Si ndodhi që shteti ynë mos të na përfshijë në regjistrimin e popullsisë dhe ekonomisë familjare?! Ne jemi lindur dhe jetojmë në territorin e Republikës së Kosovës, por nuk llogaritemi qytetarë të saj! Për këto tri fakte nuk mban askush përgjegjësi, ashtu sikur tani 13 vjet për veriun e Kosovës nuk po i intereson askujt!
Ramadan KELMENDI
Këto ditë u publikuan rezultatet e regjistrimit të popullsisë, ekonomisë familjare në Republikën e Kosovës. Pa dyshim kjo është një e arritur, por fatkeqësisht edhe pas 31 vjetësh nuk do të marrin fund dilemat e shumta rreth pasqyrës demografike të popullatës e të ekonomisë familjare. Këto dilema do të ngrihen për shkak të efekteve dhe pasojave që do të sjellë ky regjistrim, i cili për mua jo vetëm se është i diskutueshëm nga shumë kënde demografike, politike, ekonomike, sociologjike, sepse ky regjistrim tregoi uljen e fuqishme të parë të atributit të Shtetit të Kosovës - popullatës së përhershme (rezidente).
Posaçërisht popullata e përhershme shqiptare në Veriun e Kosovës në fazën e bisedimeve politike, në të ardhmen me Serbinë do të jetë një komponentë, e cila do të reflektohet negativisht në dëm të Kosovës, ngase në mënyrë të pandërprerë Kosova veriore është spastruar nga shqiptarët autokton gjatë gjitha fazave të kalimit dhe ndryshimit të pushteteve, kuptohet me qëllime të caktuara, si p.sh.
• Në periudhën 1941 - 1953, nga Kosova veriore, nga dhuna serbe janë larguar 462 familje me 5 135 qytetarë.
• Në periudhën 1954 - 1998 janë dëbuar nga dhuna serbe 2 420 familje me 21 783 anëtarë.
• Në periudhën 1999 - 2012 janë dëbuar me dhunë 3 001 familje me 26 830 anëtarë, dhe sot disa fshatra janë të boshatisura tërësisht dhe pa asnjë shqiptarë.
Në anën tjetër, nga mosinteresimi i faktorit shqiptar për ta ruajtur popullatën shqiptare në këtë hapësirë gjeografike-etnike, historikisht me dominimin etnik të shqiptarëve, kësaj të keqeje të madhe edhe me regjistrimin e fundit me dije apo pa dije i kontribuuam në mosregjistrimin e popullatës shqiptare në Mitrovicën veriore dhe të fshatrat: Kelmend, Boletin, Zhazh, Bistricë, Cerajë, Koshtovë e Vllahisë, Çabër e Zveçan.
Unë autori i këtij shkrimi (Ramadan Kelmendi) në mandatin tim 2001-2007 si deputet i Kuvendit të Kosovës, në mënyrë permanente me dhjetëra e dhjetëra herë e ngreha problemin e Mitrovicës dhe të Kosovës veriore, por fatkeqësisht mungoi përkrahja e shumicës së deputetëve (kolegëve të mi), si dhe e Kryesisë së Kuvendit (anëtar i së cilës isha) për të debatuar dhe marrë qëndrime lidhur me çështjen e Mitrovicës, shpërnguljen e shqiptarëve dhe blerjen e shtëpive dhe pasurisë së tyre nga Qeveria e Beogradit, me arsyetim se nuk është koha, duhet sens politik, na ke lodhur me atë Mitrovicë, po e tepron o Ramadan me këtë temë, si p.sh. Kosova veriore po spastrohet, veriu pa Kushtetutë, veproni në veri, Mitrovica në rrezik etj. Unë edhe nëpërmjet shkrimeve, kërkesave e peticioneve të shumta iu drejtova komisionit për regjistrimin e popullsisë, ekonomisë familjare të nivelit lokal dhe atij qendror që të na regjistrojë edhe ne qytetarëve shqiptarë në Mitrovicën veriore. Por, këto kërkesa fundamentale të rëndësisë demografike e politike nuk u morën parasysh, dhe ja pasojat po i shohim tani e do t’i shohim më tutje. Bile disa deputetë që më kanë kundërshtuar atëherë, tani po tentojnë të përmirësohen, por është shumë vonë, e disa të tjerë po më thonë se kisha pasur të drejtë.
Defaktorizimi i elementit shqiptar
Të gjitha këto tani janë të kota, të pavlera, ngase veriu i Mitrovicës u deshqiptarizue me fajin edhe të ne shqiptarëve, institucioneve që nuk vepruan dhe nuk u interesuan për shqiptarët që jetojnë atje. Kësaj të keqe i kontribuuan edhe disa profiterë, të cilët shitën pasuritë dhe shtëpitë për një grusht monedhash të pavlera, ngase toka nuk mund të paguhet kurrë.
Ndonëse nuk është detyrë dhe as qëllimi im të bëj ndonjë përpunim apo një analizë të këtyre të dhënave statistikore të shpalljes të regjistrimit të popullsisë në Republikën e Kosovës, megjithëkëtë po paraqes faktet dhe argumentet e gjashtë periudhave paraprake të regjistrimit të popullatës në Kosovë në tabelën e më poshtme:
Nga kjo tabelë rezulton se:
• Në Kosovë numri i shqiptarëve çdo herë është rritur dhe ka qenë dominues. Këtë më së miri e vërteton e dhëna statistikore, vlerësuese e vitit 1991, regjistrim në të cilin ne shqiptarët nuk morëm pjesë.
• Por, tabela tregon se në vitin 1991 Kosova kishte 2.053.348 banorë, nga të cilët 1.889.000 shqiptarë, përkatësisht 92%.
• Ndërsa për habi, pas 21 vjetësh, përkatësisht tani në vitin 2012 shpallet regjistrimi i popullatës se Republika e Kosovës ka 1.739.825 banorë, nga të cilët 93% shqiptarë. Përkatësisht Republika e Kosovës ka më pak 311.528 banorë, duke mos llogaritur këtu banorët jashtë atdheut dhe 23.820 shqiptarë të Mitrovicës veriore, 297 të fshatit Kelmend, 432 të Bistricës, 378 të Zhazhës, 278 të Boletinit, 251 të Cerajës, 281 të Koshtovës së Vllahisë, 1.086 te Çabrës dhe 32 të Zveçanit, të gjithë këta banorë shqiptarë nuk janë përfshi në regjistrimin si banorë të Kosovës veriore, atje ku i kanë pronat dhe shtypit, ngase këtë komisioni lokal i Mitrovicës nuk ka shprehur gatishmëri ta bëjë, me gjithë kërkesat e shumta të shqiptarëve.
Nuk është e vërtetë se në Mitrovicën veriore ka më shumë banorë serbë, sepse atje kanë ardhur mbi 20.000 serbë ardhacakë nga komunat tjera të Kosovës. Dhe po secili kryetar i komunave nga kanë ardhur ata të kontribuonte në kthimin e këtyre serbëve, përsëri Mitrovica veriore do të ishte me dominim shqiptar dhe në çdo zgjedhje për pushtet lokal do të dilte fituese.
Të gjitha këto fakte të lartcekura shtrojnë shumë dilema, shumë pyetje për analiza demografike, ekonomike se çka ka ndodhur me këtë ulje-zbritje të numrit të popullatës në Republikën e Kosovës. Vetëm ky fakt hap çështjen se a mosregjistrimi ishte jashtë standardeve demografike, apo u bë nga njerëzit e paaftë për ta bërë regjistrimin, apo edhe vetë qytetarët nuk iu përgjigjën regjistrimit.
Secila përgjigje të jetë, vështir është të kemi përgjigje të saktë. Unë vlerësoj në dyshimin tendencioz të defaktorizimit të elementit shqiptar edhe nëpërmjet numrit më të vogël të shqiptarëve në përgjithësi, dhe në veçanti në veriun e Kosovës për të treguar dominimin e elementit sllav atje.
Struktura etnike e popullatës ngre debate
Edhe struktura etnike e popullatës së Republikës së Kosovës në përbërje prej 92,93% shqiptare, ndërsa të tjerët u takojnë komuniteteve tjera, hap debatin shkencor (por, jo politik) se Republika e Kosovës a është shtet shumetnik, siç e dëshirojnë ndërkombëtarët dhe e pranon politika. Nga kjo rezulton se bazuar në standardet ndërkombëtare demografike, Republika e Kosovës në aspektin e përbërjes nacionale të popullatës nuk mund të trajtohet shtet multietnik. Ky konstatim fuqizohet më tepër në raport me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e shtetet tjera të Unionit Evropian. Po ashtu, kjo strukturë etnike e popullatës e ngre çështjen kushtetuese se a duhet që në Kuvendin e Republikës së Kosovës të ketë edhe më tutje vende të rezervuara për komunitetet pakicë.
Ajo që na shqetëson ne shqiptarët që jetojmë ende në veriun e Mitrovicës e në fshatrat e lartcekura është fakti se nga kjo hapësirë etnike e përhershme shqiptare çdo ditë largohet nga një familje, si pasojë e mosinteresimit të askujt për ne, papunësia e madhe, varfëria e skajshme etj. Sikur që nuk u interesuan dhe as sot nuk po interesohen institucionet kompetente, ashtu edhe komisioni qendror edhe lokal i regjistrimit, për të na regjistruar si banorë dhe ekonomi familjare dhe të na llogarisë edhe ne qytetarë të Kosovës. Këtij veprimi nuk i thuhet vetëm diskriminim negativ, por merr konotacion të diskriminimit demografik politik. Ngase Serbia edhe tani kur po e shkruaj këtë opinion çdo ditë shqiptarëve u bën oferta për t’ua blerë pasurinë e banesat, me të vetmin qëllim për ta ndërruar tërësisht strukturën etnike të popullatës shqiptare, sipas strategjisë serbe ‘blej pasurinë - ndërroje strukturën’, në vend që strategjia jonë të ishte ‘financo në veri - krijo siguri’. Institucioneve tona më tepër u intereson për serbët që jetojnë në veri të Mitrovicës sesa për ne shqiptarët që jetojmë atje. Kësaj i thonë shkurt e shqip shkelje me dyja këmbët në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në shqiptarët që ende po jetojmë në Mitrovicën veriore nga dy palët po trajtohemi si qytetarë të rendit të dytë, edhe nga institucionet tona të Republikës së Kosovës, edhe nga sistemi paralel i Beogradit. Në veçanti këtë diskriminim e ka bërë dhe po e bën Zyra Administrative e Mitrovicës veriore, e cila deri më sot kurrfarë shërbimi nuk na ka ofruar ne shqiptarëve. Edhe kur ndonjë shqiptar merr guximin për të kërkuar shërbim të bazuar ligjor, siç është rasti me autorin e këtij shkrimi, shefja Adriana Hoxhiq atë e largon me polici. Për të gjitha këto vlerësime dhe konstatime do të kisha dëshirë që të interesuarit të më demantojnë me fakte.
Me gjithë këtë gjendje jo të mirë, ne shqiptarët rezidentë në Mitrovicën veriore nuk i kemi humbur shpresat se një ditë do të na regjistrojnë dhe do të na njohin si banorë të Republikës së Kosovës, sepse edhe lejet e njoftimit i kemi të Republikës së Kosovës, flasim shqip, jetojmë, mendojmë, sakrifikuam dhe dhamë kontribut për Republikën e Kosovës.
Ne këtë moment, është me rëndësi të theksohet se duke e ruajtur kufirin verior të Kosovës veriore, siç e ruajtën të parët tonë ndër shekuj, duke e mbrojtur në çdo formë dhe duke e regjistruar popullatën shqiptare atje, e mbrojmë Mitrovicën, e mbrojmë Prishtinën, Shkupin dhe Tiranën. Krejt në fund, nuk dëshiroj ta dëgjoj fjalinë: Mos thuaj veriu i Kosovës, se mbarova!
(Autori është ish-nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës në ekzil, deputet në disa mandate, si dhe mr. sci. i demografisë.)