2014-12-29

Shkrimtari Idealist Shqiptar gjatë shekullit XX



PREND BUZHALA

Shkrimtari Idealist Shqiptar gjatë shekullit XX

Në cilën anë është shkrimtari? Anën e kujt e mban ai?

Problemi është i moçëm, ç’prej se mbahet mend krijuesi i parë në punë të artit. E pra, dikur e tani, shkrimtari ishte në anën e atdhesisë, lirisë, demokracisë, përparimit etj etj. Do të thoshim, në anën e Njeriut e të Humanizmit. E në radhë të parë, ai qëndron në krahun e artit. Tek e fundit, krijimtaria artistike, përbën esencën afirmative të të gjitha gjërave. Kurse në anën tjetër të barrikadës do të qëndronin ideologjitë e ndryshme agresive, totalitarizmi, dogmatizmi, absolutizmat e ndryshëm politiko-sistemorë, etj etj.

I Abeli në anën e Shkrimtarit, Kaini në anën e Politikës

Vetëm krijuesit e mëdhenj, këta ëndërrimtarë të pandreqshëm, si thotë një poet, kanë arritur t’i realizojnë e t’i ndërtojnë sintezat e suksesshme në mes letërsisë dhe politikës; në mes shoqërisë dhe artit, në mes kombit dhe krijimtarisë artistike, në mes të vizioneve për humanizmin e demokracinë dhe të esencave estetike. Nëse problemet e çështjet njerëzore shenjohen nëpërmes Sfinksit antik, që shtron enigma për zgjidhje, zbërthyesi i tyre shenjohet nëpërmes Edipit, kurse privilegji i krijuesit iu jepej perëndive e pajtoreve të arteve, muzave, që ua sjellin frymëzimin; nëse nocioni zanafillor biblik mbi kreacionin mbështetet në Hyjin si semper creator; epoka moderne që zë fill me Humanizmin e Renesancën, këtë privilegj e zbret tek njeriu; por jo krejtësisht tek Njeriu i Rëndomtë, po tek Të Zgjedhurit, tek Heroi, Mbreti, Gjeniu, Artisti. E pra, përsëri Njeriu e njerëzimi e ngjizin dimensionin e të fshehtës a të së mistershmes në natyrën njerëzore krijuese a në vetë aktin e krijimit. I zgjedhuri i tillë, i shenjuari i tillë, ka diçka që e dallon nga të tjerët të jetë Hero, Gjeni, Krijues, Mbret etj. Shekspiri tek “Mbreti Riçardi i Dytë, ndër të tjera, e vë këtë replikë dramatiste: “Si ju jam, prandaj a jam mbret?” Gjeniu,Krijuesi e Heroi përkujtohen përjetshëm, kurse Mbreti ra. Megjithatë, që nga Ezopi e këndej, krijuesi letrar është konsideruar si kryengritës i përhershëm, si opozitar i lindur karshi shoqërisë. Nga ana tjetër, janë qindra krijues shqiptarë që i provuan mbi kurrizin e tyre përndjekjet,burgosjet, privimet, libërdjegiet, pushkatimet, vrasjet, eksodet, anatemimet e çka jo tjetër, vetëm për shkak të qëndrimit të tyre në anën e atdhesisë, identitetit të rrezikuar shqiptar, humanizmit, demokracisë, ideve largpamëse e vizioneve emancipuese, ashtu sikundër iu ka ndodhur dhjetra humanistëve arbërorë, si Marin Barletit, Marin Beçikemit, Mikel Marulit, Leonik Tomeut, Martin Segonit, apo autorëve të Letërsisë së Vjetër Shqipe, si Buzukut, Dhimiter Frangut, Pjetër Bogdanit, Pjetër Budit, Lekë Matrangës, Pal Engjëllit e engjëllorëve të tjerë, Lukë Bogdanit etj etj, të cilët i përndoqi okupatori turk, i detyroi ta braktisin atdheun apo edhe të vriten nga po ky okupator, më mizori që ka njohur historia e këtij populli në këto anë. Okupatori turk i gjeti arbërorët me universitete e shkolla të larta të frymës humaniste evropiane. Tash vetëm mund ta imagjinojmë se ku do t’ishim sot me një traditë 600-vjeçare universitare, të cilën e ndërpreu sundimi turk që nuk kishte se çka t’iu sillte arbërorëve, pos errësirës e oskurantizmit.Kështu iu ka ndodhur edhe qindra krijuesve të tjerë shqiptarë që nga vitet njëzet e këndej të shekullit që e lamë pas, të cilët nuk i kanë mbyllur sytë para realiteteve të reja, prandaj e kanë pësuar atë fat, qoftë nga diktatura e Zogut, qoftë nga ajo e regjimit totalitar komunist për pesë dekada rresht. E mandej na vijnë librat e burgut në letërsinë shqipe, tek na shkon mendja te diktaturat e përgjakshme, si në Shqipëri, si në Kosovë: nga njëra anë gjenden të dënuarit, të mallkuarit, të ndarët nga familja e shoqëria, të poshtëruarit; na shkojnë ndër mend skenat e pushkatimit, prangat, qelitë, të torturuarit, autoburgu, njerëz që s’arritën të dalin nga burgjet, mbasi vdiqën në të të sëmurë, apo që vdiqën nga torturat a plumbi. Nga ana tjetër të dalin para kujtesës prokurorë, mendjezezë, njerëz-bisha, skuadrat e pushkatimit, policë, hetues, gjykatës e gjyqe, spiunë, diktatorë. Makina e përbindshme shtetërore e krimit. Uria, etja, mundimet e vuajtjet pafund. Në emër të popullit: gjyqe e çka jo. Prej këtij universi të ferrit real, aspak fantastik, lindi edhe një letërsi e veçantë, një letërsi tjetër, sikundër thuhet. Po përmendim pak fakte: Etëhem Haxhiademi, shkrimtar i shquar tragjedish, i shkolluar në universitete evropiane, kthehet në Atdhe për t’u angazhuar për ndërtimin e idealeve evropiane demokratike, por është burgosur nga regjimi zogist, më vonë është përndjekur nga eksponentët e pushtuesit fashist, dhe, së fundi, për njëzetepesë vjet rresht, ka vuajtur burgje komuniste, duke i lënë edhe eshtrat në burgje. Ai sikur e parandjeu se Letërsia e Politika, në këso kushtesh kundërdemokratike, janë sinonim i luftës së Kainit kundër Abelit. Kaini u hodh në anën e Politkës, Abeli në anën e Shkrimtarit. Ose rasti i Mati Prennushit që i fliste dhe shkruante në gjashtë gjuhë. Po ky Mati Prennushi që iu kishte pri çetave të armatosura kundër Turqisë, ai që ishte profesor gjimnazi; ai që më 24 mars 1911 bashkë me Atë Buon Gjeçajn shpalosën nga gjoksi i tyre flamurin në Deçiç; ai do të dënohet me varje në litar nga malazezët, por shpëton; porse më 1924 dënohet me pushkatim edhe nga Zogu (kur u ekzekutua nga perkrahesit zogist Don Gjon Gazulli), pse ishin në anën e opozitës noliane, por me ndërhyrjen e qarqeve ndërkombëtare i shpëton ekzekutimit.Po ky Atë Mati që do të konsiderohet nga autoritetet fashiste italiane si “françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”; nuk do të mundë t’i shpëtonte edhe një ekzekutimi tjetër, të egër e mizor, nga regjimi i diktaturës komuniste, atij të vitit 1948 “për veprimtari antikombëtare”!!! Noli dëbohet nga Atdheu, Luigj Gurakuqi vritet. Kurse menjëherë mbas Luftës së Dytë Botërore, nga letërsia shqipe po largoheshin shkrimtarët e pjesës së parë të shekullit XX, si Lazër Shantoja, Ndre Zadeja, Bernardin Palaj, Anton Harapi e Gjon Shllaku, të cilët ekzekutohen barbarisht; ndërsa kjo lagje shkrimtarësh, po vdiste në burg nga torturat si Vinçenc Prennushi, ose si i ndodhi Ndoc Nikajt, romansierit të parë shqiptar, apo “Balzakut shqiptar”; ekzekutohen arbëreshi Terenc Toçi, bektashiu Ali Tomorri, botuesi Nebil Çika; përndiqen e burgosen Ibrahim Dalliu, Mirash Ivanaj, Arshi Pipa, Sejfulla Malëshova, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Andrea Varfi, Nexhat Hakiu, Mustafa Greblleshi, Lazër Radi… Lista do të shkonte e shkonte shumë gjatë. Mirëpo, fizionomi letërsisë shqipe do t’i japin edhe autorë tjetër të përndjekur e të burgosur, si Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Havzi Nela, Visar Zhiti, Bilal Xhaferri, Maks Velo, Zyhdi Morava, Genc Leka, Trifon Xhaxhika… Kurse në Kosovën e martirizuar, për aq e aq dekada rresht, po ndodhnin tri burgosjet politike të shkrimtarit Adem Demaçi. Ai i vuajti 28 vite nëpër kazamatet e ish Jugosllavisë. Kurse sot, për të qenë ironia e thellë e kohës, gjenden ende krijues të ish regjimit serbokomunist, tashmë të hedhur nëpër taborre të reja politike e të një mendësie politike të trashëguar, që duan ende ta fyejnë e ta denigrojnë nën maskat e “rendit demokratik”! Dhe kanë fytyrë të quhen shkrimtarë! E dihet se çfarë mesazhesh humaniste e atdhetare, liridashëse e demokratike, estetike e etike, përçon vepra e Demaçit. Mandej, na vijnë emrat tjerë të shembujve të mëdhenj të rezistencës kundër të gjithë absolutizmave: Fazli Greiçevci i vdekur nën torurat në burgjet serbe, në mërgim vritet krijuesi atdhetar, Jusuf Gërvalla, burgje vuanin Xajë Nura, Kosovë Rexha - Bala, Teki Dërvishi, Beqir Musliu, Kadrush Radogoshi, Adem Gashi. . . janë dhjetra emra të tjerë të shkrimtarëve të Kosovës. . . e deri te emrat e krijuesve Latif Berisha, Ymer Elshani, Selman Konjuha, Gaspër Karaçi etj, të pushkatuar në luftën e fundit çlirimtare nga soldateska serbe. E pra, nga ana tjetër, jo rrallë po ky shkrimtar shqiptar, si kudo në botë, ka qenë edhe bashkëpunëtor i Ministrisë së Milicisë shqiptare a sllave, eksponent i regjimit, ekzekutor i Res Publica-s, kalemxhi shpirtshitur, që ka luajtur rolin e cenzorit ideologjik të vrasjes së vlerave, të përndjekjes së fjalës së lirë e të përndjekjes ogurzezë ndaj vetë kolegut të tij krijues. Do të duheshin qindra e mijëra volume për ta paraqitur të vërtetën e dhimbshme jetësore të Shkrimtarit Shqiptar. Shkrimtari shqiptar ka qenë i ndërgjegjësuar se njeriu i kënaqur me gjendjen e lirisë, thënë pak butë, është konformist. Poeti shkodran, Anton Çefa në librin e tij poetik „Dritarja e një britme“ shkruan: „Për shokët e mi brezin e poetëve jokonformistë, që u rritën e u plakën pa e gëzue lirinë e fjalës dhe pa e shijue fjalën e botueme, poezia asht nji bisedë e gjatë me vetveten për ruejtjen e dinjitetit e njikëhësisht shfrim ndaj diktaturës“.

Diku nëndheshëm, në Republikën e Shpirtit, në Republikën e Imagjinatës, në Republikën e të Idealeve krijuese e njerëzore, është latuar Kujtesa Alternative, Kujtesa e Viktimave dhe e të Martirizuarve përballë represionit pushtues gjenocidor a totalitarist, përballë Kujtesës së Fitimtarit të Armës, që synonte shlyerjen a zhdukjen e Kujtesës së Parë; që pikësynonte, më në fund, imponimin e vetëm Një të Vërtete, kurse të tjerat të Vërteta duhet të heshteshin. Shkrimtarët e përndjekur, krahas dëshmorëve të tjerë të Atdhuet, kanë qenë Roja e Mburoja e kësaj Kujtese, e themelimit të këtij Identiteti nëpër shekuj, përballë inkvizicionit e shfarosjeve armike osmane, sllave apo komuniste. E vërteta ka qëndruar në anën e krijuesve të përndjekur: janë djegur, zhdukur e anatemuar mijëra libra e dorëshkrime, por të gjitha ato janë rehabilituar, sistemet e dhunës janë shembur, kurse dënimin e historisë e kanë marrë inkvizitorët. Triumfi i Lirisë, Demokracisë dhe Humanizmit i dhanë të drejtë shkrimtarit, sepse çdo fjalë, varg a vepër ai ia dedikonte këtyre idealeve. E shkrimtari shqiptar nuk kishte se si të mos ishte i tillë, atdhetar e liridashës. Te e fundit, a ka shkrimtar shqiptar që nuk ka shkruar për Atdheun dhe për Lirinë?

II. Shkrimtarët: dyshues e opozitarë të përjetshëm

Nëse krijimi është akt individual, vepra letrare, me të arritur në librari, në bibliotekë, në institucione kulture a në duart e lexuesit, bëhet edhe res publica, apo një e mirë e përbashkët. Autorët e moçëm të Antikës thoshin se Shteti apo Res Publica na është çështje publike dhe shtonin: "Videant consules, ne quid detrimenti res publica capiat! (Konsujt le të kujdesen që shteti të mos pësojë asnjë dëm). " Res Publica-n ata e mendonin si qeverisje të interesave të përgjithshme apo të të mirave të përbashkëta. Pra, politika është ajo që merret me çështje publike, kurse letërsia, si nevojë e brendshme shpirtërore e njeriut, nuk kufizohet në kohë e në hapësirë. Shoqëria si sinonim i politikës dhe qytetarit, vetë do të vendosin se si ta qeverisin veten, vetë do të kujdesen për çështjet a punët e veta, do ta bëjnë kushtetutën, o t’i zgjedhin qeverinë dhe deputetët, do të mbështeten, si deklarojnë ata, në vullnetin e popullit. Të zgjedhurve do t’iu besohet pushteti për një kohë të caktuar. Nuk ishte e rastit, pse Platoni pati kërkuar që harmonia do të arrihej, kur shtetin e pushtetin e drejtojnë filozofët si përfaqësues të urtisë e të mendjes, kurse i përjashtonte poetët. Res Publica antike e përfaqësuesve të popullit, tek koncepti i Rusosë shndërrohet në patriae, në atdhesi, në vlera të atdheut. Kurse shkrimtarët humanistë i afirmuan gjakueshëm idealet e tyre të epokës moderne: republikën dhe demokracinë, përkushtimin atdhetar, humanizmin dhe kultin e njeriut, liritë dhe të drejtat njerëzore. Ideja e lirisë është themel i identitetit evropian dhe e lindur po nga ky identitet. Porse njerëzit e lashtë të Antikës nuk e kishin parashikuar se të mirat e përbashkëta apo res publica, do të shndërrohen në interesa të veçanta, e, posaqërisht, në konflikte interesash. Prandaj, padëgjueshmëria qytetare, e lindur po nga ky opozicion i përhershëm i fushës së letërsisë, tani në kuadër të rendit demokratik, vendoset në anën e kundërt të këtij rendi. Dhe kushtetutat moderne e njohin të drejtën qytetare të padëgjueshmërisë e të mosbashkëpunimit, së këndejmi, si e drejtë, edhe e garanatuar, e drejtë edhe e realizuar, sidomos në ato raste kur pushtetarët e shndërrojnë shtetin apo pushtetin në Res Privata. Dhe jo pak qeveritarë e drejtues shtetesh e pushtetesh, vendin e tyre e kanë dërguar në theqafje, në luftëra, në shkatërrim, në sundim diktaturash të përgjakshme etj etj, kur kjo harmoni në mes urtisë e qeverisjes nuk përputhej. Mendimtarë modernë, si Rols (Raëls), Hondrih, Erikson, Berri etj pohonin se padëgjueshmëria qytetare është akt i hapët e i ndërgjegjshëm politik, i padhunshëm, i një grupi a pakice që qëndron kundër ligjeve a sistemit në fuqi, me qëllim që ta ndërrojnë një ligj apo ndonjë veprim politik e që është në duart e shumicës që e kanë në duart e veta forcën politike. Pse të mos e themi se shkrimtari gjithnjë qëndron në anën e padëgjueshmërisë. E kjo padëgjueshmëri gjithnjë gjakon parimin e Barazisë e atë të Drejtësisë. Në këso rastesh, kujtohen protesta e tilla të Martin Luter Kingut në SHBA për realizimin e të drejtave të zezakëve, ato të Gandit për pavarësimin e Indisë, pavarësi e arritur nëpërmes padëgjueshmërisë së padhunshme qytetare. Shkrimtarët disidentë të periudhës komuniste, në emër të idealeve për liri, demokraci e humanizëm, i kanë frymëzuar edhe revolucionet paqësore, me anën e të cilave janë përmbysur qeveritë totalitare e diktaturat komuniste në Evropën Lindore e në shumë vende të Evropës Juglindore.

Gjithsesi, që Res Publica nuk mund të trajtohet sot si Ide platonike, si qasje spekulative teorike, si mit ideologjik mbi rendin ideal e të pagabueshëm, si rend demokratik, në të cilin është e panevojshme padëgjueshmëria qytetare, sepse ky qytetar tashmë na i paska të garantuara të gjitha të drejtat. Kështu, e shikojnë shtetin nga këndi metafizik, domethënë, si rend demokratik që nuk iu nënshtruaka ndryshimeve, evoluimeve apo progresit. Harrohet fakti që në këtë botë tokësore, në këtë botë të gjërave njerëzore, të jetës kalimtare me pikën e lindjes e të vdekjes - nuk ka gjëra ideale, të përkyera pafundësisht apo të paprekshme, dhe, i tillë, me cene e huqe, na është edhe vetë shteti demokratik. Kurse shkrimtarët e dinë se kjo botë nuk është idilë, në të cilën ia vlen vetëm të ëndërrosh. Por, kur qytetarët binden se ky shtet nuk ua realizon të drejtat e tyre, se me veprime e programe kundërdemokratike e kundërnjerëzore, ka për qëllim t'i degjenerojë njerëzit e shoqërinë, atëherë pse të mos kenë të drejtë qytetarët që ta kundërshtojnë? Te e fundit, edhe ligjet nuk janë të përjetshme, po që vlejnë për një kohë të caktuar. Shkrimtarët janë shpesh inicues të asociacioneve demokratike, gjithnjë me pikësynimin që të bëhet transoformimi demokratik i shoqërisë dhe i shtetit. Ata janë ndër të parët, që, në kohë krizash, angazhohen në legalizimin e të drejtave e të lirive njerëzore e në zgjidhjen e konflikteve shoqërore apo etnike. Ndryshe nga mercenarët e zhurnalistikës a të literaturës së porositur e të paguar nga qarqe kundërnacionale, ndryshe edhe nga esktremizmat ideologjikë; shkrimtarët pikësynojnë të tjera caqe; ata nuk vuajnë nga iluzioni për triumfin përfundimtar të së Mirës, prandaj janë dyshues, por ata nuk pajtohen në asnjë kohë e në asnjë rast me triumfin e së keqes. Ata e vazhdojnë betejën e tyre për liri, humanizëm e demokraci. Ata krijojnë aso parzmoresh krijuese, me të cilat do ta mbrojnë me fanatizëm të drejtën për jetë; jetën që ishte dhe është ende e rrezikuar nga stihia e frikës, nga skenat e prapaskenat kundërdemokratike, nga kurthet anti-liri, nga urrejtja e dhuna; ata e kuptojnë vetëçlirimin qytetar që mund të arrihet vetëm nëpërmes luftës kundër kësaj stihie të dhunës e të frikës, duke u përcaktur për lirinë e individit e të shoqërisë. Shkrimtarët janë ata që rezistojnë kundër stihisë dhe anarkisë, që angazhohen për media të lira e të pavarura, tek iu japin mbështetje atyre ideve e atyre bartësve, që angazhohen për ndryshime konkrete demokratike. Dikur një shkrimtar i afirmuar thoshte: „Nëse dëshiron të dijsh se çfarë është shteti e sundimi i tij, dhe çfarë e ka ardhmërinë, shiko dhe mëso, se sa njerëz të ndershëm e të pastër ai vend ka nëpër burgje e sa kriminelë, dhunues të ligjit e kundërvajtës ka në liri. Kjo për ty do të ishte mësimi më i mirë”. E çka do të thotë nëse ky shkrimtar nuk i ka qëndruar besnik këtij formulimi të shqiptuar në ish Jugosllavinë? Kjo do të thotë se Letërsia e Politika mund të ecin bashkë, nëse angazhohen për ideale të njëjta, për liri, demokraci, humanizëm e drejtësi; por asesi nuk mund të ecin së bashku në fushën e demagogjisë, në të cilën mund të veprojë vetëm politika. E dihet, vendimet për fatet e njeriut, pra edhe për idetë e humanizmit e të demokracisë i merr politika e jo letërsia. Letërsisë nuk i duhen deklarat për lirinë e krijimtarisë që vijnë nga politika, sepse ato janë deklarata politike. Prandaj, në dekadën që shkoi, shkrimtarët i kemi parë, tek angazhohen edhe për dialog në mes të njerëzve, janë ithtarë të vizioneve liridashëse e të ideve humaniste, liberale dhe demokratike, gjithnjë në kundërshtim me shumësinë e ideologjive të stalinizmit, klerikalizmit, shovinizmit apo të patriarkalizmit militant. I kemi parë tek e ngritnin zërin e tyre për realizimin e kushteve ligjore, institucionale e procedurale; si dje, si sot, ata reagojnë për të drejtën e informimit objektiv, për shprehje të lirë të interesave, bindjeve e ideve, në mënyrë që Res Publica e tyre të ketë publik të formuar e me ndikim në të mirat e përbashkëta. Ata shprehin zemëratën e tyre kundër propagandës e manipulimit me opinionin publik; e afirmojnë dhe e zhvillojnë mendimin e qëndrimin kritik, kulturën e mendimit e të krijimit. Nuk është e rastit pse në këto parime të qytetarisë moderne, tek formulohen nëpër programet e lëvizjeve apo të partive politike, në radhë të parë, marrin pjesë vetë shkrimtarët. Mbase, edhe mund të zgjohet dyshimi rebelues i dikurshëm: në mos shkrimtari shitet te programi i një partie, duke e tjetërsuar esencën e lirisë së krijimtarisë? Ata janë kultivues të tolerancës e jo të urrejtjes ndaj bashkësive të tjera etnike apo ndaj pakicave. Ata janë në konfrontim e ballafaqim të vazhdueshëm me idetë çorientuese e izoluese, ata, madje, janë ithtarët më të mëdhenj të evropeizimit të popullit tonë e të formësimit të identitetit evropian në proceset e reja integruese. Nuk është e rastit pse shumë vepra që përkthehen kohëve të fundit nga thesari i letërsisë bashkëkohore botërore, e ngërthejnë farën e herezisë, dyshimit dhe intepretimit ndrydhe të rendit të të vërtetave të vendosura nga politika, nga ideologjitë e ndryshme apo qoftë edhe nga religjioni (shih romanet „Kodi i da Vinçit“ apo „Vita brevis“). Shkrimtari e ka botën e tij, të pavarur nga politika. Më në fund, ata janë dyshues të përjetshëm e opozitarë të përjetshëm.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...