2014-12-16
Konflikti shqiptaro serb(1912-2014)
“Këta tanët e nisën luftën e mua më shkuan djemtë”, më pati thënë para disa kohësh një burrë i Anadrinit, i mbytur në dhembjen e tij paralizuese për dy djemtë dhe tre nipat e ekzekutuar nga forcat terroriste serbe. Edhe pas një bisede mjaft të gjatë ishte e pamundur të depërtohej perdja e trashë e traumës së tij, për t’i arritur atij në ndërgjegje argumenti për shkaktarin e vërtetë të luftës. Trauma bllokuese e mban plakun peng në idenë fikse se ‘këta tanët e nisën sherrin” dhe se po të mos ia nisnin “këta tanët”, kurrgjë nuk do të ndodhte, sepse “boll mirë ishim”. Rasti i tij me siguri bie në atë numrin shumë të lartë të njerëzve me trauma psikike, që është evidencuar vitin e kaluar nga një ekip mjekësh amerikanë. Po për shkak të humbjes së pesë meshkujve të shtëpisë, ajo traumë është e përmasave tepër bllokuese dhe nga kjo anë ajo vetëm të shkakton keqardhje dhe bashkëdhimbje.
Kush e ka filluar luftën, Serbia apo UÇK?
Mirëpo, tema si e tillë, për filluesin e luftës në Kosovë, paraqitet e mjegulluar edhe në kokat e disa njerëzve që kanë mendje të paprekur nga traumat e luftës. Në fakt, në kokat e tilla, është fjala për mjegullim të qëllimshëm, pra për të krijuar mjegull. Një numër jo i vogël aktivistësh dhe funksionarësh politikë, që luftojnë për të mbrojtur diçka nga pozitat e dikurshme dhe për t’u mbrojtur nga falimentimi moral e politik, tregojnë një entuziazëm të madh për të “argumentuar” se luftën e kanë filluar “këta tanët”, duke ua mveshur edhe fajet për pasojat që janë shkaktuar nga lufta. Sipas tyre, po të mos e fillonin luftën “këta tanët’, Kosova do ta fitonte protektoratin pa e pësuar asnjë të keqe, sepse ajo paskësh qenë kërkesë e udhëheqjes së atëhershme të Kosovës. Ata duan të argumentojnë se vetëm kërkesa, e thënë në konferenca shtypi, pa bërë asgjë për realizimin e saj, ka mjaftuar për arritjen e protektoratit, gjë që është krejtësisht e pavërtetë. U deshën bombardime të parreshtura gati tremujore të NATO-s për ta detyruar Serbinë që të tërhiqej nga Kosova, sepse me fjalë nuk mundën ta bindin as Grupi i Kontaktit, as Këshilli i Sigurimit, as OSBE-ja, as Bashkimi Evropian dhe as vetë NATO-ja. Në fund të fundit, u deshën rreth 20.000 shqiptarë të vrarë, mijëra të plagosur, gati një milion të dëbuar nga Kosova, rreth 150.000 shtëpi të djegura e të plaçkitura, për të imponuar protektoratin e tashëm.
Propaganda negative kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si shkaktare e luftës, e përhapur si thashethemnajë, si fjalë në vesh, si intrigë politike, e prodhuar nga aktivistë dhe funksionbarë politikë, që kanë qëllime imorale politike, ka shkuar e ka gjetur terrenin e vet te pjesa e traumatizuar e popullatës, te ata që kanë humbur anëtarët e familjes, shtëpitë dhe pasuritë, që do të thotë te një pjesë mjaft e madhe e popullatës. Ndryshe nuk mund të kuptohet lidhja aq e fortë e asaj pjese të popullatës për idetë dhe subjektet e të kaluarës, “kur e kishim boll mirë”, dhe tendenca e refuzimit dhe e zhvlerësimit të bartësve të projektit çlirimtar. Manipulimi me ndjenjat dhe me dhimbjen e njerëzve, ka dhënë disa efekte afatshkurtëra, duke e deformuar deri dikund edhe pamjen e vetë lirisë së fituar me gjakun dhe me saktificën e një populli të tërë dhe me ndihmën vendimtare të aleatëve. Por, edhe manipulimet, si artikujt e konsumit të gjerë, e kanë një afat pas të cilit u del garancioni dhe pastaj bëhen të papërdorshme. Kështu do të ndodh edhe me manipulimin për shkaktarin e luftës në Kosovë.
Çdo kush që është i kthjellët dhe di të mendojë, e di se luftën në Kosovë e ka projektuar dhe e ka filluar regjimi terrorist i Serbisë. Pas rrënimit me tanke të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, terrori serb ka ardhur duke u shtuar. Pushtimi me tanke i institucioneve politike dhe të informimit në korrik të vitit 1990, ishte fillimi i luftës së hapët kundër shqiptarëve dhe kundër Kosovës. Mirëpo, pasoi një tërheqje nga lufta e hapët, për shkak se Serbia arriti ta konsolidojë gjendjen e pushtimit të Kosovës, (sepse nuk kishte as kush të vetëmbrohej!). Lufta agresive e Serbisë atëherë u drejtua në fillim kundër Sllovenisë, pastaj kundër Kroacisë dhe më vonë kundër Bosnjë e Hercegovinës. Në ato luftëra Serbia ishte e angazhuar deri në vitin 1995, kur Marrëveshja e Dejtonit praktikisht krijoi një hartë të re të pjesës perëndimore të ish federatës jugosllave. Humbjet e mëdha në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë, pasojat e embargos, inflacioni shumëshifror, e detyruan Serbinë që të bënte një pauzë prej dy vjetësh, për të konsoliduar strukturat politike, ushtarake dhe ekonomike, për të vazhduar luftën agresive kundër Kosovës, përkatësisht për ta finalizuar projektin e spastrimit etnik të saj, që ishte shpallur politikë zyrtare shtetërore. Duke aktruar “garantin e paqes” pas Dejtonit, krimineli Millosheviq, pati aritur që ta amortoizonte presionin ndërkombëtar, deri në masën që Bashkimi Evropian i lejoi preferenciale ekonomike Jugosllavisë së vetëshpallur dhe madje e pranuan si shtet “Jugosllavinë e Zhablakut”, me Kosovën si pjesë të saj, edhe pse gjashtë vjet më parë ajo e kishte shpallur pavarësinë e saj me anën e një referendumi. Kishte mbetur vetëm “muri i jashtëm” i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pengesë e integrimit dhe e rehabilitimit të “Jugosllavisë së Zhablakut”.
Cka është agresioni ?
Në atë situatë të konsoliduar politike, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake, Millosheviqi e filloi agresionin e ri kundër Kosovës. Përveç provokimeve të policisë dhe të serbëve lokalë, ushtria filloi demonstrimin e forcës anekënd Kosovës, madje edhe me aviacionin luftarak që vetëm sa nuk prekte kulmet e shtëpive. Armata serbe e minoi kufirin në drejtim të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, shpeshtoi provokimiet e hapëta kundër popullsisë shqiptare dhe bllokoi tërësisht zonën e Drenicës. Sipas rezolutës së Kuvendit të Përgjitshëm të OKB-së, të aprovuar në sesionin XXIX të vitit 1974, “agresion është shfrytëzimi i forcave ushtarake të një vendi kundër sovranitetit, tërësisë territoriale, ose pavarësisë politke të jnjë vendi tjetër, si dhe shfrytëzimi në atë plan i mjeteve të tjera, të cilat nuk janë në pajtim me Kartën e OKB-së. Thënë më qartë, aktet e agresionit janë të shumëllojshëm dhe të ndryshme. Si agresion përkufizohet bombardimi ndaj një territori, bllokada e territorit, sulmi me forca ushtarake, etj.”.
Meqë Kosova në shtator të vitit 1991, me anën e një referendumi ishte shpall shtet i pavarur dhe sovran, vetëm prezenca ushtarake e Serbisë ishte akt agresioni, e lëre më veprimet e hapëta kundër territorit dhe kundër popullsisë. (Ky vlerësim nuk vlen për ata që kanë menduar se referendumi i vitit 1991, ishte vetëm njëfarë loje politike.) Agresioni i armatosur filloi së zbatuari plotësisht më 22 janar 1998, me sulmin kundër familjes Jashari, vazhdoi me masakrën e 28 shkurtit në Likoshan dhe Qirez dhe kulmoi me masakrën në Prekaz të Ulët. Atëherë, çka është agresioni i armatosur, nëse nuk është rrethimi me mijëra trupa policore dhe ushtarake, granatimi me topa dhe me helikopterë, dhe dëbimi masiv i popullsisë nga shtëpitë e veta? Dhe çka është dashur të bëjnë burrat dhe gratë e zonave të goditura me brutalitet të tmerrshëm policoro-ushtarak? Çka është dashur të bëjnë bashkëkombasit e tyre, që kanë ndier dhembje për tragjedinë e tyre dhe për tragjedinë e atdheut, i cili kërcënohej me zhbërje totale? Organizimi i vetëmbrojtjes si akt mbijetese dhe aspirate çlirimtare, ka qenë dhe është kudo në botë një veprim me legjitimitet dhe moralitet të shkallës më të lartë, prandaj ky rregull ka vlejtur edhe për ata shqiptarë të Kosovës, të cilët kanë pasur guximin për të rrokur armët për t’u mbrojtur nga shfarosja. Edhe vetë raporti i pabarabartë i forcave ndërmjet agresorit serb dhe UÇK-së, e ilustron plotësisht faktin se ka qenë fjala për agresion të armatosur kundër Kosovës, me qëllim final spastrimin etnik të saj, para se UÇK-ja eventualisht të shndërrohej në një forcë më të fuqishme ushtarake. Ndërsa, pretekstin për ta filluar sulmin final, Serbia do ta sajonte në çfarëdo varianti, sikundër që e sajoi në korrik të vitit 1990, kur pushtoi me tanke të gjitha institucionet, sikundër që e sajoi me helmimin e rreth 7000 fëmijëve, etj. Dihet se pretekstin për fillimin e agresionit ushtarak kundër Bosnjë e Hercegoviës, Serbia e sajoi pas vrasjes së inskenuar në Sarajevë të një të riu serb, që po martohej. Pra, lufta agresive e Serbisë kundër Kosovës ka qenë e planifikuar deri në detaje shumë vite para se të ndodhte. Plani famëkeq “Patkoi”.
Ankesa e pabazuar e plakut të Anadrinit, meqë buron nga dhimbja e parrëfyeshme për bijtë dhe nipat e ekzekutuar, mund të ketë mirëkuptimin e të gjithëve. Por, mjegullat e përhapura qëllimisht për të ngarkuar me faj luftëtarët e lirisë, si gjoja shkaktar të luftës e rrjedhimisht të tragjedisë së njerëzve, nuk mund të prodhojë gjë tjetër përveç indinjatës dhe neverisë.
Kur ka filluar lufta serbo-shqiptare në Kosovë
“Kur hini Serbia e parë, na dogj me rob e me thmi”, e kishte zakon të përsëriste një plak i fshatit tim, sa herë që përmendej ndonjë luftë, qoftë ajo e Koresë, apo e Vietnamit. Ai e kishte përjetuar edhe hyrjen e “Serbisë së dytë”, edhe të të tretës, por i kishte ngelur më fort në kujtesë tmerri i barbarive serbe, që kishte përjetuar në rini. Pushtimi i Kosovës nga Serbia në vitin 1912, kishte qenë thyerja e madhe e jetës shqiptare në këto hapësira, përmbysja e githçkaje. Egërsia e forcave pushtuese serbe kishte tmerruar çdo kend që e kishte parë me sytë e tij. Fjala vjen, gazetari i Neë York Times-it, Pickthal, i cili kishte qenë dëshmitar okular, pati shkruar këto fjalë: “ Masakrat që bënë serbët në Kosovë, nën Kryqn’ e Krishterë, kapërcejnë çdo instikt gjakpirësije”. Ndërsa, konsulli austro-hungarez në Shkup, raportonte se me të hyrë në Prishtinë, më 22 tetor 1912, forcat ushtarake serbe kishin ekzekutuar pesë mijë shqiptarë. Ekzekutime masive janë bërë edhe në Prizren dhe praktikisht në çdo vend ku ka shkelur qizmja e ushtarëve të kral Petrit, nën komandën e kriminelit monstruoz, Bozhidar Jankoviq.
Si u përgatit pushtimi dhe si pushtua Kosova
Agresioni ushtarak i Serbisë kundër Kosovës më 1912 është përgatitur një kohë të gjatë dhe është përpunuar deri në detaje. Së pari janë vu në veprim organizatat terroriste si “Këshilli Kryesor i Organizatës çetnike”, i cili sipas idesë së Spallajkoviqit, objektiv e kishte edhe likuidimin e udhëheqësve të lëvizjes shqiptare. Në vitin 1907, sipas idesë së konsullit serb në Prishtinë, Millan Rakiqit, për realizimin e atij qëllimi, fillon bashkëpunimi edhe me turqit. Në vitin 1908 formohet organizata terroriste, “Narodna Odbrana’, shef i së cilës emërohet vetë krimineli Bozhidar Jankoviq. Kjo organizatë infiltronte grupe kriminelësh në Kosovë për të ushtruar terror. Më 1911 formohet organizata tjetër terroriste, “Dora e Zezë’, e cila udhëhiqej nga terroristi Dragutin Dimitrijeviq- Apisi.
Fushatën e pushtimit të tokave shqiptare, me theks mbi Kosovën, e përkrahnin me propagandë të tmerrshme antishqiptare gazetat serbe si “Dnevni list”, “Mali zhurnall”, “Zastava”, “Odjek”, “Vardar”, “Politika”, si edhe grupet e intelektualëve, të priftërinjve, e të mësuesve. Ndërsa, politika shtetërore e Serbisë, nga ana e vet, përgatiste terrenin politik dhe diplomatic për pushtimin e Kosovës dhe të territoreve të tjera shqiptare, nën maskën e çlirimit të Ballkanit nga Perandoria otomane. Serbia nënshkroi me Bullgarinë (13 mars 1912) Traktatin e Miqësisë, i cili kishte edhe një “Shtojcë speciale”, sipas të cilit Serbisë i njihej e drejta në territoret shqiptare në lindje të Sharrit. Traktate të ngjashme Serbia nënshkroi edhe me Malin e Zi dhe me Greqinë, duke krijuar të ashququajturën “Aleancë Ballkanike” gjoja kundër Turqisë, po që në fakt ishte në funksion të copëtimit të tokave shqiptare dhe të shkatërrimt të kombit shqiptar. Pas arritjes së traktateve të miqësisë me shtetet ballkanike, pas infiltrimit të grupeve terroriste serbe në Kosovë, pas infiltrimit edhe në disa segmente të lëvizjes shqiptare, pas korruptimit të disa segmenteve të administratës osmane, (furnizimi i Serbisë me armë bëhej nga porti i Selanikut), pas krijimit të opinionit në favor të luftës, Serbia e filloi mobilizimin më 30 shtator 1912, ndërsa grupet terroriste të Narodda Odbranës dhe të Cërna Rukës, po kryenin aksione në brendi të Kosovës, për ç’shkak atasheu ushtarak francez, që më 2 nëntor shkruante: “Kosova ishte e pushtuar praktikisht disa javë para se të fillonte lufta. Atje ishin dërguar oficerë serbë dhe njerëzit e tyre më të zgjedhur të veshur me kostume fshatare, ose si tregëtarë ambulantë, të cilët kishin për detyrë të siguronin marshimin e trupave të kral Petrit”.
Turqisë ultimatumi i ishte dorëzuar më 13 tetor 1912, kurse shpallja e luftës nga Serbia, Bullgaria dhe Greqia, u bë më 18 tetor (Mali i Zi kishte hyrë më herët në luftë.)
Agresioni ushtarak i Serbisë kundër Kosovës hasi në një rezistencë të fuqishme të forcave shqiptare, të cilat në ditët e para i gozhduan në Merdar forcat serbe. Rezistenca shqiptare e kryesuar nga Isë Boletini në Merdar, zgjati disa ditë, ndërsa më vonë u thye për shkak të epërsisë (6:1) të ushtrisë serbe, e cila kishte edhe artileri të fortë. Isa Boletini organizoi forcat shqiptare edhe në mbrojtje të Prishtinës, e pas rënies së saj, organizon edhe mbrojtjen e Mitrovicës, ku i kishte katër mijë luftëtarë. Pas rënies së Ferizajt në duart e pushtuesit serb, rezistenca e armatosur shqiptare në Kosovë vazhdon në disa lokalitete, ndërsa Isë Boletini kalon në Prizren e mandej zbret në Vlorë. Pra, pushtimi i Kosovës nga Serbia është bërë me agresion të armatosur, dhe rezistenca e shqiptarëve ka qenë mjaft e forte, përkundër pengesave dhe mashtrimeve që ia bënë autoritetet ushtarake osmane. Pas pushtimit të Kosovës dhe të territoreve të tjera shqiptare, kurrë nuk ka nënshkruar ndonjë përfaqësues i Kosovës ndonjë marrëveshje që të përligjej gjendja e re e futjes së Kosovës nën Serbi përkatësisht nën Jugosllavi. Nuk është organizuar ndonjë referendum, ose Asamble, e cila do të sanksiononte pozitën e Kosovës në kornizën e re shtetërore të Serbisë apo të Jugosllavisë. Konferenca e Londrës më 22 mars 1913 caktoi kufijtë e Shqipërisë së cunguar, por pa marrë kurrfarë miratimi të kombit shqiptar. Edhe Konferenca e Paqes e Versajit, ka vendosur pa e pasur ndonjë miratim të Kosovës. (Madje as të shtatë delegacionet shqiptare që ishin në Paris, nuk e kishin asnjë njeri nga Kosova në përbërjen e tyre!)
Gjendja e luftës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë- nga tetori i vitit 1912
Mund të thuhet me siguri të plotë se që nga tetori i vitit 1912, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, faktikisht ka ekzistuar gjendja e luftës. Intensiteti i konfliktit ka osciluar varësisht nga regjimet që kanë qenë në Serbi e Jugosllavi, nga fuqia që ka disponuar lëvizja çlirimtare shqiptare, nga kontekstet ballkanike, evropiane dhe botërore, por ai konflikt ka qenë gjithmonë i prekshëm, present. Luftërat ballkanike, Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore dhe periudha ndërmjet tyre, kanë qenë të mbarsura me konfliktin serbo-shqiptar për Kosovën. Qëllimi konstant i Serbisë në të gjitha situatat ka qenë serbizimi i Kosovës, dëbimi shqiptarëve prej saj dhe mbyllja e çështjes shqiptare. Për këtë janë bërë projekte, elaborate, “reforma agrare” dhe gjithfarë politikash shtetërore. Të njëjtën politikë si atë të pushtuesit kral Petrit, (të Serbisë së parë), e kanë mbajtur edhe pasuesit e tij të monarkisë serbe, të regjimeve komuniste, të rrymave radikale e deri te regjimi fashist i kriminelit të radhës, Millosheviq. Fjala vjen, i njëjti person, Vaso Çubriloviq, ka përgatitur elaborat për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova për nevojat e Mbretërisë SKS (1938) dhe për nevojat e Republikës Popoullore të Jugosllavsië, (1945), madje duke qenë dhe ministër i kësaj të fundit. Dëbimi shqiptarëve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare është bërë sipas Traktatit ndërmjet Mbretërisë SKS dhe Turqisë (Stojadinoviqit e Ataturkut), po njësoj edhe ndërmjet Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë dhe Turqisë, (Tito-Kyprilli).
Nuk mund të shpjegohen as të kuptohen jashtë këtij konteksti as masat e terrorit në vitin 1981, as të vitit 1990 dhe aq më pak gjenocidi i viteve 1998-1999. Gjenocidi i viteve 1998-1999, ka qenë përpjekje finale e politikës shtetërore të Serbisë, që në katrahurën e krijuar nga shpërbërja e ish federatës së Jugosllavsië, të mbyllte njëherë e përgjithmonë çështjen e Kosovës si çështje shqiptare. Serbia ka ardhur për këto tetëdhjetë vjet në përfundimin se shqiptarët nuk mund t’i integrojë kurrë, (siç gënjente veten në fillim Pashiqi), prandaj edhe ka provuar që t’i heqë qafe me anën e spastrimit etnik dhe të gjenocidit. Dhe shqiptartë e Kosovës nuk kanë pasur shumë zgjidhje në dispozicionse është dashur të nënshtrohen plotësisht, të bëhen serbë, ose është dashur të ikin nga Kosova dhe t’ia lënë përfundimisht Serbisë Kosovën, ose është dashur të rezistojnë, pra të mbrojnë të drejtën e vet natyrore dhe kombëtare, për të jetuar të lirë në këtë vend. Lufta më e fundit serbo- shqiptare për Kosovën, e viteve 1998-1999, e shikuar nga pikëpamja e politikës shtetërore të Serbisë, e cila ka pasur për qëllim dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe serbizimin e plotë të saj, ka qenë e pashmangshme, sepse nuk ka pasur mundësi të integrojë Kosovën në Serbi.
Nga ana tjetër, shqiptarët kanë bërë përpjekje për t’iu shmangur luftës, duke e ditur se kanë punë me një agresor të përbindshëm, dhe këtë e kanë bërë deri në pikën kur thika u ka arritur në palcë si thuhet, pra kur për shtatë vjet janë dëbuar nga Kosova së paku gjysmë milioni shqiptarë për në Evropën Perëndimore dhe kur ka filluar shkatërrimi masiv i familjeve shqiptare të mbetura në Kosovë, me tytat e topave dhe me bombardimet e helikopterëve luftarakë, sikundër ndodhi në Likoshan, në Qirez dhe në Prekaz të Ulët. Mospërgjigjja ndaj këtij agresioni shfarosës, faktikisht do të ishte gjunjëzim definitiv i këtij populli dhe dorëzim i këtij vendi në duart e armikut përgjithmonë.
Mizoritë e Serbisë së fundit, kanë qenë vetëm vazhdim i mizorive të së ashtuquajturës Serbi e parë, cila e ka pushtuar Kosovën në vitin 1912. Në fund të fundit, një Serbi, agresor dhe pushtues ka qenë, sikundër që Kosova ka qenë gjithmonë një e vetme-viktimë e agresionit dhe e pushtuar.
Paralele shqiptare: çfarë lidhjesh ka ndërmjet KMKK-së dhe UÇK-së?
“Çka dini për Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” është pyetje që këto ditë ua kam parashtruar së paku njëzet njerëzve të moshave dhe të kualifikimeve të ndryshme. Kam dashur që me anën e këtij minihulumtimi të gjej një argument më shumë për tezën time lidhur me luftën serbo-shqiptare për Kosovën, të parashtruar në këtë tekst. Nuk e mohoj se përzgjedhja e të pyeturve ka qenë paksa tendencioze, (nuk kam pyetur intelektualë), pra kam përfshirë vetëm ata që zakonisht i emërtojmë si popull. Por, rezultati është shokues: asnjëri pej tyre, nuk ka ditur të thotë ndonjë fjalë për Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës! Nuk dua të bëj asnjë lloj gjykimi të këtij problemi në bazë të një minihulumtimi tendencioz, por megjithatë marr lirinë të konstatoj se kjo na tregon se ka elemente të fshirjes së kujtesës historike. Mbase thënë më saktë, ka një informacion të fragmentuar dhe të deformuar për historinë kombëtare, edhe në rastin e tematikës që gjithnjë do të duhej të ishte aktuale: të luftës së shqiptarëve të Kosovës për çlirim nga pushtuesi serb. Kosova është pushtuar nga Serbia në vitin 1912 (të kësaj epoke!) që do të thotë se ende janë gjallë njerëz që e kanë përjetuar atë pushtim, që do të thotë se për ato ngjarje tragjike të përmasave kombëtare, asgjë nuk do të duhej të ishte harruar asnjëherë.
“Qëllimi dhe ekzistenca e komitetit tonë bazohen mbi çlirimin e Kosovës nga Serbia”
Pushtimi i Kosovës dhe i territoreve ë tjera shqiptare nga Serbia, ndodhi në kontekstin e Luftës së Parë Ballkanike, e cila u pasua nga Lufta e Dytë Ballkanike, si mosmarrëveshje e pushtuesve të rinj lidhur me ndarjen e plaçkës. Pas vrasjes së Franc Ferdinandit në Sarajevë nga terroristët serbë, plasi Lufta e Parë Botërore, e cila mori në vorbullin e vdekjes edhe fuqitë e mëdha evropiane, të cilat kishin miratuar poshtërsisht pushtimin e Kosovës dhe të territoreve të tjera shqiptare nga pushtuesit ballkanikë. Pas disfatës serbe, Kosova u nda në zona pushtimi ndërmjet Austro- Hungarisë dhe Bullgarisë. Krimet monstruoze që bënë bullgarët kundër popullit shqiptar, rrëfehen me trishtim edhe sot, sikundër që favoret që krijuan autoritetet austro-hungareze mbahen mend si ditë të mira për popullin shqiptar.
Në atë turbullirë planetare, ku gjaku rridhte rrëke nga të katër anët, për shkak të çmenduridsë kolektive, atdhetarë shqiptarë të Kosovës, të udhëhequr nga Hoxhë Kadri Prishtina, filluan riorganizimin politik e ushtarak, për t’u faktorizuar që në reliefin e ri politik e gjeopolitik të pasluftës, të fitohej liria e Kosovës. Në këtë kuadër përpjekjesh, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, (1918-1924), si një organizatë politico-ushtarake çlirimtare, ka qenë projekti më madhor. Përveç kontributit të jashtëzakonshëm për Shqipërinë e 1913-tës, (mbajtjen e Kongresit të Lushnjes, përkatësisht rimëkëmbjen e Shqipërisë, mbrojtjen e Korçës e të Shkodrës nga rreziku i ndarjes nga trungu shtetëror gjatë punimeve të Konferencës së Paqes), Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës bëri politikë dhe bëri luftë të armatosur për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb. KMKK ka idejuar dhe ka organizuar kryengritjen e armatosur të vitit 1919, dhe luftërat e tjera deri në vitin 1924.
Të gjithë ata atdhetarë që i kemi mësuar në fragmente mësimesh nga historia, si Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Azem Bejta, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Mehmet Delia, Dan Derovci, Sali Rama, Ramadan Shabani, Sadik Rama, Zefi i Vogël, Ramë Binaku, Ilaz Reçaku, etj. (shih librin e Lush Culajt me titull: “Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës!), kanë qenë anëtarë të KMKK-së. Pra, ata nuk kanë qenë kaçakë, (në kuptimin e veprimeve individuale dhe kokëforta), por politikanë dhe luftëtarë për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb. Kryetari i KMKK, Kadri Prishtina në një rast ka shkruar:” Qëllimi dhe ekzistenca e komitetit tonë bazohen mbi çlirimin e Kosovës nga Serbia”, duke e përjetësuar synimin e brezave të tërë të shqiptarëve , deri te luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, lufta çlirimtare e popullit shqiptar të Kosovës nuk është shuar pas dështimit të rezistencës së armatosur të Isa Boletinit në vjeshtë të vitit 1912, kur hordhitë serbe pushtuan tokën e Kosovës, po ka vazhduar, duke u pasuruar edhe me një klasë politike shqiptare, e cila ishte e aftë ta udhëhiqte politikën dhe luftën. Ka qenë qëndrimi kriminal i Konferencës së Paqes (18 janar 1919- 21 janar 1920), ai që ka rikthyer Kosovën në ferrin e kthetrave serbe.
Mund të sajohet një pyetje edhe për dijenitë që kemi për Lidhjen e Dytë të Prizrenit, (shtator 1943), për Lëvizjen Nacional-Demokratike Shqiptare, (1945), si forca që luftuan me armë në dorë për çlirimin e Kosovës nga dhunuesi serb. Nuk mund të flas për një rezultat të qartë të përgjigjeve, sespe nuk i kam përfshirë në minihulumtim, por kam frikë se është pothuajse i ngjashëm me atë lidhur me MKK-në. Tash fajin mund t’ia lëmë periudhës titiste, kur vërtet ka qenë rreptësisht i ndaluar mësimi i historisë sonë kombëtare, mund t’ia lëmë bash kujt të duam, por rezultati do të mbetet po ai: ne kemi pak dije për historinë e luftërave çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës kundër pushtuesit serb.
Nga ana tjetër, janë bërë përpjekje çnjerëzore për të injektuar ampulën e “luftërave të përbashkëta’, të “fqinjësisë së mirë’, të “vëllazërim-bashkimit” dhe këto eksperimente kanë ndikuar bukur shumë në deformimin e pamjes sonë ndaj historisë sonë kombëtare. Fjala vjen, edhe sot ka shumë njerëz politikë, që janë të bindur se ka mundur të zgjidhet konflikti serbo-shqiptar për Kosovën “me mjete paqësore”, “me mirëkuptim fqinjësor”, “me demokratizimin e Serbisë’ e profka të tjera. Disa shkojnë edhe më larg dhe akuzojnë pikërisht UÇK-në, e cila sipas tyre, e prishi punën sepse po të mos e prishte “ ne do ta arrinim pavarësinë me mjete paqësore”.
UÇK- faktori që e rindezi zjarrin e lirisë kundër pushtuesit të egër serb
Kush i hanë këto llokume? I hanë ata që nuk e dinë të vërtetën për përmasat e konfliktit serbo-shqiptar, bile së paku nga pushtimi i Kosovës më 1912. Konflikti serbo-shqiptar është konflikt territorial. Dy kombe pretendojnë në të njëjtin territor, duke e konsideruar pronë të veten. (Kur jemi këtu të riaktualizojmë çështjen e pronave të tokave: shqiptarëve u janë marrë prona kolosale nga viti 1914 me “Urdhëresën për kolonizimin e viseve të aneksuara nga Mbretëria Serbe’, si dhe nga e ashtuquajtura “Reformë agrare” e vitit 1918. Do të duhej që të aktualizohej çështja e kthimit të atyre pronave pronarëve të ligjshëm). Serbët nga ana e tyre, kanë si argument “të drejtën historike”, për të cilën Kadri Prishtina tek i shkruante qeverisë amerikane në vitin 1919, thoshte: “E drejta e serbëve mbi Kosovën është edhe më e vogël se e drejta historike që kishin turqit për ta pushtuar Shqipërinë, Hungarinë, Bullgarinë, Serbinë”. Ndërsa, shqiptarët, me gjithë dëbimet e dhunshme, me gjithë uzurpimin e tokave nga kolonistët, me gjithë terrorin e egër shtetëror serb, mbetën të ngulitur në të drejtën e tyre konkrete, jetësore në këtë vend, dhe nuk reshtën së luftuari kundër pushtuesit serb, sa herë u erdhi ndoresh.
Megjithatë, duhet pranuar se pasojat e pushtimit të gjatë dhe të egër serb, në mendësinë shqiptare kanë lënë pasojat e rënda, edhe në aspektin e fshirjes së botëkuptimit për kontinuitetin e historisë së tyre përkatësisht të luftës çlirimtare kundër pushtuesit serb.
E vërteta është se shqiptarët e Kosovës kanë organizuar dhe kanë bërë luftëra të armatosura kundër pushtuesit serb, prej vitit 1912 e këndej, sa herë që u janë krijuar sado pak mundësi, por vlera e atyre luftërave çlirimtare nuk është deponuar e plotë në kujtesën tonë historike. Ndërsa, periudha pas shkatërrimit të LNDSH, ka qenë periudhë e një letargjie luftarake, kur është menduar se projekti i çlirimit mund të arrihej me punë ilegale, me vendosjen e flamujve, me demostrata dhe me politikë paqësore. Të gjitha ishin përpjekje atdhetare dhe të dobishme për të mbajtur gjallë frymën çlirimtare, deri në çastin kur u dukën shenjat e shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Por, ishin vetëm komponentat luftarake ilegale, të cilat u shndërruan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës faktor që e rindezi zjarrin e lirisë kundër pushtuesit te egër serb.
Sado me shkëputje, sado me shfytyrime, sado me ndryshime, mund të thuhet lirisht se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte vazhduese e asaj lufte çlirimtare të Isë Boletinit, të Komitetit Mbrojtja Kombëatre e Kosovës, të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare.
Kombet e konsoliduara historinë e kanë koherente, të pashkëputur. Një ngjarje e ndodhur para qindra vjetësh përjetohet si të kishte ndodhur dje.
Është koha e fundit që edhe ne të fillojmë ta përjetojmë ashtu historinë tonë.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.
Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD. Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...
-
Organizatorët e protestave antiqeveritare në Serbi kërkuan nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të paraqesë planin e tij për Kosovën ...
-
Erika Bruçi Kjo u lind ne Kanada dhe pikerisht eshte nga Vankuveri , u formua ne Kosovë (sh...
-
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...
-
- Nga Flori Bruqi Administrata e ish presidentit deri sotëm Joe Biden kishte prioritet diçka ...
-
Akademik Prof Dr Hakif Bajrami,PHD AAAS. STUDIM EKSPLIKATIV HISTORIK DHE FILOZOFIK QË SAKTËSON VIKTIMËN DHE AGRESORIN L ...
-
Shkruan: Akademik Prof.Dr.PhD Flori Bruqi Cincarët Cincarët (armanët, arumunët, vllehët ) janë një popull rom që jeton në Gadishull...
-
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
No comments:
Post a Comment