Shkrimtari dhe komentatori i njohur, Skifter Këlliçi, ka botuar së fundmi librin ngjarje humoristike “Unë, Çelentano dhe polici”. Ky libër është vazhdimi i “Historisë e RTVSH-së, që Këlliçi ka botuar më 2004, por tashmë treguar me humor. Në këtë libër, Skifter Këlliçi, përfshin një hapësirë kohore prej më shumë se gjysmë shekulli (1938-1985). Tregimet humoristike nisin me episode gazmore, ku objekt bëhet mikrofoni, kamera në duart e legjendave të tyre, folës, komentatorë etj. Janë tregime që lexohen me endje dhe kërshëri të madhe. Në një intervistë për “Tirana Observer”, Këlliçi tregon se pse e botoi këtë libër, disa ndodhi nga historia e TVSH dhe pse u largua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Skifter së fundmi ke botuar vëllimin me ngjarje humoristike “Unë, Çelentano dhe polici”. Përse ky libër?
Më duket se krejt rastësisht. Më shumë se dhjetë vjet të shkuara pashë të botoheshin në një nga gazetat e përditshme një cikël tregimesh humoristik me titull “Rrëfenja nga Amerika”, me autor humoristin e njohur Pëllumb Kulla. Nga sa shihej autori ishte frymëzuar nga ngjarje të vërteta. Atëherë m’u kujtuan sa e sa ndodhi gazmore që kisha dëgjuar nga punonjësit e vjetër të Radio Tiranës dhe sa të tjera që kisha përjetuar pastaj atje gjatë punës si gazetar, për të cilat bëj fjalë edhe në hyrjen e librit. Për disa ditë, bazuar mbi to shkrova tri tregime dhe ia dërgova kryeredaktorit të po asaj gazete. Ai i pëlqeu dhe më propozoi që të shkruaja dhe të tjera dhe t’i botonte çdo të diel. Dhe kështu ndodhi. Dhe kur u ktheva në pranvere të vitit 2004 nga Amerika në Tiranë, shokë më thanë se ishin lexuar me ëndje nga lexuesit. Ata më nxitën t’i botoja edhe si libër. Por m’u duk një hap i guximshëm në fushën e humorit të shkurtër, ku shkelja për herë të parë.
Dhe u desh që të kalonin dhjetë vjet që të bindeshe t’i botoje?
Po, falë botuesit dhe shokut tim, Marengen Shehu, drejtues i Shtëpisë Botuese “Erik”. Duke qenë në vitet 1980-90 gazetar në RTVSH ai, i lexoi dhe vendosi t‘i botonte menjëherë. Dhe për këtë i jam mirënjohës.
Në këtë libër, tregimet dhe pse humoristike, janë ngjarje të vërteta që i ke përjetuar dhe vetë. Cila nga këto histori veçon më shumë?
Tregimet “Qenushi që këndoi në mikrofon, (1938)“Punonjës të Radios para togës së pushkatimit, (1943), “Anton Mazreku së bashku me Riza Lushtën dhe Loro Boriçin në stadiumin e Torinos”(1942), që ju para disa ditësh botuat në faqet e kësaj gazete, ”Unë Çelentano dhe polici, (1962), ”Lopa, agjente e imperializmit amerikan!”. ”Nga stadiumi, drejt e në Rajonin e policisë, (1972,) etj…
Kurrë nuk kisha menduar se do të shkruaja tregime humoristike, sepse unë nuk di të rrëfej as edhe një barsoletë dhe ato që i tregoj keq, edhe i harroj. Por, siç e thashë, duke qenë ngjarje të vërteta dhe të shkurtra nuk e pata të vështirë t’i hidhja në letër. Siç duket dora “m’u mësua” edhe të shkruajë humor dhe më pas pa lindën dy romanet humoristike “Tirani ngrihet nga varri’ dhe “Politikanët mëkatarë fluturojnë në Mars”. Atëherë m’u krijua bindja se tregime e mësipërme t’i mund t’i përmbledh në një libër.
Në foto: A.Mazreku dhe S.Kellici, shtator 1962
Them se po. Madje në një mënyrë a një tjetër, plotëson mangësi që pas aq vitesh vërëhej në atë libër që ka karakter shkencor.
A.Mazreku dhe S.Kellici, shtator 1962Në shkrime të ndryshme, në romanin “Tirana dy orë para dënimit” , botuar para disa vitesh, madje dhe disa nga tregimet e këtij libri janë të bazuara në jetën e Anton Mazrekut, dukuri që dëshmon se ti e vlerëson këtë figurë. Ka ngjarje të tjera që mund të përfshiheshin në libër?
Sigurisht! Në romanin “Tirana dy orë para dënimit”, kushtuar përjashtimit mizor të kësaj skuadre nga kampionati i viti 1966-67 kur ajo po fitonte titullin kampion, Mazreku është një nga personazhe kryesore dhe aty përshkruaj një episod ku Mazreku kujton Enver Hoxhën, shokun e tij të Liceut të Korçës, në vitet ‘30-të të shekullit të kaluar. Por vdekja e parakohshme e tij në moshën 61-vjeçare, (1969), nuk më dha mundësi jo vetëm mua, por dhe kolegëve të mi gazetarë, të njiheshim me shumë hollësi nga jeta e këtij veprimtari të madh të sportit tonë. Ato tregime që përfshihen në vëllimin “Unë, Çelentano dhe polici” janë vetëm disa grimca nga jeta e tij, mbështetur në ngjarje humoristike. Por veprimtaria e tij ishte e mbushur edhe me ngjarje dramatike, që u kulmua më 1966 kur pa pritur e nxorën në pension në moshën 56-vjeçare, sigurisht me dijeninë e shokut të tij të ngushtë, Enver Hoxhës, si intelektual i “brezit të vjetër”. Pas vdekjes, diktatori nuk u kujtua t’i dërgonte qoftë dhe një telegram të shkurtër ngushëllimi familjes, gjë që kishte bërë edhe për njerëz të thjeshtë që ka njohur gjatë luftës, siç dëshmojnë telegrame të tilla të botuara në vëllimet “Juaji, Enver Hoxha”.
-Fadili u arrestua mbrëmjen e 5 gushtit të viti 1963 para syve të mi duke dalë nga godina e Radio Tiranës. Vangjeli disa ditë ma parë. Fjala e tyre e tyre e fundit pas vendimit të trupit gjykues, vdekje me pushkatim, siç i përshkruaj në intermexon që u kam kushtuar, janë më se heroike. Rrallë kush nga të dënuarit është shprehur me aq urrejtje kundër diktaturës komuniste dhe vetë Enver Hoxhës.
Në libër përfshihet edhe një intermexo tragjike që i kushtohet Festivalit të 11-të të Këngës në RTVSH(1972).
Kjo është ngjarja më tragjike në këtë institucion që solli dënimet e rënda me burgim të Todi Lubonjës, drejtorit të përgjithshëm të RTVSH-së dhe të regjisorit të talentuar të këtij festivali, Mihal Luarasit e sa e sa dënimeve të tjera të rënda të artistëve shqiptarë pas Plenumit të 4-t famëkeq, (1973).
Dhe të tëra nga mendja satanike e Enver Hoxhës. Them kështu, sepse Todi Lubonja çdo të re që solli në RTVSH e bëri me miratimin e Ramiz Alisë që e kishte shok fëmijërie. Më kujtohet madje se veprimtaritë ndërkombëtare sportive që TVSH-ja nisi t’i transmetonte me propozimin tim, siç më ka thënë atëherë edhe Todi Lubonja, u miratuan edhe nga vetë diktatori.
Të kthehemi pak tek jeta dhe karriera jote. Ju jeni ndër komentatorët më të njohur sportivë në Shqipëri. Cila ka qenë ndeshja më e vështirë që ke transmetuar gjatë karrierës tënde?
Ajo e zhvilluar në korrik të vitit 1961 në stadiumin “Dinamo”, (sot “Selman Stërmasi”, midis “Partizanit’ dhe “Dinamos”, finale për titullin kampion. Takimi i parë u mbyll 1-1 më gjithë shtesën prej 30 minutash. Edhe takimi dytë pas 120 minutash mbeti i bardhë 0-0. Në shtesën e fundit me golin e Panos fitoi ‘Partizani’. Pra, pas më shumë se 250 minutash lojë…
Tani meqë nuk je më komentator, mund të na shuash kuriozitetin se me cilin ekip ishte tifoz Skifter Këlliçi?
Me origjinë jam tiranas, por nënën e kisha nga Shkodra. U bëra tifoz me “Vllazninë”, sepse më 1945-46 kur ajo fitoi dy kampionate kishte kapiten Loro Boriçin, të cilin e adhuroja. Më 1948-50 ai kreu shërbimin ushtarak dhe luajti me “Partizanin. U bëra tifoz i kësaj skuadre, sepse vetëm ajo mund ta mposhte “Dinanom”. Por kur “17 Nëntori” nisi të shkëlqente në vitet ‘60-të admirova këtë skuadër. Por gjatë komenteve të mia kam vlerësuar skuadrën që fituar me meritë. Komentatorit të mirë nuk i lejohet të bëhet tifoz dhe si pasojë subjektiv.
Cili nga emisarët e kohës së Enver Hoxhës ishte “tifoz i çmendur”? Dhe a kanë ushtruar presion ndaj teje?
Tifozi i tillë ishte Petrit Dume. Madje që ndërhynte dhe në punë të trajnerëve. Një herë kur “Partizani” humbi në Korçë, ndali autobusin e skuadrës diku, pa arritur në Tiranë de iu hakërrye si i ndërkryer lojtarëve. Në përgjithësi byroistët, veç Kadri Hazbiut, ishin tifozë të “Partizanit”. Ndër ta dhe Ramiz Alia. Është për të ardhur keq që më 1986, siç më ka thënë vite më vone vetë Marash Hajati ish-drejtor i RTVSH-së se me urdhër të Ramiz Alisë unë nuk drejtova më “Rubrikën Sportive” dhe nuk bëra më komente të ndeshjeve ndërkombatare, sepse u “ngjaja komentatorëve italianë’ dhe përdorja “gjuhë të figurshme”.
Është folur shumë për Enver Hoxhën, por pak veta i dinë pasionet sportive të diktatorit. Duke qenë se ju jeni marrë një jetë me sport, ai dini të thoni që diktatori ishte tifoz? A e kishte pasion ai futbollin, apo kishte ndonjë pasion tjetër?
Enver Hoxha që nga viti 1946 kur përfunduan Lojërat Ballkanike dhe deri sa vdiq, ka ardhur shumë pak herë në stadium, kryesisht në manifestime fizkulturore dhe spartakiada. Herën e fundit erdhi ne tetor të vitit 1984 ne ceremoninë e hapjes së spartakiadës kombëtare, me rastin e 40-vjetorit të Çlirimit. Që të ngjitej në tribunë u ndërtua enkas një ashensor, sepse ai mezi zvarriste këmbët, aq sa në prill të vitit 1985 vdiq. As ai, as Mehmet Shehu dhe as Hysni Kapo nuk ishin tifozë. Por Enver Hoxha pëlqente gjuetinë dhe jo rrallë shkonte me Mehmet Shehun për gjah. Siç duket që të shtyhej dhe zhvillonte më tutje instinktin tij vrastar.
Cila është arsyeja e largimit tuaj në Amerikë dhe cilat janë planet e së ardhmes të Skifter Këlliçit?
Të them të drejtën edhe pas shembjes së komunizmit dhe vendosjes së sistemit demokratik, pashë që disa nga gazetarët që merreshin me sportin në RTVSH, thjesht për arsye ambicieje, më mënjanuan. Mendova më shumë për të ardhmen e djalit tim, kur në vitet 1990-2000 shkolla po humbiste çdo perspektivë. Dhe kështu e pashë të udhës të vendosesha në Amerikë. Djali duke mbaruar studimet e larta për muzikë, ka tashmë të ardhme. Unë dhe gruaja ime, Natasha, ish-gazetare në Radio Tirana humbëm disi… Por unë besoj se prapë dola i fituar. Librat e shkruar si dhe dossierët e botuar edhe në gazetën tuaj, për probleme të letërsisë, gjuhës disa problemeve historike dëshmojnë për këtë. Doemos edhe në fushën e sportit. Në mungesë të mikrofonit kam penën, fryt i të cilit është edhe vëllimi i fundit me tregime humoristik “Unë Çelentano dhe polici”, ku përfshihen dhe ngjarje sportive.
No comments:
Post a Comment