Edi Rama fyen gazetarët e pavarur të Kosovës


Edi Rama fyen gazetarët e pavarur të Kosovës


Arbana Xhara

Edi Rama ka ftuar këtë javë gazetarët në një pritje me rastin e Vitit të Ri. Kryeministri i Shqipërisë mbajti aty një fjalim me spica për punën e gazetarëve të Tiranës. U tha se aty ishin të ftuar edhe gazetarë nga Kosova. Por, Rama e përmendi vetëm një emër: të pashmangshmin Baton Haxhiu, të cilin e quajti me humor “ekspert për Serbinë” (në Tiranë) dhe “ekspert për Shqipërinë” (në Beograd). Nuk e quajti gazetar, por ekspert, që mund të interpretohet në mënyra të ndryshme.

Kishte edhe gazetarë të tjerë nga Kosova aty, të cilët e gjetën emrin para pjatave të mëdha. Ndikimi i disa prej këtyre gazetarëve në mendimin publik në Kosovë nuk është më i madh se dimensioni i pjatës që ua kishte vënë përpara Edi Rama. Ajo që binte në sy në pritjen për gazetarë në Tiranë: nuk u ftuan dy gazetat kryesore të Kosovës – “Zëri” dhe “Koha Ditore”, dy të përditshme me histori bukur të lavdishme në shtypin në gjuhën shqipe të Kosovës dhe me referenca të rëndësishme në mediet ndërkombëtare. Këtë fakt mund ta injorojë kabineti i Edi Ramës, por nuk do të arrijë ta shlyejë.

Jo që përgjegjësve të gazetave kryesore të Kosovës u ka mbetur merak të jenë në sallonin e stolisur të Edi Ramës, por seleksionimi skandaloz që kabineti i kryeministrit të Shqipërisë u bën gazetarëve të Kosovës është fyerje për publicistikën e pavarur të Kosovës, e cila – na falni për mungesë modestie – ka një traditë të ndritshme. Skandali bëhet edhe më i madh nëse listën e gazetarëve të Kosovës që duhet ftuar dhe të atyre që duhet përjashtuar e ka bërë ndonjë person jashtë zyrës së kryeministrit të Shqipërisë.

Nëse Qeveria e Shqipërisë ka lejuar të manipulohet kështu për një organizim në fund të fundit gazmor, atëherë athua si vepron në çështje më të rëndësishme për vendin? Asnjë bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të jetë i frytshëm nëse bëhet për interesa klanore. Tirana publike nuk mund të njihet me rrethanat në Kosovë nëse mediet e atjeshme e sajojnë “kosovarin” sipas qejfit të tyre dhe e shëtisin atë nga studio në sallon si kukull – pa marrë parasysh a quhet ky Baton Haxhiu apo Shkelzen Maliqi, i cili në Tiranë është këshilltar zyrtar i Edi Ramës dhe në Kosovë, analist pothuaj zyrtar i PDK-së. Ky rol i dyfishtë është i papërputhshëm në jetën publike dhe e shkatërron edhe imazhin e Edi Ramës në Kosovë.

Sot kryeministri Edi Rama do të vijë në Prishtinë, siç thuhet, në një debat me mediet dhe shoqërinë civile. Ky takim i tij nuk meriton asgjë më shumë përveç se bojkotim nga gazetarët e pavarur të Kosovës. Le të luajë lojëra të ndyra Edi Rama me “gazetarët” e tij, në fakt me ata që i vardisen për interesa antigazetarie. Me ta le të shkojë në Pekin, në Beograd e po deshi edhe në Moskë. Është punë e Ramës dhe këtu nuk e kemi ndërmend t’i përzihemi. Por, synimi i tij për të na e shitur sapunin për djathë ka dështuar më shpejt se ç’pritej.

Asnjë politikë në të mirë të shqiptarëve në Ballkan, asnjë qeveri në Tiranë, apo në Prishtinë, nuk mund ta realizojë duke i pasur propagandues pas vetes zërat e diskredituar të botës mediale shqiptare. Mbledhjet e përbashkëta të qeverive, si ajo në Prizren së fundi do të mbesin flluska sapuni nëse dizajnohen e përcillen me muzikë të të ashtuquajturve gazetarë që, në fakt, janë vetëm tregtarë ballkanikë të larë me të gjitha ujërat e turbullta politike.

Edi Rama ka dëshmuar gjatë qeverisjes së tij të deritanishme disa cilësi të cilat më shumë kanë të bëjnë me dukjen, performancën, salltanetin evropian, por kjo s’mjafton. Pas shkëlqimit duhet të shihen veprat në fushën e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, në forcimin e potencialeve shqiptare në Ballkan, në ndërtimin e infrastrukturës dhe shumë fushave të tjera. Sa për llafe e kemi pasur Sali Berishën me vite. Në raport me Kosovën Rama s’duhet të bëhet imitues i tij.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit