2012-09-23

Intervista “terroriste” që kushtoi 10 vjet burg


Gazetarja Maleska shpreson në Strasburg

Intervista “terroriste” që kushtoi 10 vjet burg

Kujtim Boriçi


Rajmonda Maleçka, luftëtare e disa njësiteve në çlirimin e Kosovës, Preshevës e Maqedonisë, e dënuar me 5 vjet burg nga drejtësia maqedonase, nën akuzën e “terrorizmit”, vetëm se ka përmbushur detyrën e saj si gazetare, nëpërmjet dokumenteve e dëshmive të saj, në këtë numër të gazetës tregon për lexuesin kalvarin e mundimshëm që nga vënia në pranga, dhuna fizike, muajt në burgun e Shutkës në Maqedoni, si dhe përpjekjet për pafajësi deri në Gjykatën e Strasburgut.

Historia.

Më 2 prill 2005, në afërsi të fshatit Kondrovë, gazetarja shqiptare, Rajmonda Maleçka, së bashku me të atin e saj, Bujarin, 61 vjeç, vihen në prangat e policisë maqedonase nën akuzën “Përgatitje për vepër penale kundër rregullimit kushtetues të Maqedonisë!” Ajo, në përmbushje të detyrës si gazetare, së bashku me të atin po ktheheshin nga një intervistim që kishin bërë me grupimin e armatosur të Agim Krasniqit në Kondrovë, duke fiksuar në kamera e aparat fotografik detaje nga ky takim pune.
Foto
            Te 3-te ishin ne burgje per spijunimin nga hafite

 Të nesërmen, po me këtë akuzë, pa avokatë e pa përkthyes, babë e bijë dënohen me nga 5 vjet burg secili dhe izolohen në burgun e Shutkas në Maqedoni. Edhe rigjykimi në shkalline dytë nuk sjell ndryshim të akuzës (Terrorizëm) dhe ulje të dënimit. Vetëm pas protestave të vazhdueshme të shoqatave të gazetarëve vendës e atyre ndërkombëtare, faktorë të tjerë ndërkombëtarë, si dhe strukturave të shtetit shqiptar, drejtësia maqedonase detyrohet që pas plot 11 muaj e 10 ditë, të nxjerrë nga qelitë e tmerrit gazetaren shqiptare dhe të atin e saj. Por, sipas vendimit, akuza për terrorizëm nuk ndryshon, e Rajmonda Maleçka dhe i ati janë “Non ngrata” në Maqedoni. Kanë bërë animimin në Gjykatën e Lartë të Shkupit për pafajësi, e në vartësi të vendimit, vazhdojnë përgatitjet për në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut.
Foto

Luftetari Dibran Fylli dhe Bujar Malecka
Pas një periudhe gati 8-vjeçare, radhitjes që në maj të vitit 1998 si luftëtare e gazetare në radhët e UÇK-së, aktivizimit si gazetare në luftën e Preshevës dhe së fundi në Maqedoni, gazetarja 36-vjeçare, Rajmonda Maleçka, është rikthyer përkohësisht në Tiranë. Por ky kthim pas një mungese të gjatë për Rajmondën, që ndryshe thirret edhe “gazetarja e luftës”, pason një kalvar të mundimshëm torturash fizike e shpirtërore në burgjet e Maqedonisë fqinje, ku u dënua nën akuzën e “terrorizmit” me 5 vjet burg, aq sa dhe babai i saj. Vitet e saj të luftës dhe ata të burgimit (rreth një vit), gjatë kësaj kohe, kanë gjetur vend në raportet e shumta në median shqiptare, median e huaj, si dhe në tetë librat që ka botuar deri tani. Por krahas kësaj, Rajmonda, e mbështetur nga avokatë e dashamirës, është e impenjuar në sfidën ndaj drejtësisë së vendit fqinj për të marrë pafajësinë, duke qenë e përgatitur ta arrijë këtë dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut. E bindur plotësisht se ka bërë vetëm detyrën si gazetare.

Ushtare dhe reportere në UÇ K

Deri në përfundim të luftës në Kosovë, tregon për gazetën Rajmonda, pak kush e mori vesh se një nga luftëtarët më aktivë të Brigadës 131 ose “Brigadës së Rekës së Keqe”, nuk ishte djalë, por vajzë, pikërisht Rajmonda Maleçka. Kjo për faktin se e dhëna e tëra pas luftës dhe detyrës së reporterit, ajo edhe në pamje ishte përshtatur si djalë, me flokë të qethura, në veshje, e deri në përballimin e situatave të ndryshme ashtu si djemtë, pa rënë në sy. “Edhe nga katër shokët e njësisë ku unë luftoja që më pas ranë edhe dëshmorë, përkatësisht Bedri Shala, Bekim Berisha. Elton Zherka dhe Pervet Vula, vetëm dy të parët e mësuan se unë isha vajzë”, -thotë mes të tjerave ajo. Me prejardhje nga një familje e njohur e Dibrës së Madhe, Rajmonda, e diplomuar në dy fakultete, që në maj të vitit 1998 shkon si luftëtare për çlirimin e Kosovës si reportere. Tregon se kontaktet e para në maj të këtij viti i ka marrë me shokë të luftës në Tropojë, e më pas është hedhur në Junik në radhët e Brigadës 131. “Kudo që shkoja, në përgatitje apo operacione luftimi, unë krahas detyrës si luftëtare, fiksoja në aparat, shkruaja në bllokun shënimeve fragmente nga kjo luftë heroike, një pjesë të mirë të të cilave i përcillja në median e kohës”, -tregon Rajmonda. Kështu, deri në çlirimin Kosovës.

Përsëri në luftë në Preshevë e Maqedoni

“Unë kam marrë pjesë në tri luftëra që janë bërë, në Kosovë, më pas në Preshevë e së fundi në Maqedoni, ku përgjithësisht në këto dy të fundit, roli im kryesor ishte ndjekja nga afër e situatave, përcjellja e tyre në media, por edhe angazhim konkret në sensibilizimin për nevojën e një lirie sa më të shpejtë e të plotë për shqiptarët në trojet e tyre”, - tregon për gazetën Maleçka.
Ndërsa kalimin sa nga një front lufte në tjetrin (Kosovë-Preshëve-Maqedoni), Maleça e shpjegon thjeshtë me të qenit kryesisht të kuadrove drejtues e një pjesë të mirë dhe në bazë e të njëjtëve persona që luftuan në të tre këto treva etnike shqiptare në luftë. Sipas saj, por dhe sipas analistëve, paradoksi i dënimit me 5 vjet burg të një gazetareje që bënte detyrën nga drejtësia maqedonase, lidhet edhe me emrin e punën e gjatë të luftëtares-reportere gjatë viteve të fundit ku shqiptarët ishin në luftë.

Prangat maqedonase, dhuna dhe dënimi i rëndë

Ishte pasditja e 2 prillit 2005, kohë në të cilën gazetarja Rajmonda Maleçka, së bashku me të atin, e “armatosur” me dy diktofonë, blloqet e shënimeve, kamera me videokaseta të regjistruara, aparat fotografik e një numër të konsiderueshëm fotosh, sapo janë ndarë me Agim Krasniqin e luftëtarët e tij, e kanë lënë pas Kondrovën, në afërsi të Gostivarit janë vënë në prangat e policisë maqedonase. “Momenti i arrestimit ka qenë brutal e i dhunshëm. Një sjellje barbare për një vajzë, një gazetare që thjesht ka bërë punën e saj, për më tepër në prezencë të babait, ku të dy ishin objekt të dhunës e fyerjes pa shkak”, - tregon për gazetën ato momente të vështira Maleçka. Përfundojnë në qelitë e Shkupit, ku terrori nuk ndërpritet. Nuk zgjat shumë, vetëm pak orë e të nesërmen, më 3 prill 2005, dalin para gjykatës. Vetëm pak minuta përballje, me një akuzë të paraformuluar e pa asnjë bazë (“Përgatitje për vepër penale kundër rregullimit kushtetues të Maqedonisë!”), gazetarja dënohet me 5 vjet heqje lirie. Po aq dënohet edhe i ati, Bujari. Ndërsa vëllai i Rajmondës që ka këmbëngulur për përkthyes e avokat, është nxjerrë dhunshëm dhe nuk është lënë të ndjekë gjyqin.

Sensibilizimi dhe gjykimi i radhës

Pas disa ditësh, strehë e gazetares së dënuar bëhet burgu famëkeq i Shutkës në Maqedoni, ku koha e qëndrimit atje, për Rajmondën dhe të atin, ka qenë një ferr i vërtetë. Vazhdojnë procedurat gjyqësore, nga shkalla e parë në Apel e rikthim për gjykim, e me gjithë sensibilizimin e shoqatave të gazetarëve (vendëse e ndërkombëtare), përsëri akuza për “terrorizëm” dhe dënimi nga 5 vjet burgim nuk ndryshojnë. “Pas 45 ditësh të arrestimit, informohet edhe ambasada shqiptare në Maqedoni, ku ndërhyrja e saj, ndërhyrja e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, interesimi i tyre, bashkë me opinionin ndërkombëtar, e vënë në pozitë të vështirë drejtësinë maqedonase për këtë akuzë të pabazë dhe dënimin e rëndë për një gazetare që kishte bërë thjesht detyrën e saj për informimin e opinionit.
Plot pas 11 muajsh e 10 ditëve, vazhdon të tregojë Rajmonda, ajo del nga qelitë maqedonase së bashku me babanë, duke u shpallur “Non grata” në këtë vend.
Në kërkim të drejtësisë
Dënimi pa faj, vetëm se bëri detyrën si gazetare, e ka detyruar Rajmondën që të impenjohet seriozisht në zbardhjen e të vërtetës e vënien në vend të dinjitetit si intelektuale, si njeri e si gazetare. “Unë kërkoj pafajësi, pasi zyrtarisht drejtësia maqedonase na quan terroristë, pasi është një e drejtë që na është dhunuar”, -këmbëngul Maleçka. Tregon se me punën e avokatëve të saj, pret vendimin nga Gjykata e Lartë në Shkup ku janë drejtuar. E në vartësi të dënimit(nëse nuk marrin pafajësinë), Rajmonda ka përgatitur gjithë dokumentacionin që pafajësinë ta marrë në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...