BEDRI ISLAMI
Edmond Hoxhës dhe shokëve të tij
Mbrëmë frynë erërat e Drinit dhe pëshpëritën emërin tënd,
pastaj ra heshtja dhe dëgjoheshin hapat e hënës,
na u duk sikur do të vije në vendlindje,
i hapëm portat dhe e premë zërin e nënës.
Në dritare u ulën brymëzat e para të kristalta
si shpirti yt dhe si e qeshura yte.
Nuk e dinim se çfarë dite ishte:e hëna apo e marta
i vumë emërin tënd dhe na u duk se mbërrite.
Atëherë nënës tënde të mirë i rierdhi fjala
nipërit dhe mbesat u zgjuan nga gjumi i parë.
Gjithshka ishte njerezore dhe e natyrshme
veç malli për zërin tënd na kishte marrë.
x x x
Për ku ishit nisur atë ditë të fundit të janarit
mbështjellë me të fshehtën që morët me vete..
na mbetën në mend çastet e ikjes
dhe dora e ngritur lart si përshendetje.
Rrugëtim i gjatë ky i juaji, i gjatë
të nisur - të pambërritur,
dorën mbi nagant
dhe syrin ku nxin nata
përthyer mbi veten
për të ngritur të tjerët
përgjakshëm përjetshëm
për bardhësinë e Kosovës,
shndërruar në mit
pa e ditur se si ndodhi...
Për ku ishit nisur atë natë -
kishit rrugë të gjatë për të bërë
ajo që ndodhi në buzërruge ishte ndalesa e parë
një çast i shkurtër jete
shndërimi në rrugë lirie
përjetsisht të rrugëtuar
të nisur - të pambërritur.
x x x
Thonë se ndërruan rrugë të gjitha erërat e bjeshkëve
kur ra Zahiri
njera dorë i përfshiu Çiçavicën
dhe tjetra në malet e Sharrit,
gjakun ja lanë ujrat e Drinëve
ia mbështollën dhimbjen të gjitha nënat,
ia fashitën plagët të gjitha motrat
për të ja kthyer sërish Llapit,
ashtu të madh dhe të bukur
me gjoksin e kthyer në bronx.
Dëbora e bardhë i ngriu nëpër flokët e zezë
në fillimin e buzëve ngrinë hejet e buzëqeshjes
diçka i mbeti në cepin e syve - meraku i madh i Kosovës
i u duk se po dëgjonte sërish hapat e nënës
pastaj erën e jashtëzakonshme mëngjezore të tokës
gjithshka tej për tej ishte veshur në argjëndin e hënës
ai po vinte drejt nesh - duke ikur
lulëkuqet kishin zënë vend në gjoksin e tij
ishte ditë e fundit e janarit,
tridhjetëenjë.
x x x
Thonë se ujrat e lumit ngrinë atë fund janari
ndersa mbyllte sytë Hakifi
gjithë jeta e tij kishte qenë e lumëshme..
dhe menduan ujrat
në se do të ngrijmë, nuk do të ketë vdekje
nuk ka se si të ketë
ai futi mes vetes gjithë çfarë kishte mbetur
i mbeti një fjalë e pathënë në fillim të buzëve
në sytë që po mbylleshin zuri vend Kosova,
gjithë bjeshkana u mblodh rreth vetes,
kishte dhimbje apo mall për jetën që po shkiste dhe pavdeksinë që vinte,
ne shtegun e shtëpisë zunë vend zëra fëmijërie,
ai do te rrinte mes ujrave qe shkisnin
si dallgë e bardhë lirie...
x x x
Kur mbylli sytë Edi,
thonë se yjet shpejtuan të futen brenda qepallave të tij,
u dëgjua shushërime e zërit të motrave
flokët i u përshkënditën nga plagët
i ra mbi ballë dushkimi i parë i bjeshkës,
pastaj filloi të pikonte dëbora
u çelën njëherësh të katër horizontet
u shkërmoqën gurët e bardhë
dhe u ndalen motet..
pastaj, në heshtjen e çuditshme të borës që binte
u dëgjua zëri i tij :
" Nënë më prit
do të vij në një mëngjez të tjetërsuar
hapat e mi do ti dëgjosh nënë hënë
më prit pragut e përmalluar
unë do të rikthehem nënë..
atdheu le të më fashojë plagët e gjoksit
kokën do më marrësh në prehrin tënd
më prit nënë deri në agun e mëngjezit
pranë sofrës më prit e më bëj vend
x x x
Ikët të tre
..kur duheshit më shumë se kurrë
mbështetur tek njëri tjetri si në vetvete,
ujrat e Drinit kishin ngrirë tashmë,
njerëzit po çelnin gjoksin për të parë zemrën
në mund ti qëndronte asaj që do të vinte.
Ishte ftohtë.Fund janari.31.
Dheu ishte i ngrohtë.
Zemra ishte e fortë.
x x x
Edi ,
Janë rrëzuar bjeshkët e Junikut përmbi ballin tënd ,
çelur kanë ujvarat në sytë e tu
pafundësisht të pastra si meraku i motrave,
çuditërisht të vrullshme si mbështetja e vllait,
në shtegun e ballit lëviz mendimi
pranvera ende nuk ka ardhur e plotë në jetën tënde,
ende shume vite janë përpara..
Në bjeshkët e Junikut bëre emërin tënd
U bëre bjeshkë lirie dhe ligjërim malli
njerëzit të kërkojnë në çdo vend
në një cep rruge a në një fillim mali...
U mësuam me emërin tënd Edi
si me jetën që do të duhej të vinte
si me dëborën e pushtimit
që do të duhej të shkrinte
si me lirinë që e prisnim :Ku ishte?
u mësuam befasisht me emërin tënd...
Nuk do të donim të mësoheshim aq shpejt,
do të donim të ishe ende, diku, mes nesh,
nje fjalë e thënë lirie mes miqve,
një dorë e zgjatur përtej hekurave ku ndodhet "Davidi"..
një shkreptimë shprese në vetminë e" Remit",
tingëllimë e jetës në ditët e" Çelikut",
vijë e bardhë e përjetshme në rrugëtimin e "Kapuçit",
fjalë malli për bjeshkët e "Kumanovës",
rrugë e panderprerë në shtegtimin e "Mërgimit",
vazhdim i një ëndrre në ditët e Adrianit,
bjeshkim i luleve në muranën e Luanit,
pjesë në zemrën e hapur të Fehmiut dhe të Xhevës...
e në fund të fundit,
me njëzet vitet e tua,
një fjalë e pathënë dashurie në sytë e një vajze...
x x x
Ti nuk mund ta dish Edi,
nuk ta kemi thënë asnjëherë ,
e mbanim në vete si pjesë të jetës....
kur ju ratë
dhe çuditërisht ishit në secilën ditë më afër jetës,
shumë larg
në një vend të huaj, mjegulluar nga gjithshka
një njeri i jashtëzakonshëm,
ndërsa ngrinte gotën e bardhë të ujit
thonte krejt natyrshëm, si një pjesë jete
"Mos e pifshim këtë ujë
në mos i a merrnim hakun Edit
mos i paça këto duar
mos e paça këtë besë
bjeshkët le të turiten mbi mua
terri mi mbuloftë sytë
e kurrë më mos e pafsha Kosovën,
dherat le te nxijnë emrin tim
ujrat le të përmbytin vatrën ku kam lindur
varrit le të më nxjerrin shkinakët,
në mos ja merrsha hakun
emrit mos më thënçin Fehmi Lladrovci"
Ti nuk mund ta dish Edi
Kështu ka ndodhur një ditë fillim shkurti
të vitit nëntëdhjetë e shtatë.
Ti mund të jesh i qetë Edi
Fehmi Lladrovci - fjalën e kishte të paktë
punën e kishte të saktë...
x x x
Kur mbrëmja vjen dhe zbret ngadalë mbi Junik
kur malet përflaken nga dielli që ikën
dhe korijet e bjeshkëve duken sikur flakë kanë marrë,
kur retë janë tejskuqur dhe era tund degët,
kur grurët zë verdhon dhe ndjejmë shijen e bukës,
kur ujrat e bardha rrjedhin drejt vendit të ëndrrës tënde-Shqipërisë,
kur në mbrëmjet e Prishtinës ulet mjegulla e bardhë
si ëndërra juaj për Kosovën,
atëherë ndjejmë hapat e tua që afrohen
tingëllimën e njohur të hapave të tu...
ndjejnë njerëzit se
në erën e papërsëritshme të bukës në magje,
në fjalët e pathëna të nënave për bijtë e tyre,
në merakun e motrave për vllezërit
dhe drithërimin e zemrës,
në shqetësimin e etërve që vetëtin padukshëm në ballin e rrudhur,
është edhe prania yte.
Atëherë u duket njerëzve se bashkë me lisat e bjeshkës
lëviz drejt tyre shtati yt i gjatë,
se bashkë me pëshpëritjen e erërave
vjen edhe zëri yt
nënat ngrihen dhe vënë në tryezë edhe një pjatë më tepër,
motrat e ruajnë copën më të shijshme të bukës për ty,
etërit shohin nga vendi ku duhej të ishe edhe ti
dhe të thonë " Mirë se erdhe"
dhe ndjehet nëpër dhomë buzëqeshja yte,
ashtu si e kishe në atë fund janari,
në tingëllimën e hirtë të Prishtinës së pushtuar,
në rrugëtimën e përjetshme dhe krismën e nagantit
në dëborën që skuqi ...
xxx
Kur ju niseshit drejt vdekjes për të ribërë jetën
erë e janarit fryente dhe në Velani..
rrugët nuk ishin ngrirë
dhe strehëve nuk ishin varur hejet e akullt,
rrugëzat ishin të qeta
si të gjithë gjërat e boshta
diku tej kishte rënë dëbora e rradhës
por asgjë nuk ishte zbardhur...
Njeriu i Vetmuar qëndronte në katin e dytë
mes dhomës ku kishte gjithëfarë gurësh,
e ndjente të ftohtin dhe mbështillej pas shallit
i dëgjonte putrat e erës në dritare
vërshëllimën e lehtë të hapave të ditës
përtej perdeve ishte gjithshka si kishte qenë..
Ishte në pragun e së premtes
duhej të thonte edhe kësaj rradhe një pëshpërimë.
ende nuk i dilej..
dëbora ishte larg dhe rruga ishte e zbrasët,
pemët ishin zhveshur dhe krojet po akulloheshin
dëgjohej zëri i gështenjave të egra në mbrëmje
..pastaj e ndjeu ardhjen e natës,
diçka i u mbyll në shpirti dhe heshti
rruga ishte e zbrastë
erëra nuk fryenin...
Njeriu i Vetmuar mbështillej pas shallit të gjatë...
x x x
Kur ju ratë burrërisht dhe grisët natën
toka ende ishte e përgjakur
lulet në muranë ishin ende të freskta
dhe era e mëngjezit i a hapte petalet si të hapte zemrat
Kur emëri i Zahirit, Hakifit dhe Edmondit po bëhej i përditshëm
Njeriu i Vetmuar
në katin e dytë të dhomës me gjithëfarë gurësh
mërdhitur në trishtimin e paditshëm përse
pikëllohej nga erërat që ende nuk ishin të akullta..
x x x
Kur mbrëmja bie mbi Kosovë
dhe luginat përflaken nga dielli që ikën
erërat marrin me vete të katër horizontet
degët e pishave përkulen me mërmërimë pyjesh
dushkajat diçka flasin me shoshoqen..
atëherë fillojnë e zbrastohen shtigjet dhe hapen kullat
dritat e largëta duken si frengji të jenë
poshtë dritareve ende ndjehet era e luftës
dhe njerëzit hapat e natës i ndjejnë
Nuk janë mbyllur portat e heshtura të kullave
Kurrë mos u Mbyllshin !
përmes tyre, si përmes ciklit të legjendave
Edi,
vjen një burrë
ende i pathinjur
me fillimin e një buzëqeshje të madhe në cepin e syve
me fjalën e butë, flokët hedhur supeve
mjekra e derdhur si valët e Drinëve
drita i rrjedh përmes krahërorit
për tek Ai ishe nisur atë natë fund janari
si drejt një jataku të lirisë
drejt tij ishin nisur të gjithë ata që përbetoheshin për Kosovën
më shumë se për nënën
të gjakuarit e përhershëm , të pathyerit e përjetshëm...
Vjen një burrë përmes portave të kullave
erërat ndalen dhe dëgjohet ecja e lehtë
lisnajat lëvizin sëbashku me të
ai e njeh zërin e pyjeve dhe flladin e malit
njerëzit njohin hapin, zërin, të qeshurën e syve
fjalën e mirë dhe gjurmët e Adem Jasharit..
Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në vete
veç tek sytë mund ti shikosh gjithë trojet e të parëve
mund ti shikosh dallgët e bardha në dete
dhe këngët e herëshme të shqiptarëve...
Ai vinte nga një dhëmbje e thellë
Ku shkonte ? - e dinte me siguri
përtej vitesh fjala e mirë i rrjedh
Nuk luftuam për vete
Bëmë Shqipëri..
Drejt tij ishit nisur
ende të pambërritur
dhe përjetsisht bashkë...
x x x
Çfarë ishte për tu thënë,
u tha
Çfarë ishte për tu bërë
u ba...
Drenica u zgjua me kulmin e shtëpive mbi kokë
me barin e porsaçelur si dorë e pafajshme fëmije
me mjegullën e bardhë të marsit si fill reje mbi tokë
me agun e purpurtë, si fillesë pafajsie.
Në mbrëmjen e tretë nuk do të ishte kështu
kulme nuk do të kishte dhe bari do të ishte i përgjakur
veç themelet do të mbetnin përjetsisht këtu
mitisht të përflakur...
Drejt saj ishit nisur
mitit të shndërruar ne jetë....
Atë ditë të fundit të janarit
kur krojeve vareshin hejet e akullta dhe toka kish ngrirë
ju mbështetët kokën mbi plisat e barit
gjaku që rridhte,
i jepte dheut ngrohtësinë...
x x x
Paj, mos mi përmendni plagët e gjoksit
lerni të rrijnë ata si lulëkuqet e janarit,
me buzët e hapura si fjalë dashurie
gurgullimë e zjarrtë në mesin e acarit
Nuk më dhëmbin plagët, nuk më dhëmbin
as gjaku që më rrodhi nuk më dhëmb aspak
është skuqur dëbora dhe është zbardhur gjoksi
veç shpirtit thellë e kemi një plagë
Paj mos na i përmendi plagët që morëm
e dinim se mund të ndodhte kështu
veç hipokrizinë si vemje të përgjakur
nuk mund ta durojmë këtu
shikoni si përulen djallzisht ata që na shanë
shikoni si i zgjedhin lulet tinzisht ata që na mallkuan
ne goditën pas shpinde, tradhtuan e vranë
përdredhur pas shallit " interpolin" kërkuan.
shikoni si ditën vijnë tek varret tona sylagur
dhe netëve shkruajnë dosjet e rreme të shokve tanë
asgjë nuk ka ndryshuar, aspak nuk janë plakur
pa shpinde përsëri na goditën e na vranë
Paj mos mi përmendi plagët e gjoksit
x x x
Kur terri ikën ngadalë dhe bjeshkët e Junikut përshkënditen
ashtu si balli yt pranveror në një fund janari
kur mjegulla zë e çohet dhe zbulohen fushat
kur gjethi çel dhe dushkaja nis frymon
kur nga toka ngrihet avulli dhe rilind jeta
kur fëmijët hapin sytë dhe brenda tyre kanë diellin
kur bryma e bardhë, si ëndrrat e tua
nis e bëhet një me ajrin
kur qerpiku i motrave hapet dhe shndrit mëngjezi
kur zëri i vllait bëhet një me ditën
atëherë e ndjejnë njerëzit se ti je aty
në fillimin e bjeshkëve dhe rrugëzat e diellta
e ndjejnë në ajrim zërin tënd të njohur
hapat e shokëve të tua i ndjejnë gjithnjë e më shumë
hapa lirie janë
mbështetur pas një emëri - UÇK
x x x
Është e koritur vdekja me ju
përtej vdekjes ende nuk çmalleni me jetën
nisur për diku dhe pa mbërritur kurrë
rrugë e vështirë ajo e lirisë
pritat si sytë e verbër të përgjakjes,
tytat e armëve si tunelet e zezë të vdekjes
emblema të huaja, gjuhë e huaj
këpucë e huaj, vdekje e tjetërsuar...
E rëndë është dhimbja,
gjithë bjeshkët e Kosovës nuk maten me të
i zezoi ditët dhe i shndërroi netët në terr të ankthtë
ciriliqet u sulën mbi gjuhën shqipe,
korbat u dyndën nëpër palët e flamurit
përbuzshëm na e derdhën gjakun
na i shterruan lotët
gjuhë e huaj,këpucë e huaj, vdekje e tjetërsuar...
x x x
Eh Kosovë e mirë, e plakur nga hallet
e përjetshme, e re, nga gjaku që fale
ti vranë bijtë e tu si pëllumbat në male
e prap nuk u ndale..
Kosovë, o ëndërr e bardhë, e përjetshme
gjakuar nga luftrat, nga bijtë e rënë..
të shkoi gjithë jeta në përpjekje
kjo jetë e rëndë..
Kosovë moj hallemadhe si askush,
plot derte, gjak e vaje
ti dogjën vatrat, i kthyen në prush
e prap nuk u ndale..
Ti nisën djemtë e tu burgjeve të errta,
Goli Otok, Staragradishkë a Dubravë
të përgjakën me tytat e hekurta,
por prap nuk të vranë...
U ngrite ti mbi këngë dhe legjenda
mbi mallin e pashuar të tokës
rrjedh mes teje gjaku i të rënëve
rrjedh gjaku i Edmond Hoxhës..
x x x
Mbrëmë fryenë erërat e Drinit dhe thanë emrat e dëshmorëve
pikuan gështenjat dhe u çelën bohçet e pishave
zemrat e nënave rrekëllitën çuditërisht shpejt
sytë e vajzave mbetën në fillimin e shtigjeve
u hapën njëmijëenjë portat e Kosovës
erërat e lirisë kaluan mespërmes Drenicës
mes mijra zërave që ecnin nëpër mal
unë dëgjova zërin e gjeneral Edmond Hoxhës...
http://flori-press.blogspot.com/2005/10/flori-bruqibedri-islamipre_112876031147084699.html