2014-12-28

Më i keq është shtënësi se bërësi

Me sulmin terrorist, synohej dështimi i Shtetit të Kosovës


Florian Qehaja :Me sulmin terrorist, synohej dështimi i Shtetit të Kosovës



Drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja, vlerëson së parandalimi dhe arrestimi i serbit të dyshuar për akt terrorist, është një ndër sukseset më të mëdha të organeve të hetuesisë. “Meritat më të mëdha i ka Policia e Kosovës. Nëse do të ndodhte ky sulm, atëherë Kosova do të konsiderohej shtet i dështuar’, tha ai.

“Konsideroj që operacioni policor ishte i suksesshëm. Madje është një ndër operacionet e pakta të këtij lloji (së paku që nga pas-pavarësia) në të cilën institucionet vendore të sigurisë kanë arritur të parandalojnë potencialisht një incident me pasoja të mëdha, në njerëz por edhe në pronë. Parandalimi përbën një ndër operacionet më të ndërlikuara të sigurisë sepse lypset një angazhim i thellë i organeve të inteligjencës në identifikimin, dekonspirimin dhe eliminimin e kërcënimit”, tha Qehaja në një intervistë për Express, duke folur për arrestimin e serbit me 13 kg eksploziv.

Megjithatë, Qehaja mendon se, suksesi i plotë i këtij operacioni do të konsiderohet vetëm atëherë kur do të përfundon me sukses procesi gjyqësor.

Qehaja thotë se është vështirë të i atribuohet merita njërit apo tjetrit akter.

“Megjithatë, është më se e qartë që merita kryesore i takon Policisë së Kosovës dhe organeve të saja të inteligjencës...”, tha ai.

Sipas tij në këtë fazë vetëm mund të supozohen qëllimet e të dyshuarit apo të dyshuarve, sepse kërkohet një punë intensive dhe gjithëpërfshirëse. “Kur them gjithëpërfshirëse atëherë mendoj në një angazhim të përbashkët të Policisë dhe AKI-së në njërën anë, dhe asistencës së organeve ndërkombëtare e rajonale, në anën tjetër”.

“Është indikative që automjeti ishte me targa të Beogradit dhe personi ishte shtetas i Serbisë. Qarqet anti-Kosovë e posaçërisht një pjesë e establishmentit të sigurisë në Serbi punojnë në drejtim të dëmtimit të proceseve shtetformuese në Kosovë. Si rrjedhojë, hipotetikisht, në rast të konkretizimit të njërës nga objektivat e supozuara, Kosova do të paraqitej si një shtet i dështuar dhe do të sfidoheshin përpjekjet e shtetit për integrim në organizata ndërkombëtare e rajonale të sigurisë.

Këtu mendoj në fillimin e marrëdhënieve kontraktuale me NATO-n si dhe konkretizimin e MSA-së me BE-në dhe, sidomos, finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave. Po ashtu, mos të harrojmë që është në interesin e qarqeve anti-Kosovë që të vazhdohet prezenca e organeve ndërkombëtare në Kosovë në formën ekzistuese – siç është rasti me justifikimin e prezencës në formë aktuale të EULEX-it – për arsyeje se do të mbizotëronin argumentet se shteti është i paaftë që të marr përgjegjësi finale pas vitit 2016”, tha Qehaja, duke potencuar se lypset një koordinim shumë i theksuar në mes të Policisë dhe AKI-së.




Avokati Tomë Gashi: Mos përfitoni nga rasti Gavric, suksesi i takon Policisë 

Avokati Tomë Gashi vëren se rastin e serbit Sllobodan Gavriq, që u kap me rreth 13 kilogramë eksplozivë në Prishtinë, të gjithë po tentojnë ta shfrytëzojnë si sukses të tyre, e kësisoj të promovohen.

“Në fakt është eksluzivisht sukses i Policisë së Kosovës që fatmirësisht parandalojë aktin terrorist. Politikanë të ndryshëm e përdorin këtë rast pa kurrfarë përgjegjësie për deklaratat e tyre. Disa me aq dëshirë të pakontrolluar e përdorin rastin e Gavriqit që emrin e ka Slobodan sikur ky rast të ishte dhurata e tyre për krishtlindje – vetëm e vetëm për shkak të reklamimit të tyre, dhe se ata dinë diçka më shumë se Policia e Kosovës për këtë rast”, ka thënë Gashi.

Avokati ka thënë se ata shfaqin preferenca të tyre personale për sulm terrorist, ata e ‘dinë’ se ku ka pas me u vendos eksplozivi; te Ambasada Amerikane, te Katedralja e shqiptarëve të Kosovës, ose Hoteli Grand.

“Normalisht se për shkak të deklaratave aq të fuqishme të Edi Ramës në Beograd disa që të duken me patriotë se të tjerët thonë se i vetmi cak i sulmit terrorist ka qenë pikërisht kryeministri i Shqipërisë”, ka thënë Gashi, teksa ka pasur një porosi.

“E udhës është që të leni Policinë dhe Gjyqësorin të jenë të pavarur prej jush. E ju të merreni në aspektin e politikës ndërkombëtare që mos të mbetet ajo që të gjithë e dimë se; droni ne Beograd të gjithë shqiptarëve na bashkoi, dhe që mos të jetë se eksplozivi serb në Prishtinë sado pak të na ndaj”.



Avni Islami:Serbia e implikuar në sulmet terroriste në Kosovë?





   Serbia e implikuar në sulmet terroriste në Kosovë?




Për shkak të ndjeshmërisë së komuniteteve fetare në Kosovë, kjo pikë e ndjeshme siç duket u mundua të përdorë si kartë për futjen e përçarjes në mes shqiptarëve kundërshtari i përbetuar i popullit të Kosovës.

Plani djallëzor i Serbisë është dhe do të jetë që të ndezë me çdo kusht konflikt fetar në mes shqiptarëve myslimanë dhe katolikë. Sipas ekspertëve por edhe analistëve u ngritën shumë hipoteza lidhur me mundësinë se kush ishte cak i sulmit. Disa thanë se qëllimi ishte që të sulmohej Ambasada Amerikane në Prishtinë, disa thanë cak ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e disa mendojnë se si cak ishte Katedralja në Prishtinë në ditën e dytë të festës së Kërshëndellave.

Cilido version i ngritur që do të ishte i saktë, pasojat do të ishin katastrofale me karakter të rëndë si në jetët e njerëzve po ashtu edhe materiale.

Sipas Policisë së Kosovës, eksplozivi i kapur në veturën e shtetasit të Serbisë, Prishtinë, është i tipit C4 me bazë RDX, shpejtësia e shpërthimit të të cilit është 9800 metër për sekondë. Sipas tyre eksplozivi bën pjesë në llojin e më të fuqishmëve. Po ashtu theksohet se brenda tij ishin të vendosur copa metalike, që rritin fragmentimin dhe shkaktojnë dëme të mëdha në njerëz. Nuk duhet të befasohet askush nga shteti serb. Duke e njohur punën e shërbimit inteligjent serb (UDB- BIA), është e paimagjinueshme se gjoja ata nuk kanë qenë në dijeni për futjen e të dyshuarit serb në Kosovë, me atë sasi të madhe të eksplozivit.

Për mua është shumë i rëndësishëm arrestimi i tij dhe neutralizimi, puna duhet të vazhdojë sepse në popull njihet thënia: “Më i keq është shtënësi se bërësi”. Prokuroria tash është në sprovë të madhe me të dyshuarin, ai duhet të kallëzojë dhe t’u përgjigjet pyetjeve të arta kriminalistike: pse, si, me kë, kur, ku dhe shumë pyetjeve të tjera.

Pyetja është se a qëndron shteti serb pas kësaj, duke e analizuar përshkrimin e rrugëtimit të tij, si dhe mënyra se si ai është vendosur fillimisht në hotel “Grand” e pastaj kthimi i tij aq lirshëm me eksploziv, dyshimet çojnë në një organizim të sofistikuar. Ky rast në anën tjetër është munduar të qesë edhe para aktit të kryer jo vetëm mekanizmat institucionalë të sigurisë së Kosovës, por edhe shërbimeve inteligjente të vendeve perëndimore në kuadër të NATO-s, por edhe individuale e qe nesër mund të jenë cak të sulmeve edhe vetë ambasadat e atyre vendeve që janë të akredituara në Kosovë.

Prandaj jo vetëm mekanizmat institucionalë të Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare por edhe vetë populli i Kosovës duhet të jemi syçelë dhe të jemi bashkëpunues dhe të japin kontributin në ruajtjen e sigurisë së Kosovës. Të gjithë duhet ta dimë se jo vetëm në 100 vitet e fundit, por do të kalojnë dekada e shekuj dhe në një formë apo tjetër do jemi në “Luftë të ftohtë” me shtetin serb dhe se ai në çdo moment, në çdo kohë, dhe se çdo mundësi do ta përdorë për ta destabilizuar Kosovën. Pra apel për të gjithë vëllezërit e mi shqiptarë (myslimanë, katolikë, hebrenjtë, ateistë) etj., ta ndihmojnë shtetin e Kosovës dhe vetveten që të jemi gjithmonë në shërbim të vendit dhe atdheut. Autori është kandidat PhD në Siguri





No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...