“Një herë më është dhënë rasti që të takoja Bilal Xhaferin vetëm për pak minuta, verën e vitit 1967. Midis të tjerash, pasi e urova për vëllimin e parë që kishte nxjerrë, u ndala te novela ‘Tej kaltërsive’ e i thashë se ai i kishte të tëra dhuntitë që duke shtuar linja dhe ngjarje të reja, të shkruante një vepër që do të kishte sukses të jashtëzakonshëm. ‘Keni të drejtë,- më tha – edhe të tjerë këtë mendim më kanë shprehur’…Duke jetuar prej disa vitesh në SHBA, më lindi ideja që duke pasur si bazë novelën ‘Tej kaltërsive’, të shkruaja një roman me titullin “Dashuria e gdhendur në shkëmb”, – kështu shprehet shkrimtari Skifter Këlliçi, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Amerika për të promovuar dje në mjediset e MTKRS-së dy romanet e tij të fundit, “Dashuri e gdhendur në shkëmb” dhe “Atentat në Paris”. Romani i tij me titull “Dashuri e gdhendur në shkëmb”, shkruar sipas motiveve të romanit të famshëm “Tej kaltërsive” të shkrimtarit disident Bilal Xhaferi, ka një historik vërtet interesant, i rrallë për letërsinë shqipe. Në vitin 1967 dy të rinj, Bilal Xhaferi dhe Skifter Këlliçi, në mënyrë të pavarur frymëzohen nga e njëjta temë: kryengritja e madhe e ilirëve në vitet 6-9 kundër Romës, nën komandën e Batos së Desidiateve. Bilal Xhaferi boton me këtë temë novelën “Tej kaltërsive”, ndërsa Skifter Këlliçi asokohe gazetar i redaksisë së kulturës në Radio Tirana, shkruan për rubrikën “Heroizmi i popullit tonë në shekuj” një radiodramë të shkurtër kushtuar kësaj kryengritjeje. Gazetari i dikurshëm i Radio Tiranës, tani shkrimtar, vendosi që atë që nuk arriti ta shkruante Bilal Xhaferi, ta vazhdonte ai. Fillimisht u konsultua me shkrimtarin dhe kritikun Bashkim Kuçuku dhe vetëm pasi mori edhe pëlqimin e motrës së Bilal Xhaferit, Anika Myrto, shkroi romanin ese “Dashuri e gdhendur ne shkëmb”. “Sipas dëshmive, Bilal Xhaferi krijoi në mërgim në Amerikë vepra të cilat humbën gjatë djegies së zyrave të revistës ‘Krahu i Shqiponjës’, të cilat ndodheshin në Çikago, qytet ku vdiq në rrethana ende të paqarta në vitin 1986 edhe shkrimtari. Nuk dihet nëse midis veprave të djegura të ketë qenë edhe ndonjë variant i ripunuar dhe i zgjeruar (ashtu siç i kishin sugjeruar) i novelës “Tej kaltërsive”, e me sa duket nuk do të dihet kurrë”, — kujton Këlliçi. Një tjetër vepër e frymëzuar nga historia kishte sjellë në këtë promovim shkrimtarin shqiptaro-amerikan. Romani dossier siç e quan autori “Atentat në Paris”, vjen në këtë botim të dytë i ripunuar prej tij dhe në siglën e shtëpisë botuese Ombra GVG. Ky roman ka në qendër atentatin që Avni Rustemi kreu kundër Esat Pashë Toptanit. Në promovimin e dy librave të Skifter Këlliçit, miq, kolegë, gazetarë dhe shkrimtarë, studiues etj., u shprehën për vlerat e këtyre botimeve, të cilat ruajnë me fanatizëm gjuhën e pastër shqipe.
Floripress
*******
Skifter Këlliçi: Njohja me Bilal Xhaferrin më frymëzoi për librin
NGA DHURATA HAMZAI
Duke jetuar prej disa vitesh në SHBA, shkrimtarit i shfaqet para sysh vizioni që ka patur prej të vetmit takim me Bilal Xhaferrin. I kanë mbetur në mendje kaçurelat e zeza, portreti i tij. Nuk do ta harronte imazhin e tij, as çastin që e lidhi shpirtërisht me poetin. Gjatë gjithë jetës kishte ndjesinë se kërkonte që të bisedonte me të. Prej vitesh jetonte me mbresat e novelës "Tej Largësive" të Bilalit. Motivet e veprës së tij tashmë ishin bërë edhe të tijat. Por, Bilalin nuk e pa më që t'i thoshte. Në këtë intervistë, Skifter Këllici rrëfen si erdhi takimi i parë dhe i fundit me Bilal Xhaferrin dhe cili ishte misteri që e shtyu për të ngjizur një roman mbi themelet e veprës së tij. Namik Mane, shkok i ngushtë i B. Xhaferrit tha dje se "kur është botuar "Përtej largësive", piktorja Safo Marko e sheh duke ngjitur shkallët e shtëpisë botuese "Naim Frashëri" del dhe e ndalon Bilal Xhaferrin. "Ku je, ore Bilal Xhaferri, që me tregimin "Përtej largësive" ke çmendur të rinj e pleq"? Mes kësaj atmosfere kujtimesh, shkrimtari Skifter Këlliçi ka promovuar në Ministrinë e Kulturës romanet "Dashuri e gdhendur në shkëmb" dhe "Antetat në Paris". Edhe pse u fol edhe për vlerat e romanit "Antetat në Paris", shkrimtari me modesti drejtoi vëmendjen e të pranishmëve tek romani tjetër, duke e kthyer promovimin e veprave të tij në një homazh për të nderuar kujtimin e Bilal Xhaferit.
"Dashuri e gdhendur në shkëmb", vërtetë ka një histori të marrëdhënies suaj me shkrimtarin Bilal Xhaferri?
-Historia e këtij romani lidhet me takimin e parë dhe të vetëm që kam pasur me Bilal Xhaferrin në vitin 1967. Nuk e kisha takuar ndonjëherë. Isha me Fatos Arapin dhe ndërsa ai po vinte drejt nesh, Fatosi ma prezanton: "Ky është Bilal Xhaferri". "Ooh", hidhem unë entuziast, sepse e admiroja prej shkrimeve të tij. Ishte i pamshëm, por me një çehre të bardhë, i fikur në fytyrë, i dobësuar. Nuk prita dhe i thashë se ti ke shkruar një shkrim interesant, ndërsa i sugjerova se do të ishte akoma më e bukur të zgjerohej si roman. Ai i mirëpriti këto sugjerime, por nuk di nëse e shkroi si roman, sepse biblioteka e tij në Çikago u dogj. Nuk ka mbetur asgjë.
Ju mendoni se Bilal Xhaferri mund ta ketë shkruar edhe si roman?
-S'ka të thëna, sepse biblioteka iu dogj. Ndaj unë mendova që mbi motivet e atij romani, për ta përjetësuar Bilal Xhaferrin, të shkruaj "Dashuri e gdhendur në shkëmb". Romani është i lëvruar me frymën e Bilal Xhaferrit. Rrjedha e ngjarjeve vazhdon në stilin dhe në mendësitë e tij. Novela "Tej largësive" gjendet e përfshirë në veprën "Tokë e re njerëz të lashtë", botuar në vitin 1968 dhe është një nga tregimet më të mira të këtij vëllimi.
Për të bërë veprën, çfarë iu frymëzoi konkretisht?
-Më frymëzuan karakteri, mjediset, lufta e prijësit të Ilirisë Batos kundër pushtimit romak. Por mbi të gjitha këto vëreja një stil të njëjtë.
Por, duke e ditur se kur shkruat librin Bilali nuk ishte gjallë, nuk patët merak se do të mendohej ky veprim si kopjim stili?
-Jo është gjë tjetër. Vepra ime ka në themele fabulën e veprës së Bilal Xhaferrit si një gjetje artistike. Më parë këtë mendim unë ia kam shprehur kritikut të njohur Bashkim Kyçyku. Ai u tregua entuziast për linjat, personazhet dhe ngjarjet që do të shtroja në variantin e ri. Më vonë mora dhe pëlqimim e motrës së Bilalit, zonjës Anika Myrto.
Pas kaq vitesh, si e sillni ndër mend Bilal Xhaferrin?
-Për mua Bilali kishte një horizont të gjerë kulturor, të cilin e pasyqonte në poezitë e tij dhe në shkrimet e tjera. U rrit në ambjent të ndrydhur, e mposhti lufta e klasave. Babai i tij ishte pushkatuar dhe ai e vuajti këtë luftë e klasash, deri në atë masë sa ia ndërprenë të drejtën e botimit. Më erdhi një mesazh gjatë mungesës, se ky njeri duhej të kishte një vazhdimësi në krijimtari dhe u binda se kjo vazhdimësi do të vinte pas vdekjes së tij në shpirtin e një tjetri. E ndjeva kështu dhe m'u dha mua ta konceptoja të tillë këtë vepër.
A nuk duket sikur ju keni provuar të keni një lloj telepatie apo mishërimi shpirtëror?
-Pikërisht, kjo ka qenë. Por kjo ka qenë edhe drojtja ime derisa e nxora librin në dritë. Ata që e kanë lexuar e kanë pëlqyer. U them se bazament është vepra e Bilal Xhaferrit, frymëzimi është prej tij.
Dhe ju keni kërkuar të behet skenar filmi, duke propozuar edhe edhe me një kërkesë në Hollivud. Pse mendon se Hollivudi do të kishte interes për historinë Ilire?
-Gërshetohen motivet dhe detajet me historinë e Romës dhe Ilirisë dhe mendoj se ka intrigë të mjaftueshme për një film.
Më thatë se janë djegur librat e Bilal Xhaferit, keni ndonjë informacion sesi ka ndodhur kjo?
-Jo të plotë, di vetëm se çdo gjë që ka shkruar i është djegur. Nuk di kush e ka bërë këtë, Sigurimi i Shtetit apo ka qenë vdekje natyrale. Që i është djegur çdo gjë e mësova nga biseda me Bashkim Kyçykun. Bilali bibliotekën e ka pasur në shtëpi dhe s'ka asnjë dokument tjetër që të provojë se ky njeri e ka vazhduar krijimtarinë. Ka ndonjë subjekt skenari, por me përjashtim të publicistikës së tij që është botuar te "Krahu i Shqiponjës" nuk dihet më çfarë i është botuar.
Në cilat vite bëhet fjalë se ka ndodhur kjo djegie?
-Në vitet 1987 ose 1988 kur ai u vra ose vdiq...
Kur u vra ose vdiq, thatë....?!
-Nuk dihet akoma. Versioni zyrtar është që vdiq, por unë për fat të keq nuk kam mundur të gjej fakte të tjera, por Bashkim Kyçyku ka bërë disa kërkime që mbeten të vetmet të dhëna mbi krijimtarinë e Bilal Xhaferrit.
No comments:
Post a Comment