Agim Muhaxhiri
Shtetasi i Serbisë, Sllobodan Gavriçi, i kapur “me presh në dorë” në Prishtinë nuk arriti ta ngrejë në ajër Katedralen… Po të mos hetohej me kohë, akti i tij terrorist do të kishte përmasa tragjike.
Policia jonë kësaj radhe e dha provimin, nuk lejoi që tipi ta realizojë ëndrrën e tij. Kush është Gavriçi? Veproi ai krye në vete apo prapa tij qëndron rrjeti i grupit kriminal?
Tipi, Sllobodan Gavriç, në Prishtinë, kapet “me presh në dorë”. Në makinën e tij “Reno kilo”, me targa të Beogradit, policia gjeti 13 kilogramë material shpërthyes dhe hartat e qytetit të Prishtinës.
“Corpus delicti” flet për synimin e tij kriminal, terrorizmin, këtë të keqe botërore.
Nuk arriti ai ta “dridhë” Prishtinën, të hyjë në histori si “hero serb”.
Aktet terroriste, qofshin ato në tentativë, nuk i toleron asnjë shtet normal, i ndëshkon ashpër. Kështu duhet të veprojë edhe Kosova.
Assesi, në asnjë mënyrë s’duhet të ketë mëshirë ndaj atyre që kanë pikësynim vrasjen e njerëzve.
Ai kishte ndërmend ta kryente sulmin terrorist në kryeqendrën tonë. Por, falë vigjilencës së hetuesve tanë akti i tij mbeti në tentativë.
Gavriç përfundoi brenda grilave.
Kush është Gavriçi? Sipas të dhënave të para, për të thuhet se është nga Beogradi, i lindur më 24 prill 1968.
Hetuesit do ta sqarojnë të kaluarën e tij, është tip kriminogjen, apo jo. Veproi ai si individ, apo prapa tij qëndron ndonjë grup kriminal?
Çfarë ishte ai material shpërthyes? Cili ishte plani i tij?
Sipas të dhënave të para, plani i tij ishte që materialin shpërthyes ta vendosë në Katedralen e Prishtinës, tempullin kishtar që gjendet në qendër të qytetit.
Lajmin për paraburgosjen e tij e publikon edhe gazeta online “Veçernje novosti” të titulluar “Paraburgoset serbi në Prishtinë me 13 kilogramë eksploziv, dyshohet për përgatitjen e sulmit terrorist”. Kjo gazetë shprehte interesimin se a ka bashkëpunim ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni, me pushtetarët e Beogradit.
Kjo gazetë merakoset se kush e “tradhtoi” Gavriçin të kapet inflagranti.
“Babadimri” serb hyn në Kosovë, vendoset në një dhomë të hotelit “Grand Prishtina”, më 24 dhjetor, natën e Kërshëndellave. Adaptohet në këtë hotel dhe të nesërmen shkon në Serbi e merr materialin shpërthyes. Vazhdon rrugëtimin e tij për në Prishtinë. E kalon kufirin pa u “hetuar”. Kujtoi ai se e ka kryer punën dhe se i ka mbetur vetëm ta ndezë fitilin, ta ngritë në ajër objektin që e kishte planifikuar. Kjo është enigma, të cilën do ta sqarojnë hetuesit dhe prokurori i Shtetit.
Natën e dytë të Kërshëndellave, më 25 dhjetor, i dështoi plani serbit, Sllobodan Gavriç, për të kryer aktin e tij terrorist që do të kishte përmasa tragjike. Plani i tij ra në ujë, ngase Policia e Kosovës e kishte pasur në shënjestër, arriti ta zmbrapsë sulmin e tij, ta arrestojë.
Po të mos e kishte nuhatur Policia “ekskursionin” e këtij serbi, sulmi i paramenduar i tij do të kishte përmasa tragjike. Policia jonë e dha provimin, “ia kapi prej dore fitilin” këtij të pandehurit.
Vigjilenca e saj (policisë) bëri që të mos ndodhë hataja.
Operacioni policor i efektshëm, tregon se kemi hetues, kriminalistë të përsosur që i dalin zot shtetit.
Po të kapej ndonjë shqiptar, të vepronte njëjtë si Gavriçi, në Beograd apo në ndonjë qytet tjetër të Serbisë, serbët do ta “kallnin” edhe OKB-në, do të kishin llomotitur: Ja kush janë shqiptarët, ju kemi thënë se ata janë terroristë, ju po i mikloni… Dhe apriori bashkësia ndërkombëtare do të krijonte imazh të keq për Kosovën.
No comments:
Post a Comment