2015-10-06

Kontestimi i kritereve në Universitetin pa traditë shkence

Kontestimi i kritereve në Universitetin pa traditë shkence
Rrethanat historike dhe politike për këto 45 vjet të ekzistimit të Universitetit Publik “Hasan Prishtina”, duket të mos e kenë favorizuar krijimin e një kulture në fushën e kërkimeve akademike-shkencore. Edhe pse disave u duket megalomane, përpjekjet modeste të udhëheqjes  aktuale të UP-së në këtë fushë shihen si të shëndetshme, konstruktive dhe premtuese.
Gjendja jo e mirë në fushën e kërkimeve shkencore është rezultat i një matematike në dukje naive për këto 15 vjet të ndërrimit të kontekstit politik në vend. Shndërrimi i Universitetit publik në një  “bastion” herë të politikës e herë të profesorëve mediokër e ka dëmtuar rëndë zhvillimin e tij si institucion të dijes dhe shkencës krahas trendeve rajonale dhe botërore.
Një masë e madhe e stafit (potencialisht) akademik të Universitetit sot po konteston kriteret për mbajtjen e një niveli apo avancimin në një nivel më të lartë akademik. Rektori paraprak u sforcua të japë dorëheqje për shkak të mospërfilljeve të kritereve për publikimet e tij shkencore.
Në fakt, në krahasim me universitetet ndërkombëtare, kriteret për punime shkencore të parapara me Statut të Universitetit duket të jenë minimale. Pretenduesit për profesor asistent i kërkohet të ketë një punim në revistë ndërkombëtare si autor i parë;  pretenduesit për profesor të asocuar i kërkohet t’i ketë tri punime në revista ndërkombëtare si autor i parë,  ndërsa për të marrë titullin profesor i rregullt pretenduesi duhet t’i ketë pesë punime në revista ndërkombëtare si autor i parë.
Nevoja për një sqarim edhe më të qartë në Statut kur thuhet “punime në revista ndërkombëtare” duket se ka lënë hapësirë për një keqkuptim “me dashje” nga ana e pretendentëve për avancime akademike. Këtë vit rreth një e treta e stafit akademik të UP-së i janë nënshtruar konkursit për avancim akademik. Bazuar në Statut secili këshill i njësisë akademike duhet të formojë komision vlerësues për të vlerësuar përmbushjen e kritereve për pozitat e ofruara, i cili më pas i raporton këshillit që e ka formuar.
Megjithatë, filtri i fundit i këtij procesi ishte Komisioni për Mësim i Senatit. Pas shqyrtimit të secilit rast, ky Komision kishte sqaruar se “punime në revista ndërkombëtare” nuk janë prezantimet që bëhen në konferenca, sado të vlefshme qofshin ato, as artikujt në gazeta ditore, sado me interes që mund të jenë për publikun dhe as punimet që publikohen në revista vendore të emëruara si ndërkombëtare. Si të tilla këto publikime nuk mund të merreshin si bazë për avancim siç propozonin raportet e komisioneve vlerësuese.
Pikëpamjet që përfaqësonin Rektoratin gjatë diskutimit, sqaronin se përkundër numrit të vogël të kërkuar si kriter, këto publikime të paktën duhet të jenë të pakontestueshme. Kjo nënkupton që ato duhet të jenë të publikuara në njërën nga 20 mijë revistat përbrenda dy platformave elektronike, të njohura si “Web of Science” dhe “Scopus”.
Pikërisht publikimet që bëhen nga autorë nën “ombrellën” e Universitetit janë tregues të rëndësishëm që ndikojnë në rangimin e universiteteve të botës. Si shembull u dha njëri ndër modelet më të njohura të vlerësimit, “Thomson Reuters”, që 60% të vlerësimit total e ka të ndarë për komponentin shkencor të universitetit, 30 për qind punën hulumtuese kërkimore/shkencore dhe 30 për qind për citimet e punimeve akademike.
Pa dashur të kontestohej vlera e punimeve akademike, argumentet e kundërta ishin që të vlerësoheshin në kuadër të kritereve më shumë aktivitetet e tjera siç janë simpoziumet, seminaret, konferencat me karakter ndërkombëtar. Por, në fakt këto aktivitete nuk përkojnë as me standardet minimale që përfillen nga komuniteti i dijes botërore si kriter vlerësimi për një universitet, pavarësisht fushës së studimit dhe njësive përkatëse akademike.
Në bazë të treguesve të nxjerrë nga dy platformat më të mëdha që mbulojnë revistat kredibile shkencore, del se Kosova është bindshëm në vendin e fundit me 820 punime. Përderisa, Maqedonia ka 6000 punime e Mali i zi (që ka trefish më pak banorë) 1800, që i plotësojnë kriteret e pranuara ndërkombëtarisht. Hulumtimi është i bazuar në të dhënat për periudhën 10-vjeçare, 2003 - 2013.
Përveç kësaj, u argumentua qartë se nuk duhet të ketë asnjë dilemë se çfarë mund të quhet publikim shkencor. Një publikim shkencor do të duhej të konsiderohej vetëm raporti i një studimi shkencor që bazohet në konceptet dhe teoritë e pranuara nga Komuniteti Ndërkombëtar i Shkencës. Rrjedhimisht, ai duhet të plotësojë kriteret e një metodologjie të disiplinuar shkencore dhe të jetë i botuar në një revistë të pranuar dhe të indeksuar në njërën nga platformat e njohura elektronike.
Publikimet i mundësojnë autorit të bëhet pjesë e Komunitetit Botëror të Dijes, përderisa citimet nga studiues tjerë ndihmojnë afirmimin e autorit dhe institucionit me të cilin ai prezantohet.
Për kaq vite sa ekziston, për Universitetin Publik, komponenti i kërkimit dhe inovacionit duket të jenë një hendikep i madh. Fokusimi vetëm në mësimdhënie tregon për një mungesë të lidhjes në mes saj dhe punës kërkimore.  Mungesa e vullnetit politik për ta kuptuar drejt rëndësinë e kërkimit dhe inovacionit, dhe ndarjet buxhetore minimale merren si kontribuuesit kryesorë për gjendjen aktuale jo të mirë.
E vërteta shkencore nuk ka nevojë për mbështetje e as mohim të askujt dhe esenciale është që pretendentët të mos mashtrojnë as veten dhe askënd. Pavarësisht vështirësive të grumbulluara në UP, është i domosdoshëm një mobilizim nga brenda dhe jashtë, qëllimmirë, që mësimdhënësit të synojnë një lidhje të qëndrueshme me trendin e Komunitetit Akademik Botëror të Dijes dhe Shkencës.

No comments:

Post a Comment

Gazetari Prishtinas Baton Haxhiu

Zotri  Baton Haxhiu ka bërë një deklaratë të bujshme gjatë një debati televiziv, ku ka pohuar se Partia Socialiste (PS) ka kontribuar për...