Nga e majta: K.Tarelli e V.Kona (Tiranë, nëntor 2013)
Shkruan Viron Andrea
Në romanin historik Dashuri e gdhendur në shkëmb, shkruar nga shkrimtari Skifter Këlliçi ,mbi motivet e novelës së njohur Tej largësive të shkrimtarit Bilal Xhaferi, që u shua në Çikago me 1987, idetë e qëndresës shumëshekullore të popullit tonë shndërrohen në vërtetësi artistike nëpërmjet përshkrimit të ngjarjeve historike që ka përjetuar ai që në lashtësi, gërshetuar me konfliktet e personazhe, të cilat, për më tepër, bëhen bindëse me vlerat e artistike që paraqesin.
Iliria e vitit 9 të erës sonë,është e përfshirë e tëra në kryengritje dhe teatri i luftës ndaj pushuesve romakë, të prirë nga kryekomandanti Tiber, biri i perandorit August, që më pas vdekjes do ti zinte vendin, shtrihet edhe në trevën Dardane, (Kosova e sotme). Për sendërtimin e tyre autori ka krijuar personazhin e Ergysit, komandantit të fisit kaon, me tërësinë tipareve të tij si luftëtar i paepur, sfera e veprimtarisë së të cilit ndërthuret me linja të tjera të romanit, veçanërisht me dashurinë për dardanen Amardë, deri ne konfliktin dramatik dhe zgjidhjen e tij në marrëdhënie me Algaldin, tjetër luftëtar ilir.
Romani fillon dhe mbaron me një trajtim simbolik, por të rëndësishëm për një komb, për të përjetësuar të tashmen dhe të ardhmen-me ngritjen e Përmendores e Lirisë. Është Ergysi, komandanti ushtarak i Kaonëve, i arsimuar në Akademinë ushtarake të Romës, që krahas shpatës dhe mburojës, ka dhe një dhunti tjetër-daltën dhe çekiçin, me të cilat kërkon ta skalisë këtë përmendore. Mirëpo nuk gjen dot se çfytyrë do ti japë asaj. Për më tepër, e lë pa e mbaruar, sepse i duhet të ngjeshë armët në brez kundër romakëve.
Karakteri i tij personifikon kështu jo vetëm modelin moral të një komandanti, por edhe një të riu artist, që frymëzohet nga e bukura dhe forca e saj artistike. Një veçori e tillë përbën dukuri krejt origjinale në letërsinë tonë.
Të gjitha personazhet e tjera ilire, si Batoja i desiatëve, personazh historik,si dhe Batoja i breukëve, që tradhton, Algaldi, Amarda etj., për Ilirinë sakrifikojnë edhe jetën. Sintezë e kësaj ideje janë fjalët e Batos, antipod i i Bato tradhtarit, kur në një çast të vështirë njëri prej luftëtarëve të plagosur për vdekje i thotë dëshpërimisht: Tani nuk ka më Iliri , ai i përgjigjet me fjalët lapidare: Iliri do të ketë edhe sikur një ilir të mbetet i vetëm mbi dhe. Dhe në mos mbetë askush i gjallë, atëherë me ndihmën e perëndive tona, ne do të ngrihemi nga varret, për tu kacafytur me romakët dhe shpirtrat tona do të përplasen me shpirtrat e tyre.
Në roman shpaloset qartë edhe konflikti midis trimave Ergys dhe Alkald për vajzën dardane, Amarda. Dashuria midis Ergysit dhe Amardës nuk është thjesht dashuri me shikimin e parë, por dashuri që lind nga sakrifica që bëjnë ata për njeri-tjetrin, për ti dhënë jetë njeri-tjetrit, pra për mbijetesën e tyre në luftën kundër pushtuesve romakë.
Amarda është e kundërta e Fedrës, gruas së komandantit romak, Klaud,e cila, kur Ergysi studionte në Akademinë ushtarake të Romës, kërkonte ta joshte, (synim që Ergysi e shmang me neveri), pa e vrarë ndërgjegjja se kështu tradhtonte të shoqin. Ja përse Klaudi, veç faktit që Ergysi arratiset nga Roma në Iliri,e urren atë, vjen si komandant në viset ilire që të kapë dhe ta vrasë atë, kur ndodh e kundërta.
Mirëpo atyre u del një pengesë e madhe: Algaldi është i fejuari i Amardës që në djep. Nis kështu mëria midis trimave, mëria midis një gjase të vërtetë dhe cenimit të një riti të njohur, që për një luftëtar përbën një fyerje të rëndë, e cila në periudha të hershme përfundonte zakonisht me dyluftimin e trimave për të marrë vajzën e dëshiruar.
Kështu Ergysi ndodhet përballë një Algald trim, atdhedashës, që edhe ai ka të theksuar ndjenjën e luftës dhe vetëmbrojtjes në çdo situatë ndaj pushtuesit,por edhe të cënuar në sedër. Sidoqoftë,duke u nisur nga interesat e larta të luftës kundër pushtuesve romakë, është Alkaldi që shprehet me fjalët: Dëshira e saj (Amardës ) të jetë urdhër për ne.
Kjo ndodh kur në vendimin që merr,Amarda e brishtë, por edhe ajo e ndërgjegjshme për çfarë po ndodh midis dy trimave, tregohet e shpejtë dhe e palëkundur, ajo që deri para pak çastesh ishte një vajzë që me shpirt e zemër dashuronte Ergysin dhe në të njëjtën kohë ndjente detyrime morale ndaj Algaldit, ajo që vlerëson trimërinë dhe sakrificën, besën e dhënë, si dhe devotshmërinë ndaj fateve të kryengritjes se përgjithshme ilire.
Në roman ky moment përshkruhet i sintetizuar, por që në brendësi ngërthen shumë detaje kuptimplote. Ja një prej tyre në gojën e Amardës: ..Kështu e kanë vendosur perënditë. Krahët tuaj i duhen lirisë, kurse krahu im është i pafuqishëm. Dhe ashtu si çafka që humbet largësive të detit, ashtu si mirazhi që ndizet në shkretëtirë dhe shuhet para syve të udhëtarëve, ashtu edhe ajo lëvizi midis atyre burrave dhe u afrua tek dritarja që hapej në greminë.
Krahasimet dhe përshkrimi i këtij momenti, sa solemn dhe tragjik, është një nga kulmet ideo-artistike nga më të bukurat në roman. Në këndvështrimin e traditës etiko-kulturore në përgjithësi, po të bëjmë një paralelizëm me vallen popullore të shpatave, ku shfaqet rivaliteti i dy djemve, është vajza ajo që me praninë dhe me veprimet e saj zbut gjakrat dhe,si pasojë ata bëhen vëllamë. Por në roman kjo vajzë, siç e thamë më sipër, shkon më tutje dhe veprimi i saj është shumë më i thellë. Ky veprim lidhet me ritualin e vetflijimit, ku e vetflijuara kthehet në shenjtëri.
Në roman ngjarjet kanë lidhje organike me njëra-tjetrën dhe rrjedhin logjikshëm; pas çdo fraze përgatitet një aksion dhe aty ku bëhet pauzë, vendin e saj e zë natyra që është në funksion të veprimit.
Po jap një shembull, në të cilin përshkruhet bukuria Bjeshkëve të Namuna: Ja ku u rrotulluan ngadalë mbi kokën e tij pishat e larta dhe bredhat me kurorë, u daravitën vellot mjegullore të avujve të perhimët dhe u mënjanuan dantellat si mëndafsh të reve puplore.
Duke bërë analizën e ideve të hedhura në novelën e shkruar më shumë se 40 vjet përpara, mbi të cilin është bazuar ky roman,del ne pah jo vetëm talenti i rrallë i Bilal Xhaferit, por dhe intuita e tij deri në kufijtë e një gjeniu: Dardania e sotme, tokë kosovare, krahu tjetër i shqiponjës,Shqipërisë, gëzon sot pavarësinë,pra Shtatorja e Lirisë e romanit,me fytyrë dardane, vështron dhe rrezaton përjetësisht.
Kur lexon romanin Dashuri e gdhendur në shkëmb,të duket se kalon në sintezë krijimtarinë e pasur popullore, që nga motivi i qëndresës: Gjergj Elez Alia lufton me Balozin e detit,(me Romën pushtuese), motivi i dashurisë për luftëtarin, Ajkuna përkujdeset për Halili me shtatë plagë, (kujdesi i Amardës për Ergysin e plagosur),nga motivi i besës, (Ergysi shpëton Amardën nga romakët e merr në kalë dhe bindet të kryejë premtimin ndaj Batos se mbi çdo dashuri është dashuria për atdheun, dhe së fundi besa e Amardës nda kësaj çështjeje-vetflijimi i saj, (legjenda Rozafës).
Dhe, mbi të gjitha, këto ngrihet edhe një simbol më i madh: Në faqet e fundit të romanit, Ergysin e shohim pranë përmendores që me daltë fillon të gdhendë tiparet e perëndeshës së lirisë, të cilat më së fundi i gjen te tiparet e fytyrës së Amardës. Kështu ajo shndërrohet në simbolin më të shtrenjtë të ilirëve dhe më të shtrenjtë të çdo populli, në simbolin e lirisë dhe pavarësisë.
Këto ide të ngjizura me stilin,gjuhën e pasur dhe figurative, në vazhdën e tipareve të krijimtarisë më të mirë të Bilal Xhaferit, dhe për më tepër, të gjuhës së Konicës, Poradecit, Koliqit, Kutelit, Kadaresë, e bëjnë këtë roman të ri të shkrimtarit Skifter Këlliçi, të hyjë në veprat me të mira letrare me temë historike në letërsinë tonë dhe jo vetëm kaq, por kjo vepër tingëllon edhe si një homazh për shkrimtarin tonë me origjinë çame, që u nda nga jeta ende relativisht i ri, në moshën 51-vjeçare,kur do të na kishte dhënë krijime të tjera edhe më të denja.
No comments:
Post a Comment