2014-12-20

VLERËSIME TË PËRKUSHTUARA PËR NJË PENË TË SUKSESEVE



Nga Xheladin Mjeku



Ibrahim Hajdarmataj: “BLERIMI I NJË FUSHE ME KRIJIME TË BUKURA”, Përmbledhje artikujsh studimor, kritikë dhe vlerësime për krijimtarinë letrare të shkrimtarit Viron Kona, botoi SHB “WEST PRINT”-Tiranë, 2010




Autori Ibrahim Hajdarmataj


Vjen tek lexuesi një përmbledhje voluminoze me artikuj studimor, kritika dhe vlerësime mbi krijimtarinë e shkrimtarit Viron Kona, të realizuar me përkushtim nga Ibrahim Hajdarmataj, krijues, pedagog dhe publicist, që tashmë ka zënë vend meritor tek lexuesi dhe studiuesi i apasionuar nga kjo fushëveprimtari krijuese, duke shpërndarë rrezet e dijes e të shkencës që ngërthen brenda kopertinave të saj.

“Nëpërmjet këtij libri, shpreh dëshirën dhe kënaqësinë t’i paraqes lexuesit një sërë shkrimesh dhe artikujsh studimorë rreth krijimtarisë letrare të Viron Konës, shkrimtar i njohur i letërsisë për fëmijë dhe të rritur. Qëllimi dhe dëshira për këtë botim, nuk është vetëm për të bërë më të njohura vlerat e këtij krijuesi, por për të treguar se letërsia shqipe, veçanërisht në vitet e demokracisë, përfshin një hapësirë të gjerë, ku shkruajnë dhe botojnë shumë autorë, e midis tyre, edhe mjaft emra që tashmë kanë zënë vendin e merituar në këtë letërsi. E them me bindje se, Viron Kona, tashmë është një autor, i cili është fokusuar dhe përbën një objekt studimi për penën e studiuesve dhe të lexuesve të shumtë të letërsisë”,-shprehet autori, në Hyrjen e këtij libri studimesh, ku spikat dëshira dhe guximi i qasjes së kësaj tematike, duke mbledhur këtu mbi gjashtëdhjetë emra studiuesish, me më shumë se tetëdhjetë njësi tematike për librat e shumtë që janë shqyrtuar në mënyra të ndryshme, sipas afiniteteve dhe interesimeve të autorëve të ndryshëm, për t’u afruar një pasqyrë sa më të kënaqshme dhe reale të gjithë adhuruesve dhe lexuesve të veprimtarisë letrare të Viron Konës.



Përmbledhje tematike mbi krijimtarinë për fëmijë


Kryesisht, e tërë krijimtaria e Viron Konës, që shqyrtohet këtu i përket letërsisë për fëmijë, dhe marrë në tërësi këtë libër, vjen si një monografi e autorit, duke shtjelluar dhe shkoqitur në mënyrë studimore shkrimet dhe temat e librave të tij, gjithnjë duke përcjellur edhe me informacione tjera për jetën dhe aktivitetet e autorit që studiohet këtu. Është një përmbledhje me elemente të monografisë dhe studimit gjithëpërfshirës në fushëveprimtarinë e tij për fëmijë, duke dhënë mundësinë e shtjellimit të temave nga shumë krijues e studiues, njohës të veprës letrare të Viron Konës, emri i të cilit tashmë zë vend meritor në letrat shqipe, si njëri ndër krijuesit meritor dhe të suksesshëm.

Në këtë libër voluminoz të mbi gjashtëdhjetë autorëve, si: Gjovalin Shkurtaj, Koço Bihiku, Shefik Osmani, Pajtim Bejtja, Hektor Veshi, Murat Gecaj, Qazim Dushku, Pandora Dedja, Hyskë Borobojka, Dallan Shapllo, Ndoc Gjetja, Vjollca Spaho, Lule Shameti (Dhromi), Merita Thartori (Kuçi), Çelik Petriti, Petrit Malushi, Fatmir Terziu, Kadri Tarelli, Agim Cerga, Koço Kosta, Ibrahim Hajdarmataj, e të tjerë që prezantohen në këtë libër, gjejmë shkrime e studime të shumta për veprat letrare të Viron Konës. Nga biografia e autorit mësojmë se deri tash ka botuar mbi njëzetëekatër vëllime me tregime e romane për të rritur e për fëmijë: “Etja që shuhej”, “Pëllumbat”, “Mos m’i zbukuroni plagët”, “Pulëbardhat përbindëshe”, “Ujkonja”. “Bubulinoja çamarrok”, “E fsheta e pyellit”, “Dardi”, “Dardi në gadishullin e vetëtimave”, “Bubulinoja dhe Dardi në kryeqytetin e amantëve”, “Dëgjoma zemrën, Budapest”, “Drithërimat e yjeve”, “Delfini i dy deteve”, “Një udhëtim i çuditshëm”, “Yje mbi Bosfor”, “Aventurat e Korabit”, e të tjera.

Emra të këtillë të lartëpërmendur dhe të tjerë që aderojnë këtu me shkrimet dhe analizimet e tyre për veprat letrare në prozë të shkrimtarit për fëmijë dhe të rinjë Viron Kona, dëshmojnë për rëndësinë e vlerave të kësaj krijimtarie, sa provokuese dhe pretendente e një vlere të pakontestueshme, aq edhe për mesazhin e fuqishëm tek lexuesi i tij i vullnetshëm dhe me mjaftë admirim. Shprishja në fije të holla studimi e zbërthimi e vlerave të mbrujtura brenda kopertinave të këtyre librave, që me një fjalë nënkuptojnë hapjen e një thesari të mbledhur gjithandej trojeve shqiptare, nëpër vendeve të ndryshme të botës, deri në fshehtësitë e detit dhe të legjendave të shumta, për të mësuar sa më shumë nga fshehtësitë e botës, ku imagjinata e fëmjëve gjithnjë është ndër absorbueset më të fuqishme dhe mbamendja më e gjatë e këtyre vlerave të transponuara në vlera arti e kulture.

Përveç analizave, mbresave dhe shqyrtimeve të shumta të bëra nga studiues të shumtë, nuk mungojnë edhe vlerësime e rrjeshtime të reja për vlerat dhe karakteristikat e autorit, si: “Shkrimtar i vëmendshëm ndaj jetës dhe karaktereve” (Dalan Shapllo), ‘Shkrimtari dhe publicisti Viron Kona në krye të krijimtarisë letrare për fëmijë” (Pandora Dedja), “Një cilësi e re në letërsinë shqipe” (Agim Qoku), “Thellësia e shpirtit njerëzor” (Bashkim Minga), “Subjekte të thjeshta të ndërtuara me origjinalitet” (Bardhyl Dake), “Vërtetësi dhe gjetje psikologjike interesante” (Agim Cerga), “Shkrimtari Viron Kona, në kufijtë e legjendes dhe të së ardhmes” (Sejdo Harka), “Krijimtarinë e Viron Konës e shikojmë si krijimtari dramatike” (Përparim Kalemi), “Një prurje e re në letërsinë tonë” (Lule Shameti-Dhromi), “Gërshetimi i realitetit me fantazinë shkencore ka rrëmbyer mendjet e fëmijëve” (Petrit Malushi), “Viron Kona: Njeri i mirë e i dashur dhe shkrimtar i talentuar” (Csaba Balkus-kritik hungarez) e shumë vlerësime të këtilla që mund të takon lexuesi këtu, për të dhënë një pasqyrë të gjërë interesimesh nga njohës dhe studiues të ndryshëm të kësaj krijimtarie.



Derisa vështruam pjesën e shkrimeve analitike nga studiues të fushës së letërsisë, që mund të konsiderohet kapitull i veçantë, që në fillim hetohet edhe pjesa tjetër e shkrimeve me synim komunikimin e lexuesit me librin e Vironit, qoftë nëpër shkolla, biblioteka, tek lexues dhe adhurues të shumtë, që nuk hezitojnë të japin përshtypjet, mbresat dhe të insistojnë secili në mënyrën dhe mundësinë e vet të prekjes së vlerave dhe ndiesisë së fjalës artistiko-letrare dhe mendimit filozofik të shkimtarit të frytshëm dhe serioz në letrat shqipe të profilit letrar për fëmijë dhe të rinjë, Viron Konës. Vetë mënyra e shtjellimit të temave dhe takimeve me lexues e pasionant të kësaj krijimtarie, gjithandej nëpër shkolla, biblioteka, institucione kulture e arti, nëpër qytete e lokalitete të ndryshme, dëshmon bindshëm për interesimet e mëdha të lexuesve të shtresave të ndryshme në mësimin dhe kuptimin e vlerave dhe mesazheve të fuqishme dhe plot dritë ardhmërie të krijimtarisë së Viron Konës.

Përcjellja e krijimtarisë së Viron Konës edhe në qarqet shkollore, duke e lexuar, duke shtjelluar tema të reja për veprat e botuara, duke dhënë vlerësime, mendime nga më të ndryshmet e deri tek pëlqimet e nxënësve, që konsistojnë në mishërimin me këtë literaturë, vlerat e të cilës vijnë edhe si shprehje artistike, letrare dhe mesazh i qartë për ngritjen edukative dhe përkushtimit për një jetë të re në frymën e civilizimeve të botës së zhvilluar. Emrat si: Murat Gecaj, vlerësimi i të cilit ka qenë edhe pagëzori i titullit të këtij libri, pastaj Andon Andoni, Vjollca Spaho, Merita Thartori-Kuqi, etj. flasim hapur për evokimet dhe kontaktet miqësore me autorin dhe veprimtarinëe tij letrare për vite të tëra Pastaj përshtypjet nga lexuesit e vegjël dhe mësuesit e tyre nëpër shkollat e vendit dhe në bibliotekat e qyteteve dhe shkollave gjithandej, që dëshmon edhe ky citim nga një pjesëmarrëse e këtyre diskutime dhe promovime të librave të autorit, Xhemile Hilaj: “Unë jam shumë e lumtur që kam librin: “Delfini i dy deteve drejt aventurave të reja”…Ai na mëson se nuk duhet të jemi egoistë dhe nuk duhet të shpërfillim njëri-tjetrin…” Edhe kjo pjesë e lexuesëve dhe analizuesëve në mundësinë e vet të shtjellimit shquhen për angazhimet e tyre në forma të ndryshme të prekjes së lëndës artistike të kësaj krijimtarie, dëshmojnë interesimet e nduarenduarta për ta përvetësuar këtë vlerë, si dhuratë nga entuziasmi i përkushtuar i penës së Viron Konës.

Vazhdimi pas tri pikave

Nga nëntitulli nënkuptohet se gjithë lënda e përfshirë në këtë libër do të shqyrtohej pa ndonjë vështirësi, pa marrë parasysh shtjellimin e temave nga studiues dhe njohës të letërsisë, por nuk do të kishte asnjë arsye pastaj që lexuesi të bridhte nëpër gjithë ato shkrime e tema të larmishme që vijnë njëra pas tjetrës si buqeta lulesh në ndonjë datë a festë të shënuar, për të shprehur falënderimet dhe urimin për një rrugëtim të pandalshëm tutje nëpër labirinthet dhe krajatat e fushë-hulumtimeve dhe fushë-gjetjeve të reja për ndërtimin dhe shtjellimin e prozës së autorit.

Një libër i vëllimshëm që synon të përmbledh gjithë atë lëndë të publikuar e të zhvilluar në kohë të ndryshme, me qëllim të paraqitjes sa më komplete dhe të argumentuar me shumë pamje nga takimet e ndryshme të opinionit dashamirës të autorit dhe krijimtarisë së tij, bën të kuptohet se kemi të bëjmë me një paraqitje të mirë dhe objektive të kësaj krijimtarie të dëshmuar prej vitesh.

Sajimi i kësaj përmbledhjeje shkrimesh autoriale nga më të ndryshmet, e preokupojnë hartuesin e saj, Ibrahim Hajdarmatajn edhe për faktin se ky libër mund të shfrytëzohet edhe nga studiues të letërsisë, veçanërisht të asaj për fëmijë, ku Viron Konës i takon një vend meritor. Poashtu janë tri arsye që të bëhet ky organizim i këtillë, dhe atë nga nevoja që të paraqitet një autobibliografi më komplete, pastaj mendimet dhe analizat e shumë studiuesve dhe njohësve të mirë të kësaj krijimtarie dhe e trea, pjesa promovuese nga masat e gjëra të lexuesve, duke e bërë komplete njohjen dhe publikimin e krijimtarisë së tij. Ky libër do t’i paraprinte bindshëm edhe një prezantimi komplet të krijimtarisë së Viron Konës, duke e ndihmuar lexuesin ta kuptoj dhe ta njoh më gjerësisht tërë veprimtarinë e tij shumëvjeçare. Gjuha e rrjedhshme e komunikative, pastaj mjetet përcjellëse, kryesisht fotografi të portreteve të autorëve, pjesë nga takimet e lexuesve dhe kopertinat e librave që janë shqyrtuar, janë edhe një shembull se sa e afërt është kjo përmbledhje artikujsh studimor, kritikë dhe vlerësimesh për krijimtarinë letrare të shkrimtarit Viron Kona për lexuesin e saj.

Mbyllja e këtij shkrimi, ka për qëllim vetëm një informacion sa më të shkurtër rreth asaj që është prezantuar këtu, për të hapur rrugën për të lexuar e mësuar më shumë për atë që shtjellohet rreth veprimtarisë krijuese të Viron Konës. Shenja e pikësimit prej tri pikave, paralajmëron vazhdimin e mëtutjeshëm të rrugëtimit nëpër librin e prezantuar dhe për të absorbuar nektarin e vlerave studiuese, mbresave dhe kujtimeve të lexuesve dhe studiuesve të brezave dhe moshave të ndryshme.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...