"Sokrat i vuajtur" apo "derr i lumtur"?!

Puna e bërjes së opozitarit të përhershëm individual nuk është edhe aq e lehtë. Është rrugë sakrificash përplot gjemba, presionesh, poshtërimesh...



        Shkruan: Adnan ABRASHI

Sokrati u lind në Athinë në vitin 470 p.e.s dhe në historinë e filozofisë së lashtë greke konsiderohet si njëri ndër figurat më interesante dhe më atraktive të saj. Mendimtar rebeles, i cili përmes kritikës së hapur në vazhdimësi i vente në dyshim (në lojë) vlerat shoqërore të kohës: politikën, të drejtën e shtetit, autoritetin, fenë etj. Kur me këto qëndrime u bë i famshëm dhe me ndikim tek masat e gjëra popullore, elita dominuese, nga frika për mundësinë e rrezikimit të pozitës së vetë sunduese, pushteti i Athinës e akuzoi kinse ai me mësimet e veta dhe qëndrime intelektuale publike po e prishte (indoktrinonte) rininë. Andaj edhe e dënoi me vdekje. Në kohën sa ishte i dënuar me vdekje në burg, të pakënaqur me këtë dënim të padrejtë, nxënësit e tij besnik ia organizojnë arratisjen. Por, ai, me këtë rast, assesi nuk pranoi të ikte nga burgu.
“Nëse tash do të arratisesha, atëherë, para atyre që më dënuan pa të drejtë do të paraqitesha si mohues i gjithë asaj që më parë i kisha mësuar të tjerët” . Edhe para kësaj sfide të madhe vendimtare jetësore - në mes të vdekjes së lavdishme dhe ikjes poshtëruese nga burgu si shpëtim - ai me krenari zgjodhi rrugën e pësimit dinjitoze përmes dënimit. Piu kupën me helm dhe vdiq në moshën 70-vjeçare.
I. Edhe pse, që nga vdekja e Sokratit e deri më sot, kanë kaluar afro 2 500 vjet, mësimet filozofike, e posaçërisht tragjedia e tij parimore sakrifikuese, gjithnjë ndër brezash kanë mbet si sinonim i intelektualizmit të mirëfilltë parimor përherë rebelues. Si model i tipit të atyre njerëzve që për nga dija dhe virtytshmëria e lartë morale, kanë qenë shume e shumë më përpara se bashkëkohësit e vetë të shumtë injorantësh hipokritë dhe të dalldisurish materialist, të cilët me çdo kusht synonin poste dhe privilegje pushtetesh.
Janë pra ATA, të cilët, edhe përpos kanosjes së rrezikut përmes nënçmimit, përbuzjes, shantazhit, kërcënimit, mjerimit ekzistencial...fuqishëm kanë besuar në rrugën e zgjedhur drejt arritjes së qëllimit. Rrugë kjo e cila kryekëput mbështetet mbi të drejtën dhe arsyen e shëndosh si realitet. Edhe pse me këto qëndrime zakonisht në fund kanë qenë të detyruar ta pinë helmin nga kupa e realitetit të hidhur të kohës së vet, ata më parë kanë pranuar të jetojnë dinjitoz dhe krenarë – e si “Sokrat i vuajtur”, se sa injorantë, servil, mediokër e të pasur - e si “derr i lumtur”.
Kurrë me diçka tjetër materiale nuk mund të ndërrohet ai çast sublim emocionus si shembull metaforik i “Sokratit të vuajtur”, kur vetëm me 50 cent në xhep, ulesh ta pish një “makiato” në ndonjë lokal të qytetit dhe posa në fund e fton kamerierin ta paguash faturën, ai me respekt të njofton se pagesën e ka bërë një i panjohur atje që rrinte përballë. Kështu ndodh shpesh dhe ata janë populli që me këtë akt të shpërblimit modest, të vlerësojnë nga zemra dhe të çmojnë pa kurrfarë interesi.
“Një intelektual i mirëfilltë, gjithnjë duhet të jetë kritikues ndaj pushtetit, edhe kur ai është i drejtë” - thoshte një kokë e mençur alla “Sokrat i vuajtur”. Por, para se të vendosësh të nisesh andej, duhet pranuar se kjo punë e bërjes së opozitarit të përhershëm individual, nuk është edhe aq e lehtë. Është rrugë sakrificash përplot gjemba, presionesh, poshtërimesh ...izolimit të shpeshtë të vetvetes në vetmi. Ajo kërkon durim, sepse rezultati gjithnjë vjen në fund. Vonohet por vjen, kësaj here me fuqinë e lavdisë së përhershme të një kohe të re që po lind, në të cilën, çuditërisht, përsëri ti nuk do të jesh aty. Nuk do të jesh, sepse je rebel. Rebel i papërmirësueshëm në rrugën tënde të dritës si proces.
II. Sokrati ynë antik bazën e filozofisë së vetë e mbështeste në konstatimin se - "Unë di aq sa s'di asgjë". Përkundrazi, një "i mençur" i yni sot beson se di çdo gjë dhe për këtë është në gjendje që me orë të tëra t'ju bindë për njohurinë e vet që ka nga të gjitha lëmenjtë e jetës: shkencë, politikë, sport, kulturë...Vaj halli, nëse rastësisht në këto tentime të këtij "të mençuri" provoni t'i kundërviheni. Menjëherë do të pasoj reagimi i ashpër, besa-besa edhe ofendimi i rëndë publik.
Sigurisht se asgjë nuk ka për tu befasuar në këtë drejtim. Të tillë njerëz ka çdo kund dhe ka pasur në çdo kohë. Por, brengosëse është se ky i “mençuri” ynë universal që mendon se “di çdo gjë” është në PUSHTET - aty lart ku vendoset fati dhe perspektiva e gjithë neve si qytetarë të kësaj shoqërie. Aq sa brengosëse dhe shqetësuese është ky fakt i përshkruar si më lartë, edhe më tragjike është ana tjetër e realitetit të saj si shkas: për këta njerëz injorantësh në pushte fajet i kemi vetë!!
Sikur ne sot si popull të kishim votuar në mes të atij të "mençuri" tonë finok dhe fodull me autoritet të rrejshëm në pushtet, i cili na bind se di çdo gjë (nga njëra anë) dhe atij të urti sokratian (jokonformist) që mendonte se di aq sa s'di asgjë (nga ana tjetër), sigurisht se do të fitonte ky i pari. Sepse, ai është më i afërt, më i kuptueshëm, më praktik dhe më i kapshëm për ne... sepse ai kaherë është bërë pjesë e realitetit tonë...

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)