2014-12-16

SERBIA E TANDEMIT TADIQ-KOSHTUNICA E “BOMBARDOI” DIALOGUN E VJENËS, SIKURSE SLOBODAN MILOSHEVIQI MARRËVESHJEN E RAMBUJESË NË FRANCË (!)



Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Në Vjenë, më 10 Mars 2007, nuk u nënshkrua kurrfarë “marrëveshjeje historike” për Kosovën, por në Nju-Jork, së shpejti, pas “raportit” të Marti Ahtisarit, pritet të miratohet rezoluta e re për fatin e Kosovës, e cila, sipas të gjitha gjasëve, po qe se Rusia e mbështetë atë me votën e saj “pro” në kuadrin e KS të Kombeve të Bashkuara, atëherë, ai, pa dyshim, do të jetë vendim i imponueshëm për të dyja palët në konflikt.

Në “temën” dialogu i Vjenës, gjatë dy viteve të fundit kam shkruar disa herë radhazi, me konstatimin se, ai do të jetë vetëm një bjerrje kohe e “shuttle diplomacy” të OKB-së dhe, “ekskursion politik” i mirëseardhur (për ta vizituar Vjenën, Beogradin dhe Prishtinën, në emër të zgjidhjes së “çështjeve teknike” dhe të “problemit” të drejtave të pakicës serbe të Kosovës) për dy grupet negociuese shqiptare-serbe, përfaqësuesit e të cilave pothuaj se dy vjet rresht (gjatë 17 takimeve të tyre tete a tete) e patën “bombarduar” opinion publik të brendshëm dhe të jashtëm me teza manipuluese dhe me hipoteza premtuese boshe apolitike se janë në rrugën e mbarë të arritjes së “kompromisit historik” për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Mirëpo, “finalja” e bisedimeve të Vjenës, më 10.03.2007, provoi të kundërtën, provoi vlerësimin tim me bazë të qëndrfueshme se në dialogimin shqiptaro-serb të Vjenës nën drejtimin e mediatorit ndërkombëtar të KS të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, nuk u arrit, as nuk u nënshkrua kurrfarë marrëveshje me karakter historiko-politik dhe diplomatik në favor të zgjidhjes së problemit kolonial të Kosovës, por u arrit kapitullimi ndërmjet palëve negocuese, sepse pala serbe nuk ra në ujdi për të miratuar Planin propozues të Marti Ahtisarit për t’u jetësuar kompromisi politik lidhur me çështjen e Kosovës ngase sipas “dioptrisë diplomatike” të serbomëdhnjeve si Plani, ashtu edhe autori i saj, Marti Ahtisari “ ishin në favor të pavarësisë dhe të delegacionit shqiptar”. Ky konstatim subjektiv dhe i njëanshëm i palës serbe nuk është kurfarë novus-i i kursit “prodemokratik perëndimor” të Beogradit zyrtar, por është kopje e origjinalit të platforms së politikës shtetërore të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, e cila për të njëjtat motive antishqiptare dhe antiperëndimore e pat “bombarduar” Marrëveshjen e Rambujesë në Francë, më 18 Shkurt 1999.

S’ka asnjë dyshim se “samiti” i nivelit të lartë ndërkombëtar i Vjenës, më 10 Mars 2007, ishte shansi historik për Serbinë, që të arrinte kompromisin politik maksimal me shqiptarët i organizuar dhe i mbajtur nën drejtimin e Marti Ahtisarit, emisar special e KS të Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ku veç delegacioneve negociuese zyrtare shqiptare–serbe të Prishtinës dhe të Beogradit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, të Bashkimit Evropian dhe të Aleancës së Atlanitkut Verior-NATO, ishte shansi historik dhe më oportun për Serbinë, që të realizonte kërkesën maksimale të arritjes së kompromisit politik me palën negociuese shqiptare, sepse kompromis tjetër (veç “pavarësisë së kushtëzuar”, të përkohshme, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare), nuk mund të ketë, as nuk mund të pritet për Serbinë dhe për serbët as në mbledhjen e ardhshme të KS të KB-së, pavarësisht nga fakti se si do të pozicionehet Rusia në rastin konkret, me rastin e marrjes së vendimit për Kosovën nga ana Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mirëpo, me gjithë angazhimin serioz të këtyre faktorëve relevantë të bashkësisë ndërkombëtare, epilogu i tij ishte vetëm një zero e madhe në “konton aktive” të diplomacisë ndërkombëtare ngase Serbia prerazi e hudhi poshtë Planin e UNOSEK-ut për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Bankroti

Përkufizimin e bankrotit të “samitit” dyvjeçar të Vjenës, në mënyrën më ilustrative dhe më domethënese, e pasqyron ky konkluzion vlerësues përmbyllës i kryeshefit të UNOSEK-ut në Vjenë, Marti Ahtisari : “ Përpjekjet e mia për zgjidhjen e çështjes së Kosovës përfundojnë me këtë takim të sotshëm, sepse gjatë afatit 14 mujorë (2005-2007) brenda të cilit janë zhvilluar 17 runda të bisedimeve direkte, si dhe 26 misione të ekspertëve, të dërguar në Beopgrad dhe në Prishtinë, të dyja palët kanë dëshmuar se nuk ekziston mundësia për gjetjen e qëndrimit të përbashkët për statusin e Kosovës. Së këndejmi, konsideroj se i kemi shteruar të gjitha mundësitë për arritjen e kompromisit. Prandaj, nuk ekziston më nevoja për vazhdimin e bisediemve të mëtejme, sepse nuk do të sjellin kurrfarë ndryshimi. (UNOSEK,/PR/19, Saturday, March 10, 2007).

Me gjithë këtë konstatim objektiv të Marti Ahtisarit (emisar special i KS të OKB-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës), epilogu dështues i dialogut serbo-shqiptar të Vjenë, ka qenë i ditur qysh para dy vitesh, domethënë, para se ai, të fillonte si i tillë, pikësëpari, për shkak të këtyre dy koncepteve themelore dhe asimetrike të palëve në konflikt: (1) Serbia “demokratike properëndimore”, e drejtuar nga tandemi Boris Tadiq dhe Vojislav Koshtunica me çdo kusht ishte kundër pavarësisë së Kosovës, ashtu sikurse Serbia gjenocidale e Slobodan Milosheviqit (1989-1999), kurse (2) Pala shqiptare, gjithashtu, me çdo kusht është për njohjen e pavarësisë së Kosovës sipas Planit të Marti Ahtisarit (edhe pse askund në paragrafët e dispozitave të tij nuk figuron nocioni “pavarësi”, por sipas interpretimit të “ekspertëve”-përfaqësuesve të grupit të kontaktit shqiptar, ajo “nënkuptohet mes rreshtave”, edhe pse nuk përmendet në asnjë rresht të Planit të Marti Ahtisarit, të hartuar nga specialistët e zyrës së tij, të quajtur UNOSEK në Vjenë.

Shikuar në prizmin e utopizmit politik të “ekspertëve” të grupit të kontaktit shqiptar nga Prishtina, edhe pse koncepti “pavarësi” ësht flakur nga plani i Ahtisarit, heshtazi ajo “nënkuptohet”, sepse është fjala për njohjen e “pavarësisë së kushtëzuar”, jo për pavarësinë e plotë jashtë kontrollit ndërkombëtar. Në këtë kuptim, edhe është mbështetur plani i Marti Ahtisarit nga grupi i kontaktit, nga qeveria,nga parlamenti dhe nga kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Pra, përgjegjësia për bankrotin e dialogut të Vjenës, nuk mund të kërkohet nga ana e palës shqiptare, por nga veprimet dhe nga opstruksioni sistematik i grupit të kontaktit serb nga Beogradi, i cili gjatë 14 muajve (2005-2007) të bisedimeve me palën shqiptare, nuk ndryshoi pikëpamjet dhe qëndrimet e politikës zyrtare të qeverisë dhe të parlamentit të Serbisë në kundërshtimin dhe në hudhjen poshtë të pavarësisë së Kosovës. Kjo është arsyeja kryesore dhe e fundit pse Serbia përmes grupit të saj të kontaktit, kryetarit Boris Tadiq dhe kryeministrit të saj, Vojislav Koshtunica, e “bombardoi” dialogun e Vjenës, më 10 Mars 2007, me shpresë se “vetoja” e Rusisë, do ta shpëtojë në sesionin e ardhshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju-Jork, i cili, sipas parashikimit të Marti Ahtisarit, pritet të mbahet në fillim të Prillit të këtij viti.

Si rrjedhim i keqkuptimit të “asimetrisë” politike të konceptit të “pavarësisë” së pashkruar në draftin propozues të Marti Ahtisarit, në fund, erdhi në shprehje edhe refuzimi i plotë i tij nga pala negociuese serbe me në krye Boris Tadiq (kryetar i Republikës së Serbisë dështimi katastrofik i dialogut dyvjeçarë të Vjenës.

Ja, se si aktorët kryesorë të “samitit” përfundimtar në Vjenë, e justifikuan “rezymen” e dështimit historik: - Së pari, kryetari i Serbisë. Boris Tadiq, deklaroi se : “ Propozmi i Marti Ahtisarit është thelbësisht i papranueshëm për Serbinë, sepse i hapë rrugë pavarësisë së Kosovës dhe, nuk e përfill sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, kështu që e vë në pikëpyetje integritetin e saj territorial.” (Reuters, 10,03.2007). Në këtë ton është shprehur, edhe kryeministri i qeverisë së Serbisë, Vojislav Koshtunica: “ Me gjithë faktin se grupi negociator serb gjatë bisedimeve në Vjenë, tregoi gatishmërinë për pajtimin historik me shqiptarët, duke i sugjeruar palës shqiptare “autonomi substanciale” për zgidhjen e statusit të Kosovës, plani i Ahtisarit bie ndesh me platformën e qeverisë serbe, sepse direct e cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.”(Po aty,10.03.2007). Sipas përmbajtjes së këtyre dy deklaratave me “emërues të përbashkët” të matematikës politike të kryetarit dhe të kryeministrit të Serbisë, të pasyruara në sesionin përmbyllës të “minisamitit” të UNOSEK-ut në Vjenë për Kosovën, del se, shkaku kryesor pse grupi i kontaktit serb i Beogradit e ka refuzuar kategorikisht planin e Marti Ahtisarit, është “mohimi i sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën”(!?)

Vërtet, plani i Ahtisarit mund të kritikohet pse në asnjë dispozitë të tij nuk e ka sanksionuar, as nuk e ka saktësuar institutin e sovranitetit, por nga pala shqiptare, jo nga pala serbe, sepse Serbia, as serbët nuk gëzojnë asnjë “përqindje” sovraniteti mbi Kosovën, sepse kjo historikisht, gjeopolitikisht, jurikisht dhe territorialisht i përket Shqipërisë Etnike dhe shqiptarëve autoktonë, e jo në asnjë mënyrë serbomëdhenjve grabitçarë pushtues, e as Serbisë kolonialiste gjenocidale, e cila që nga viti 1912, me ndihmën e fuqive të mëdha evropiane i ka copëtuar dhe i ka aneksuar në llogari të territorit të saj: Kosovën, Anamoravën dhe Iliridën nga trungu indigjen territorial i Shqipërisë Etnike. Këtë të vërtetë historike mbi Kosovën, Anamoravën dhe mbi Iliridën, do të duhej ta kenë ditur, edhe Boris Tadiqi, edhe Vojislav Koshtunica, edhe Vuk Drashkoviqi (ministër i jashtëm i Serbisë, si dhe “argatët” e tjerë të grupit negociues serb në Vjenë. Me një fjalë, edhe garnitura e sotme politike e Serbisë, e drejtuar nga Boris Tadiq dhe nga Vojislav Koshtunica etj., duhet të heqin dorë nga politika e tyre utopiste, mitologjike serbomadhe se “Kosova është pjesë e territorit integral të Serbisë”(!?)

Kjo është arsyeja kryesore pse Serbia nuk ka kurrfarë të drejte historike, ligjore, politike, as morale, që të kërkojë nga bashkësia ndërkombëtare njohjen e vazhdimësisë së sovranitetit të saj mbi Kosovën, sepse ajo kurrnjëherë nuk ka qenë tokë serbe, por tokë shqiptare dhe e Shqipërisë etnike. Në këtë pikë, Serbia nuk ka asnjë të drejtë t’i kritikojë as shqiptarët, as Marti Ahtisarin e as bashkësinë ndërkombëtare, duke u thirrur në respektimin e së drejtës ndërkombëtare, kur mirëfilli, tanimë këtu e 100 vjet më parë Serbia ka ushtruar sovranitetin absolut kolonial mbi Kosovën, mbi Anamoravën dhe mbi Iliridën. Pra, në këtë kontekst, fjala është për sovranitetin kolonial joligjor të Serbisë mbi Kosovën dhe mbi territoret e tjera të Shqipërisë Etnike. Prandaj, kompromisi politik nuk mund të arrihet mbi këtë bazë, pavarësisht nga politika kërcënuese dhe e paekuilibruar e Serbisë dhe e serbëve, se po qe Kosovës do t’i njihet pavarësia, atëherë do të përdorin mjete të tjera të politikës së forcës për ta copëtuar Kosovën (të paktën Mitrovicën Veriore së bashku me minierën “Trepça”, e cila në “vijimësinë historike” ishte një nga manastiret më të mëdha dhe më të dobishme ekonomike dhe politike të Serbisë, përkatësisht të Jugosllavisë), sipas zonave të enklavizuara dhe të bunkerizuara të shtrirjes së minoritetit serb në Kosovën shqiptare.

Sugjerimi i doktrinës serbo madhe “lebensraum“ versus Planit të M.Ahtisarit dhe Kartës së OKB-së

Riaktualizimin e doktrinës nazifashiste “lebensraum” famëkeqe gjenocidale serbomadhe antishqiptare, që edhe sot, në fillimshekullin XXI është në funksion të ricopëtimit dhe të rikolonizimit të territorit dhe të popullësisë shqiptare të Kosovës, në favor të zgjerimit të kufijëve territorialë dhe të sovranitetit kolonial shtetëror të Serbisë së Madhe, e dëshmoi edhe kërkesa e shtruar decidive e tandemit Tadiq-Koshtunica bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht Marti Ahtisarit, që të vazhdojë negociatat e mëtejme me palët në konflikt, por që në focus të propozimit të tij, të përfshijë “elementet kryesore të Rezolutës 1244 për Kosovën të KS të Kombeve të Bashkuara (10.06.1999), e cila Serbisë i garanton Serbisë sovranitetin mbi Kosovën, si dhe paprekshmërinë e kufijeve të saj territorialë.” (VN,10.03.2007).

Parashtrimi i kësaj kërkese me përmbajtje antihistorike, antijuridike dhe antidemokratike në takimin përfundimtar të Vjenës nga ana presidentit dhe e kryeministrit të Serbisë, Boris Tadiq dhe Vojislav Koshtunica, provoi qartazi (qëllimin e fundit pse Serbia e “bombardoi” dialogun e Vjenës më 10 Mars 2007) se në çfarë stadi “ka pësuar metamorfozë” politika antishqiptare e Serbisë ndaj çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve, edhe pas përmbysjes së regjimit gjenocidal të “vozhdit” gjithëserb, Slobodan Milosheviq, i cili për shkak të mosrealziimit dhe të “modernizimit” të doktrinës së vjetër nazifashiste çetnike serbomadhe “lebensraum” në kurriz të Kosovës, të Kroacisë dhe të Bosnjës, edhe bëri vetëvrasje në burgun hetues të Gjykatës Ndërkombëtare në Hag, më 3 mars 2006.

Pikërisht, shtruarja e kësaj kërkese nga krerët e Serbisë, që të mos ndryshohet Rezoluta 1244, nxori në shesh “gatishmërinë” e palës serbe për arritjen e kompromisit me palën shqiptare në Vjenë. Për të “jusitifikuar” këtë kërkesë jashtë kohe dhe jashtë ligji (sepse po të mos ishin stërpjekur kushtet dhe rrethanat politike në terren, sigurisht se as OKB-ja, e as Amerika nuk do të kishin kërkuar para dy vitesh, që të fillonte procesi i negociatave ndërmjet palës shqiptare dhe asaj serbe. Domethënë, bashkësia ndërkombëtare ka ardhur në përfundim të prerë se patjetër dhe, sa më par të jetë e mundur, që të ndryshohet Rezoluta 1244 e KS të KB-së për Kosovën. Ndryshe, nuk do të ekzistonte asnjë arsye që gjatë 14 muajve të shkuar (2005-2007), të zhvilloheshin kurrfarë bisedimesh në Vjenë, në Beograd dhe në Prishtinë palët në konflikt nën monitorimin e përfaqësuesit, të caktuar të OKB-së, Marti Ahtisarit etj.) tandemi qeveritar serb Tadiq-Koshtunica, para së gjithash, pa asnjë argument, e fajësuan Marti Ahtisarin nën akuzën e pabazë dhe vulgare se me planin e tij, “mënyrë absolute favorizonte vetëm interesat e palës shqiptare, gjë që kjo, njëherazi, edhe ishte shprehje e animozitetit ndaj gjetjes së kompromisit. Çështja e statusit të Kosovës, është margjinalizuar tërësisht gjatë gjithë bisedimeve të zhvilluara, në mënyrë që në fund, të hartohej dokumenti (aludimi në Planin e Ahtisarit – mh) ku pas asnjë arsyetim Kosovës i ofrohet pavarësia…” (VN, 10.03.2007).

Në këtë frymë të kriticizmit radikal shovinist serbomadh, që rrënjët i ka në doktrinën serbomadhe “lebensraum” të Serbisë së Ilija Garashaninit (1842), të Slobodan Milosheviqit(1989)…, etj, si dhe të Kishës Orotodokse Serbe, tandemi Tadiq-Koshtunica, duke e keqpërdorur “foltoren” e Marti Ahtisarit në Vjenë, më 10 Mars 2007) apeloi me bindje se “ KS i Kombeve të Bashkuara, do ta respektojë aktin më të lartë-kushtetutën botërore-Kartën e OKB-së” (VN,10.03.2007). Në këtë sfond, udhëheqja serbomadhe e Beogradit me në krye B. Tadiqin dhe me v. Koshtunicën hapazi thërrasin që, KS ta respektojë me konsekuencë Kartën e OKB-së, por kuptohet vetëm në favor të mbrojtjes së interesave dhe kërkesave jolegale të Serbisë, e cila kursesi nuk po gjen rrugën e drejtë dhe të arsyeshme që të shkundet nga bagazhi njëshekullor i politikës së regjimeve kolonialiste serbe karshi Kosovës dhe shqiptarëve (në kuptim të ngushtë), së fundi, edhe pas kryerjes së krimeve gjenocidale të Serbisë së Slobodan Milosheviqit në Kosovë (1989-1999), me paturpësi po kërkon që të mos ndryshohet Rezoluta 1244, sepse ajo vërtet, edhe është e vetmja garanci në letër, që Serbisë si “sukcesore” e ish-RSFJ-së, i garanton sovranitetin mbi Kosovën. Mirëpo, duhet të nënvizojmë se në këtë rast konkret, si Serbia, ashtu edhe KS i Kombeve të Bashkuara janë në gabim, dhe se nuk kanë kurrfarë të drejte ligjore, që të këmbëngulin në mbrojtejn e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën, sepse kjo “kredi” ilegale (në shpërputhje me të drejtën historike dhe me të drejtën ndërkombëtare të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike) është konsumuar këtu e 100 vjet të shkuara, sepse ai sovranitet kishte plotësisht karakter kolonial hegjemonist ( i shtrirë me forcë dhe me gjenocid mbi shqiptarët dhe mbi territorin etnik të tyre siç janë: Kosova, Anamorava dhe Ilirida), e jo ligjor, ashtu siç po gënjen, po falsifikon, dhe po manipulon në sy të botës politika, propaganda, diplomacia, shkenca dhe Kisha Ortodokse Serbe. Pra, në këtë kontekst, nuk do të vijë në shprehje që KS i OKB-së, ta rikonfiromojë Rezolutën 1244 për Kosovën, edhe pse kjo do ta “shpëtonte” Serbinë, që edhe më tej Kosovën ta konsideronte si “plaçkë” koloniale të saj, sepse edhe ajo, tanimë është e tejkaluar (edhe pse Rezoluta 1244 ishte me difekte juridike për Kosovën) ngaqë ka pasur vetëm karakter të përkohshëm, e jo, kursesi karakter i përfundimtar të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Prandaj, tanimë, për shkak të krijimit të kushteve dhe të rrethanave politike dhe demokratike në Kosovë (pa tutorinë e sistemit kolonialist shtetëror të Serbisë në Kosovën shqiptare), Këshilli i Sigurimit të OKB-së, është i obligueshëm që në saje të Planit propozues të Marti Ahtisarit, të nxjerrë rezolutën e re për Kosovën, u pëlqeu kjo apo jo serbomëdhnjeve të pushtetit shtetëror të Serbisë, siç janë Boris Tadiqi (president), Vojislav Koshtunica (kryeministër) dhe Vuk Drashkoviq (ministër i jashtëm).

Veto-ja e Rusisë

Pas dështimit të dialogut të Vjenës si shkaktar dhe pasojë e drejtpërdrejtë e bojkotimit dhe e bllokimit 2-vjeçar të Beogradit zyrtar, Serbia dhe serbët ushqejnë të vetëmen shpresë se në sesionin e ardhshëm, që do të bëhet në Nju-Jork në kuadrin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do t’i “shpëtojë” veto-ja e Rusisë kundër miratimit të Palnit të Marti Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kjo llogari dhe pritje në ankth e politikës iracionale dhe destructive e Serbisë, se Rusia do ta shpëtojë me përdorimin e veto-s së saj në KS të KB-së, është shumëfish e gabuar për intereset vitale të saj, sepse “jo-ja” e Rusisë, do të ishte në favor të përshpejtimit të njohjes së pavarësisë së plotë të Kosovës nga ana e SHBA-së dhe e vendeve të tjera të sistemit shtetëror ndërkombëtar. Në këtë rast, Serbia do të eliminohej keq si në Rambuje dhe në Vjenë ngaqë definitivisht do të përshendetj me humbjen e kolonisë së saj 100-vjeçare. Përkundrazi, i vetmi shpëtim i përkohshëm i Serbisë kolonialiste do të ishte, nëse Rusia do ta votonte Planin e Marti Ahtisarit në KS të Kombeve të Bashkuara, sepse në këtë mënyrë Kosovës do t’i njihej “pavarësia e kushtëzuar” nën mnadatin e BE-së, gjë që ky opcion do të vinte në pikëpyetje dhe, do të shtynte për më vonë njohjen dhe realzimin e plotë të së drejtës së vetëvendosjes së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, ashtu siç është deklaruar në mënyrë të ligjshme dhe demokratike populli shqiptar i Kosovës në referendumin e 26-30 shtator të vitit 1991.

Ia vlen ta rikujtojmë bashkësinë ndërkombëtare se kursi i platformës politike dhe jurdike- kushtetuese (shih: Kushtetutën dhe rezolutat e miratuara të Parlamentit të Serbisë, sipas të cilave “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”) për rikolonziimin dhe rianksimin e Kosovës shqiptare i Boris Tadiqit dhe i Vojislav Koshtunicës, me hapa rapidë, Serbinë po e rikthen në rrugën e gabuar, antidemokratike, anticivilizuese dhe vetëvrasëse të Slobodan Milosheviqit.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...