo e vije në sup, të jepte një forcë dhe pothuaj të tjetërsonte. Të bënte pjesë të logjikës dhe arsyes së kombit tënd. Pjesë të kulturës dhe të traditës. Të ritmeve të zhvillimit dhe të kapërcimit të hapsirave, prej Tiranës, deri në Vermoshin e largët në veri dhe Konispolin e bukur, buzë piramidash kufitare, në jug. “Eja, djalosh…Në hekurudhën Fier-Vlorë, duhet të shkosh. Tek aksionistët. Reportazh, mbi punën për ndërtimin e hekurudhës dhe jetën e të rinjve tanë atje…Do të udhëtosh me makina të rastit. Shko në redaksi, tako Pandin e lajmeve, pastaj mer edhe “Uherin” dhe nisu. Tri ditë, mjaftojnë?” U bëra me fletë…Udhëtova me një “Skodë”, që çonte dhe merte puntorë, nga Parku i Mallrave, pranë shkollës së mesme Teknologjike, deri në kampin e aksionistëve, ne Levan…Pas tri ditësh, gjithçka u krye thjesht, mirë, bukur…Ishte kohë e artë…

Fundvitet ‘80

Por, do të vij tani tek fundvitet ’80 dhe fillimvitet ‘90. Kur Radio Tirana, u quajt aorta e madhe e zërave dhe ndërgjegjes kombëtare. E viteve të ndryshimit të madh. Që, po niste e po përgatitej prej vitesh, nëpër studiot dhe redaksitë. Nëpër sheshet e punës, qytetet, fshatrat, shkollat, në Universitet, në uzina dhe punishte, fabrika dhe ferma, nëpër institucione dhe akademi shkencore. Janë të shumtë emrat e gazetarëve, regjisorëve. Të redaktorëve, folësve, shefave të redaksive, të dispeçërve, inxhinjerëve, teknikëve, montazhirëve, shoferëve dhe administratorëve. Prej të cilëve po kujtoj: Agron Cobanin, Kiço Fotjadhin, Timo Luton, Pandeli Shehun, Zamira Kolecin, Korab Hoxhën, Liljana Shanton, Arqile Ndinin, Alfred Kaninin, Xhelil Aliun, Afërdita Selimin, Feruze Bajon, Meropi Matlinë, një prej spikereve brilante të Radios dhe Elsa Xhain, Viron Notin, Agim Xhekën, Atli Dacin, Jani Durin, Vangjo Kozmain, Arjana Qatipin, Shefqet Mekon, Amilda Dymin, Adi Krastën, Valdete Andonin, Frida Shytin, Paulin Shkjezin, e sa e sa gazetarë, redaktorë, regjisorë, folës, dhe bashkëpuntorë të tjerë të redaksive dhe emisioneve të Radio Tiranës. Dhjetori i vitit 1990, ishte koha e provës së madhe. Atëhere, ishdrejtori I Radios, z.Thimi Nika, një gazetar me përvojë nga shtypi i shkruar, e ktheu zyrën e tij në një central, që gjeneronte ide dhe punë gjigande. Po tronditeshin themelet e ishdiktaturës. Dhe hapat duhet të hidheshin me kujdes. Por, duke prurë në mikrofonët e studiove, uraganin e madh të zërave popullorë. Të protestuesve të rrugës së Kavajës fillimisht, në korrik, që shpërthyen muret e ambasadave. Më pas, të studentëve. Të sindikalistëve, të qytetarëve të ngritur në revolucion, për mposhtjen e sistemit të kalbur të diktaturës. Dhe Radio Tirana, e dha provën e saj. Ishte provë zjarri, jo shaka…Ishte kohë, kur në studiot e transmetimit, natën e rënies së bustit të diktatorit, grupe ushtarakësh patrullonin nëpër koridoret e gjatë të Radios dhe jepnin urdhëra për transmetimin edhe të antimitingjeve dhe mbledhjeve të byrosë politike të asaj kohe, të kthyer në çerdhe intrigash dhe fantazmash. Që kërkonin kurbanë koka njerëzish, gazetarësh, teknikësh, folësish, teknikësh…Ishte koha e përplasjes së madhe. Dhe, Radio Tirana, e fitoi betejën. E fitoi sprovën, me kohën…Pas revolucionit, ne ishim të gjithë të lumtur. Me kolegen time Arjana Qatipi, gazetaren deri atëhere të emisioneve për gratë dhe femrat shqiptare, ideuam dhe çelëm një program të drejpërdrejtë, me problematikë dhe fytyrë sociale. Gjithpërfshirës. Me tre ore transmetim. Nga edicioni i radhës i lajmeve, marë nga redaksia e informacionit, deri tek rubrikat me debate, intervista, lojra argëtuese dhe zbavitëse radiofonike, muzika e përzgjedhur…dhe një grup vajzash, studente nga histori-filologjiku, apo maturante në gjimnazet e Tiranës, si bashkëpuntore të këtij programi, që, duke e menduar si një spektakël radiofonik, e quajtëm “Sot. Po nesër?” Për të hapur membranën e mikrofonit të Radios, për ta kthyer ate në një bashkëfolëse gjigande me zërat popullorë, ne hapëm edhe dy linja telefonike, të drejpërdrejta dhe, më ndihmën edhe të drejtorisë teknike në Radio, përgatitëm një bërthamë të vogël gazetarësh dhe një regjisore, për transmetime të drejtpërdrejta, me një studio levizëse modeste. Mbaj mend se, në Kuvendin e parë pluralist shqiptar, ate kohë, miratoheshin ligjet e para me debate të mëdha. Në portin e Durrësit vazhdonin dyndjet e njerëzve të dëshpëruar, që kërkonin të rrëmbenin për herë të dytë anijet, për të shkuar në Tokën e Premtuar për një jetë më të lumtur, ndërsa në rrugët e Tiranës, shiteshin ushqime të ardhura nga ndihmat për popullsinë e mbetur pa punë dhe pa përkrahje sociale. Programi “Sot. Po nesër?” ishte i pari, i drejpërdrejtë dhe treorësh ku, përmes telefonatash direkte, për herë të parë, hyri zëri i njerëzve të lirë, i pacensuruar, i pakontrolluar nga dora e hekurt e ishdrejtuesve partiakë konservatorë dhe dogmatikë. Sa përmes të ftuarve në studio dhe transmetimeve direkte me studion e vogël lëvizëse, aq edhe përmes telefonatave. Ku do të kujtoj debatin në telefon, ndërmjet gruas së ish-diktatorit, me një vajzë nga Tirana, studente, që fliste nga Universiteti i Torinos. U përplasën dy botë dhe fitoi e reja. Moderatorja e emisionit, Arjana, ndërhynte mençurisht me pyetje të sakta, tek të dy bashkëdialogueset, ndërsa drejtonte debatin, ndërsa vajzat në studio, duartrokisnin bashkëmoshataren e tyre…Po atë ditë, unë dhe kolegia tjetër, Amilda Dymi, transmetonim direkt nga Durrësi, revoltat e qindra njerëzve, që po përplaseshin me ushtrinë në dyert e portit…Ishte gjithckca direkt, për herë të parë. Ndërkaq, pas këtij program vijuan edhe dy të tjerë, në formë ciklesh. Por kulmin transmetimet direkte e arritën me programin “Zemër”, kushtuar emigrantëve shqiptarë…

Radio Tirana sot

Radio Tirana, sot vazhdon të transmetojë 24 orë në 24, me frekuenca që shtrihen në horizont, nga Shqipëria, deri në Amerikën e largët. Ajo i ngjan sërish një aorte gjigande, që përçon oksigjenin e miliona dëgjuesve, nga e gjithë bota. Për fat të mirë, disa prej ikonave të saj, vazhdojnë ende të punojnë në studiot dhe redaksitë e këtij institucioni të madh publik. Me këtë rast, unë dua të falenderoj gazetarin, publicistin, poetin dhe shkrimtarin Albert Zholi, që, me kulturën dhe saktësinë, dashurinë dhe talentin e tij, po mbjell një pemë të gjelbërt, në fushën e kulturës sonë kombëtare, përmes librit të tij, me pjesë brilante nga historia e Radio Televizionit Shqiptar. Punë të mbarë dhe faleminderit, Albert. Edhe ti, si pjesë e këtij institucioni të madh, ke gjurmët e tua të arta, përmes qindra emisioneve, lidhjeve direkte, reportazheve, poezive, skicave e tregimeve, komunikimit të madh me qindra e mijëra mërgimtarë, të cilët, tek fjala jote e mençur dhe e ëmbël, kanë gjetur shtegun drejt Atdheut. Kanë mësuar, kanë shkruar, kanë folur dhe kanë qarë hallet me ty, miku im, sikur të ishin fare pranë studios së Radios apo studios së Televizionit.Punë të mbarë miku im dhe faleminderit! Zëri yt, i ngjan shpresës. Dhe dritës. Librin tënd, do të doja ta mbanin në xhep miliona bashkëkombas dhe bashkëatdhetarë. Si pjesë gjithashtu të ndërgjegjes sonë kombëtare. Si pjesë të jetës dhe historisë së RadioTelevizionit tonë të dashur.
Mars 2010.


Albert Zoli: Portat e hallit

Nga lindja gjer tek vdekja njeriu udhëton nëpër portat e hallit… Sa del nga një portë halli hyn tek porta tjetër. Hyn pa trokitur se ato janë të hapura në dy kanatet e padukëshme...Dhe nga njëra portë tek tjetra, njeriu shpreson e shpreson për t’i dhënë fund asaj udhe të paudhë, por asnjëherë nuk e sheh dot fundin.Edhe portën e vdekjes e gjen hapur ... Hyn edhe atje pa trokitur për të vazhduar udhën e pasjetesës.
Deri në cilën portë ke arritur o njeri ?!
E gjen gëzimin duke ecur nëpër portat e hallit ?!
Pa kaluar në ato porta nuk e kupton jetën ?!
Si?
E gjithë jeta është HALL?!
Hall që jetohet?!...
Deri në cilën portë të hallit ke arritur o njeri?!
“...ARAT PO I LËNË, PO MARRIN KURBETIN, CA MALLKOJNË TOKËN, CA MALLKOJNË SHTETIN…”
Është një orkestër e vogël me katër vetë. Këndojnë dhe u bien veglave muzikore, duke i rënë cep më cep lagjeve të Athinës. Por më shpesh i gjen nën këmbët e Akropolit e në lagjen “Plaka”, ku i gjetëm edhe ne për herë të parë …
Sa I dëgjuam, menduam se ishte ndonjë kasetë me këngët e njohura përmetare. Së bashku me një shokun tim, i afruam këmbët andej nga vinte ëmbëlsia e atyre këngëve…
Ata të katërt ishin pranë murit të një ndërtese. Të katër esmerë, nga ata stërnipërit e muzikantëve, që solli Pirroja i madh nga Egjipti, që në Përmet e gjetkë u bënë djep- kënge. Sikur ishin vëllezër ngjanin. Klarinetisti ishte pak më i shkurtër …U binin veglave dhe këndonin sic bëjnë grupet e herëshme përmetare, sidomos ai më famozi, grupi i Laver Bariut. Ia kishin marrë vence një kënge të vjetër, sikur të ishin në grykën e Këlcyrës e jo në këmbët e Akropolit:
“Në qivur të shtrinë,
Të veshën si nuse.
Sa hije të kishin,
Të shkretat baluke!
Rreth këngës grumbulloheshin e grumbulloheshin shqiptarë e turistë të ardhur ‘pranë bukurisë greke…Ne dëgjonim si pa marrë frymë e ata këndonin :
“…Te gorica plakë,
Po ta bëjnë varrë.
Pleqtë po rrëmojnë ...
Beqarët po qajnë ...
Edhe ne na mori kënga dhe thoshim nëpër buzë :
“Pleqtë po rrëmojnë/Beqarët po qajnë ...
Disa turistë nordikë, kështu dukeshin nga trupat e gjatë e nga tiparet e theksuara të bardha, sic i themi ne shqiptarët “të shpëlarë”, hodhën disa monedha në kapakun e violinës dhe ngatërruan disa fjalë, që donin të thoshoshin, “tjetër..tjetër”
Aq donin ezmerët:
“...Kishe dalë e rrije, afër trëndafilit,
Të digjej jeleku, nga zjarret e gjirit...”..Ah..zjarret...
Bravoo, bravoo!-folën dy nga “të shpëlarët”…
Neve sa nuk bëheshim me krahë nga gëzimi e krenaria. Në ato caste
mu kujtua një thënie e një filozofi: “ Popujt që kanë këngë të bukura, kanë të ardhme ...” E kujtova këtë thënie dhe psherëtiva. “Ku është e ardhmja e këtijë populli këngëbukur si i yni?!!...” dhe shoh me keqardhje bashkëatdhetarët e mi të ikur tufa-tufa, nëpër udhët e botës.... Dhe këngëtarët derdhnin shpirtin e tyre në këngë për të kënaqur zotërinjtë portë më portë e lagje më lagje. Dhe ata si ta kishin lexuar dhimbjen time, ia morën një këngë tjetër: Një këngë të dhimbëshme kurbeti:
“...C’ka që s’mbin bari në qafë ?
Nga lotët që derdhnin gratë !
Marrin rrugën e kurbetit
Dhe s’e dimë c’vjen prej detit ?
Rruga jonë, dreq o rrugë,
Zgjatet për një copë bukë...”
Një vogëlushe u lëshua nga dora e nënës dhe i dhuroi një trëndafil të kuq atij me klarinetë qe po e magjepste kete kenege. Klarinetisti e vuri karafilin diku, aty nga qante klarineta : “…Djemtë e burrat tanë, shpirt e zemër vrarë,
Arat po i lënë pa i hedhur farë.
Arat po i lenë po marrin kurbetin,
Ca mallkojnë tokën, ca mallkojnë shtetin…”
Ikëm me dhimbjen e gëzimit, që na kish mbushur shpirtin dhe na derdhej si kënga pambarim e katër esmerve.


Albert Z. Zholi: “Malboro”

Vila ishte e rrethuar me mure të lartë, e më një portë rrëshqitëse elektrike. Brenda mureve një kopësht me gjithëlloj pemësh e lulesh. Vila ngrihej katër kate me ballkone të gjelbëruar e me dritare, dyer të veshur me xhama dritëthithës ngjyrë gjethe portokalli,. ë të dy anët e ndërtesës ishin vendosur dy kolibe ngjyrë limoni, ku ngrinin veshët e mprehtë dy qenë leshataorë. Në të djathtë shtrihej e futej thellë një garazh, ku një djaloshi veshur me kominoshe, pastronte pesë makinat “Mercedes –Bens” ku në plan të parë ndriçonin një ngjyrë bardhë e një ngjyrë mente…

Derën qëndrore e hapi një vajzë e veshur me përparëse e kordele të bardhë. Lindita e ndoqi pas vajzën me të bardha e u gjed në një sallon të madh, me kolltuqe të rëndë e shandanë, që ndriconin edhe të pandezur, me qylyma persianë, ku këmba fshihej e dukej, mes luleve ngjyrëndezura e me muret mbushur me piktura klasike, të bëra e të stërbëra me mijëra herë që nga jeta e piktorëve. Në një nga kolltuqet e rëndë afër oxhakut, ishte ulur Zonja. Këmbët i kish rënduar mbi njëra-tjetrën dhe një fustan i gjatë i kish fshehur gjithë bukuritë e tyre. Tymoste me përtaci cigare “ Malboro”, duke e hedhur cigaren nga njëra dorë tek tjetra, sikur gishtat e ngarkuar, me s’dihet sa unaza, të mos e duronin dot edhe atë send tymues . Lindita u afrua e ndrojtur.Gjithë ai luks i rëndë, me në krye Zonjën “Malboro” iu duk si në përrallat e Njëmijë e një Netëve .

-Mirdita !- e përshëndeti ajo greqisht.

-Mirdita!-ia ktheu zonja, duke lëshuar një shëllungë tymi të bardhë, nga goja, e duke i shëtitur sytë nga koka tek këmbët e Linditës. Lindita kishte një bukuri tërheqëse. Sapo e kish festuar 25 –vjetorin e jetës dhe një-vjetorin e martesës. Fëmijë nuk kishte. Dukej më tepër vajzë se nuse.

Zonja po ia fuste sytë e saj ku të mundëte: Në sy e në buzët gjysmë të çelura, në vrimat e veshit, e në qafën e bardhë e të shëndetëshme, në gjoksin e hedhur e në frymëmarrjen e ndruajtur, pastaj i ndaloi tek shuplakat e duarve dhe foli:

-E dini mirë greqishten ?-Dhe zëri i saj u bë i fortë e ngacmues.

-Jo shumë mirë .Po mësoj çdo ditë me medodikë dhe fjalor. Di të komunikoj mirë në anglisht dhe italisht.

-Si? Anglisht dhe italisht’ Ku i ke mësuar?—Dhe zonja lëvizi të ndenjurat e trasha në kolltuk, bëri ndërrimin e këmbëve mbi këmbë dhe lëshoi bishtin e cigares në një tavolinë argjendi.

-Në universitet – foli më kurajoze Lindita, kam mbaruar shkollën e lartë për ekonomiste. Zonja e shtëpisë shfaqi një qeshje ironike në fytyrë, duke përdorur vetëm sytë dhe buza. Duke lëvizur muskujt e faqeve të tulta . Dhe foli:

-Universitetet shqiptare nuk pijnë ujë në Evropë – dhe lëvizi gishtat e dorës së majtë sikur donte t’i shlodhte nga pesha e të florinjtave, apo t’i tregonte shërbëtores me universitete se para gishtave të saj nuk kishte vlerë shkolla e lartë …Por përsëri pyeti, si për t’u siguruar, për c’kish dëgjuar.

-Dhe sa vjet shkollë keni kështu ??

-Gjashtëmbëdhjetë dhe një vit pasuniversitar, gjithsej shtatëmbëdhjetë – ia numëroi Lindita, për të lënë zonjën të shtypte trurin në llogaritje.

Makinën larëse dini ta përdorni?-pyeti përsëri Zonja –

-Po!- u përgjigj shkurt Lindita.

-Po fshesën me korent – pyeti përsëri Zonja, sikur donte që një nga pyetjet e saj të dilte mbi dijet e shqiptares së ditur.

-Po, di ta përdor edhe fshesën elektrike – u përgjigj përsëri shkurt Lindita .

-Gjëra të tilla kishit në vendin tuaj ?

-Makinë larëse, gati, ka çdo familje. Unë kam patur edhe fshesë elektrike – e sqaroi Lindita, duke ndenjur, ashtu, në këmbë, si në provimet e shkollës.

-Po këtu ç’ke mësuar?-pyeti përsëri Zonja, duke pritur përgjigjen që donte.

-Edhe këtu kam mësuar shumë gjëra, në radhë të parë si të punoj në shtëpi zonjash e si t’i respektoj Zonjat…

Zonja qeshi për herë të parë me faqet e tulëta dhe u ngrit nga kolltuku.


Albert Z. Zholi: Sytë e Dorianës

Sa hyri në vagonin e trenit shtangu. Përballë iu shfaq ajo ... Flokët prerë shkurt si atherë. Simpatike. Energjike. Sytë e zinj që i xixëllonin. Shatmesatare por elegante. Flokët gështenjë të shtrira. Edhe ajo e pa dhe mbeti ashtu sy hapur si ai…
Treni nisi udhën nëpër shina ...Por ai nuk e dëgjonte ...

-Ec, Luan...lëviz mos gjejmë ndonjë vend – i foli e shoqja, por ai akoma rrinte i hutuar nga ajo përballje tronditëse...

-Pse ndalove? Ec se nuk rri dot në këmbë ! – foli përsri e shoqja. Ai bëri sikur lëvizi sa i hapi rrugë të shoqes. Një djalosh u ngrit nga vendi dhe ajo u ul. Ai rrinte në këmbë duke shqyer sytë a duke shqyer zemrën, a duke shqyer trurin ??? Ai takim sysh i befasishëm me Dorianën, e tronditi aq shumë sa e harroi veten...Edhe ajo e shihte pa fjalë sysh ...Sytë flasin shumë, por ata vetëm shiheshin, e sytë e tyre nuk kishin forcë fjale ...

Sytë e Dorianës u shkrinë dhe loti iu këput mbi faqe...

Tashti edhe sytë e tij u zgjuan e donin të flisnin e të dëgjonin ... Sytë kanë kodin e tyre të bisedës ...Thonë fjalë urrejtjeje e fjalë dashurie, pa i dëgjuar kush e pa i zbuluar kush të thënat e tyre ...Edhe kur s’ishte bërë fjala gjuha e syve ishte ...Edhe gjuha e shpirtit tek sytë, e më mirë, atë gjuhë e dijnë dashnorët...

Kur dy të dashuruarit kanë vendosur kodin e syve, e cdo ditë mësojnë e thonë fjalë zemre, ata bëhen më të bukur e jeta e tyre merr kuptim ...Vetëm Doriana dhe Luani e dinë se ç’flasin sytë e tyre...


Në një mbrëmje vallëzimi në shkollë:


Mbrëmja organizohej në prag të Vitit të Ri. Nga mesi i mbrëmjes , një vajzë e vitit të parë u gjend pranë tijë e i propozoi. “ Mund të vallëzojmë”? Ai s’ishte ngritur asnjëherë në vallëzim atë mbrëmje, se nuk ndjejhej mirë, bile nuk donte as të vinte, por nuk ua prishte dot shokëve ...Pa i folur vajzës u ngrit. Ajo kërcente bukur, sikur vallëzonte me krah në ngjasim fluture. Vallëzonin e heshtnin.Sytë nuk shihnin tek sytë, veç ndjenin afërsinë e dy trupave në një prani të heshtur.

Ashtu sic ishin, kokëulur, nisën të flisnin …Kur sytë akoma nuk shihnin tek sytë, duhej fjala të thoshte ato që thuhen zakonisht në mbrëmje të tilla: “ Nga je?...Jeni interesante..Si e keni emrin?... Sa zë të ëmbël që kini?... Shkolla ç’thotë?... Ohu, petagogët ashtu e kanë …Ju pëlqen letërsia? Unë lexoj shumë poezi…Mua më pëlqejnë romanet”…Gati këto biseda bëhen mes vallëzuesëve, sidomos në vallëzimet e lehta, ku i lihet vend edhe fjalës … Pastaj muzika mbaron Ata përshëndeten dhe ndahen.Ndodh që djali e shoqëron vajzën deri tek vendi i saj, për t’u treguar i sjellshëm, por më të shumtat e rasteve, djemtë bëjnë ndonjë lëvizje çapkënçe, sa ndahen nga vajza e me hapa të gjata zënë vendin e tyre …

Kur zuri vend Luani mendoi: “ Sa budalla u tregova ? Thashë budallaliqe me thasë ... Po dhe ajo ç’më tha? E ç’mund të thoshte ajo kur unë i flisja për hënën e për pyjet?!...Hiç! Mora vesh që është nga Sh..... dhe kaq...E, më tha emrin Doriana Duro. Unë s’mbaj mend ia thash e emrin tim ? Më mirë të mos flisnim fare ...”

Edhe Doriana mendonte, aty përballë: “ Po unë ç’bëra ashtu?! Sa budallaqe që u tregova ?! Mirë që vajta e ngrita në vallëzim , por mu zgjidh edhe gjuha ...Thashë ndonjë fjalë të mençur ? Kot fola si e jëma e Zeqos në majë të thanës fola...Ai më pyeste e unë i përgjigjesha ...kështu e kanë djemtë të pyesin ...por edhe unë e pyeta sa... E pyeta dhe s’mbaj mend se ç’i thashë ?... Për emrin kot e pyeta ... Ehuu, të gjitha kot i bëj unë ...”

Kështu mendonin të dy, sa mbaruan vallëzimin. Vec sytë ë heshtnin siç kishin heshtur ...Ata nuk kishin se ç’të tregonin ...


Në një eskursion në malin e Dajtit:


Ishte tetor. Gati kish kaluar një vit nga ajo mbrëmje e nga ai vallëzim. Disa herë ishin parë, por sytë nuk tregonin të fshehtat e tyre… “ Dhe të patreguarit kanë vlerë… Sytë e prisnin shikimin e njëri-tjetrit. Pastaj i grumbullonin shikimet aty brenda e i celsonin me kujdesin më të madh në zemra.

… Në atë gati një vit ata kishin mësuar gjuhën e syve…

Shokët luanin volejboll. Ata të tërhequr mënjanë ndjenin njëri-tjetrin në bisedë sysh :

Sytë e atij: “ Të dua Doriana!” dhe me ato fjalë i godisnin fort e më fort sytë e saj.Sikur nxirrnin shatërvan rrezesh ata sy...

Sytë e saj:… “ Ua mama, më tha TË DUA! Po unë ?!... dhe sytë e saj u ndezën, sa edhe faqet, nën sy, u prushëruan...

Sytë e tij: “Doriana të dua”! dhe e goditën edhe tri herë me ato fjalë.

Sytë e saj: “ Sa e lumtur jam! E lumtur e gjitha, e gjitha ...”

Sytë e atij: Të dua Doriana!...”

Sytë e saj: Do të më duash gjithmonë ?!...

Sytë e tij: Eva të dua!

Sytë e saj: Gjithmonë, gjithmonë???...

Sytë e tij: Po tashti?

Sytë e saj:Hë puthmë ç’pret??...

Sytë e saj: U mbyllën në heshtje kënaqësie.

Sytë e tij. Nuk folën më.



Ditë e premte ishte ajo ditë. Ditë e premte marsi. Ajo sa kish mbaruar provimin e psikologjisë dhe qe vlerësuar me notën 10. Petagogu i psikologjisë ishte një djalë i ri e simpatik. Mbasi kishin ikur të gjithë ajo kish mbetur vetëm në korridor me profesorin.

- Ishe shumë lart sot – i foli ai

-Sinqerisht flisni ? – e pyeti ajo.

Sinqerisht ! Pastaj me një femër si ti, vetëm sinqerisht flitet.

Ti je e gjitha për t’u admiruar ...

-Haha ha...- qeshi ajo dhe në atë vrull qeshje e puthi në faqe.- Mirupafshim profesor, faleminderit!- e përshëndeti dhe iku me vrap sikur po fluturonte.

“Si e bëra ? E putha pa kuptuar ...Sa inat më vjen ! Nuk më pa njeri, por ç’vlerë kanë sytë e botës kur e panë sytë e mi atë që bëra?...

E putha si pa gjë të keq ... S’e kam bërë asnjëherë këtë... Po Luanit si t’I them? …Do të më kuptojë po t’ia them apo… Po sikur ta harroj fare atë që bëra ?!... Do ta harroj ! Larg vetes e larg Luanit!...”





Në takimin e mbrëmjes me Luanin



Ai: Ç’ke sonte?

Ajo. Hiç.

Ai: Diç ke se kështu nuk të kam parë kurrë?!...

Ajo: Më dhemb koka. ( Po sikur t’ia them tani’) Jo, jo ai nuk di gjë)

Ai: Ti më ke thënë se uën jam ilaç për cdo sëmundje … ( Do të jetë e vërtet ë ajo që më tha ai? Jo, jo).

Ajo: Do të më falësh sot, por nuk jam mirë me të vërtetë …

Ai: ( Ti them apo të pres edhe ca?... Le të më tregojë vetë se ç’ka bërë).

Ajo: ( Ç’bëra që nuk i tregova?! Tashti mu lidh në fyt, nuk flas dot ?

Ai: Mos je zënë me njeri?

Ajo: Jo. ( bobo ç’bëra?!...)

Ai: Mos ke gjë për të më treguar: ( Kot po i bie në qafë ...Ajo nuk më fsheh gjë...)

Ajo: Unë ...( jo nuk mundem tashti është vonë...) nuk kam gjë për të thënë.

Ai: Asgjë” Asgjë? ( t’ja them më mirë c’më tha ai që e kish parë, pse ta mbaj brenda pa të vërtetë ?!...)

Ajo: Asgjë!... ( tashti cdo gjë mori fund nuk mundem…një gënjeshtër mbyt dhjet të vërteta …)

Ai: Pa mendohu! ( kot po e rëndoj…)

Ajo: S’kam ç’të mendoj ...nuk mendoj dot më ...

Ai: Po profesorin ?... Arjanin atë bukuroshin ?...

Ajo: ( sytë iu mbytën me lotë ), Jo... nuk është ashtu , ndodhi por …

Ai:Si? Më gënjyen ata sy ?... Po më gënjejnë ?...

Ajo: Po...jo...oh...

Ai: Lamtumirë Eva...Nuk i shoh dot sytë e gënjeshtërt...

Ajo: Joo...joo...

Ai: ( E humba një sy ....e humba)

Ajo: të dy sytë nuk i kam më, nuk mund të shikoj...)

Treni ndaloi. Në atë stacion Doriana do të zbriste. U panë në sytë e njëri-tjetrit.

Sytë e Doriana: Unë të dua akoma Luan... Faji ishte imi... ti u martove, por unë ... Nuk i ndërroj dot sytë e tu... E di që jam kokforte. Inatçie

Sytë e Luanit: ( Nuk mundnin të flisnin asnjë fjalë ... fjalët e fundit i kishin thënë atë natë tetori :” Lamtumirë Doriana. Nuk i shoh dot sytë e tu. Tije kokforte dhe nuk munde kurrë ta kuptosh ndjenjën e vërtetë. Dashuria falet kur gjen të veçantën tek njeriu. Ti luan me ndjenjat e tjetrit. Luan edhe kur e din se gabon”) . Vetëm një psherëtimë i rëndoi gjoksin...

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)