Lidhur me librin “E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë etnike IV”, botoi Shtëpia Botuese “Lumbardhi”, Prizren 2006
Po të vendosej në këmbë të shëndosha dhe po të udhëhiqej nga një mendje racionale, asnjë ideologji nuk do të merrte epitetin kundërkombëtare e antihistorike, ashtu siç është cilësuar ideologjia komuniste. Bazuar në atë që ndodhi me ne shqiptarët në 50 vjetët e fundit të shekullit të kaluar, përmasat shkatërruese të kësaj ideologjie, fatkeqësisht, akoma janë të prekshme.
Studiuesit e sesionit të katërt në Klinë, punimet e të cilëve janë përmbledhur të plota në vëllimin e katërt të librit “E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë etnike”, hedhin dritë mbi shumë ngjarje dhe personalitete të cilët në gjallje e ndjenë katrahurën komuniste. Pas vdekjes, mbi ta u hodh baltë dhe u mbuluan me tisin e harresës ideologjike, duke i shkaktuar dëme kulturës sonë, traditës letrare, ideologjike, artit etj. , Dëmet po i ndjejmë çdo ditë, edhe sot, qoftë në mënyrën e të menduarit, por edhe të rezonuarit, si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen, duke harruar qëllimisht të kaluarën, etj. , etj. Këtu duhet parë rëndësinë e jashtëzakonshme të sesioneve mbi të djathtën shqiptare, të cilat, për fat të mirë dhe punës së shkëlqyeshme që po bën Shtëpia Botuese “Lumbardhi” në Prizren e z. Nue Oroshi, duke i botuar në seri, paraqesin dokumente të vlefshme, të cilat, ndonëse nga reminishenca të shkencës historiografike enveriane mund të shihen me dyshim dhe përçmim, ato po bëhen pa asnjë dyshim, një kontribut i madh për të vërtetën historike. Dhashtë zoti, që me forcën dhe trurin tonë të shëndoshë kombëtar, këto sfida të rënda do të tejkalohen.
Këto fakte i kanë pasur shumë mirë parasysh studiuesit dhe autorët e kumtesave në sesionin e katërt “E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë etnike”, duke pasë temë bosht “Nacionalistët Shqiptarë në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike 1939- 1954).
“Është i gjatë vargu i emrave të krerëve intelektualë e atdhetarë shqiptarë, të cilët pasi kishin kryer shkollat më të mira evropiane, u vunë në shënjestër të komunizmit antishqiptar. Kështu ndodhi krimi i madh”, thotë studiuesi Willy Kamsi, në kumtesën e tij “Dhunimi i dijes e i kulturës shqiptare”.
”Kur u mbërrijt të kemi nji klasë intelektualësh, që ishte ndera e vendit, ra shplaka e komunizmit, për me shkatërrue me themel ate që kishte qenë ba, në dhjetëvjeçarët e parë e mbas Pavarësisë”, shkruan Kamsi. Ai vëren se “nji ndër qëllimet e para të komunizmit antishqiptar qe zhdukja e të gjithë atyne intelektualëve, që, me kulturën e përgatitjen e tyne, mund t’i vejshin nji ledh diktaturës komuniste, që ishte në varësi të plotë të anmiqve të kombit shqiptar”.
Lista e mendjeve të likuiduara është e madhe, ata dihen me emër dhe mbiemër, dihet edhe kontributi i tyre për artin, letërsinë, kulturën, traditën, folklorin, etj. Ekskomunikimi i veprës së tyre më vonë, pasi i larguan nga kjo botë me dorën e krimit, ka krijuar zbraztësi dhe varfëri të pakompenzueshme. Pasojat po shihen.
“Regjimi totalitar- komunist është hakërryer mbi letërsinë kombëtare”, thotë studiuesi nga Prishtina, Sinan Gashi. Një hakërrimë ideologjike në penat më të ndritura shqiptare të shekullit të kaluar, të cilët në mënyrën më çnjerëzore u ndoqën, u torturuan, u burgosën e u internuan. Disa syresh nuk dolën të gjallë kurrë nga burgjet e diktaturës. Pesonalitete, si ai i të madhit Atë Fishta u dhunua edhe së vdekuri, si paralajmërim për hakërrimën që do të pasonte më vonë mbi të gjallët.
Ata që u vunë në shënjestër të fallangave komuniste ishin të shumtë, burra e gra, priftërinjë e hoxhallarë, intelektualë, shkrimtarë, studiues, ekonomistë, njerëz të qarkut e të penës- të gjithë me një ideal- Shqipërinë, këtë zonjë të randë që nuk po e linin të mëkëmbej.
Secila kumtesë qëmton një moment të caktuar. Emin Fazlia shkruan për Halim Begenë-luftëtarin e qëndresës shqiptare; prof. dr. Mentor Quku sjell fragmente nga jeta dhe angazhimi atdhetar i Ndoc Jakovës- apostullit të shqiptarimës; prof. dr. Riza Sadiku shkruan për kontributin e Luan Gashit në afirmimin e çështjes shqiptare në mërgim, ndërkaq prof. dr. Islam Dobra i hedh një vështrim veprimtarisë politiko- luftarake dhe kombëtare të Halil Bajraktarit. Një figurë tjetër e nderuar dhe me autoritet të palëkundur është Sak Fazlia- Bajrakatari i Rugovës, që e sjell për lexuesin Fazli Muriqi; prof. dr. Muhamet Shatri qëmton figurën e Bardh Isuf Gashit dhe kontributin e tij të shquar në lëvizjen tonë kombëtare, ndërkaq studiuesja Teuta Shala jep profilin atdhetar të Demë Ali Pozharit.
Gjenocidi komunist ndaj trurit të kombit, ndërgjegjes së ngritur atdhetare nuk njohu kufijtë etnikë shqiptarë. Është e çuditshme, por një fakt shumë domethënës- shqiptarët ndonëse të ndarë e të copëtuar në shumë shtete, një gjë e kishin të përbashkët- terrorin komunist; ku më pak e ku më shumë, diku më haptaz e diku të kamufluar, por me një synim të qartë- zbehjen e qenies kombëtare- krijimin e një njeriu të ri, të çliruar nga ndjenja fetare, ideologjike, patriotike- një zombi do të thoshte njeriu i madh i penës, Teki Dërvishi.
Njëjtë ishte situata, si në Mirditë e në Lumë, në Rrafsh të Dukagjinit e në Lug të Baranit, në Rugovë e në Drenicë dhe në vise tjera, në Maqedoni e Sanxhak, Luginë të Preshevës e Çamëri.
Sqarimi i rrethanave historike nga periudha e sundimit komunist në Shqipëri dhe e komunzimit dhe pansllavizmit në Kosovë, në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi, kërkon punë të parreshtur. Sesionet e tilla mbi të djathtën shqiptare për ditë e më tepër po arrijnë qëllimin e tyre- së pari njohjen e një realiteti historik, si parakusht për ecje përpara. Nuk janë të rrallë lexuesit, të cilët habiten me informacionet e ofruara, me një konfiguracion dhe format të paparë më parë.
Por, çfarë ngjet sot. Mungon pendesa si shenjë mosreflektimi, do të thoshte studiuesi lumjan, Petrit Palushi, apo siç thekson studiuesi Mërgim Korça në studimin e tij “Problemi kolaboracionizëm” duke folur me gjuhën e Rabindranat Tagorës: “Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara duke e ndërtuar të tashmen, nuk ka se si të ketë të ardhme. Ai është i destinuar të zhduket”.
Një një rajon të trazuar dhe me tension siç është Gadishulli ynë ku në fjalorin elementar të komunikimit njerëzit shenjëzohen si patriotë e tradhtarë- është vështirë të pranohet e vërteta e mohuar. Por, përpjekjet nuk duhen ndalur, sepse kemi nevojë për të vërtetën, për të davaritur errësirën, që në trojet tona numërohet edhe shekuj. Borxhi ndaj së kaluarës duhet larë duke i sqaruar brezit të ri historitë tragjike të një kohe, të një sistemi. Ky është amaneti i shenjtë i njerëzve që nuk ua dimë as varret. Shikuar në këtë dritë, sesionet mbi të djathtën shqiptare po godasin tamam cakun.
Fare në fund!
Do të ishte mirë që autorët t’i përmbahen temës bosht të paraparë për një session dhe konfigurimin e saktë kohor brenda periudhës së përcaktuar. Pra, një qasje metodologjike e shkencore më e saktë. Kjo do të ishte me ndihmesë për studiuesin dhe lexuesin e rëndomtë, i etur për dije të vërtetë.
No comments:
Post a Comment