2014-12-30

REXHEP KASTRATI : AVANCIM METODOLOGJIK DHE FAKTOGRAFIK NË STUDIMIN E LËVIZJEVE TË DJATHTA SHQIPTARE



(Rreth vëllimit të dytë të librit me kumtesa “E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë etnike”, botoi “Lumbardhi”, Prizren, 2005)

Angazhimi i Institutit të Historisë së Kosovës dhe i Diasporës shqiptare që të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e atyre ngjarjve, te veprimtarisë dhe fatit te personaliteteve që nga regjimi enverist në Tiranë dhe atij titist në Prishtinë u anatemuanë, apo më keq u lan në harresë, e që përbëjnë atë që quhet e djathtë shqiptare, nacionalizëm shqiptar, është jo vetëm për t’u përshëndetur, por edhe për t’u admiruar. Është kështu për faktin se, i tërë ky angazhim bëhët falë dëshires së madhe te organizatorëve të këtij Sesioni shkencor, për të bërë diçka në rishkrimin diskursiv te historisë, si dhe përkrahjes materiale e tjetër të Diasporës shqiptare. Pa një përkrahje të mirëfilltë insitucionale nga pushteti, gjithë kjo punë është shumë e vështirë për t’u realizuar, por kur sheh se nga njëri Sesion në tjetrin jo vetem që organizimi është më në nivel, por edhe po rritet edhe profesionalizmi i kumtesave si dhe shumëllojshmëria e tyre po bëhet më e madhe, atëherë vërtetë duhet ta ndiesh vetën mirë kur merr pjesë në një Sesion të tillë. Këtë bindje e forcon pikërisht Sesioni i Dytë me radhë i mbajtur në Prizren, më 26-27 nëntor 2004, kumtesat e të cilit janë botuar në vëllimin e dytë të librit “E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë etnike” që SHB “Lumbardhi” e z. Nue Oroshit e ka botuar para do kohe me një cilësi më të lartë teknike. Marrë në përgjithësi, botimi i këtyre kumtesave mund të merret edhe një ngjarje e mirë

Përtej këtyre, duhet thënë se strukturimi i kumtesave në dy pjesë: “Kumtesa dhe shpalime historike” dhe “Portrete, dëshmi dhe ngjarje historike” mëton të përqasë në mënyrë më të mirë tërësitë tematike që i përfshijnë brenda tyre, e që përcjellë rritjen profesionale dhe metodologjike në tërësi të kumtesave të përmbledhura në këtë botim.

Qasja kritiko-racionale ndaj nacionalizimit shqiptar dhe të luftërave të tyre

Pjesa parë e librit me titull, “Kumtesa dhe shpalime historike” përfshinë 12 kumtesa që merren me disa nga momentet kryesore të ngjarjeve të ndodhura gjatë Luftës së Dytë Botërore e deri në vitet ’50 të shekullit 20, çfarë janë: Marrëveshja e Mukjes, formimi i LNDSH-së si dhe veprimtaria e saj, raportet e nacionalistëve shqiptarë me aleatët e huaj etj., ashtu siç ka edhe kumtesa që trajtojnë në mënyrë të përgjithshme natyrën e nacionalizmit shqiptar, vlerat dhe dobësitë që ka, pastaj në një rrafsh po përgjithësues, por edhe konkret, luftën antikomuniste në Maqedoninë perëndimore, në Drenicë etj. Në këtë grup kumtesash bëjnë pjesë edhe kumtesa që merren me metodologjinë histroike, me aspekte programore të ndonjë organizimi politik shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore. Me fjalë të tjera, është e pranishme një laryshi problematikash që lexuesin dhe kurreshtarin e këtyre ngjarjeve e bëjnë që të ketë një informacion më të plotë. Shkurtimisht mund të them se, kumtesa e dr. Sc. Beqir Metës që e trajton nacionalizmin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore me të gjitha të mirat dhe të metat e tij, ajo e prof. dr. Muhamet Shatrit që hedh dritë me argumente shkencore mbi LNDSH-në dhe për platformën e saj, ajo e prof. dr. Muhamet Dezhgiut që vë në spikamë pozicionin politiko-ushtarak të nacionalistëve shqiptarë të Shqipërisë verilindore gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo e prof. dr. Ramiz Abdylit për shqiptarizmën në Maqedoni, ajo e dr. Riza Sadikut për luftën antikomunsite në Maqedoninë perëndimore, si dhe ndonjë tjetër si këto, janë të ndërtuara me një metodologji të mirëfilltë shkencore, me një stil ligjërimor shkencor dhe me një terminologji të mirë shkencore. Natyrisht se kontributi i dr. sc. Zekeria Canës qe ka të bëjë me këndvështrimin metodologjik në kuadër të temës që ka të bëjë me forcat nacionaliste shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1947, është një kontribut i veçantë, sepse zbardh konceptet teorike dhe metodologjike të kohës për të cilën flet, e që e bën më të plotë kuadrin tematik të kumtesave të përfshira në këtë pjesë.

Kumtesa që kanë të bëjnë me personalitete të ndryshme të të djathtës shqiptare

Pjesa e dytë e grupit të kumtesave, e që numërikisht është me madhe, pasi që përfshinë rreth 23 kumtesa, e që ka të bëjë me personalitete dhe ngjarje të caktuara të kohës, dëshmon se edhe Sesioni Shkencor i Prizrenit e që u mbajt edhe në kujtim të 100 vjetorit të lindjes së Xhafer Devës dhe të 58 vjetorit të vrasjes së kapidan dr. Mark Gjon Markut, u dominua nga tendenca për rehabilitimin si dhe me vazhdimin e përpjekjeve për rehabilitimin e personaliteteve te ndryshme të nacionalizmes shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore e më pas. Kjo tendencë, që në Sesionin e Hamburgut ishte më e theksuar, duhet thënë se ka po ato arsye si në Sesionin e Parë të mbajtur në Hamburg, e që kanë të bëjnë me dëshirën e kumtuesve që të kontribuojnë, që të vihet drejtësia në vend dhe gjithë ata nacionalistë që kanë sakrifikuar edhe jetën, një pjese prej të cilëve nuk u dihet as varri, të kenë vendin e vet në historiografinë shqiptare, si dhe të çukisin në ndërgjegjen tonë dhe kujtesën tonë. Në përpjekje për rehabilitimin e personaliteteve të tillë si Xhafer Deva, kapidan dr. Mark Gjon Marku, Ernest Koliqi, Ndue Përlleshi, Marie Shllaku, Gjon Serreqi, Rexhep Mitrovica, e shumë të tjerë si këta, autorët e kumtesave të ndryshme, përveç përdorimit të lirë të faktografisë së mundshme, ndonjë kujtimi të ndonjë bashkëkohaniku, kanë përdorur edhe stilin ligjërimor letrar, për të shprehur dashurinë,simpatinë dhe shpesh edhe mllefin për fatin tragjik të këtyre personaliteteve. Sidoqoftë edhe në këtë grup kumtesash, akribia shkencore dhe qasja profesionale është më e theksuar se në kumtesa të ngjashme në Sesionin e Hamburgut. Me këtë rast do veçuar në mënyrë të veçantë qasjet e prof. dr. Romeo Gurakuqit për Ernest Koliqin dhe BKI-në, ato te prof. dr. Fehmi Rexhepit për Esat Berishën, dr. sc. Lush Culajt për Zef Gjidodën, e ndonjë tjetri, të cilat përveçse japin një material të caktuar njohës, ofrojnë edhe qasje kritiko-racionale të lakmueshme. Një aspekt më vete bëjnë grupi i kumtesavedëshmi, e që vijnë nga ata që personalisht janë njohur me personalitetet për të cilët kumtojnë e dëshmojnë, çfarë janë ato të akademik Mark Krasniqit, Shefqet Kelmendit e të ndonjë tjetri si këta, që në kumtuesat e tyre vazhduan dëshminë për personalitete të tillë si Marie Shllaku, Ndue Përlleshi, Gjon Serreqi, Bernardin Llupi e ndonjë tjetër, të cilat vetë mund të bëhen dokumente mbi të cilat do të duhej te operonte shkenca shqiptare e historisë. Një përjashtim bën Idriz Lamaj, i cili për Xhafer Devën dhe Rexhep Krasniqin, përkatësisht për veprimtarinë e tyre nacionaliste përveç një qasje dëshmie si njohës i tyre gjatë jetës së tyre, ofroi edhe një qasje dokumentare të mbështetura mbi dëshmi dhe letra që i kishte në dispozicion dhe që i kishte dëgjuar nga vetë ata.

Krejt në fund

Duhet thënë se ajo që vërehet edhe në këtë botim, në Sesionin Shkencor për të djathtën shqiptare, paraqiten kumtesa nga autorë të njëjtë e që kanë të bëjnë me personalitete të njëjtë e që kundrohen nga aspekte të ndryshme. Kjo është për t’u përshëndetur, pasi që në këtë mënyrë po krijohet mundësia që këta autorë, në mënyrë më të plotë të merren me një personalitet dhe atë ta studiojnë në të gjitha dimensionet.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...