"Seksi dhe Dashuria në jetën e njeriut e të kafshëve"

Ferdinando De NAPOLI “Seksologjia”

Autori: Ferdinando De NAPOLI

Titulli i origjinalit: Sesso e Amore nella vita degli uomini e degli animali

Titulli i botimit shqip: Seksologjia

Shqipëroi: Pjerin Logoreci.

Kush është Pjerin Logoreci?

Lindi në Shkodër, Shqipëri më 24/02/1955. Fëmijerine prej vitit 1955 dhe pjesen me te madhe te jetes deri ne vitin 2000 e kaloi ne Tiranë, ku beri shkollen e mesme profesionale "Politeknikumin 7 Nëntori" (ish dhe më pas prapë "Shkolla Harry Fulc) dega Radio-Televizion.Me pas vazhdoi Universitetin e Tiranes, Fakulteti Filologjik Dega Gjuhe-Letersi.Prej vitit 1974 deri ne vitin 1994, punoi ne Radiotelevizionin Shqiptar.
Në vitin 1994 u shkëput nga RTVSH per te hapur "Firmen Logoreci", fillimisht me tre degë:
botim, shtypshkrim dhe Organizim aktivitetesh kulturore Artistike. Mbas vitit 2000 shkoi me banim ne SHBA.Nderkohe Firma Logoreci vazhdon aktivitetin e saj.Pjerin Logoreci, ka punuar artikuj dhe intervista per organe te ndryshme te shtypit e RTVSH, redaktime dhe grafiken e kopertinave te librave te ndryshem qe nga viti 1977. Shkroi shume tekste kengesh qe u paraqiten ne aktivitete te ndryshme, kryesisht ne aktivitetet e RTVSH, Festivalet e Kenges ne RTV, Koncertet e Pranveres, anketat muzikore etj. Mbahen mend kenget: "Bijte tane shkojne ushtare", "Shoku im", "Kenga ime jehon", etj.

Ne vitin 1985 shkroi shkenarin per filmin me kukulla "Bleta e vogel" i realizuar nga Kinostudio "Shqipëria e Re".Ne vitin 1998 perktheu dhe botoi Librin e Ferdinando De Napoli "Sesso e Amore nella vita degli uomini e degli animali".dale ne shqip me titullin "Seksologjia".Ne vitin 2000 punoi per faqen e internetit "Logoreci ", në adresën www.logoreci.com e cila tani eshte bere nje faqe e gjere me materiale dhe informacione te pergjitheshme dhe nga realizimet e firmes. Eshte realizues i te parit liber elektronik ne Shqiperi "Marie Logoreci" Jeta dhe veprimtaria artistike e Artistes se Popullit nepermjet shkrimeve fragmenteve zanore dhe te filmuara ne nje CD.Pjerin Logoreci eshte realizuesi i fotografive te para stereoskopike ne Shqiperi edhe ne faqen e internetit shkruhet hollesisht per kete.Tani ai po punon per disa projekte njekohesisht që kane te bejne me fotografine dhe filmin me 3 dimensione(Flori Bruqi)


"Seksi dhe Dashuria në jetën e njeriut e të kafshëve"

Në këtë përkthim të shkurtuar janë pjesët më interesante e më të rëndësishme të veprës së gjerë "Seksi dhe Dashuria në jetën e njeriut e të kafshëve" të Ferdinando De Napolit, ish Docent i Klinikës Dermosifilopatike në Universitetin e Bolonjës, botuar më 1926 dhe ribotuar disa herë. Kjo është një vepër sa mjekësore aq psikologjike e filozofike në të cilën çështjet seksuale shihen të zbërthyera në këto tre plane. Ky përkthim i shkurtuar në shqip nuk ia ul aspak vlerat veprës, duke pasur parasysh se kështu është bërë një libërth për të gjithë duke hequr pjesët ekstremisht shkencore, sidomos ato që i përkasin jetës seksuale të njeriut dhe kafshëve. Gjithsesi mendojmë se kështu është kthyer në një libërth seksologjikë në shqip që ka një spektër më të gjerë, të përdorshëm e të nevojshëm për rininë shqiptare , duke mbushur sado pak mungesën e njohurive të edukatës seksuale në shkollën fillore,të mesme dhe fakultet. Ky libërth është një pjesë e shpirtit të madh të seksologut italian Ferdinando De Napolit, një kundërvim i tij ndaj çdo paragjykimi të mundshëm i bazuar në shkencë . Ai është ushqimi i mendjeve të zbrazëta, të paditura dhe i atyre që duan ti mësojnë gjërat të bukura dhe të pastra ashtu siç janë në libërthin "Seksi dhe Dashuria në jetën e njeriut e të kafshëve”( Flori Bruqi).

Spermatozoi dhe veza

Spermatozoi i njeriut u zbulua në 1677 nga një student me emrin Hammer por zbulimi duket ishte meritë e Hartsoecker që në vitin 1674. Nga 1700-1800 spermatozoi në tekstet shkencore quhej "Krimbi spermatik". Ai ka një gjatësi 50-55 mikromilimetra. Köllicher më 1841 njohu prejardhjen anatomike, kurse Lode përcaktoi se çdo orgazëm e njeriut përmban mesatarisht 26.000.000 spermatozoide. Më vonë Amantea e Rinaldini më 1919 arritën në përfundim se numri mesatar i zakonshëm për çdo derdhje është 50-100-500-700 milion.
Tek spermatozoi dallohen tre elementë... Koka ovale pak a shumë e gjatë, pjesa ndërmjetëse dhe bishti që përfundon me një fije të gjatë (filament). Ky duke u luhatur (vibruar) i jep mundësi spermatozoit të lëvizë me një shpejtësi të madhe 400 herë sa gjatësia e tij, pra 1 deri në 3 milimetra në një minutë. Por po të llogaritet gjatësia për të shkuar deri në vezore nga qafa e mitrës janë rreth 20 centimetra që ai duhet t'i përshkojë në rreth 40 minuta.
Jetëgjatësia e spermatozoit jashtë organizmit të njeriut në temperaturë 37°-40° dhe në mjedis alkalin mund të shkojë edhe disa javë. Në ajër unë i kam parë të jetojnë edhe pas 45 minutash. Në organet femërore spermatozoi jeton nga 8 ditë deri në 3 javë e gjysëm.
Spermatozoi është qelizë e varfër me substanca ushqyese me funksion që të lëvizë shpejt e të fekondojë, jeta e tij është e shkurtër dhe e destinuar që të absorbohet nga veza. Dy qelizat, mashkullore dhe femërore ngjajnë në ndërtimin e bërthamës, por janë të ndryshme në substancën protoplazmike, nga bashkimi i tyre krijohet një qelizë e plotë, e aftë të jetojë e të riprodhohet "më vonë". Qelizat mashkullore janë objekt i humbjeve të mëdha, prandaj janë të pafundme. Ato sapo, shkëputen nga organi që i prodhon duhet të jetojnë të pavarura por nuk kanë ushqim. Pra dy janë arsyet e vdekjes, mungesa e ushqimit dhe mjedisi i ndryshëm nga ai i origjinës së tyre. E kundërta ndodh me vezët të cilat qëndrojnë brenda organizmit që i prodhon dhe ushqehen prej tij, kështu që nuk kanë rreziqe. Veza ka formë sferoidale dhe në ndryshim nga spermatozoi është qeliza më e madhe e organizmit që gati gjithmonë arrin të shihet me sy. Tek gruaja ajo është rreth 0.2 milimetra e zbuluar nga Karlo Baer më 1827. Siç shihet është shumë më e vogël se veza e pulës apo e zogjve dhe kjo sepse nuk ka nevojë për ushqimin e embrionit pas fekondimit. Nëna e ushqen nga organizmi i vet me të cilin veza rri e lidhur gjatë gjithë kohës së shtatzanisë.
Mbase nuk ekziston në të gjithë botën organike diçka e ngjashme si energjia, shpejtësia e lëvizshmëria e spermatozoit. Eshtë vërtetë një manifestim i mahnitshëm, triumfues, kori vibrues, si turmë pa fund që shkon drejt vezës... Eshtë vërtetë një spektakël mbretëror. Takimi dhe përzierja e spermatozoit me vezën është akt konsesnsual: vetëm një në mes të disa milionë qelizave, nuk dihet se për çfarë aftësish e vlerash karshi të tjerëve, arrin të hyjë në brendësi të vezës që nga ana e saj e pret. Ai është i zgjedhuri i saj. Natyra kështu ka dashur; sapo një spermatozo ka kaluar në brendësi të vezës një membranë rrethon, mbron dhe smbraps çdo hyrje tjetër. Normalisht pra vetëm një spermatozoid fekondon. Ndodh që për shkak të zvogëlimit të rezistencës së vezës, të papërshkumërisë së saj pasi ka hyrë një apermatozo të lejohet hyrja e të tjerëve. Rezultati në raste të tilla, është një prodhim monstruoz. Kur spermatozoidet fekondojnë njëkohësisht më shumë se një vezë kemi lindjen e binjakëve që në rastin e species njerëzore janë të rrallë sidomos më shumë se dy.
Ajo që duhet venë në dukje është nevojshmëria e aktit të bashkimit, i cili, nga origjina e tij fizike e biologjike, mundet, në specien njerëzore të arrijë në një proçes të vërtetë sublim..
Organet seksuale
Organet seksuale të mashkullit dhe femrës janë përgjithësisht në proporcione normale në speciet dhe racat e njejta. Aparati mashkullor gjen përgjigjen morfologjike e funksionale në aparatin femëror. Sekrecionet e domosdoshme si smegma që shërben si lubrifikant bashkë me sekretimet e gjendrave të mukozës vulvo - vaginale dhe sekretimi i gjendrave të quajtura të Bertolinit koagulojnë spermën për të mos e lënë të dalë nga vagina, dhe së bashku me funksionimin e gjendrave analoge me ato të Cowper-it tek njeriu, shërbejnë për të alkalinizuar mjedisin acid të krijuar në uretre nga urina duke bërë kështu të favorshëm jetën e spermatozoideve.
Pozicionet e marredhenieve seksuale
Figurat e marrëdhënieve seksuale në botën zoologjike i kalojnë 45 pozicionet sipas "Figurae Veneris" të Forgert, sipas Aratinit ato janë 36, ndërsa arrijnë në qindra ato që përmbajnë librat antike indiane. Të gjitha pozicionet më të çuditshme, të gjitha format plastike që fantazia më e pakufi mund të mendojë në krijimin e kontakteve seuksuale, ne normalisht i gjejmë tek kafshët. Njeriu gjatë rrugës së tij të gjatë deri tani ka perfeksionuar artin e të dashuruarit, por nuk është liruar nga mjaft skorje që kohë pas kohe dalin në sipërfaqe nga thellësia e kujtesës dhe ndërgjegjes atavike. Asnjë pozicion që njeriu është i zoti të marrë nuk është i ri në natyrë, sepse të gjitha këto sjellje seksuale janë provuar prej tij, në pafundësinë e brezave të paraardhësve. "Kjo pozë që mund të duket si diçka e re ka qenë, e përdoret nga një krimb, një molusk, nga një insekt - që mund të jetë edhe një flutur - për t'ju bindur instiktit të krijimit" shkruan Mond Gomeri.
Kënaqësia e aktit seksual dhe dhuna
Kënaqësia në marrëdhëniet seksuale fillon e kalon në faza të ndryshme që me fillimin e dëshirës që stimulohet nga shumë arsye që zakonisht i përkasin të parit, të dëgjuarit e të prekurit tek njeriu ose stinës së bashkimit tek kafshët dhe bimët. Kënaqësia tek njeriu duke filluar nga psh. shikimi, të folurit, të prekurit etj., shoqërohet me emocionin e ndjenja të ndryshme që përfundojnë në aktin seksual që në vetvete kalon në mes dëshirës dhe kënaqësisë, që arrin kulmin me orgazmën, derdhjen, daljen jashtë të qelizave seksuale (me daljen jashtë të spermës për mashkullin - dhe me rrëshqitjen e valës së saj nëpër kanal tek femra).
Gruaja që shpesh nuk merr pjesë krejtësisht në akt e për këtë jo gjithmonë arrin orgazmën, mbetet gjithmonë e kënaqur, por një kënaqësi të veçantë ajo provon kur rënia e spermës nuk pengohet por përplaset në fund të vaginës (kjo edhe kur organi mashkullor e dërgon spermën ritmikisht në pozicionin e fundit më ekstrem në aktin seksual). Ka gra që janë të afta të parandjenë në këtë moment një ndjenjë të papërcaktuar kënaqësie e dëshire, kënaqësisht të dhimbëshme, që jep të rënqethura, prej të cilave gjithë aparati gjenital i brendshëm kontraktohet në momentin në të cilin sperma ka rënë tashmë. Nga kjo ndjenjë ka ndonjë grua të mbetur shtatzanë, që kujton se ka preçizuar se në cilin raport ka mbetur e fekonduar. Edhe mashkulli ndjen një sensacion të veçantë, në këto raste, prej spazmës të të gjithë aparatit gjenital femëror ku organi i tij është i mbyllur brenda.
E gjithë kjo bashkësi ndjenjash të njeriut në raportin e tij seksual merr formën më komplekse në kontaktin e dy mukozave që nuk është vetëm akti fizik por shkrirja e dy shpirtrave, e dy dëshirave, kënaqësive; gjaku pulson më fort e më shpejt në tru, pulset rrahin me një ritëm e frymëmarrja sinkronizohet, ndjenja shkakton humbjen e mendjes në momentin e bashkimit të dy qënieve që jetojnë një moment të dëshiruar, i cili do t'i japë jetën një krijesë trashëgimtare, me të gjitha virtutet e gjithë veset, të gjithë forcës e dobësisë së atyre që bashkohen në këtë akt atavik që bazohet fuqimisht në subkoshiencë për t'u konsumuar e vdekur bashkë, për t'i dhënë jetë një krijese, e cila nga qelizat që shkëputen nga dy trupat merr zjarrin e pavdeksisë së gjeneratave.
Gjatë aktit muskujt janë të tendosur me një sforcim që nuk shkakton lodhje e dhimbje. Të gjitha gjendrat derdhin sekrecionin me aktivitet të madh. E ndërsa shpirti dridhet, puna cerebrale ndalon për të fiksuar një pikë të jetës; e mendja pushon si në një oaz paqeje.
Trashëgimia është një problem sa i rëndësishëm e i studjuar aq edhe kompleks dhe i vështirë dhe nuk është objekt i këtij shkrimi, trashëgimia normale dhe patologjike në raport me periudhën që ndodh e shoqëron konceptimin e krijesës. Eshtë një gjë e admirueshme, e shenjtë, trashëgimia për të cilën duhet të kujdesemi shumë para se ta krijojmë që gjenerata të jetë e mirë. Truri i lodhur mund të japë produkte të dobët nga mendja. Të shprehur mirë e ka dhenë Tommaso Campanella në "Citta del Sole" ,"... Ata që mbulojnë punë intelektuale të lodhëshme nuk duhet të marrin detyrën e prindit, veç pas shumë ditësh pushim..." Po kështu ata që kanë fizik e muskuj të lodhur nga stërvitja, të helmuar nga metoksina, nga lodhja japin prodhime fizikisht të dobët. Qelizat e lodhura e ngopura me helme organike e kimike, si alkool o plumb, mund të transmetojnë tek krijesa e ardhshme të meta serioze.
* * *
Bloch shkruan: "Gratë janë krejtësisht seks nga gjuri në qafë, kurse meshkujt zonën seksuale e kanë shumë të vogël... tek gruaja zona e kënaqësisë seksuale është e madhe dhe e shpërndarë në sipërfaqen e trupit".
Përsa i përket ndryshimeve të nivelit të kënaqësisë mes mashkullit dhe femrës, në natyrë këto janë të ndryshme mes specieve por edhe mes racave brenda species. Kështu psh., ndërsa është femra e fokës, apo luanesha etj., që përdorin një art të vërtetë për të eksituar meshkujt për kryerjen e aktit seksual, ekstremisht të kundërt janë meshkujt tek lama apo gamiljet që përdorin forcën. Kështu ndodh edhe brenda racës njerëzore psh., me femrat eskimeze që përdorin përkëdhelitë apo meshkujt e Jivaros në Amazonën e sipërme që përdorin forcën. Tërheqja, rezistenca që paraqet femra dhe turpi vijnë trashëgimisht nga një gjeneratë në tjetrën dhe manifestojnë një kujtesë atavike edhe se e transformuar në art. Por ndërsa tek kafshët akti seksual kryhet vetëm brenda një periudhe të caktuar gjatë vitit, tek njeriu nuk është kështu. Femra tek njeriu duhet ta joshë e ta eksitojë mashkullin e saj kur atij i pëlqen dhe kur ai është gati psikologjikisht e fizikisht mund të nisë bashkimi seksual. Eshtë sepse varet prej atij prandaj femra i nënshtrohet, i plotëson kapriçot dhe i bindet. Por ka shumë raste kur mashkulli e dhunon femrën e tij, të tilla raste njohin shumë gra të martuara. Egoizmi mashkullor bën kështu por gruaja qëndron jashtë, pasive në aktin e bashkimit.
Akti seksual kurrë nuk duhet të bëhet pa konsensusin e plotë të gruas dhe as të niset para se ajo të mos jetë e përgatitur përmes një kompleksi art,i shpirtëror e material, që i paraprin, që përbën parapërgatitjen për aktin seksual. Vetëm kështu ai mund të japë një kënaqësi ekstreme deri në një sinkronizëm në orgazëm. Mungesa e kësaj parapërgatitjeje, që reflektohet me ftohtësinë e shumë grave është e dukshme sepse mashkulli asgjë nuk ka bërë për ta eksituar, psikologjikisht e fizikisht që ta bëjë atë të jetë pjesëmarrëse në kënaqësi. Të përjashtosh njerin nga çifti prej kënaqësisë, do të thotë ta bësh aktin seksual, të papërsosur deri të mërzitshëm.
Gruaja pëson shpesh herë me forcë e deri brutalitet marrëdhënien e parë seksuale. Por ajo shpesh i nënshtrohet akteve jo të dëshirueshme edhe gjatë kohës së bashkëjetesës familjare, akte të cilat shpesh e detyrojnë atë që të paktën me mend të ëndërrojë një mashkull tjetër (tradhëti shpirtërore) ose e çojnë të shkojë vërtet me dikë tjetër i cili e kupton (tradhëti bashkëshortore).
Duhet theksuar se mashkulli që në kohën e pubertetit gati gjithmonë e zgjedh femrën që i pëlqen seksualisht, pasioni dhe simpatia seksuale bashkekzistojnë. Kurse në shumë gra vetëm pasioni mbizotëron në jetën bashkëshortore dhe kështu mbetet për të gjithë jetën edhe në funksionimin e aparatit gjenital që mund të ndjejë edhe pa një pjesëmarrje fizike. Në të kundërtën maashkulli për të arritur raportin fizik duhet të jetë i eksituar, duhet që organi i tij të pësojë ndryshime të formës dhe volumit. Kështu ka gra që nuk kanë provuar kurrë një dridhje të dëshirës epshore, por janë dhënë pasivisht burrave të tyre për një gëzim shpirtëror duke bashkëqenë në spektakël me dëshirën e të dashurit edhe pse me dhimbje fizike. Kjo sjellje, mënyra ndjesore duke përfunduar në altruizmin e nënës mes dhimbjesh fizike e shpirtërore, shpesh të injoruara nga burrat, e bëjnë gruan një qënie superiore, dhe disa gra krijesa të jashtëzakonshme.
E thamë edhe më lart se marrëdhënia seksuale duhet të parapërgatitet dhe kjo për shumë arsye kryesisht psikike, por edhe mekanike, si dhe për gjetjen e domosdoshme të kohës së kënaqësisë. Bile, parapërgatitja, është periudha më e kënaqëshme e cila pastaj përfundon në një moment. Kjo periudhë eksitimi psiko-fizik ku ka rëndësi çdo pjesë e trupit, prekjet, puthjet, përkëdheljet, fantazia në të cilën marrin pjesë edhe organet seksuale, të cilat sekretojnë likuide (jo spermë) nga gjendrat e mukozat e tyre, derisa dy trupat dridhen nga kënaqësia dhe arrihet mirëkuptimi i aktit me orgazëm.
Darvini (Origjina e njeriut) mendon se meshkujt e të gjithë specieve kanë dëshira e tendenca seksuale më të fuqishme se femrat. Dhe mund të thuhet se për mashkullin akti seksual është një pikë, kurse për femrën një linjë. Mashkulli pas aktit seksual ka përfunduar funksionin e tij biologjik, kjo është pika si një flakë që ndez. Por flaka e ndezur i besohet gruas së cilës i sjell gëzim e dhimbje sidomos kur kjo flakë ndez një jetë të re në gji e nis funksioni i amësisë, i gjatë e i vështirë që shkon nga akti seksual në konceptim, qumështim e edukim... Kështu femra fillon që nga momenti i ndezjes së flakës ose nga ajo pikë, e heq një linjë që zgjatet aq sa zgjat detyra sublime e amësisë.
Marrëdhënia seksuale lind si një shkëndijë që përshkon të dy trupat, që ndez fantazinë e që eksiton vlerat më të pastra të natyrës njerëzore, nga zemra në tru. Në të humb ndjesia e dy trupave sepse dashuria e vërtetë nuk ka organe.
Shpesh mashkulli pas aktit seksual ndjehet i lodhur, i trishtuar, i pakënaqur; kurse femra në të kundërtën ndjehet e kënaqur. Shpesh kjo ndodh se ky akt kryhet si nevojë fiziologjike për mashkullin e kështu kryhet pa parapërgatitjen, pa predispozicionin e të dyve dhe përgjegjësinë për këtë akt; kurse femra në rastin më të keq është e kënaqur që shpëtoi nga pesha, kthetrat e forca e mashkullit të saj. Kur akti seksual është i mirëpritur dhe i parapërgatitur nga të dy e kur shpreh bashkimin jo thjesht të trupave, por të shpirtrave atëhere jep një kënaqësi të madhe të të ndjerit një të të dy shpirtrave që dëshirojnë diçka të ëndërruar, atëhere akti le të kënaqur e të lumtur në dashurinë për tjetrin e jetën e përbashkët dhe me fekondimin arrin sintezën me qëllim krijimin. Ja se si një akt në thelb fizik, biologjik, brutal, transformohet nga njeriu në një ndjenjë të fuqishme e fantazi, në një kënaqësi e gëzim...
Virgjëria e morali i shoqërisë
Si pjesë anatomike e fiziologjike e aparatit gjinor vlerësohet për funksionin e diskutueshëm moral e shoqëror. Eshtë kështu membrana që mbyll kanalin gjenital (membrana virginitatis) e cila ndryshon sipas racave. Mbizotëron forma gjysëm hënore por edhe ajo formëunaze; por në raste të tjera paraqitet në formën e një kordoni (aligamenti) në drejtim horizontal ose vertikal në mënyrën që kanali vaginal mbetet i ndarë në dy dritare. Ka pastaj forma të çuditëshme të përshkruara edhe nga doktor Luscka të quajtura imene timbriato, forma që të lenë të dyshosh në gjykimin për virgjërinë. Një rast i tillë më kujtohet edhe mua në vitin 1922 kur një çift me dëshirën e tij u paraqit tek unë për këtë vizitë. Çifti në muajin e mjaltit i shqetësuar për raportin e tyre të parë pa gjak, vuri nën akuzë femrën e cila e fyer u mbrojt si mundi duke iu nënshtruar me dëshirën e saj vizitës mjekësore. Në këtë rast membrana ngjante me formën e koronës që hapej, ishte diçka e ngjashme me jakat si të Luigjit XV që përdoreshin në vitet 1700.
Pra siç duket shumë varet nga ajo fletë e hollë mukoze pa asnjë funksion të qartë. Nusja është e ndershme ose e pandershme nga disa pika gjaku që njollosin bardhësinë e çarçafëve në kontaktin e parë. Bile në disa popuj kjo është institucionalizuar; në Sierra Leone po qe se mungon kjo shenjë martesa anullohet. E sipas zakoneve edhe në shumë popuj të tjerë, të nesërmen e ditës së dasmës në mëngjes vjehrra kontrollon çarçafët. Pra paragjykimet për këtë membranë ose ndyshimet e saj nga delikate (imene vagnatela) ose rezistente (imene carnoso, muscolo diafammatico, ligamentoso etj.) dhe anomalitë, që në raport me organin e mashkullit mund të sjellin shkak jo vetëm prishjen e martesës por edhe ngjarje nga më tragjiket vrasje e vetëvrasje. "Sa jetë rreptësisht të helmuara nga elaticiteti e një veli" thotë Mantegazza. Për këtë do të ishte vërtetë e dëshirueshme ajo që thotë Lombroso: "Zhdukja anatomike e kësaj shenje të virgjërisë e zhvillimi shpirtëror i njeriut, që të dijë të kërkojë një tjetër virgjëri tek gruaja, atë shpirtërore, që është vërtetë sublime".
Eshtë fatkeq ai që i jep rëndësi kësaj shenje fizike e që kujton se Natyra ja ka vënë femrës për të treguar se nuk duhet të jetë veçse vetëm e një mashkulli, i cili do të jetë i pari, sepse "të jesh i pari është thellësisht e ndryshme nga të jesh i dyti". E se është krenar e i lumtur se është i pari që hyn në tempull dhe kënaq menjëherë dy pasione të mëdha, krenarinë e dashurinë, si dhe kujton se është më i garantuar për atë që ka pushtuar i pari e që nuk e ka gëzuar njeri tjetër.
Viktimë në fatkeqësi bien kështu jo vetëm femrat që e kanë humbur këtë membranë nga raportet seksuale me dëshirën e tyre a me forcë por edhe ato që kanë membranë jo të zakonshme apo ato që e kanë humbur si rezultat i një aksidenti të zakonshëm që në vogëli, plagosje, futje e gishtave në genital etj. Eshtë për fatkeqësitë që sjell që në vite janë bërë shpesh rivirgjëri. Këto janë shfrytëzuar edhe për fitim si nga mjekët e infermierët ashtu edhe nga gratë prostituta nobile. Mantegazza tregon një rast që një parisiene u dha 82 herë si e virgjër për kënaqësinë e atyre që donin ta çvirgjëronin.
Po kështu edhe organi mashkullor ka cipën e tij që është e njejtë të paktën fiziologjikisht, e cila është një frenuese e vërtetë e kënaqësive seksuale deri në pjekurinë e gjendrave gjenitale, atëherë ajo shkatërrohet. Pra në të dy sekset kjo cipë është një mbrojtës i këtyre organeve derisa arrihet pjekuria, derisa këto organe janë të gatshëm për funksionimin e tyre. Virgjëria e gruas është objekt krenarie e admirimi; për virgjërinë e burrit nuk flitet.
Për të gjitha këto që folëm disa popuj si Kina dhe India, si dikur romakët përdorin deflorimin (çvirgjërimin). Ata nuk i japin asnjë rëndësi morale virgjërisë e janë vetë nënat që ja shkatërrojnë atë cipë aq të rëndësishme vajzave të tyre që në vogëli (dhe është për këtë arsye që për membranën nuk shkruhet në traktatet e anatomisë kineze). Nganjëherë më duket shumë i mirë zakoni kinez për popujt perëndimorë. Por... etiketa e higjena seksuale gjenden në dy pole të ndryshëm.
Endokrinologjia në raport me jetën
Eksperimentet rreth fekondimit artificial mendohet se kanë filluar në vitin 1332 me një eksperiment me kuajt i përfunduar me sukses. Po ashtu me mjaft sukses përdoret tek njerëzit në raste të të metave të ndryshme tek mashkulli ose femra. Të gjitha realizimet në fushën e fekondimit artificial tek kafshët janë bërë brenda së njejtës specie dhe racë me përjashtime të vogla. Tek njeriu fekondimi artificial ka kaluar nëpër rrugë të vështira, jo klinike por shoqërore. I arritur me sukses fekondimi artificial bëhet në të gjitha rastet me spermën e marrë nga burri i femrës që fekondohet. Sot diçka e diskutueshme ka pushtuar mendjen e studjuesve telegonia që haset jo rrallë si forma e përsëritjes së trashëgimisë ose siç thuhet trashëgimia e inflencuar. Kjo vihet re tek kafshët por rrallë edhe tek njeriu, p.sh, vejusha të rimartuara të cilat lindin fëmijë të ngjashëm me burrin e parë të vdekur. Mes shpjegimesh të ndryshme që jepen veçoj teorinë e Claudio Bernard i cili thekson se kjo vjen nga një fekondim jo i plotë i vezoreve. Në këto vezore në të cilat kanë hyrë spermatozoidet (ashtu si mikrobet hynë në qelizat organike e në vezore në rastet e transmetimit të sëmundjeve nga nëna në embrion) pra nuk janë të fekonduara plotësisht. Ato fitojnë vetëm fuqinë riprodhuese por nuk nis proçesi cariogamisë vetëm pas kontaktesh të tjera seksuale, të cilat shërbejnë për të stimuluar gjenetikën e vezës që e përmbam spermatozoin brenda nga marrëdhënie edhe të shumë kohëve më parë. Qeliza mashkullore kështu qendron, si mikrobet, në brendësi të vezores duke përbërë ovospermën që e mban gjallë, e cila ndjek dy rrugë ose stimulohet nga një marrëdhënie tjetër ose po të vazhdojë të qëndrojë për një kohë shumë të gjatë bëhet burim sëmundjeje. Por që të verifikohet o njeri o tjetri fenomen duhet një rast i favorshëm që për ovospermën është ngrohtësia. Ky agjent termik i duhet ovospermës për të bërë "nisjen e lëvizjes për zhvillim" thotë Ruffini.
Kurse Turner e Bouchard mendojnë se kjo vjen ngaqë embrioni nëpërmjet qarkullimit utero-plaçentar komunikon me të gjitha qelizat e mëmësisë, kështu edhe me vezoret, duke i dhënë asaj cilësitë fiziologjike e patologjike që përmban spermatozoi prej mashkullit. Në këtë mënyrë thotë Bouchard spjegohet sepse kryesisht është kontakti i parë seksual që është i aftë të shkaktojë influencën telegonike. Mos është kjo diçka e lidhur, ndoshta e pavullnetëshme atavike e ndjenjës mashkullore për ta pasur të virgjër gruan e tij? Shumë gjera u shpjeguan më vonë me eksperimentet e kryera dhe në rastësitë e studjuara ku po përmend rastin e një gruaje të bardhë e cila me burrin e saj të parë zezak kishte lindur fëmijë mulatë, e pas vdekjes së tij e rimartuar me një të bardhë vazhdonte të lindte mulatë. Por edhe studimet eksperimentale të Amantea-s i cili i vuri rëndësi të madhe në këtë proçes edhe mekanizmit të depërtimit të spermartozoideve në mitër, në fluksin e madh apo të vogël të spermës, në sasinë e lëngëzimit të prodhuar nga gjendrat dhe në pozicionin horizontal apo vertikal në të cilin ndodhet femra në momentin e derdhjes (daljes së spermës).
* * *
Gjendrat gjinore mashkullore përveç prodhimit të spermatozoidit prodhojnë dhe një lëndë që përmban elementë qelizorë të quajtur me emrin Leyding (emrin i zbuluesit) që përbëjnë farën ose sekretimin e jashtëm. Kemi të bëjmë me qeliza me funksion të dyfishtë, pra me një aktivitet bipolar ku, nga njera anë jepet sekrecion në kanalet që shkojnë jashtë, nga ana tjetër derdhet në kapilaret e gjakut prodhime të tjera të afta për të reaguar në disa organe e gjendra të tjera. Pra kemi një dopio sekretim, të jashtëm (esocrina ose spermatogenetica) dhe të brendshëm (endrocina ose ormonica).
Tek femra kemi vezoren që përbën zonën kryesore seksuale. Vezoret ashtu si gjendrat mashkulore kanë formën dhe volumin e një mandarine. Këtu gjenden qelizat-vezë që janë të paformuara e në numër të madh por nga ato vetëm një pjesë e vogël arrijnë zhvillimin e plotë, pjekjen. Eshtë llogaritur se një në dyqind arrijnë stadin e pjekjes dhe gjithsej të tilla, pra të pjekura bëhen rreth 400, kurse të tjerat janë të destinuara të riabsorbohen. Pjekja e tyre shoqërohet dhe me rritjen e volumit (1.5 deri 2 mm diametër).
* * *
Eshtë folur, shkruar e studjuar shumë rreth mundësisë për t'u rinuar, e nuk flitet vetëm për t'u rinuar fizikisht por edhe nga ana intelektuale. Dihen ndikimet e mëdha të sekrecioneve të gjendrave seksuale në organizëm e në tru, gjë që është e dukshme kur arrin moshën kur këto gjendra nuk sekretojnë më. Me këtë ide filluan eksperimentet që u publikuan që l889 nga Brown-Sequard e u pasuan nga të tjerët. Këto ishin të thjeshta dhe konsistonin në injektimin e prodhimeve seksuale. Kjo mënyrë me të gjitha rezultatet e kënaqëshme, dhe mosrezultatet mbeti vetëm në fazën e eksperimentimit, por mendimi për meritë të Berthold çoi në trapjantimet e para të gjendrave seksuale të meshkujve. Këtu për t'u përmendur janë trapjantimet me gjendrat e majmunëve të bëra nga kirurgët Steinach, Lichtenstern e Voronoff. Për operacionet publikoi Steinach në Akademinë e Shkencave Vjenë më 1912. Efektet e operimeve të Asteinach dhe trapjatimet e Voronov arritën me të vërtetë një rinim të pacientëve në të gjithë funksionet - qarkulluese, nervore e cerebrale me shenja të dukshme nga jashtë si lëkura e flokët, por kryesorja aktiviteti fizik e mendor i ngjashëm me efektet që japin preparatet eksituese (por këto të fundit japin vetëm idenë e të kthyerit në gjallëri). Por ne nuk duam të dyshojmë as të fshehim se tek ndonjë nga të operuarit rinimi zgjati vetëm disa vjet. Eksperimentet me trapjante të vezoreve kanë filluar më 1896 nga Knauer e pas tij Grigorieff, Ribber, Rubinstejn e italiani Foà.
Ndjesitë e seksi
"Dashuria nuk është gjë tjetër veç të provosh kënaqësi në të parë, në të prekur, në të ndjerë, nëpërmjet të gjitha ndjesive e sa më afër që të jetë e mundur, me qënien e dashur me të cilën jemi lidhur..."
Stendal "Dashuria"
Krafft-Ebing shkruan:" ... Dashuria është ndjenja më e fuqishme në jetën e individit e të shoqërisë njerëzore, është shtytja më energjike e veprimeve njerëzore, që hedh bazat e familjes e zgjimit të ndjenjave altruiste, në fillim për një njeri të një seksi tjetër pastaj për fëmijët e në fund për të gjithë shoqërinë".
Ndjesia e parë që shërben në instiktin seksual është aroma. Ajo ka një ndikim të madh në funksionin seksual e fekondimin e pemëve por edhe tek kafshët. Janë individët meshkuj ato që kanë aparatin e nuhatjes më të fortë. Në jetën seksuale të njeriut aroma nuk është e para, ajo nuk ka veprim fizik si tek kafshët por ka veprim psikik. Të tillë veprim kanë, përveç aromës trupore edhe parfumet e ndryshëm industrialë që në pjesën më të madhe vijnë nga bota vegjetale e që vetë janë organet gjenitale të kësaj bote (poleni i luleve etj.). Flijes (Vjenë 1901) ishte i pari që dalloi se në mukozën e hundës ka dy pika, zona gjenitale. Dhe provoi si të vërtetë lidhjen që manifestohet në forma të ndryshme siç ndodh me ulje deri në humbje të nuhatjes tek gratë me çrregullime menstruale e ato me probleme patologjike të aparatit seksual. Gjithashtu mendohet se kjo lidhje ndodh ngaqë në tru lobi i nuhatjes është afër lobit frontal qendër e inteligjencës. Antikët bile kishin vënë re një raport propocional midis dimensioneve të hundës dhe organeve seksuale.
Shumë aroma mund të jenë të këndëshme por ka mes tyre që kanë nuancë ose reagojnë si eksitues seksualë, këtu futen aroma e barit, aroma e lëkurës, e flokëve etj. Por kjo gjë shpesh herë është edhe subjektive, parfumi i gruas që duam, sepse e përdor ajo, eksiton mendimin tonë. Mjafton që ky parfum të na vijë edhe nga larg nëpërmjet një letre që të na japë kënaqësi, jo pa një eksitim psiko-seksual, i shoqëruar me parafytyrim, kujtim, ndjenjë. Aromat seksuale, kështu i quan Zwaardemaker aromat që vijnë nga prodhimet e gjendrave seksuale nuk kanë pushuar së ndikuari mbi njeriun, por tek njeriu ngrihen nga sfera fizike në atë psikike për të ekzaltuar epshin nëpërmes kujtesës e fuqive të bashkuara me ndjesitë - e më shumë se këto - trurin e shpirtin.
Shikimi
Ashtu si aroma ndikojnë edhe ngjyrat në botën vegjetale dhe atë të kafshëve. Darvini na tregon se si një fazan - si një sulltan i vërtetë në një fazaneri - sapo humbi pendën më të bukur që kishte iku nga femrat dhe u zëvendësua nga një mashkull tjetër. Në botën e shpendëve e të kafshëve kanë shumë rëndësi ngjyrat, si puplat apo lëkura e kafshëve, në bashkimin e sekseve. Kjo duket veçanërisht në bukurinë që marrin ato në stinën e bashkimit.
Njeriu i ka zëvendësuar ato me veshjen artificiale që është një shprehje shoqërore e erotike. Njeriut syri nuk i shërben vetëm si organ ndihmës i seksit por edhe si një mjet i aftë shprehës i dashurisë. Shikimi na jep një panoramë të pjesës së dukshme të personit, pjesa tjetër merret me mend, përmes dritës së syve, shpirtit, bukurive të fshehura, ndjenjave më të ndryra. Kurse buzëqeshja që vetëm njeriu e ka dhe që është pjesë kryesore e mimikës së fytyrës është shprehja e ndjenjës që paraqet, për atë që na shikon, një gjuhë erotike të mbushur me shpresë.
Njeriu që shohim fizikisht për herë të parë e që na godet zemrën nuk është më i ri për shpirtin. Zgjedhja e pandërgjegjshme nuk është vetëm fizike por edhe shpirtërore. Shpesh kemi të bëjmë me një tërheqje të madhe, e cila për një kohë të gjatë është përpunuar në fantazi, e tani materializohet, ajo që më parë është krijuar, njohur e aq dëshëruar nga shpirti, papritur gjen mishërimin real, e ne na duket se atë person gjithmonë e kemi parë, gjithmonë e kemi njohur. Shpirtdridhur e padurim prej pritjes së gjatë nga ëndrra në realitet; afrohet poli negativ me atë pozitiv. Dhe shkrep shkëndija e ndez.
Një proverb afrikan i Bregut të Guinesë na ve në dukje: "Të dashurosh shpejt një grua, do të thotë që shpejt të mos e dashurosh". Por nuk do të thotë se gjithmonë është kështu, siç nuk është e vërtetë që dhe një dashuri e ngadalëshme është gjithmonë e lumtur. Rrallë dashuria ka fatin të bëhet një lidhje e fuqishme, e nisur thjeshtë nga një tërheqje shpirtërore. Eshtë elementi fizik ai që përgjithësisht vendos tërheqjen e parë, prej këtej arrihet lart në tru e në shpirt. Ndjenja vjen më pas, pastaj elementi seksual... Por për ta vlerësuar errësoje e harroje çdo lidhje materiale dhe mund të arrish në më të vërtetin e më të plotin bashkim të dy qënieve trup e shpirt, që krijojnë një të tërë flakëruese. Tashmë syri nuk shikon të Bukurën që më parë e ka tërhequr, por që është kthyer në të Mirën.
Rruga që ndjek dashuria është nga kënaqësia materiale e syrit, në dëshirën e gëzimit fizik, trupor, nga ndjenjat e mendimet e dashurisë së vërtetë, shpirtërore, në adhurimin e sakrificën altruiste. Për ta mbështetur këtë mendim po ju bie një ngjarje të vërtetë: Një zonjushë shkrimtare, me ndjenja e mendime të punuara, lidh një letërkëmbim të gjatë me një zotëri shumë të edukuar, lexues entuziast i librave të saj. Letërkëmbimi i nisur me temat e letërsisë, u bë gjithnjë e më i shpeshtë, dhe në një pikë, ndryshoi rrugë në sentimental e deri dashurie. Tani të dy e kishin të nevojshme të njiheshin; u bë edhe një shkëmbim fotografish. Admiruesit i pëlqeu shumë fotoja, tashmë ai ishte i pushtuar nga bukuria shpirtërore, intelektuale dhe e pamjes së zonjushës. Ai nuk nguroi t'i propozojë një takim për ta njohur personalisht. Dhe takimi u vendos të bëhet në një fshat ndërmjet dy vendbanimeve. Aty u takuan dhe, shikimi i parë qe një zhgënjim. Nuk ndodhi shkëndija që ndez por një dush i ftohtë që i hyri deri në zemër. Krijesa e ëndërrave të tij u shfaq përpara tij siç ishte, një krijesë e mjerë, e deformuar (nga një sëmundje që në lindje). Shikimi i tregoi realitetin fizik dhe nuk patën më vlerë bisedat intelektuale për të ndezur zemrën e tij. E që prej asaj dite letërkëmbimi u kthye në temën letrare derisa humbi.
Kështu qënia fizike shkatërroi që në takimin e parë atë idil që krijesa shpirtërore kishte bërë të rridhte fuqimisht në shpirtin e ndezur. Ky është fati i pjesës më të madhe të dashurive që kanë një përmbajtje vetëm shpirtërore dhe mbi këtë bazë kujtojnë se gjejnë një taban të shëndoshë në mungesë të plotë të të parit të objektit që dashurohet. Kurse kur shikimi ka ngrohur ndjesitë dhe pastaj ndërhyn shpirti për të eksperimentuar apo kontrolluar përshtypjen e parë vizive, zhgënjimet janë më të pakta e më pak të rënda, sepse tërheqja fizike, bukuria ose simpatia përbëjnë nismëtaren e dashurisë që duhet të çimentohet, për të merituar këtë emër të lartë vërtetë njerëzor, nga ndjenja dhe arsyeja. Dashuria fizike dhe shpirtërore nuk mund të ndahen, por duhet nisur nga e para për tek e dyta.
Dëgjimi, takti e shija
Dëgjimi bashkëpunon me shikimin për të vendosur dashurinë në distancë tek kafshët e shpendët. Zërat janë të ndryshëm, që nga zhurmat e klithjet e deri në këngën melodioze të disa zogjve në periudhën e bashkimit, bile edhe disa kafshë të shurdhër anatomikisht si peshqit, fitojnë në periudhën e bashkimit aftësinë e nxjerrjes së tingujve të veçantë. Tek kafshët kjo quhet gjuha e dashurisë. Jam i bindur se ndokush do të preket në ndjenja që po i atribuoj një gjuhë kafshëve, por është e vërtetë se ato shprehen me një gjuhë të veçantë dhe mimikë për disa ndjenja si frika, dëshira për ushqim dhe dashuri.
Tek njeriu, së bashku me shikimin, dëgjimi është një ndjesi vërtetë e lartë intelektuale që ka rëndësi në marrëdhëniet dashurore. Mund të thuhet se nga shikimi i objektit të simpatisë, pasi eksistojnë dëshirat e ndjesitë, kalohet në perceptimin e zërit, që me timbrin, nuancat, modulacionin vepron si agjent fizik për të lidhur më shumë tërheqjen seksuale drejt dashurisë. Veshi është përçuesi i mendimeve dhe ndjenjave të tjetrit në trurin tonë. Eshtë i rëndësishëm edhe ndryshimi i timbrit zanor në epokën e pjekurisë seksuale ose të dashurisë. Kështu zëri ka një ndikim të thellë në shpirtin njerëzor veçanërisht kur është i moduluar muzikalisht në intonacionet e timbrin e një kënge.
Kontakti fizik
Dashuria e kontaktit përbën aktin përfundimtar të çdo dëshire seksuale. Kjo fillon me ndjeshmërinë e pjesëve të eksitueshme të trupit të cilat nëpërmjet nervave fundorë anësorë shkojnë nga lëkura në tru. Eshtë një veprim që fillon në një sipërfaqe të gjerë për të përfunduar pastaj në organet gjinore. Kështu zona të ndjeshme janë që nga fytyra, flokët, gjoksi, këmbët, gjuha etj., sigurisht edhe puthja. Puthja është një veprim ndjesie që shpreh dashuri, por jo gjithmonë erotike; por edhe shprehje ndjenjash miqësie, dashurie prindërore etj. Puthja erotike dallohet menjëherë për ndyshimin psikofizik, shkallën e intimitetit, për presionin mekanik të buzëve mbi lëkurë në pjesë të ndyshme të trupit apo në buzë, Në formën e puthjeve delikate o të forta, të thithjeve apo kafshimeve të lehta, të ngacmimeve me gjuhë në pjesë të ndryshme të trupit, në gjoks e në organet gjenitale.
Për puthjet është shkruar një literaturë e tërë, pastaj thuhet se puthja ka edhe një notë etnike. Kështu puthja italiane, puthje fiorentine (që konsiston në puthjen duke futur gjuhën në gojë), puthje franceze (ato që jepen në faqe e në anët e buzëve), puthjet në grykë, qafë e shpatulla.
Puthjen shumë popuj të paqytetëruar nuk e njohin e disa nuk e kanë si mjet dashurie. Tek disa popuj të qytetëruar puthja nuk përdoret, kështu p.sh. japonezët nuk i japin rëndësi, kurse kinezët e quajnë si shprehje të bezdisëshme. Frojdi thotë se tek i rrituri çdo organ ka një funksion të dyfishtë dhe se përbri funksionit fiziologjik është dhe një tjetër erogjen, edhe ky fiziologjik si ndihmës i instiktit të krijimit. Kështu goja përveç që është për të ngrënë, për të folur, është edhe për të puthur... syri shikon dhe jep kënaqësi erotike vizive... e kështu të gjitha ndjesitë japin ndihmesën për të arritur kënaqësinë që është mjet për krijimin. Buda i përcakton ndjesitë si kofiçiente të funksioneve seksuale.
Për të rinjtë nuk ka asnjë formë që godet më fort se figura e gruas, asnjë zë që i vjedh zemrën më shumë se zëri i gruas, nuk ka aromë që i mrekullon më shumë se ajo e femrës, nuk ka shije që i dridh zemrën sa shija e femrës, nuk ka asnjë kontakt më të këndëshëm se kontakti me femrën.
Pra të gjitha ndjenjat pa asnjë përjashtim marrin pjesë në funksionin seksual.
Seksi dhe shoqëria
Duhet thënë se jo të gjitha paraqitjet erotike janë të species njerëzore e të rrjedhura nga qytetërimi. Kështu është kënga që e përdorin disa kafshë e shpendë në periudhën e dashurisë, arti i ngjyrave, puplave ose peliçes, apo dhe kërcimit; nga kafshët kaluan në shoqërinë njerëzore duke iu nënshtruar përsosmërisë e fantazisë e duke u kthyer nga mjet erotik eksitimi në art. Kjo duket qartë në karakterin e kërcimeve popullore në mjaft zona në Arabi, Siberi, Libi, Spanjë, Australi, etj. etj. Nga vallet popullore që të kujtojnë raporte erotike e seksuale, si parapërgatitje e raportit seksual tek kafshët e popujt e egër kaluan nëpër shekuj dhe u punuan në kërcimet moderne, nga minueti tek maxurka, polka e deri tek tango, vallëzime që kërcehen të shtërnguar (vetë fjala tango vjen nga latinishtja tangere që do të thotë me prekë).
Kështu për shumë kohë ballot janë përdorur si vend ku vajzat shkonin për t'u njohur me burrat e tyre të ardhshëm. Seksualiteti i vallëzimit shprehet edhe në mënyrën se si është formuar kopja e kërcyesve; një burrë e një grua, që zgjidhen sipas simpatisë. Vallëzimi mes dy burrave apo dy grave jep përshtypje të keqe, si gjë kundër Natyrës (bëhet homoseksual). Vallëzimi ruan shprehje erotike seksuale si vazhdimësi e prejardhjes. Kurse sot kemi arritur të shohim në skenë balerina me këmbë jashtë... Nuk duhet të çuditemi se njeriu i nënshtrohet disa ligjeve atavike, si seksualiteti i vallzimit që është atavik dhe duhet respektuar. Njeriu e ka shumëfishuar fuqinë eksituese duke e shoqëruar vallzimin me muzikë e me kostume duke e bërë një art estetikisht të bukur.
Turpi, veshja e moda
Cila është orgjina e veshjes, e pse u veshën njerëzit primitivë ? Gjithçkà na çon të mendojmë se veshja ka ardhur nga nevoja e stërgjyshërve tanë për t'u mbrojtur nga agjentët atmosferikë. Por përse popujt e egër preferuan që të mbulojnë pjesërisht o plotësisht organet gjenitale? Këto vihen re edhe sot në popujt e prapambetur si në Tansmani, ishujt Anakoreti, Nueiret e Afrikës apo në Bongo etj. Diku mbulohen me gjethe e diku me duar.
Veshjet e para shërbyen pra jo aq për t'u mbrojtur nga klima sa për të fshehur e mbrojtur organet seksuale. Dhe kjo ligjëroi turpin i cili paraqitet me legjendarin gjethen e fikut. Nga organet seksuale gjethja e fikut u hap dhe mbuloi të gjithë trupin e njeriut ndër shekuj duke u modifikuar e perfeksionuar në material dhe në model. Veshja, thotë dikush, nuk identifikohet me turpin, sepse nganjëherë duket sikur veshja vetë gjeneron turpin. Kështu në ato fise ku u tentua t'i mësojnë për të dalë të veshur papritmas u vu re tek ata ndjenja e turpit për të dalë të veshur. Mantegazza mbështet origjinën e turpit nga veshja, ai na kujton se Livingston veshi dy vajza 10-vjeçare nga Beanda-Pezis, ku rrijnë krejtësisht të zhveshur, dhe shikoi të zhvillohej tek ato menjëherë ndjenja e turpit derisa pas dy javësh ato mbulonin edhe gjoksin kur të tjerët kalonin në dhomën e tyre të gjumit.
Mund të arrihet në përfundim pra se turpi ka prejardhje seksuale dhe ka të bëjë dhe me veshjen që rrjedh prej saj, (për të fshehur atë që nga pikpamja morale është e turpëshme). Turpi zhvillohet me qytetërimin e popujve. Ai nuk eksiston mes popujve të egër siç nuk eksiston tek kafshët. Veshja që mbulon e që fsheh për të bërë të maskuar e të dëshirueshme është emblema e turpit fizik dhe estetik.
Veshja së bashku me bizhuteritë që bëjnë pjesë në të, zgjedhja e ngjyrave, tejpashmërisë, pjesëve të hapura etj., gjithçkà, të gjitha modelet e pëlqyeshme janë ato që ngacmojnë fantazinë erotike. Arti i joshjes ka zbuluar pasqyrën që i shërben kryesisht grave tona gjithkund, në shtëpi, në teatër, në rrugë. Gratë sipas një publikimi të besueshëm harxhojnë përpara pasqyrës një kohë të madhe. Ja një tabelë, nuk dihet sa e vërtetë, por sidoqoftë tregon diçka për të cilën ne jemi dëshmitarë se sa gratë qëndrojnë përpara pasqyrës në një ditë.
6-10 vjeç 7 minuta
10-15 15
15-20 22
20-25 25
25-30 30
30-35 24
35-40 18
40-50 60
50-60 7
Veshjet e modës, bizhuteritë, vija e përsosur e pantallonave apo nyja artistike e gravatës, krehja e flokëve, tualeti, ishin sukses në dashuri. Gratë (dhe një pjesë e burrave) janë si fluturat; vrapojnë drejt gjithçkaje që shkëlqen e shpesh përfundojnë duke djegur flatrat.
Kështu siç thamë më lart veshja ndërthuret me ndjenjën e turpit e me moralin. Sipas doktor Orsit, origjina e turpit është estetike. Ai sjell shembull faktin se gratë e shëmtuara janë më të turpshme, kurse gratë e bukura në të kundërt. Ndërsa të parat fshehin gjithçkà nga trupi i tyre dhe kjo ndjenjë përhapet në sferën fizike dhe në atë spikike e morale; gratë e bukura kanë dëshirë që të lënë të shihet gjithçkà në planin fizik e psikologjik. Pra edhe teoria e dok. Orsit lidh turpin me kuptimin erotik e seksual.

Nganjëherë veshja të jep mundësinë të shohësh pamje më shumë se syri do të shihte lirisht, femra gjysëm e zhveshur është më eksituese e skandaloze se e zhveshur krejt. Kështu veshja shërben për të mbuluar gjysmën e për të fantazuar atë që mbetet, duke ndezur dëshirën për të.
"Kufijtë e turpit, - shkruan Mantegazza, - janë të përcaktuar në mjaft vende nëpërmjet veshjeve që shkojnë nga gjuri poshtë deri tek gjinjtë sipër. Në fakt kemi të bëjmë me vlerësimin e organeve gjinore. E çfarë është turpi fizik, veçse turp psikik, i cili nuk është gjë tjetër veç njohja e organeve të riprodhimit. Kjo është kaq e vërtetë sa që turpi nuk ekziston derisa këtyre organeve t'i njihet vlera. Por duhet thënë se turpi e me të edhe morali seksual, është padrejtësisht gati i gjithë për pjesën femërore të njerëzimit, për popujt e qytetëruar e për ato të paqytetëruar. Kështu në shumë popuj meshkujt rrinë lakuriq e vetëm gratë mbulohen, kurse në mjaft popuj të tjerë femrat mbulohen vetëm fill mbas martesës, kur ato bëhen pronë e meshkujve të cilët janë xhelozë.
Të skuqurit e faqeve, ulja e syve përtokë nga personat e turpshëm e nga vajzat kryesisht, është manifestimi më i qartë i njohjes nga ana e tyre e gjërave seksuale, qofshin edhe të nocioneve të paqarta e fillestare. Skuqesh se mendon për objektin që provokon turpin. Këto vihen re më shumë tek gratë, e veçanërisht tek femrat e meshkujt në periudhën e pubertetit, sepse në këtë periudhë ëndërrat punojnë në intimitet. Por gjërat na bëjnë të skuqemi një herë, e kur vazhdojnë çdo gjë kalon, kështu ndodh p.sh. me ushtarët që para komisionit mjekësor të turpshëm zhvishen lakuriq, në fillim duke vendosur duart para organit gjinor, kurse pas pak rrijnë normalisht sikur janë të veshur. E njëjta gjë ndodh në plazhe.
Por turpi si veshja, krehja, tualeti, ndjek modën e rrethanat e jetës, zhvillimin e edukatën, që ndërrojnë me stinët e mjedisin (mal apo det) e që në fund janë morali i kohës. Çdo epokë ka modën e saj, turpin e saj, kërcimet e saj... Ato janë shprehje e kohëve, e gjendjes shpirtërore, morale e politike të popujve.
Kurse turpi tek burri ka një shprehje etike të veçantë, gati-gati kufizohet me raportet me gratë, të cilat kërkon të mos i fyejë e prekë. Tek ai turpi fizik nuk ka motiv të jetë mbrojtës, kurse turpi estetik ka të bëjë me sjelljet me femrat në shoqëri. Por ai e di mirë se, atëhere kur nuk është larg qëllimi për të cilin i vardiset një femre, është mirë e me rezultat të dish të pëshpërisësh fjalë jo krejtësisht të turpëshme, të cilat mund t'i quajmë galante e që shërbejnë për të stimuluar dëshirën e gruas. Ndërsa ajo duke dëgjuar hiqet e turpëshme, e ofenduar, në fakt i pëlqejnë, kjo do të ishte një gjendje paradëshire, parakënaqësie, e mbushur me një kënaqësi të veçantë.
Burri nuk e ka shumë të zhvilluar ndjenjën estetike të të veshurit. Kurse "Gratë, thotë Weininger, provojnë interes për lakuriqësinë e grave të tjera, gjë që nuk e kanë meshkujt".
Nevojat seksuale dhe ndëshkimi seksual.
Akti i riprodhimit si dhe ai i ushqimit, janë instinktive që shpërthejnë nga subkoshienca ku janë të mbledhura kujtimet e eksperiencat e species. Për të nuk nevojitet asnjë mësim sepse çdo qënie e merr me lindjen, aq sa çdo femër e mashkull është në gjendje të ekzekutojë mekanikën e bashkimit seksual. Akti e mekanika e ngrënies vjen nga stimuli i dëshirës për të ngrënë, që rrjedh nga sekretimet e gjendrrave të shumta e qelizave organike që manifestojnë nevojën e ushqimit, që mund të arrijë deri në uri. Stimuli i aktit seksual vjen nga sekretimet e brendëshme e të jashtme të gjendrrave gjinore, e nga nevoja e qelizave të brendëshme të organizmit për t'u sythëzuar e për t'u riprodhuar vazhdimisht. Biologjikisht përfundimi është fekondimi. Vetëm dashuria, që është dashuria sublime e shpirtëzuar, nuk do të meritonte këtë emër po të mos ishte e fekonduar. E poqese fekondimi i dëshërueshëm, rezultati i instinktit seksual do të thotë përsëritje e species, fekondimi i dashurisë njerëzore zgjeron dhe e idealizon domethënien e fekondimit, e transporton nga fusha fizike, thelbësore, në fushën etike shoqërore, ndjesore e intelektuale; gjë që do të thotë konstitucionalizimi i familjes, dashuri për tjetrin e për veprat e bëra nga gjenialiteti. Ashtu siç transmetohen nga prindi tek fëmija mjaft virtute e vese, siç transmetohen pasoja nga të qënit i lodhur apo i alkolizuar; po ashtu reflektohen tek qëniet e lindura edhe nëse prindërit janë të ndjeshëm për atë që po bëjnë, se sa e duan me gjithë shpirt njeri-tjetrin e atë që po krijojnë. Mjaft shkencëtarë kanë folur e shkruar për këtë. Thuhet pra se fëmijët e krijuar pa dashuri mbajnë gjurmë të jopërsosmërisë psikologjike, janë qullë, jo simpatikë dhe pak të lëvizshëm; në të kundërt fëmijët e prindërve të dashuruar janë më aktivë e të bukur. Edhe populli thotë se fëmijët e dashurisë janë të përsosur. Dhe arsyetohet se prodhimet e rrjedhura nga individë që nuk dashurohen kanë shumë (Chemotropismo negativo).
Të fekondosh është njëlloj si të mbjellësh, t'a bësh pjellore, të zotërosh krejtësisht një grua; kurse për këtë të fundit, të jesh e fekonduar nga burri yt do të thotë një akt nderi e dashurie të madhe, që i beson asaj vazhdimin e jetës së një qënieje që do të jetë për të dy gëzim e dhémbje, sintezë e trupave dhe shpirtrave të tyre. Se bashkimet nomale sjellin një gëzim intim dhe japin ndjesinë e të zotëruarit më të plotë, të një shkrirje mes burrit e gruas e cila pas fekondimit pëson ndryshime të mëdha kimike e psikike. Kështu do të dilja kundër Weininger që thotë se nuk ka asnjë ndryshim mes dy akteve (etero e omoseksuale). Ai nuk ka parasysh se gruaja mund të jetë edhe poliedrike si femër, por është absolutisht monogame si nënë, se vetëm një mashkull, bile vetëm një spermatozo i një mashkulli është i aftë ta fekondojë. Ajo mund të zotërohet nga shumë meshkuj por do ta pushtojë vërtetë ai që e fekondon.
Dashuria kërkon të jetë e fekonduar dhe është e plotë kur kryhet nga materia, ndjenja dhe mendimi. Kjo dashuri nuk është sterile si dashuria platonike, por dashuri që krijon, që jep motiv për të jetuar e që na lidh duke qënë të dashuruar.
Sa më shumë rritet inteligjenca e qytetërimi, më shumë rritet dëshira dhe fuqia e dashurisë. Truri e aparati seksual përsosen bashkë në shkallën e gjatë nga speciet e kafshëve të pazhvilluara deri tek njeriu. E mund të thuhet se dashuria, erotizmi e seksualiteti shkrihen me sublimitetin e ndjenjave në tru, i cili nuk bën tjetër veç përsos impulset primitive, që çojnë në aktin e fekondimit. Këtë përfundim kanë arritur filozofët e mëdhej Kant e Shopenhauer, - dhe ne e vërtetojmë me përvojën tonë të përditëshme.
Nga ana tjetër krijimi është e vetmja mënyrë që kanë të gjallët për t'i rezistuar vdekjes - dhe njeriu më shumë se të gjitha kafshët e ka tmerr fundin e tij, se e di çfarë është, dhe mbrohet duke kërkuar të mos vdesë kurrë me fekondimin fizik e shpirtëror. Për këtë të gjithë përpiqen të mbijetojnë të paktën shpirtërisht në kujtimet e të ngjashëmve të tyre, duke lënë kujtim për ata një vepër, një punë, një objekt... Kjo ndjenjë është aq e fuqishme sa ai që nuk ka fëmijë, kërkon dikë të gjakut të tij që të sigurojë mbijetesën në kujtim, mirënjohje e dashuri. Gjithë kjo është frut i instinktit të riprodhimit që realizohet nga fekondimi. Pra instinkti i riprodhimit identifikohet me atë të pavdeksisë.
Zakonisht periudha e jetëgjatësisë së krijesave ka të bëjë me volumin e tyre, kështu është interesante të dihet se krokodili jeton 250 vjet, elefanti 150-200, breshka deri në 200, shqiponja, korbi, papagalli, mjellma rreth 100, luani 80, rinoceronti e deveja 50, kali, gomari e mushka 25-50, derri 10, ujku, ariu 20, qeni, macja 15, pulat shtëpiake 10, minjtë 4 etj. Jetëgjatësinë më të madhe mbi tokë, e ka balena që mendohet se jeton deri 2000 vjet.
Po kështu edhe shtatzania është gati gjithmonë në raport me volumin e trupit; kështu lopa 3, delja dhija dhe ulkonja 5, qeni 2, macja 6 javë etj. etj. Kurse periudha e qumështimit është zakonisht sa periudha e shtatzanisë.
Sasia e marredhenieve seksuale
Sasia e marrëdhënieve seksuale në kohë tek njeriu janë të ndryshme e varen nga gjendja fiziko-psikologjike, temperatura, mjedisi, grupmosha etj. Nga mjekë, filozofë e psikologë janë dhënë shifra si më poshtë. Për njerëzit që kryejnë punë jo të rënda në moshat 20-35 vjeç mund të kryejnë raporte seksuale një herë çdo ditë, ato që kryejnë punë të rënda fizike 2 herë në javë dhe ata që kryejnë punë të rënda intelektuale një herë në javë. Këto janë shifra mesatare. Pastaj ka raste të veçanta siç është ai i cituar nga Mantegazza për një italian që në moshën 45 vjeçare ishte në gjendje të kryente marrëdhënie me të shoqen 5 herë në tre orë. Kurse Murri shkruan për dikë që zakonisht bënte 2-3 herë çdo ditë, apo një tjetër që bënte deri 10 herë në 24 orë. Për dashurinë nuk ka masë, kur dashuria frymëzon zbulohen tek ne rezerva organike e shpirtërore të paparafytyrueshme.
Nga ana tjetër duhet të kuptohet që organet seksuale si çdo aparat tjetër organik kanë nevojë të jenë në funksion; mosfunksionimi do të thotë atrofizim, tharje. Janë vërejtur raste të pafuqisë seksuale të ardhura nga ndëshkimi (shoqëror apo familjar) për diçka të bërë e quajtur e dënueshme. Që në fillimin e jetës seksuale akti seksual duhet të jetë normal dhe i rregullt. Nuk gjendet në pozicion të mirë as ai që nuk ka kryer marrdhënie rregullisht dhe as ai që ka abuzuar. Pra çdo njeri duhet të jetë administrator i mirë i energjisë seksuale.
Ndërhyrja e jetës seksuale të rregullt dhe dashurisë është shumë e madhe, ajo i jep jetës suaj një shtytje të mbarë, me të nuk jeni kurrë vetëm. Edhe poqese gruaja juaj e dashur nuk është më, ajo dritë që më parë e kishit afër, që ju ngrohte, do të ndriçojë fort nga larg e do të shënojë një gjysëmbukuri e përsosmëri. Eshtë gruaja e bukur dhe e mirë që fillimisht është shoqe, stimuluese e qetësuese, e gatëshme, në jetë, për të vlerësuar çdo lodhje tuajën me një ledhatim dashurie të dalë nga shpirti, që do të jetë frymëzuesja e vërtetë e çdo veprimi drejt së vërtetës, drejt së drejtës, drejt së bukurës. Do të jetë gjithmonë shoqja juaj, drejtuesja juaj, pasuria juaj shpirtërore e pashkatërrueshme, edhe kur ta ndjeni veten të vetmuar e të mjeruar. E poqese dashuria juaj ka dhënë frutet e saj, ju do ta ndjeni edhe më të fortë dëshirën dhe detyrën për të jetuar, për të vepruar ashtu si kur ajo ishte me ju, e në krijesat tuaja do të rishihni atë, dhe do ta dashuroni më shumë aq sa dhembja juaj do të arrijë në shpirtin tuaj të shumfishohet në dashuri.
Gati gjithmonë është femra që na tërheq e na bën për vehte, pastaj gruaja na pushton. Në jetën e secilit prej nesh është një grua. Mbi karakterin dhe fatin e çdo burri rri një grua si ëngjëll frymëzues i aksioneve të mira, ndjenjave të mëdha. Gruaja, flas për atë që paraqet e idealizon dashurinë - është në mendimin e jetën e të mëdhenjve dhe e të vegjëlve. Dante, Rafaolo, Napoleon, Bajron e kështu pa fund... Kur influenca e saj është e mirë dhe e përdorur mirë, është fatlum e i lumtur ai që është objekt i saj.
Mospërdorimi i seksit për Campanella-n, edhe sipas ligjeve të saksonëve përshkruhet deri në 20 vjeç, sepse rinia merr formë të plotë e të shëndetëshme në këtë moshë, sidomos pas 25 vjetëve zhvillimi organik është i plotë e akti seksual është i dobishëm e mospërdorimi i dëmshëm. Dëmi është padyshim pas një moshe që duhet përcaktuar rast për rasti individualisht, se varet nga shumë gjëra si klima, mjedisi, klasa shoqërore, ushqimi, grupmosha etj. Të tilla janë vënë re tek murgjërit apo tek ushtarët në Luftën Botërore. Kështu seminaret, burgjet, kolegjet e manastiret janë shembuj të dëmeve që mund të sjellë dëshkimi. Individi i nënshtruar ndëshkimit me forcë, si në rastet e mësipërm, mund të duket i shëndoshë ndërsa nuk është i tillë, i fortë ndërsa është i dobët. Në këto raste reagimet e njerëzve janë të ndryshme në vartësi nga shumë elementë si mosha, karakteri, temparamenti, temperatura, mjedisi, edukata etj. Efektet e ndëshkimit ulen në masë të madhe nga masturbimi.
Tek gruaja efektet e ndëshkimit janë të ndryshme për arsye fizike e shoqërore. Ajo ka nevoja më të vogla e më të kufizuara edhe nga ana atavike e trashëgimtare. Eshtë për këtë që dëmet mbi gratë janë më të vogla sidomos sa ajo është e virgjër. Marrëdhënia seksuale tek ajo nuk është një nevojë e domosdoshme siç është për të mëmësia. Kështu gruaja e ndëshkuar, vuan më tepër se për mungesën e aktit seksual, për mungesën e mëmësisë gjë që e shkatërron.
Nga ndëshkimi seksual vjen apatia e shpirtit ajo trupore dhe e trurit, që siç thotë Murri, është një gjendje psikike me çrregullime organike të sistemit nervor, të trurit e të palcës së kurrizit.
Mashkulli e femra jo krejtesisht te veçantë
Duke pasur parasysh se në çdo mashkull ekzistojnë elementë femërorë, e në çdo femër elementë mashkullorë - të cilët janë të shprehur edhe anatomikisht - e që biseksualiteti është i pranishëm në çdo organizëm, qoftë në seksin fizik, qoftë në seksin psikik, nuk është e çuditëshme të flitet për histerizëm. Në psiko-analizë shprehen disa forma të histerizmit me origjinë seksuale, (kjo nuk është patogjeneza e gjithë formave të histerizmit), të cilat mund të kenë origjinë nga gjendrat gjenitale mashkullore ose femërore, ku janë të pranishëm elementë eteroseksualë. Mbizotërimi gjenetik i histerizmit i përket vezoreve sepse tek gratë është më i ndrydhur funksioni seksual deri rreth 20 vjeç, dhe sepse shumë prej tyre mbeten të pakënaqura ose të kënaqura në mënyrë artificiale (onanizëm), kështu pa u kurorëzuar, se akti seksual për gruan është amësia, ndryshe nga mashkulli. Kështu mungesa e konceptimit të fëmijës mund të sjellë tek ajo histerizëm. Kurse shtatzania tek gruaja stimulon disa gjendra me sekretim të brenshëm gjë që nuk e lejon histerinë. Eshtë për këtë që fshataret nuk janë histerike sa qytetaret, se ato martohen e lindin shpejt kurse qytetaret kalojnë një periudhë marrëdhëniesh seksuale pa lindur. Në veçanti kemi prostitutat që janë histerike si gratë e ndëshkuara seksualisht për shkaqe funksionale endokrinologjike. Eshtë qytetërimi me emocionet e tij të mbindikueshme që jep histerizmin me estetikën e moralin, që shtërngon në ndëshkimin seksual që bën të vonohet martesa. Tek qytetarët veprojnë nxitës të ndryshëm estetikë e intelektualë dhe vepron vetçensura, edukimi, morali, paragjykimi etj., i cili bën që dëshirat seksuale të nxitura të shtypen. Kurse në fshat të gjitha këto mungojnë edhe nxitja.
Por dëmi nuk është gjithmonë i rëndësishëm veç kur godet funksionet nobile të organizmit e shfaqjet e tij: mendimin e ndjenjën.
Ndëshkimi seksual mund të sjellë edhe raste të homoseksualizmit, të dashurive kafshore (seks midis njeriut e kafshëve), apo seks midis kafshëve të specieve të ndryshme. Ndëshkimi prodhon të gjithë degjenerimet. Mbrojtësi më i mirë nga ndëshkimi seksual është dashuria.
Ndëshkimi seksual deri në kohën e martesës në mjaft raste sjell probleme në jetën e çiftit. Sepse të dy kanë ardhur të papërgatitur për një jetë seksuale, gjë që ka sjellë probleme deri për muaj me radhë e deri pakënaqësi seksuale. Që nusja e re, të jetë e panjohur me seksin, ta ketë këtë mrekulli tashmë të rrallë paditurie, është e bukur, por që edhe dhëndërri të jetë në atë gjendje kjo është e pafalëshme.
Ndëshkimi seksual i lë shkas përdhunimit dhe inçestit (marrdhëniet motër-vëlla), herë edhe formave të tjera të ashtuquajtura kompleksi i Edipit dhe Elektrës (marrëdhëniet baba bijë dhe nënë bir), por edhe urisë seksuale që shpërthen pastaj në marrdhënie pafund që shkaktojnë dëmtime të ndryshme. Ajo (uria seksuale) shkakton edhe provokimet e sekrecioneve të spermës edhe thjeshtë nga mendimi apo parafytyrimi i një femre, apo edhe në gjumë nga një ëndërr. Ky ndëshkim në rastin më të mirë sjell masturbimin fizik e më keq masturbimin psikik e cerebral me çrregullime në mendime e ndjenja.
Më të dëmtuarit nga ndëshkimi seksual janë meshkujt që më parë kanë pasë kryer akte seksuale, sepse ato i mundon rikujtimi i kënaqësive të kaluara që krijon nxitje erotike që ngrenë peshë trupin dhe shpirtin i cili nuk gjen qetësi duke sjellë shqetësime fizike, psikike e intelektuale. Krejt më ndryshe është t'i jesh nënshtruar ndëshkimit seksual pa pasë kryer kurrë akte seksuale, se në këto raste kemi vetëm shqetësime nga nxitje fizike e periferike dhe ndjenjë, parafytyrim të krijuar në fantazi nga depozitimi i kujtimeve atavike, por pa eksperiencë private.
Eshtë mirë që në jetën seksuale të futesh pas një zhvillimi përfundimtar të organeve seksuale pra pas 21 vjetëve; por një njohje shkallë-shkallë rreth kësaj teme duhet filluar që nga 14-15 vjeç e ndoshta që në 11.
Poqese ndëshkimi seksual absolutizohet derisa të bëhet rregull i jetës e etikës, njerëzimi do të zhdukej. Dhe gruaja dhe burri, mashkulli e femra do të zëvendësoheshin nga qenie të degjeneruara, të një seksi - të tretë - i destinuar të jetojë agoninë e zhdukjen e qenies njerëzore në një natë polare të shpirtit, pa dritë e pa përkëdheljen e ngrohtë të dashurisë.
Froidi thotë: "Epshi tregon forcën me të cilën instinkti seksual shfaqet, në të njejtën mënyrë që uria tregon forcën me të cilën shfaqet instinkti i ushqimit".
Vendosmëria seksuale e biseksualizmi
Kur fetusi është i seksit mashkull, sjell shqetësime e vuajtje më të mëdha për shkak të antagonizmit të seksit me nënën. Tek nëna ka tendenca të frenimit të zhvillimit të seksit mashkull që ka gjëndra eteroge, të ndryshme, me të sajat e që hasin në kundërshtim mbrojtës nga organizmi i nënës. Mever ka treguar se në numrin e të lindurve të vdekur, vihet re një raport 150 meshkuj kundrejt 100 femrave. Antagonizmi biologjik i përcaktuar nga hormonet fetusale përpunuar nga gjendrat seksuale, të fëmijës mashkull kanë veprim kundërshtues me organizmin e nënës; kurse nëna, për njëtrajtshmëri seksuale mban më mirë një shtatzani me embrion të seksit femër. Po kështu ndodh edhe në rastet e binjakëve. Kuriozitet paraqesin studimet e bëra nga Revelli në Francë e Austri, që shtatzanitë dopio, të përbëra nga një femër e një mashkull janë me një qëndrueshmëri jetësore më të madhe nga dy kategoritë e tjera, (dy meshkuj ose dy femra).
Shumë problem sjell tek njerëzit mendimi se çfarë do të lindë mashkull apo femër dhe çfarë ata duan. Hipokrati e Aristoteli menduan se meshkujt lindin nga gjendrat gjinore të djathta kurse femrat nga ato të majta. Këto hipoteza u përhapën më pas nga Demokriti e shumë e shumë të tjerë. Më vonë u përhapën teori të tjera sipas të cilave kishte rëndësi pozicioni në të cilin ndodhej femra kur kryhej derdhja e spermës, disa rreth fuqisë së hënës në periudha të ndryshme, teori të tjera e lidhën këtë me moshën, ushqimin etj. Pastaj Berthon nxorri një ligj të vërtetë kozmik për raportin me një të katërtën e periudhës hënore. Doktori francez Duprat (1922) e ndjen veten në gjendje të parashikojë se çfarë do të lindë duke ditur datën e fekondimit e disa të dhëna si ditëlindja e gruas etj. Tury (1863) jep nëpërmjet statistikash teorinë se një vezë e re riprodhon një femër, një vezë e vjetër një mashkull, një spermatozo i ri jep një mashkull, kurse një i vjetër një femër.
Nga teoria e Tury më pas Dusing formuloi ligjin e vetrregullimit të sekseve nga vendosja e ekuilibrit demografik në mes meshkujve e femrave. Kështu ky propocion meshkuj-femra është i qëndrueshëm nga një ligj i pandryshueshëm për të cilin në specien njerëzore meshkuj e femra janë si 106 me 100. Këto vlera të ndryshuara prej çdo lloj arsyeje (luftra ku vriten më shumë meshkuj etj.) normalizohen pra rivendosen automatikisht duke çuar në ekuilibër, pra në raportin e mësipërm. Pastaj dolën 4 ligjet e trashigimisë së Darvinit, sipas të cilit prindi më i ri e më i fortë transmeton tek fëmija numrin më të madh të karaktereve edhe seksin.
Në Qelizat seksuale, si në të gjitha qelizat, në Nukël ndodhen kromozonet. Tek këto janë vendosur karakteret trashëgimtare, genet. Kur qelizat piqen humbin gjysmën e kromozoneve dhe kur dy qelizat, femërore e mashkullore bashkohen në një të vetme (ovosperma), numri i kromozoneve kthehet në numrin e mëparshëm. Kështu veza dhe spermatozoi përmbajnë sejcili 24 kromozone. Në pjekuri i mbesin nga 12 kromozone dhe kur dy qelizat bashkohen bëhen serish 24 kromozone. Gjithë trashëgimia transmetohet nga kromozonet që janë aq sa të babait dhe të nënës. Në këtë stad seksi është neutro. Disa biologë japin këtë origjinë seksit: ata thonë, se ka një numër jo të barabartë kromozonesh, ose më saktë një numër të barabartë plus një më shumë të mashkullit ose femrës që u mbiquajt kromozoma seksuale. Kështu poqese qeliza mashkullore ka këtë kromozonë më tepër, fëmija është mashkull dhe poqese asnjë nga qelizat nuk e ka kromozomën fëmija është femër. Champy në veprën e tij "Seksualite et hormons", flet mbi seksualitetin ose ermafreoditizmin në ato raste të individëve të rinj të cilët deri në një moshë nuk fitojnë karakteristikat e seksit. Unë për këtë kam shkruar një monografi.
Mund të shohim një përplasje të vërtetë të pavarësisë së seksit psikologjik me seksin gjenital. Kjo pavarësi është më e shpeshtë nga ç'e kujtojmë. Në fakt si tek kafshët dhe tek njeriu mund të ketë karakteristika gjenitale të një seksi dhe tendenca të një seksi tjetër. Kujtohet për këtë Mikelanxhelo, me tendenca siç duket homoseksuale. Mendohet bile se forca e skulpturave të tij është për shkak të prirjeve të tij femërore, gjë që e bëri të krijojë objekte të dëshirave të tij erotike: meshkuj muskulozë. Kurse Rafaelo, ishte etero-seksual bile iperseksual në tendencat e tij për femrat, është për këtë që ka pikturuar gra të ëmbla e të bukura.
Në fakt biseksualiteti është i fuqishëm në çdo individ jo vetëm në periudhën embrionale e fetusale. Kjo që nga trashëgimia e kryqëzuar që provohet me ngjashmërinë e zakonshme që vajzat kanë me babain dhe djemtë me nënën (babai e nëna transmetojnë karakteristikat nga një gjeneratë në tjetrën individëve të seksit tjetër).
Luhatja nga një seks në tjetrin nganjëherë është aq e afërt sa që mund të jetë si vezët e rotiferit që nën 18 gradë janë femra kurse mbi këtë temperaturë dalin meshkuj, çështje dimensionesh siç është me lampredet më saktë mizinet që janë femra poqe se janë deri në 30 centimetra, mbi këtë gjatësi bëhen meshkuj, tek Girini që kur ushqehen me substanca azotate japin 95 % femra, ose edhe çështje moshe si anilocret, crotace që jetojnë parazitë të peshqve, të cilët të rinj janë meshkuj kur plaken bëhen femra.
Këto fenomene vihen re edhe tek njeriu, si disa femra që kur plaken fitojnë karakteristika mashkullore të ngjashme me disa dele që kur plaken i dalin brirët.
Darvini shkruan për këtë "Edhe pse sot sekset janë krejtësisht të përcaktruar si për mashkullin edhe për femrën janë veshur (shtuar) funksione krejt të veçanta, në secilën femër të gjitha karakteret dytësore mashkullore ekzistojnë në gjendje të përgjumur e në çdo mashkull të gjithë karakteret dytësorë femërore janë gati për t'u shfaqur në kondita të veçanta..."
Martesa dhe ngjarjet e saj
Tek njeriu primitiv, nevojat seksuale duhet të jenë kënaqur siç ka qenë e mundur, në mënyrë të parregullt, deri kur u krijua mirë tipi njerëzor; u krijuan grupet ose kopetë e vogla me veti më të larta cerebrale të cilat gradualisht duke u rritur në numër filluan luftrat ku fituan e nënshtruan. Njeriu primitiv sipas Rusoit tek "Kontrata shoqërore", i shtyrë nga nevojat seuksuale kërkoi aventurat duke u bashkuar seksualisht me kë të mundte edhe me kafshët, deri një ditë (e qe kjo nisja e vërtetë e shoqërisë njerëzore) kur deshi për vehte një femër të ngjashme me të, me të cilën u fut në shpellë. Kjo femër që atëherë i qëndroi në krah e i lindi fëmijë, i shumëzoi forcat për gjueti e për t'u mbrojtur. Kështu burri punoi për të ndërkohë që ajo qëndronte në shpellë shtatzanë e me fëmijë. Kështu kemi burrin shumë në lëvizje, në gjueti për të siguruar ushqim; dhe gruan pa aktivitet që i drejtohej botës bimore për të marrë ushqim, e më vonë edhe kapjes së kafshëve dhe shtëpijëzimit të tyre duke i dhënë ushqim e duke marrë prej tyre vezë, qumësht, mish dhe lëkurë. Kështu ngadalë gruaja u bë zot i shtëpisë ku burri kthehej vetëm për t'u shlodhur e për të plotësuar nevojat seksuale. Prej këtej erdhi logjikshëm, ideja e matriarkatit, që i takon gruas për motive biologjike, të cilat dëshmojnë se ajo është organizuesja fizike e shpirtërore e fëmijëve, pra edhe e familjes. Indianët thonë: "Nëna vlen më shumë se njëmijë baballarë..." Kështu gruaja-nënë ishte qendra e familjes, rreth saj grupoheshin fëmijët të cilët nuk dinin kush ishte i jati, dhe as ajo si poliandre nuk dinte se cili burrë ishte babai i krijesave të saj. Kështu prindësia e parë e njerëzimit ishte mëmësia.
Por në një kohë për shumë arsye, si simpatia, dhe për ta pasur vetëm të vetën, burri ja shkëput gruan të tjerëve me forcë (nis xhelozia si nisje e monogamisë). Edhe femra bëhet xheloze. Kështu u institucionalizua bashkimi monogamik që u shpreh me impulsin e parë ndërtimin e shtëpive. Një proverb indian thotë : "Burri është një gjysëmnjeri, gruaja gjithashtu gjysëm, vetëm babai e nëna me fëmijën e tyre përbëjnë një njeri të plotë". Kështu arrimë në martesën monogamike e në familjen e njeriut në zhvillim.
Gruaja bëhet gjithnjë e më shumë e lidhur me shtëpinë, nga e cila burri largohet gjithnjë e më pak ose kthehet më shpesh. Edhe instikti seksual kthehet në tendencë seksuale e më pas në dashuri. Gjithmonë e më shumë burri punon duke zhvilluar trupin, muskulaturën dhe trurin, kurse truri i femrës nuk u zhvillua në atë nivel. Prandaj tek ajo mendimin e pushton ndjenja që zmadhohet prej dashurisë e kujdesit për fëmijët, burrin e shtëpinë. Gradualisht me zhvillimin e njeriut erdhi një moment në të cilin ai e ndjeu të nevojshme të bëjë të njohur para shoqërisë, tashmë me rregulla e ligje, bashkimin me gruan e tij.
Por kushtet ekonomike krijuan tek gruaja e qyteteve konditat e inferioritetit të zgjedhjes seksuale. Asaj nuk i është dhënë gjithmonë mundësia për të zgjedhur, por ajo duhet të zgjidhet, të merret ose të lihet si një send. Dhe ajo poqese do të fitojë konsensusin e njerëzve të saj e të quhet vajzë e mirë duhet të heqë dorë nga çdo ideal dhe t'i nënshtrohet fatit. De Traz e përshkuan gruan e qytetëruar që shkon në martesë si "një e komanduar", po kështu që më 1174 kontesha Champagne shkruante: "Në martesë mungon dashuria e vërtetë sepse mungon elementi thelbësor liria". Martesa (bashkimi shoqëror i sekseve) është një kontratë, shpesh një biznes për një nga të dy ose për të dy. Ajo nuk merrte parasysh prirjet seksuale reciproke e për këtë paraqet një dhunim të Natyrës.
Në shumicën e rasteve martesat bëhen në mes të një vajze të re dhe një burri të moshuar që ka 15 deri 20 vjet më shumë se ajo, - dhe këtu fillojnë problemet. Eshtë e vërtetë që gruaja për shkak të lindjeve edhe të jetës së vështirë bie shpejt nga gjendja e saj fizike e seksuale dhe shumë më tepër kur vjen menopauza, kurse burri vazhdon të ruajë energjinë e tij edhe në moshë të avancuar. Megjithatë unë mendoj se diferenca më e pranueshme do të ishte 3-5 vjet dhe se ajo nuk duhet të jetë kurrë më e madhe se 15 vjet dhe jo më e vogël se 3 ose 4 vjet (duke llogaritur se mashkulli arrin pjekurinë anatomo-fiziologjike në 25 vjeç e femra në 21 vjeç.) Martesat me diferenca të mëdha përveç që sjellin probleme në planin fiziologjik seksual duke lenë të paplotësuar dëshirat seksuale të gruas, duke shkaktuar shpesh prishjen e qetësisë dhe të besnikërisë bashkëshortore, rreziku tjetër është në planin psikologjik që në fillim me zhgënjimin e ëndrrave të vajzërisë, me raportin që krijohet ngaqë vajza e sheh të shoqin si baba e gjysh e jo si shokun e të dashurin e saj të të njejtës moshë që gjithmonë ëndërronte, e në fund kemi të bëjmë me dy botë, me dëshira e mendime të ndryshme për shkak të ndryshimeve të moshës. Kështu gruas së re i pëlqen të shkojë në kinema, burrit në moshë të rrijë në shtëpi; asaj të shkojë në një vizitë për të biseduar diçka, burrit për të lexuar gazetën, asaj për të shkuar në det e për t'u larë, atij të rrijë në shtëpi (sepse ai i ka kaluar ato qejfe në moshën e tij e tashmë vetë mosha i dikton një jetë tjetër të qetë, të ndryshme me atë që dëshiron e shoqja shumë më e re ).
* * *
Ne pretendojmë virgjërinë tek vajza dhe besnikërinë tek gruaja, por padrejtësia fillon kur morali i shoqërisë dënon tepër rëndë gruan, pa u kujtuar që në të njejtën fushë - i lejon burrit, bile e rrethon me një aureolë lavdie për çdo femër të re që fut në dorë. Për çudi këto meshkuj shihen me simpati edhe nga gratë. Burrat janë poligamë, por dashuria e virtuti i gruas mund t'i bëjë monogamë. Mantegazza shkruan: "Natyra e ka bërë burrin poligam, është misioni sublim i gruas ta bëjë monogam".
Problem tjetër është beqaria e femrave dhe meshkujve, që është edhe një nga arsyet e prostitucionit. Leckj në librin e tij "Historia e moralit europian" shkruan: "Prostituta është tipi i vesit e është mbrojtëse e virtutit: ajo është priftëresha e përherëshme e njerëzimit, sakrifikuar për mëkatet e popullit". Sipas shumë statistikave të ndryshme beqarët jetojnë më pak se të martuarit. Dhe se martesa është më e domosdoshme për meshkujt.
Mëmësia ndriçon jetën e çdo femre. Alfredo Oriani vëren: "Amësia është një instinkt atësia është ndjenjë: femra është nënë para se të jetë grua, mashkulli nuk bëhet baba veç pasi ka qenë një kohë të gjatë burrë". Gruaja është nënë që kur fillon të luajë me kukulla, e tillë shfaqet në çdo manifestim të ndjenjave të saj, e kështu edhe kur rritet është jo vetëm kundrejt fëmijëve të saj e të të tjerëve, por edhe me të dashurin, burrin, njeriun të cilin do dhe përkëdhel me lajka amësore. Ajo është gjithmonë pak nënë me të gjithë; me vëllezërit e motrat; bile edhe me kafshët e të vegjëlit e tyre. Gruaja thellon amësinë në çdo veprim, edhe kur për fatin e keq nuk i është dhënë mundësia e gëzimit të madh të lindjes së fëmijëve, ajo ka sensin e amësisë shpirtërore e shoqërore. Ndjenja e amësisë është e zhvilluar edhe tek beqaret në moshë apo tek murgeshat. Amësia është një shfaqe e seksualizmit që tek njeriu merr formën e psikoseksualizmit që në rastin tonë përbën lindjen, rritjen, zhvillimin e edukimin e njerëzimit. Ky është misioni më i lartë shoqëror e biologjik. Zemra e nënës është e shprehur magjishëm poetikisht nga Fernando Russo: ... kur djali plangprishës i ngul thikën së ëmës në zemër e ndërkohë që do t'ia nxjerrë zemrën nga vendi, gjakos dorën... Nëna mes gjakut e zemrës që i rreh për herë të fundit, ndërsa metali i mprehtë gërmon në gjoksin e saj, i thotë të birit gjakatar me ankthin e përhershëm të nënës: A u vrave bir?!
"A u vrave bir" në këto fjalë të dhëna nga shkrimtari i madh është sinteza, këtu përmblidhet gjithë jeta, filozofia e psikologjia e Nënës, familjes dhe njerëzimit.
Në kuptimin e amësisë hyn edhe qumështimi, pra ushqimi i fëmijës, kështu edhe organi që e kryen që është gjiri me thithëzat. Gjiri ka një funksion të madh seksual, stimulues, erotik, por me qumështimin merr karakter mëmësor. Qumështimi nuk është vetëm detyrë por edhe nevojë për gruan. Të mos i japësh fëmijës për të pirë, (siç ndodh ndonjë herë për të mos prishur bukurinë e linjën, do të thotë të rebelohesh ndaj një ligji biologjik, është antibiologjike, prandaj dhe e dëmëshme, kur kjo nuk ndodh organike, pra kur gjëndrat japin rregullisht prodhimin e tyre. A ka gjë më të bukur se nëna kur i jep gji fëmijës. Ky simbol i fuqishëm u gjet tek ulkonja romake që ushqen me gji dy fëmijët, duke paraqitur shprehjen më të bukur të amësisë.
Icard tregon se si një grua që donte të ngelte shtatëzanë vetëm për të provuar kënaqësinë e të dhënit qumësht fëmijës.
Lombroso na bie një tabelë të kohëzgjatjes së qumështimit në popuj të ndryshëm: 10 muaj normal, 2 vjet në Rusi e Persi, 2-4 vjet në Kinë e Mongoli, 7 tek Eskimezët, 14-15 në Malejzi. Zakonisht qumështimi tek kafshët dhe njeriu zgjat sa shtatzania, aq sa zgjat koha nga një lindje deri në fillimin e menstruacioneve. Pra është një kohë e llogaritur nga Natyra për të mbrojtur fëmijën, e që gruaja nuk mund të mbesë shtatzanë.
Ndërkohë është për t'u theksuar superioriteti i padiskutueshëm i qumështit të gjirit para çdo ushqimi tjetër për përmbajtjen e tij e harmonizmin, pra për rëndësinë që ka se është nga i njejti organizëm që ka krijuar vetë fëmijën. Ai është një ushqim fizik dhe shpirtëror. Vetë qumështimi lidh edhe më shumë raportet fëmijë-nënë.
Xhelozia
"...Dashuria është e fortë si vdekja, xhelozia është rezistente si ferri, krahët e saj janë krahë zjarri, flakëmadhe." (Bibla)
Dashuria e xhelozia vështirë se ndahen. Por kush është xheloz (të gjithë ata që duan, janë xhelozë) kërkon jo vetëm të jetë i kënaqur fizikisht por që objekti i dashurisë t'i përkasë vetëm atij e jo të tjerëve. Në specien njerëzore xhelozia është në proporcion me dashurinë, sipas shkallës së qytetërimit ndryshon edhe forma, shfaqja e fuqia e kësaj ndjenje bijë të erotizmit. Xheloxia lind me dashurinë. Mund të thuhet se e mbështet, në ndonjë rast e mbro;, lufton poliandrinë e poligaminë duke forcuar institutin e familjes. Nuk jam dakort me Tissot apo Rusonë që ja mohojnë këtë ndjenjë njerëzve të egër e kafshëve. Darvini dhe Kanestrini na e kanë shpjeguar mjaft gjerë se kjo ndjenjë është e pranishme në një pjesë të madhe të kafshëve. Edhe ne jemi dëshmitarë të kësaj ndjenje tek pëllumbat, papagajtë etj., që i mbajmë në shtëpitë tona, të cilët jo vetëm janë xhelozë por edhe hakmerren kundër tradhëtisë, siç është rasti i lejlekëve ku mashkulli i ndihmuar nga të gjithë lejlekët e mbysin femrën që ka tradhëtuar. Po kështu edhe shqiponja.
Xhelozia ka gjithmonë një bazë seksuale. Ajo ndjehet edhe mes homoseksualëve, kafshëve e njeriut, e kafshëve të specieve të ndryshme mes tyre. Kështu janë xhelozë majmunet kur gratë i afrohen meshkujve të tyre, po kështu qentë që janë shumë të lidhur me padronen e nuk lejojnë njeri as t'i afrohet apo më keq ta prekë, dhe duket qartë se pse. Kjo ndjenjë, siç shihet nuk është vetëm njerëzore, por universale dhe jo vetëm me përmbajtje seksuale por edhe të formave të tjera pasionale si; dashuria prindër-fëmijë dhe e kundërta (në të cilën nuk mungon një refleks i largët erotik), por edhe mes shokësh, miqsh etj. Shfaqja fillestare por e dhunëshme e xhelozisë njerëzore pas atyre të të egërve, e gjejmë në disa popuj e individë të cilët i mbyllin gratë për të mos i parë të tjerët. Kështu janë të dënuara gratë turke, që tregon për efektet që sjell xhelozia e këtij populli. Po kështu në Libi e Arabi (pothuajse në të gjitha vendet muslimane) në një pjesë të të cilave jetohet ende në poligami (haremet). Në mendjet e këtyre popujve (muslimanë) xhelozia rrjedh nga një botkuptim fetar e hierarkik i klasës e jo nga dashuria, kjo shihet në mënyrën si martohen me (ose më mirë marrin) gratë e shumta, të ligjëshme e të paligjëshme. Për burrin, këtu nuk ka xhelozi për gratë e varrosura në harem, por tabu që nuk preket se ofendon zotërinë, se kështu thotë ligji, që të mos i preket objekti i kënaqësisë e jo se atij i bëhet vonë për to. Për gruan nuk di se mund të ketë pozicion më fyes. Më mirë sipas meje prostitucioni.
* * *
Xhelozia ka sfond seksual e ndryshon tek prindërit në raport me fëmijët; shqetësimi e vuajtja që provon babai kur sheh vajzën së cilës i sillen rrotull, apo në krahët e një burri që e pushton, kurse nëna nuk vuan, përkundrazi dëshiron. Nëna mbërthehet nga një xhelozi e çuditëshme kur djali i saj do nusen. Atëhere gati gjithmonë ajo merr formën e vjehrrës, kaq e vërtetë është kjo saqë shfaqet gati gjithmonë kundër gruas së djalit, e jo kundër burrit të vajzës. Dhe vjehrra në këto raste është e tmerrëshme me shpërthimin e inatit e zemërimit të shurdhër, që vetëm xhelozia mund të japë. Kurse babai që vuan për vajzën provon një ndjenjë kënaqësie kur shikon djemtë me fat në dashuri ose kur janë të martuar i do edhe nuset, i sigurtë për fekondimin, pra vazhdimësinë. Përveç sjelljes së vjehrrës që meriton të studiohet në këndvështrimin seksual të xhelozisë janë edhe njerka e njerku.
Figura e njerkës është e përbërë nga një thurje e xhelozisë dhe mëmësisë (xhelozisë seksuale e xhelozisë amësore ose mungesës së amësisë). Ajo qëndron mes dy impulseve. Nuk kuptohet njerku, i cili si mashkull duhet të ishte xheloz për fëmijët e gruas së tij, por nuk është. Për këtë figura e njerkës është gati gjithmonë asgjë më shumë se shprehje, e kthyer mbrapsht e amësisë, se ajo urren fëmijët e burrit të saj me gruan e parë, dhe se ajo shpesh sterile për shkak të moshës së madhe të martesës, ndjen të mbushur shtëpinë me njerëz të huaj për të. Djali dhe njerka janë paraqitur në një kuadër të gjallë nga Hygo në "Petit Paul".
Njerku nuk është kurrë i keq me fëmijët e gruas ish vejushe. Arsyeja është në fuqinë e vogël të ndjenjës së atësisë. Kurse amësia është prepotente dhe qorre. Njerka ka marrë famë të keqe për urrejtjen kundër çdo gjëje e gjithkujt që cënon krijesat e saj. Kjo në kontradiktë me fëmijët e burrit që janë aq të dëshiruar për dashurinë e nënës që i mungon e që nuk duan ta zëvendësojnë me ndonjë tjetër që për sytë e tyre është e huaj, më keq, e asaj të huaje që i ka zenë vendin nënës së tyre në shtëpi dhe në zemrën e të jatit duke ja shkëputur edhe atë. I jati nga ana e tij tregohet më i dashur me fëmijët e lindur me gruan e re (ndoshta se janë më të vegjël).
Siç duket psikologjia e këtyre marrëdhënieve është shumë e komplikuar, por në sfondin e saj është dashuria amësore që është seksuale në nisjen e saj si dhe xhelozia. Kjo është dashuria, kjo është urrejtja; këtej nëna sublime deri në sakrifikim të vehtes, andej njerka e keqe e egoiste.
Por si në njerin rast ashtu edhe në tjetrin, shkaku është gjithnjë seksual.
Udhëtimi i martesës dhe dhoma e çiftit, emigracioni dhe folezimi.
Udhëtimi është në instinktin e zogjve dhe peshqve për të kërkuar mjedisin e klimën e përshtatëshme për raportin seksual. Muaji i mjaltit me ikjen e tij e ka prejardhjen tek turpi. Kështu të martuarit pasi kanë kërcyer gjithë kohën nisen për udhëtim të gjatë nga një qytet në tjetrin ku gjithë ditën lëvizin duke parë e gjithë natën në një manifestim të shfrenuar seksual. Udhëtimet e martesës të bëra kështu sigurisht ndikojnë negativisht në qenien që krijohet. Në vend që të shkohet në vende të qeta ku natyra e bukur, ajri i pastër e pushimi të japin një qetësi olimpike e ndihmojnë nisjen e një jete të re të shëndoshë.
Pas emigracionit vjen folezimi për kafshët dhe shtëpia e dhoma e gjumit për gruan e burrin që formojnë familjen. Të ndjerit pronarë i afron me çdo objekt të asaj dhome, çdo qoshe në të cilën dashuria, dhembja e gëzimi kryqëzohen në intimitetin pa njeri, në drithërimën e turpin lakuriq të shpirtrave e trupave, larg nga njerëzit e nga bota. Balzaku thotë në "Physiologie du mariage" se hasim mënyra të ndryshme për të organizuar lidhjen bashkëshortore në dhomën e gjumit.
1) me dy shtretër paralelë
2) në dy dhoma të ndara
3) në krevat dopio.
Organizimi me dy dhoma të ndara që ka pasë qenë përdorur më parë ka disa të meta të mëdha si psh., gruaja gjendet psikologjikisht në kushte të këqija. Turpi është gjithmonë në anën e saj dhe e ndalon që të kërkojë marrëdhënie kur dëshiron, kurse burri kur do shkon tek gruaja ose e merr në dhomën e tij, pa qenë ajo e përgatitur për të marrë pjesë në kënaqësinë seksuale.
Diçka më mirë është dhoma me dy shtretër paralelë por që sërish për mendimin tim është një hap për të shkuar drejt dhomës me krevat dopio që është organizimi më i mirë. Aty ndjehen më mirë të dy të martuarit, lidhen më shumë në aspektin fizik e shpirtëror, duke u shkrirë në çdo moment, duke qendruar e ndjerë gjithmonë pranë njeri-tjetrit. Të bashkbanosh do të thotë të njihesh gjithnjë e më mirë, të kuptohesh, të shkrihesh në një trup e një shpirt. Kjo shkrirje arrin derisa këto dy qenie t'i ngjasojnë njeri-tjetrit edhe fizikisht edhe shpirtërisht. Kjo ngjashmëri rrjedh, sipas meje, nga bashkimi i dy imazheve që shkrihen nga harmonia bashkëshortore, prej intimitetit e bashkjetesës, fitojnë të njejtën mënyrë në të menduar (aq sa shpesh mendojnë në të njejtën kohë të njejtën gjë që gabimisht quhet telepati), krijohet një mimikë e njejtë, e fitojnë të njejtën mënyrë në të shprehur.
Krevati i vetëm, nuk është thjesht mjet ku kryhet akti seksual, por i shërben bashkimit e shkrirjes së plotë, lidhjes e mirbesimit të plotë, pajtimit e bashkimit të vërtetë në bashkjetesë. Ai i shërben marrëdhënieve seksuale sa edhe bashkëjetesës psikologjike, se ata e kanë njeri-tjetrin afër, sa edhe gjatë natës konsumojnë momente të një seksi të këndëshëm në kushtet e një gjysëm errësire në të cilën gruaja mundet lirisht e zhveshur nga çdo turp të jepet me lakuriqsinë e trupit e të shpirtit. Kështu dashuria e vërtetë bashkëshortore zhvishet gradualisht nga veli i turpit duke iu shfaqur lakuriq njeriut që e pushton trupin e tjetrit milimetër për milimetër (duke pushtuar kështu edhe shpirtin) duke u mësuar me prekjen e ledhatimin e dorës e syrit që rrëshqet dashurimisht edhe kur mosha ka bërë të zbehet bukuria fizike, pa mundur të shkatërrojë kurrë thesarin e pashterrshëm të dashurisë së vërtetë shpirtërore.
Nëna na pushton në vitet e para të jetës në të gjithë lakuriqësinë e trupit tonë që e ledhaton dhe e puth; por turpi do të fshehë shpejt nga sytë e saj format e adhuruara dhe jeta do të na shkëpusë gradualisht prej saj. E pastaj do të jemi vetëm derisa në rrugën tonë të shfaqet një grua, nusja që për ne sakrifikon turpin që është pjesë e shpirtit të saj dhe edukatës, dhe që lë babain dhe nënën për t'u bashkuar me ne. E ne para saj zhvishemi, si një herë para Nënës, vendin e së cilës ajo zë, e është ajo shoqja jonë e vërtetë mbajtësja e çdo sekreti. Më pas një ndjenjë e re do të na shtohet atësia, që në atë krevat ndjen lumturinë tek sheh si ushqehet krijesa e jonë në atë gjoks me gjinjtë e zhveshur që dikur na eksitonin e që tani na bëjnë të mallëngjehemi. Ky është çifti i lumtur që heton, shqetësohet e qesh me fëmijën e tij që vuan, gëzon e luan, me këmbkat, doçkat, duke bërë edhe provat e para të kantos.
Dashurohet vetëm një herë, e vetëm një është gruaja që adhurojmë. Poligamia njerëzore është vetëm trupore, materiale; shpirtërisht asnjë kafshë nuk është monogame si njeriu. Mund të pushtohen shumë femra pra gjatë një kohe ose në të njejtën kohë; por një vetëm është ajo që adhurohet dhe nga e cila adhurohemi (me të cilën kemi afërsi fizike e shpirtërore).
Mundet që si i ve të krijosh një jetë tjetër bashkëshortore (poqese gruaja jote e parë ishte dashuria e vërtetë e madhe, gjë që nuk i takon të hasë çdo njeriu), por nuk do të gjesh kurrë një bashkim të dytë me elementët shpirtërorë si më parë. Martesa e re gati gjithmonë dëmton imazhin e personit të adhuruar si një tradhëti. Edhe më keq kur martohet një i ve me një vejushë, vuajtja dhe mospërputhja është e dyanëshme, elemente të mbetur në kujtesën tonë nga martesa e parë përsëriten deri në aktin seksual krejt të ndryshëm (me preferenca të ndryshme) për të dy.
Dashuria është antidoti më i mirë për dhembjen, kur burimi juaj i pafund duket i fikur, e shoqja juaj ka humbur, kemi gjithmonë atë që ajo ka lënë tek ne shpirtin, kujtimin, idenë, frymëzimin, që na mbajnë edhe shumë pas vdekjes, ndjenja është për ne një lehtësim i madh. Dashuria e vërtetë që nuk mund tashmë të gjejë kënaqësinë lehtësohet nga puna që është antidoti vërtetë më i denjë.
Vejushëria
Vdekja e njerit prej bashkëshortëve çon në vejushëri. I veji bie në një gjendje shpirtërore të keqe, që përjetohet në mënyra të ndryshme nga mashkulli e femra, por edhe në mënyrë individualisht të ndryshme. Por të gjithë ata që jetën bashkëshortore e kanë jetuar si një bashkim, dashuri komplekse e shkrirje të shpirtrave e trupave, periudhën si të vejë e kalojnë të mbushur me dëshira e keqardhje, kujtime seksuale e kujtime që mallëngjejnë e rrisin ankthin e ngashërimin, që e bëjnë gjendjen shumë të rëndë sidomos poqese të vejët janë të vetëm e veçanërisht në ditët e para. Kurse dhoma e gjumit aq e dashur dhe e ngrohtë bëhet tashmë dhoma më e ftohtë e shurdhër dhe e zbrazët; disa kjo i trondit aq shumë saqë nuk mund të hyjnë më aty e mbas shumë kohësh ndërrojnë pamjen e mobiljet. Disa dëshirojnë të afrohen me individë të seksit tjetër të vejë, pra të së njejtës gjendje shpirtërore, e të flasin për njeriun e humbur.
Në historinë e njerëzimit në disa popuj gruan e dënojnë të shoqërojë burrin në varr, jo si simbol i përjetësisë së bashkqenies, por për të treguar se gruaja është një gjë, send, që duhet ta shoqërojë burrin e vdekur, e për këtë jeta e saj duhet të zgjasë aq sa ajo e të zotit të saj. Kurse për burrin nuk është kështu.
Interesante janë edhe rastet në botën e kafshëve, si e veja e mjelmës që mbas humbjes së shokut të saj qendron gjithë jetën e vejë apo lejlejkut që pasi humb shokun shikohet të kthehet gjithmonë vetëm për shumë vjet.
Këto raste të admirueshme të lidhjeve bashkëshortore arrijnë kulmin në atë që ndodh me mjelmat që pas vrasjes apo ngordhjes së shokut apo shoqes së tyre qendrojnë pa u ushqyer përpara trupit derisa bien përfundimisht. Raste të tilla janë të shpeshta edhe tek papagajtë të cilët me të drejtë janë quajtur të pandashëm. Bonnet tregon për një kopje papagajsh: "femra e vjetër nuk mund të lëvizte ndërsa mashkulli i saj e ushqente me sqep dhe, kur ajo vdiq, ai qau". "Duke bërë të ndihej - shkruan Kanestrini - dhembjen e tij me klithma derisa përfundoi edhe ai". Kështu janë të pafund studimet e natyralistëve Franklin, Franzolini, Kanestrini e tjerë për sjelljet e kafshëve dhe shpendëve e kryesisht me papagajtë, pëllumbat, dallëndyshet, gardalinat, gargujt etj.
Vejusha tek njeriu është më pak e goditur, se amësia mbizotëron mbi ndjenjën seksuale. Ajo e di se rreth saj mblidhen lidhjet ndjesore të familjes, se rreth saj mblidhen fëmijët. Për këtë e veja me fëmijët, kur nuk e shtyjnë kushtet ekonomike rri e vejë, besnike e kujtimit të burrit. E ngushëllojnë shpirtërisht fëmijët; por kur nuk ka fëmijë, nevoja e amësisë e çon të kërkojë një martesë të dytë. Por për motive shoqërore një grua jo gjithmonë mund të qëndrojë pa u mbështetur moralisht e shpesh edhe financiarisht nga një burrë, i cili nga ana e tij po të ishte i vé mund të jetonte e punonte vetëm, i mbyllur në dhembjen e tij.
Gruaja e vé është objekt në çdo epokë e aluzioneve për besnikërinë e saj; një proverb thotë: "Dhembja e së vejës është si dhembja e bërrylit" që do të tregojë një dhembje të fortë por që kalon shpejt. Por sidoqë të jetë e për këdo burra a gra të mbeturit i vé është pak a shumë e vështirë, kjo sipas lidhjes, dashurisë dhe kohës që kanë kaluar bashkë. Vejushëria shtërngon në ndarje materiale, por kur shkrirja e bashkëshortëve është e plotë, vdekja e njerit shënon edhe vdekjen e tjetrit, nëqoftëse jo fizikisht, psikologjikisht. Në këto raste nuk ka humbje tjetër që mund të barazohet me të. I veji është i vdekur për jetën, të paktën për gëzimin. Dhembja e ka mbërthyer e do ta pushtojë me më të ziun pesimizëm. Jo vetëvrasja siç do donte Shopenhaueri, por lëvizja dhe puna shërbejnë si antidodë, siç ka thënë Leopardi. Mua më duket se të qënit e një dopio uni që duket tek ata që kanë humbur objektin e dashurisë së tyre të plotë, ndjejnë se uni shpirtëror është goditur o shkatërruar e se është kthyer në një tek fizik, material, që vazhdon të jetojë ose më mirë vegjetojë e mbizotërojë të paktën me forcën e nevojave të jetës vegjetative. Këtë e ndjejnë mirë ata të vé që dashuruan fuqimisht shokun e tyre të humbur. Tek ata mund të ndjehet dëshira seksuale, por çfarë ndryshim bashkimi, në çfarë shpirti, truri e zemre bashkëpunonin si një, në shkrirjen e plotë të të dy qënieve. Të bërit seks krejtësisht material, në raste të tilla, mund të ngjasojë me të ngrënit e atij që ulet në tavolinë i shtyrë nga një nevojë për t'u ushyer (nga uria), por me mendje e shpirt të trazuar e diku tjetër, kalimthi dhe e trishtë e pa shije që kalon deri në neveri. Kështu mbetet i neveritur një i vé pas një akti seksual vetëm fizik, se shpirti e dëshira është drejt të humburit. Ose nevoja kthehet periodikisht me impulsivitetin material të shtytjes hormonike, por mbetet inerte dhe e pashpirt. Dhembja dhe respekti i të vejëve karshi kujtimit e dashurisë për shokun e humbur i çon në ndërprerjen e marrëdhënieve seksuale. Kështu sipas një statistike të dok. Jaeger (Zyrih), të vejët zenë vendin e fundit në të bërit seks, me l.7 %, kjo ndoshta edhe për shkak të moshës së pjesës më të madhe të tyre, por pa mohuar edhe faktorin psikologjik që mbizotëron atë fizik. Mbajnë vendin e parë me 13 % të ndarët, se në fakt asnjë ndjenjë nuk i lidh me shokun e humbur me dëshirën e tyre.
Respekti karshi vejushërisë është ekuivalent me besnikërinë shpirtërore. E thyen këtë ai që kalon në një martesë të dytë. Shpirti popullor, i ndjeshëm, dënon martesën e re për të vejët, nga vendi në vend në forma të ndryshme. Shembuj të tillë të mos aprovimit kemi edhe tek kafshët të studjuara nga Büchner e Kanestrini.
Steriliteti - vizita paramartesore - inçesti
Qëllimi biologjik i bashkimit seksual është krijimi, Martesa, nuk është veçse njohja qytetare e bashkimit seksual që çon tek fundi biologjik, i cili është bashkë; nevojë fizike, frymëzim psikik e moral i të martuarve. Eshtë për këtë që Westermarck ka thënë se "nuk janë fëmijët rezultat i martesës, por martesa është rezultat i fëmijëve". Kujtojmë proverbin indian: "Burri është gjysëm njeri, gruaja gjithashtu gjysëm, vetëm babai e nëna me fëmijët e tyre formojnë njeriun e plotë". Kur bashkimi mes dy krijesave mbetet i pafekonduar vuajnë organizmi fizik dhe shpirti.
Kur fekondohet organizmi i Nënës mbyllet në një punë të vazhdueshme të fshehtë në të cilën gjen qetësinë e trupit e të shpirtit çdo femër, e veçanërisht gruaja, që bekuar faktit, rri me ëndërra e dridhje mallëngjimi në pritje, e mbushur me krenari. Eshtë të ndjerit e mistershëm të misionit të plotë të jetës, që i jep këtë dridhje sublime çdo nëne e që babait i jep ndjesinë e vërtetë të forcës. Në fakt është i paaftë ai - mashkull o femër, burrë o grua - që nuk mund të krijojnë. Nuk ka dyshim që kjo është e dhembshme.
Steriliteti është rezultat i papërsosmërisë ose i sëmundjeve, veçanërisht atyre që prekin organet gjinore. Por me po të njejtin rezultat janë edhe mendimet neomaltusiane që kanë pushtuar mjaft burra e gra të cilët edhe për arsye të tjera të ndryshme nuk duan të kenë fëmijë. Këta edhe ato familje që bëjnë nga një fëmijë, kanë shkaktuar uljen e popullsisë në mjaft vende. Për këtë edhe Ruzvelti, shprehu mendimin e tij kundër këtyre teorive duke kujtuar detyrën e çdo gruaje dhe burri kundrejt familjes, duke mallkuar ata "që për të shmangur përgjegjësinë e për të gëzuar luksin e komoditetin, mungojnë në ndërmarrjen më të madhe të çdo qytetari, që është vazhdimësia e racës" (Roosevelt 1918 "Minerva"). Përveç këtyre dy shterpësive kemi edhe ato që i quajmë sterilitet profesional, e që ka të bëjë me mendimin e atyre grave që jetojnë me shitjen e trupit të tyre, për të cilat shtatzania është një pengesë për ushtrimin e prostitucionit. Të dy këto llojet e fundit të sterilitetit janë produkt i shoqërisë njerzore të zhvilluar.
Steriliteti në popujt e egër e të fortë dënohej, kurse pasja e shumë fëmijëve quhej si lumturia më e madhe. Kështu në Greqi e Romë. Në Spartë burrin që nuk fekondonte e ndërronin. Në Romë shohim Ortension që i jep borxh gruan Brutit për të patur fëmijë, - dhe siç më është treguar nga një person i denjë për t'u besuar, kemi një rast të tillë sot, kur një gjë e tillë ndodhi me aprovimin e të tre personave që morën pjesë (burrit, gruas dhe fekonduesit). Raste të tilla na referohen edhe nga Murri, si rasti i një burri impotent që i lutej gruas të zgjidhte një të dashur që ta fekondonte. Kështu kemi edhe rastin biblik; Abrahami dëgjoi lutjen e Sarës që të kishte fëmijë me shërbyesen e gruas së tij (Bibla 16-2). Ose Rakele e tronditur nga steriliteti i saj i thërret Jakovit: "Më jep fëmijë, ndryshe unë jam e vdekur" Dhe Rakele merr fëmijën që burri i saj bëri me shërbyesen e saj (bibla 30-1) etj.
Steriliteti në zakonet e mjaft popujve çon në ndarje, kjo është edhe në psikologjinë e mjaft individëve. Napoleoni u nda nga Xhuzepina sepse ajo nuk i dha një trashëgimtar dhe u martua me Maria Luiza e Austrisë. Të njejtin veprim bëri edhe Maraxhai i Persisë. Aty ku ekziston ndarja, steriliteti justifikon këtë veprim ligjor, ku nuk ekziston, çiftet rrinë të bashkuar duke u munduar që të kenë fëmijë si qëllim i fuqishëm. Në shoqërinë e sotme këto sjellin efekte të ndryshme psikologjike sipas formimit individual.
Në shoqërinë njerzore ka individë të njerit apo tjetrit seks që janë sterilë, pak prodhimtarë ose prodhimtarë. Ndryshimet e prodhimtarisë janë të mëdha e varen nga arsye të ndryshme, pa përjashtuar edhe ato klimaterike; eskimezët psh., kanë trashëgimtarë pak, kurse popujt më afër ekuatorit janë më prodhimtarë. Por ka edhe ndryshime familjare, etnike, si dhe sigurisht individuale. Në përgjithësi brunët, tipat mesdhetarë, janë më prodhimtarë se biondët, tipat veriorë. Kryqëzimet mes tipave e etnive e kanë bërë më të vështirë fenomenin.
Shtimi i popullsisë në botë shqetësoi ekonomistët që për herë të parë i ekspozoi më 1798 anglezi Robert Malthus në librin "Essay on Population" duke këshilluar kufizimin e lindjeve, e thirrur për alarm njerëzimit duke paralajmëruar se; në rast se vazhdonte kështu e priste uria. Ai jep edhe mënyrat për ta shmangur rritjen e popullsisë me anë të shtyrjes sa më tepër të martesës, përdorimin e dënimit saksual nga një shtatzani në tjetrën, për të ulur lindjet e shumta etj. Teoria e tij nuk ishte e re po ti referohemi Platonit, Aristotelit e më pas edhe Kampanelës. Ekonomisti anglez e zmadhon rrezikun e rritjes progresive të popullsisë e nevojat e saj për ushqim, duke mos llogaritur se njeriu nuk ka vënë në shfrytëzim rezervat tokësore e ujore dhe se rritja e popullsisë me të vërtetë që rrit edhe nevojat, por rritet edhe shfrytëzimi nga ana e njeriut e rezervave që ka, rritet edhe gjenia e tij, kjo çon në punë më të mëdha, jo vetëm materiale, por edhe cerebrale që do të thotë zhvillim edhe i ekonomisë, kursim e ruajtje automatike e ekuilibrit natyror të lindjeve e vdekjeve.
Ideja e ruajtjes prej fekondimit ka nisur shumë përpara, kështu edhe në kohët më të vona që nga tributë e indigjenëve të Australisë e deri tek njerëzit e qytetëruar kanë përdorur metodat fiziko-kimike për këtë qëllim. Siç u përdorën prodhimet e gomës që vendosen në organin femëror ose mashkullor. Ndër mjetet mekanike hyn edhe ndryshimi i mekanizmit të raportit, pra nxjerrja e organit mashkullor përpara orgazmës. Kjo është mënyrë e sigurtë, por kërkon një kujdes e vullnet për momentin e orgazmës që jo çdokush e ka. Pastaj ky akt i humb karakteristikat normale, duke u kthyer në një akt kundër natyrës i ngjashëm me masturbimin, kjo si për mashkullin ashtu edhe për femrën që në momentet më të ndjeshëm e ndërpresin proçesin... Kështu gruaja nuk arrin të ketë orgazmë e mbetet dëshirëdridhur në momentin që mashkulli tërhiqet për të derdhur spermën jashtë.
Të fundit janë mjetet kirurgjikale për gruan, ose rezatimin me reze X të vezoreve duke i bërë të pafekondueshme. Në mënyrë të njejtë arrihet sterilizimi i burrit pa humbur forcën. Por duhet pasur parasysh se këto shoqërohen me dëmtime të individit, fizikisht e psikologjikisht.
Në fund kur perservativët nuk arrijnë apo gabojnë, sipas neomaltusianëve, provokohet aborti.
Studimet e fundit të bëra nga Cartnej konsistojnë edhe në sterilizimin e përkohshëm deri në disa javë.
* * *
Të lindurit e familjeve të qytetëruara vijnë gjithnjë duke u zvogluar. Kjo vihet re më tepër në klasat e pasura dhe vjen prej pikpamjes konservatore për të mos pjestuar pasuritë e mëdha, ose në klasën e mesme për të mos rënduar bilancin familjar. Klasa punëtore e më tepër ajo fshatare mbesin larg parimeve neomaltusiane. Origjina e kësaj sjelljeje është ekonomia, kurse tek punëtorët e fshatarët në të kundërt të kesh shumë fëmijë do të thotë, më shumë krahë pune, më shumë pasuri.
Por duhet pasur parasysh se është akt ç'njerëzor ta shtërngosh gruan në lindje të vazhdueshme, siç është ç'njerëzore e antishoqërore ta sterilizosh. Mund të flitet të frenosh numrin e fëmijëve në raport me kapacitetin ekonomik të familjes pa sjellë pasoja në funksionimin seksual aq të nevojshëm sidomos për mashkullin. Duke llogaritur vdekshmërinë foshnjore, çdo familje duhet të ketë të paktën katër fëmijë në distancë prej të paktën 3 vjetësh njeri nga tjetri.
* * *
Në çdo epokë - e në çdo mjedis - njeriu ka seleksionuar njeriun, vetëm se çdo epokë ka formuar, në mjedise të ndryshme, shije e tendenca, në zgjedhje sipas nevojave të momentit. Kështu preferenca kaloi nga njeriu i cirkut tek njeriu i armës e në fund tek njeriu i mendjes dhe gjeti në shtresa të ndryshme të shoqërisë përfaqësuesit e tipit që shënonte zhvillimi i njeriut për epokën e klasën shoqërore. Ka gra të cilat i tërheq tek burri vetëm forca fizike, e të tjera që pushtohen nga forca intelektuale e karakteri. Ka burra që tek gratë kërkojnë bukurinë e format e trupit, e të tjerë që kërkojnë veti të vështira për t'u gjetur e cilësi të shpirtit e mendjes.
Sekreti i madh për të krijuar mirë qeniet e reja është që të dashurosh vërtet bashkëshortin, pra të vësh si udhëheqëse dashurinë në zgjedhje. Por zgjedhja në fakt nuk është gjithmonë e lirë, sidomos për gruan, por ndonjëherë edhe për burrin. "Duke realizuar bashkime që, - siç thotë Darvini,- kanë parasysh më tepër se cilësitë fizike, ato morale e intelektuale e jo pasurinë e gradën". Më shumë në të kaluarën por edhe sot shumë cilësi të karakterit, moralit e edukatës, krijohen nga klasa shoqërore, keq ose mirë. Por krijohen edhe brenda familjeve të mëdha e të njohura që bashkoheshin në mes kushërinjsh për të mos humbur pasurinë.
Pra për martesën, bashkimin e dy individëve kanë rëndësi dy gjëra kryesore: nga njera anë vetitë fizike, morale, karakteri, intelekti; nga ana tjetër shëndeti që është më i rëndësishmi. Këto janë ato që ky çift do të transmetojë në brezin e ardhshëm.
Unë mendoj se për të riprodhuar mirë racën njerzore mund të veprohet në tre mënyra; përmes hetimit të gjendjes shëndetësore të individëve që do të martohen, me vizitën mjekësore paramartesore, me mbrojtjen e shtatzanisë e ruajtjen e fëmijës, formimin e karakterit, moralit, edukatës e bazave të edukimit seksual.
Vikareli në një studim shumë të njohur, ka vënë në dukje rënien fizike në lindjen e fëmijëve të klasës punëtore, të cilët janë prekur nga tuberkulozi. Kjo nga mjedisi i jetës, puna në kushte të vështira e ushqimi i keq. Vizita paramartesore duhet të ndalojë bashkimin e individëve të sëmurë sidomos nga sifilizi e tuberkulozi, por edhe sëmundje të tjera infektive, si dhe të helmeve, në radhë të parë alkolizmit. Nuk është vendi këtu për të treguar dëmet e mëdha sasiorë e cilësorë që vijnë prej tyre.
Vizita paramartesore ka filluar të bëhet që disa vite më parë në disa shtete amerikane. Tek ne në Itali filloi më vonë në 1914, kurse në 1919 u kërkua vetëm vizita e burrave, sepse në 98 % të rasteve gratë ishin viktima të sifilizit e blenarrogjisë të importuara nga burrat.
Sifilografi francez Fournier shkruan: "Në klientelën e qytetit 20 % e grave me sifiliz janë të martuara; nga këto 70 % janë infektuar nga burrat që e kanë pasur këtë sëmundje para martesës e 30 % nga ata burra që e kanë marrë sëmundjen pas martese. Në tremujorin e parë të martesës infektohen më shumë nuset". Ai regjistroi 117 raste të infektimeve nga 130 nuse burrat e të cilave rezultuan me sifiliz.
Pra për të parandaluar infektimin e bashkëshortes dhe për të lindur fëmijë të shëndoshë është e domosdoshme vizita mjekësore paramartesore, që, siç shkrova më sipër, në disa shtete amerikane si Miçigan, Dakota, etj., është vënë me ligj, (kur kandidatët gjenden të sëmurë, i nënshtrohen kurave dhe martesa shtyhet). Në Danimarkë nuk është e mundur martesa për epileptikët e ata me sëmundje seksuale. Në Turqi sapo ka filluar, por bazohet në fjalën e nderit të burrit e jo në vizitë.
* * *
Martesa në mes të individëve të një gjaku, të ndaluar me ligjet e qytetërimit, ka qenë e ndaluar me ligjet e Kishës që në kohën e Moisiut, edhe mes kushërinjsh deri në gradën e 3-4 (Kanoni 1076 e artikulli 96 i të drejtës kanonike). Po kështu gjindet edhe në Kuran (kapitulli IV, v27) "Eshtë e ndaluar martesa me nënat tuaja, vajzat tuaja, motrat tuaja, hallat e tezet, mbesat e nipat..."
Kështu njerëzimi mësoi mes ligjeve të fesë që përveç se të mos prekë ndjenjat e familjes, edhe se bashkime të tilla japin pasoja tek pasardhësit, sepse sa më i afërm i gjakut të jenë aq më tepër bashkimi i afrohet inçestit (që është shkalla e njëtrajtshmërisë së gjakut me prindërit).
Bashkimi i Evës me Adamin, i Kainit me njerën nga dy motrat ishin nevojë e vazhdimësisë së racës. Kështu inçestet nuk janë pak në Bibël: "E madhja i thotë së voglës: babai jonë është i vjetër e nuk do të ketë asgjë në tokë që do të hyjë tek ne, sipas zakonit të të gjitha tokave... eja t'i japim të pijë verë babait tonë e luajmë me të, e kështu nga babai jonë mbajmë në jetë disa pasardhës" (Genesi 19-32). Kjo është origjina e inçestit që përsëritet edhe sot tek fundërrinat e shoqërisë, nëpër shtëpija ku në një dhomë flenë të përzierë prindër e fëmijë, vajza e djem, të ekspozuar eksitimeve e shfaqeve të përditëshme për shkak të varfërisë.
Edhe në Olimpin pagan inçesti është i pranishëm. Zeusi martohet me Erën, motrën e tij.
Filozofë të ndryshëm si Aristoteli, Kampanela, Platoni etj. e kanë trajtuar inçestin në forma të ndryshme; disa duke quajtur të ndaluar vetëm format e marrdhënieve prindër-fëmijë, disa të tjerë edhe ato midis vëllait e motrës.
Por përse duhet dënuar inçesti? Përse e sa dëmton?
Mendoni sikur të bashkoheshin vazhdimisht ndërmjet tyre prindër e fëmijë dhe vëllezër e motra. Do të vijë shpejt një moment kur të lindurit do të ishin identikë përveç organeve seksuale, dhe akti seksual mes tyre do t'i ngjante një vetfekondimi, të cilat edhe në natyrë tek bimët psh., janë të dëmshme se pastaj degjeneron në deformim deri në papjellori. Duhet një farë e re, gjak i ri për individualitetin e species që degjeneron. I njejti fenomen me pasojë monstruozitetin e sterilitetin, vihet re tek inçestet e përsëritura tek kafshët e njeriu. Ky fenomen ka ndodhur tek familjet e patricëve që shuheshin nga sterileteti se martesat e tyre bëheshin mes kushërinjsh ose mes njerëzish të afërt në gjak. Tek këto familje thellohen sëmundjet familjare e në mjaft raste ato mendore. Hyrja e gjakut të huaj është mrekulluese në këto raste. Ata që rrisin kafshë e dinë mirë këtë. Edhe mbretëresha e bletëve nuk fekondohet kurrë nga një mashkull i kosheres së saj, që mund të jetë i vëllai, por zgjedh një mashkull të fortë nga koshere tjetër, i cili të mund t'a arrijë e t'a fekondojë lart në qiell.
Edukimi seksual e misioni i gruas në shoqëri
Vizita mjekësore paramartesore është një ndihmë e madhe, ajo vepron në mjedis duke edukuar e ndryshuar konceptet. Në fund edukimi seksual i duhet dhënë masës për t'a mësuar që të jetë e kujdesëshme kundër gjithçkaje që mund të cënojë brezin e ri.
"O grua, ti nuk je vetëm Vepër e Zotit, por ende e njerëzve, sepse ata janë gjithmonë të gatshëm për t'u shprehur për ty me bukurinë e zemrave të tyre.
Poetët thurin për ty pëlhurë imazhesh të arta; piktorët i japin formës sate gjithmonë pavdeksi të re.
Deti jep perlat e tij, minierat japin arin e tyre, kopshtet lulet e tyre, për të stolisur, për të mbuluar, për të bërë më të çmuar.
Dëshira që burrat kanë në zemër për ty shtrin lavdinë e saj mbi rininë tënde.
Ti je gjysëm grua e gjysëm ëndërr...
Rabindranat Tagore "Kopshtari"
Sand: "Dashuria është një skllavëri e vullnetëshme, të cilën gruaja e ëndërron prej natyre"
Edukimi, në këtë këndvështrim, duhet të ketë qëllim ndërgjegjësimin shëndetësor seksual, që mund të përmblidhet në tre fjalë; shëndet, pastërti e përgjegjshmëri.
Eshtë e çuditëshme por gjithmonë ka mbizotëruar mendimi që misteret e fekondimit të zbuloheshin në kohën e duhur, në momentin e bashkimit seksual, atëhere secili të vepronte si të mundte, ashtu si dhe kafshët, ashtu si deri më tani kanë bërë të gjithë meshkujt dhe të gjitha femrat. Kështu me këto mendime qëndrohet në një padituri për funksionimin e vërtetë e për rëndësinë që ka për familjen e për shoqërinë seksi, duke qenë edhe të pambrojtur karshi të këqijave që mund t'i vijnë shëndetit. Asgjë nuk tregohet, veçanërisht femrave, që në vitet e para të jetës, deformohet e trillohet në gjithfarë formash. Por gjithçka ngjall kuriozitetin e tyre që nga puthja e prindërve e deri tek bashkimet e kafshëve të cilat ata i shohin, prandaj i lindin shumë pyetje. Ti përgjigjesh atyre nuk është gjithmonë e lehtë, por të mos u përgjigjesh duke i shtërnguar me heshtje ose të gënjesh është e dëmshme. Në të dy rastet fëmija do të mbetet i pakënaqur e do t'i drejtohet të tjerëve për të pasur një shpjegim për faktin që e shqetëson. Janë gjëra që secili i ka provuar edhe para teorisë gjeniale të Froidit, i cili jep si arsye të kuriozitetit seksual, reflektimin e kujtimeve të largëta, të cilat dalin nga subkoshienca pasi stimulohen e vihen në lëvizje nga ndjesitë e të voglit.
Pyetjeve të tyre duhet t'u përgjigjemi që kur ata janë të vegjël (kjo në raport me zgjuarsinë e moshës). Dhe ata që duhet të përgjigjen më shpesh janë prindërit e të afërmit më të mëdhenj. Nuk duhet që përgjigja të mbetet mëdysh ose të shpjegohet si përrallë, "si lejleku që i bie fëmijët me sqep, si fëmijët që blihen në pazar, që i bien me postë" etj. Jo sepse e njëjta pyetje do t'i drejtohet edhe të tjerëve, të cilët do t'i japin një përgjigje të ndryshme dhe kjo i ngatërron idetë dhe nganjëherë i bën ata të kundërshtojnë siç ndodh në mjaft raste kur nënat i thonë "se fëmijët blehen", fëmijët përgjigjen: Nuk është e vërtetë - pse të varfërit që nuk kanë para për të ngrënë kanë blerë shumë fëmijë atëhere?
Zhan Zhak Ruso shkruan në "Emili": "Një padije e plotë mbi disa fusha është ndoshta ajo që i duhet më shumë fëmijëve, por kur kjo nuk është e mundur, është e nevojëshme që ata të kuptojnë shpejt atë që nuk është e mundur t'ia fshehim atyre përgjithmonë. Duhet që kurioziteti i tyre të mos zgjohet në ndonjë mënyrë e që ai të kënaqet para kohës në të cilën nuk është më e rrezikëshme".
Pyetjet janë të lidhura zakonisht me lindjet dhe ndodhin kur në shtëpi apo afër lindin fëmijë. Fëmija që ka vënë re volumin e barkut të së ëmës pyet vehten dhe të tjerët "përse", dhe pas lindjes së fëmijës, nëna është kthyer si më parë. Në këtë moment i gjithë kujdesi e përkëdhelitë që më parë i bëheshin atij, tani drejtohen tek i sapo linduri duke shkaktuar tek fëmija xhelozi. Ai ka vënë re se këlyshët e maces lindin nga macja dhe se edhe ajo e kishte barkun e fryrë. Mendja e tij e vogël është pushtuar nga ky mister dhe do ta zgjidhë, prandaj pyet dhe kur nuk kënaqet nga përgjigjet mundohet ta shpjegojë vetë. Ai mendon se fëmija që tani e duan shumë, ndërkohë që atë nuk e duam më, ka ardhur nga barku i nënës.
Sepse nëna nuk i thotë: "Këtu në barkun tim ku edhe ti ke qënë, është një vëlla që do të dalë, siç ke dalë ti, e që do ta duam shumë se është i vogël dhe ti do të luash me të", dhe më pas; "Ja lindi nga barku im ashtu si ke lindur edhe ti, siç lindin bimët nga fara..." Nga shumë shkrime, anketime e studime janë venë re se vajzat e moshave 17-20 vjeç nuk e kanë idenë e dashurisë. Tek disa krijohet përshtypja se kjo është diçka e padenjë për gratë e shkolluara e të ditura, e se mund të mbeten shtatzanë poqese puthen me një mashkull. Disa të tjera kujtojnë se fekondimi vjen poqese rri e përqafuar në shtrat me një burrë nga ngrohtësia - si inkubacioni e vezëve të shpendëve - bën të zhvillohet embrioni. Këto edukime kanë sjellë në shumë raste probleme në martesë.

Prandaj është e nevojëshme që të edukohen drejt fillimisht nga prindërit e më pas nga shkolla. Eshtë e provuar që duhet t'u flasësh për seksin fëmijëve që më pas t'i flasësh lehtësisht e gradualisht derisa të arrijnë në adoleshencë pa shkaktuar turp e ndrydhje në vetvete. Ata do t'i pranojnë këto të reja me të njejtën pafajësi me të cilën shikojnë një lakuriqësi.
Në shkolla, që në klasat fillore nis mësimi i shkencave natyrore, duhet të nisë edhe mësimi seksual shkallë-shkallë deri në gjimnaz, kur mendja është e përgatitur.
Kush di gjithçka, është i pafajshëm si ai që nuk di asgjë.
Pedagogjia seksuale duhet të ketë dy drejtime: mësimin seksual dhe edukimin e vullnetit. Mësimi seksual nuk duhet të kufizohet me raportet me shkencat natyrore e biologjike përsa i përket gjeneratave, por duhet të jetë i lidhur me sociologjinë dhe moralin, duke u konsideruar pjesë e filozofisë; përveç atyre elementëve të patologjisë seksuale që duhen për të ruajtur rininë kundër sëmundjeve seksuale, e për ti bërë që të kuptojnë vehten e tendencat seksuale individuale. Tendencat seksuale të pubertet janë ende të paqarta. Vihet re në këtë moshë një konflikt mes elementeve të biseksualitetit, organik e shpirtëror. Eshtë një moshë në të cilën funksioni seksual është i pavendosur, si në jetën endouterine; në muajin e tretë embrioni ndodhet në mes, është biseksual, por në evolucion - drejt seksit mashkullor ose drejt atij femëror - kështu edhe në pubertet janë të pavendosur tendencat seksuale. Për këtë Mazd Dessort thotë: "Ndjenja seksuale është indiferente, mjafton atëhere një edukim i gënjeshtërt seksual i fabrikuar nga mendjet në shkumëzimin të adoleshencës, ose e thenë nga shokët apo individë të degjenuar, për të çuar të riun në një rrugë të shtrembër në fillim të jetës erotike, që tek çdo adoleshent vendos të ardhmen jo vetëm seksuale (të degjeneruar homoseksuale) por edhe morale psikike e shoqërore". Kurse Jung vëren: "Fati i jetës sonë është në thelb i njejtë me fatin e seksualitetit tonë".
Prandaj duhen bërë të ditura e jo fshehur ose deformuar të vërtetat e natyrës. As lakuriqësia dhe as e vërteta shkencore, nuk fyejnë e korruptojnë, kurse gjysëmlakuriqësia po, se bën që të mendojmë. Gjethja e fikut bën të fantazosh për atë që fshihet, kurse shikimi i organeve gjenitale si shfaqje e një akti anatomik është normal. Pas një çerek ore mësohemi të shikojmë me indiferencë lakuriqësinë e një statuje ose të një personi, kurse fantazia jonë nuk pushon së punuari kur një vel i hollë na eksiton.
Për këtë duhet, siç thotë Levi, të krijohet një mjedis edukues nëpërmes shtypit, atij politiko-letrar e edukativ, i enteve të kulturës etj.
Mbi të gjitha duhen drejtuar mirë tendencat e të rinjve në epokën e pubertetit. Të rinjtë e të rejat që tashmë janë gjithë ditën bashkë në shkollë, fillojnë të fitojnë një indiferencë seksuale reciproke. Nëse në shkollat e përbashkëta rrjedh ndonjë simpati etero-seksuale, është e vështirë që të pranohen pasionet homoseksuale që sipas mjaft studjuesve vijnë nga ndarja e të rinjve nga seksi i kundërt. Gjithashtu shkollat (miste) të përbashkëta stimulojnë onanizmin që ka mjaft avantazh karshi homoseksualizmit. Në këto shkolla ndizet ndonjë pasion krejt natyral e fiziologjik në të cilin flaka e nxehtë, karakteret e një seksi e të tjetrit forcohen në rezistencë e respektin reciprok duke edukuar vullnetin, siç do pedagogjia seksuale. Shkolla bëhet kështu një paraqitje e gjallë e jetës në të cilën gjejmë gruan në krah të burrit në rrugën e përbashkët dhe mësojmë të respektojmë njeri tjetrin duke e admiruar e dëshëruar, por duke edukuar vullnetin tonë duke e përdorur e duke u ruajtur për të mos fyer. Kështu edhe gruaja mund të edukohet mes meshkujve si edhe ata; edhe ajo forcon dinjitetin e saj, është më e lirë, forcon pozicionin në shoqëri dhe mësohet e njeh meshkujt për të bërë më vonë seleksionimin e saj seksual që do t'a çojë në martesë.
Edukimi eksual nuk është diçka e re; spartanët i linin fëmijët vajza e djem lakuriq që të njiheshin dhe mësoheshin me shikimin e kontaktin me seksin tjetër. Këto thuhen edhe sot për qëndrimin në disa plazhe si në Hollandë e Japoni ku thonë se dalin lakuriq. Por çdo gjë e mirë kur ekzagjerohet nuk është më e tillë. Më tepër se turpi, veprimi i hijshëm duhet të mbizotërojë gjithmonë.
Edukimi seksual e pedagogjia seksuale janë disiplina ende të reja, prandaj janë ende të paformuara mirë. Disiplina fitohet me kulturë që duhet të jetë e përhapur në popull që të mos ketë injorantë. E me mësimin e ngritjen e kulturës luftohen paragjykimet e turpi fals që rrethon me mister të gjitha çështjet seksuale, higjenën e patologjinë e organeve seksuale.
Gruaja të cilës gabimisht i imponojmë turp, duhet të fitojë që e vogël fëmijë, parimet e funksionet gjenitale e misionin që ajo ka në shoqëri, që më vonë të mos çohet jashtë drejtimit fiziologjik të seksit të saj dhe të largohet nga vendi që e pret.
Nuk bëhet fjalë e nuk duhet folur për mosbarazi e inferioritet; por për ndryshim, për dy qenie ekuivalente. Poqese të ndryshme janë organet, të ndryshme janë edhe funksionet respektive. Po të hedhim vështrimin mbrapa në elementët primitivë të jetës, njëqelizorët, shohim se nuk ka më të rëndësishëm e më pak të tillë, siç është veza dhe spermatozoi, por ekuivalente, njëra pa tjetrën është e pavlerë. Të dyja bashkë janë të afta të shumëzojnë jetën e kështu të jetojnë gjithmojnë. Pra tek mashkulli e femra zhvillohen reaksione të ndryshme nga ato elementë mikroskopikë që i japin burrit e gruas imazhin material, psikik e social të ndryshëm nga ndryshimi që kanë e nga natyra e ndryshme funksionale. Aristoteli shprehet në "Traktatin e Gjeneratave": "Mashkulli paraqet formën specifike, femra materien. Ajo është pasive ndërkohë që është femër, kurse mashkulli është aktiv" (siç është spermatozoi aktiv e veza pasive). Të dy duhet të punojnë, por puna e tyre është e ndryshme. Ky është orientimi i mrekullueshëm i Natyrës.
"Gruaja nuk është as më lart as më poshtë se burri: i qëndron në krah", ka shkruar Mantegazza.
Struktura e të gjithë meshkujve të cilësdo këmbë të shkallës zoologjike është zhvilluar e kthyer në detyrë shoqërore në shkallën më të lartë të zhvillimit tek njeriu, që ai të mbajë e mbrojë femrën e pasardhësit. Janë ligjet e natyrës që imponojnë; ato paraqesin të drejtat dhe detyrat që ne duhet t'i njohim, janë ligjet e Jetës që qeverisin ligjet e Shoqërisë, të cilat kurrë nuk mund të jenë kundër të parave. Ne duhet të modelojmë jetën sipas ligjeve të Natyrës. Gruaja përveç punës së saj të madhe, sigurimit dhe edukimit të racës njerzore, që është edhe puna më e rëndësishme për njerëzimin, mund të punojë, por jo siç duan të thonë: çdo gjë, por në vepra që i përshtaten strukturës fizike e temperamentit të saj, e vetëm në periudhat në të cilat funksionet biologjike e lejojnë. Ndihmesa e saj mund të jetë e madhe, jo aq për forcën e lodhjen fizike, sa për ndjenjën e butësinë që e ka në natyrë. Darvini në "Origjina e njeriut e zgjedhja në raport me seksin" shkruan: "Në kombet barbare gratë janë të shtërnguara të punojnë fort, njëlloj me burrat. Në kombet e qytetëruara, lufta për të pushtuar gratë ka pushuar me kohë; nga ana tjetër burrat, në përgjithësi kanë një punë më të rëndë se gratë, për t'i favorizuar ato, që forcën më të madhe ta ruajnë"
Sipas studimeve rezultatet e të cilave ne arrijmë t'i vërejmë edhe vetë, gruaja ka një zhvillim të ndryshëm nga burri. Ajo në shkollë zakonisht tregon një kapacitet intelektual më të lartë se burri. Arrin pubertetin e para, është më e tërhequr (më larg) dëshirave seksuale, është më e pjekur e përfiton më shumë se shokët e shkollës. Ka kështu një zhvillim intelektual të shpejtë e produktiv, të barabartë me zhvillimin seksual, deri në arritjen e menstruacioneve. Gruaja është e tillë në seks e në tru deri në 15 vjeç. Zhvillohet shpejt, por pastaj ndalon, e kur vjen puna për të vënë në jetë ato që ka mësuar ajo mbetet mbrapa në krahasim me burrin që është i vonuar, por që zhvillohet ngadalë për një kohë më të gjatë. Por në punët që kërkojnë rregull e durim dhe qëndrim të palëvizur (si qeliza vezë), superioriteti i grave mbi burrat është i padyshimtë.
Citohen gra të mëdha si Zhorzh Sand për letërsinë, Mari Kyri për shkencën apo Katerina e Rusisë një burrëreshë...
Mendoj se çështja e Madamë Kyri është se i shoqi është udhëheqësi dhe mësuesi dhe ajo një bashkëpunëtore shumë e mirë. Çështja Kyri është një bashkëpunim dysh, dhe si në raste bashkëpunimesh më i shkëlqyeri është mes individëve me sekse të kundërt. Këtu pa dashur të mohoj jashtëzakonshmërinë e Madamë Kyri, nuk është momenti të analizojmë rastin vërtetë unik e të mrekullueshëm të bashkëpunimit shkencor të çiftit Kyri. Kurse do të them se Sand është shfaqja e gjenisë femërore në roman. Biografia e Madamë Amandine Lucie Aurore Dupin, gruaja e baronit Dudevand, e quajtur më vonë Zhorzh Sand, tregoi se ishte një grua burrëreshë e që gjenia e saj ishte mashkullore. Femër në seksin gjenital e në shfaqjet funksionale, kurse në seksin psikik ishte gjithë mashkullore, në vullnet, në dashurinë prepotente, pushtuese e meshkujve jo mashkullorë, si De Musset e Shopen, muzikanti femëror që ajo "e pushtoi që në takimin e parë duke luajtur rolin e burrit të fortë para tij që skuqej si një grua kur ajo i ngulte sytë" (Weininger).

Sand donte të ishte burrë duke marrë një emër mashkulli e mbiemrin e rrjedhur nga i dashuri i parë e bashkëpunëtori letrar Sandou. E ishte burrë si letrare, dhe se nuk shfaqi asnjë lidhje me fëmijët që ja la të tjerëve, duke bërë një jetë me shëtitje nëpër botë e duke kaluar nga një dashuri në tjetrën. Ajo ishte një gjeni mashkull; por si grua ishte e degjeneruar. E degjenerimit të saj të tipit psiko-seksual, karakteristikave cerebrale e erotike i kushtohet veçantia e shkëlqimi i saj.
Siç është thënë, figura e femrës në përgjithësi, si qeliza femërore, veza, është e palëvizëshme. Por veza nuk lëviz, veç poqese është e shtërnguar për një gjë të tillë, si nga mungesa ose paefektshmëria e elementeve fekondativë mashkullorë, (të cilët zakonisht shkojnë drejt saj), pra kundër natyrës ajo është e detyruar të lëvizë, e poqese nuk arrin të takojë spermën, bie, humb në një miniabort (që tek gruaja paraqitet nga menstruacionet). Kështu shfaqet tek gruaja edhe jeta shoqërore.
Besoj se mund të përfundohet ky argument i sociologjisë e etikës seksuale në mënyrë më të denjë e të qartë rreth detyrave të burrit e gruas me atë që shkroi një nga apostujt më të mëdhenj të njerëzimit, Xhuzepe Mazini: "Kijeni gruan, si shoqe që merr pjesë jo vetëm në gëzimet e dhembjet tuaja, por në frymëzimet, në mendimet, në studimet, në përpjekjet për të përmirësuar shoqërinë, kijeni të barabartë në jetën tuaj shoqërore e politike, jini dy krahë të shpirtit njerëzor drejt idealit që duhet të arrijmë" ("Detyrat e njeriut")
Prostitucioni e prostitutat
Vjen nga "pro + statuere" që do të thotë me dhënë për punë trupin e vet, duke ju vënë "pro" përpara si për gjërat që afrohen për t'u shitur. Prostitucioni është shfaqje e seksualitetit vetëm njerëzor. Sa ç'është fiziologjik, pra nevojë seksuale, për t'u kënaqur, është antibiologjik në atë që nuk ka përfundim të tij riprodhimin, përkundrazi e shmang. Disa shohin tek prostitucioni problemin antishoqëror dhe kanë arsye në kënvështrimin ideal. Por po ta shohësh qetë realitetin... prostitucioni nuk është antishoqëror, sepse dëshirohet nga shoqëria për të shmangur të këqija më të mëdha. Pa prostitucionin, monogamia nuk do të ishte e mundur ose do të ishte vazhdimisht e shqetësuar nga tendencat poligame të burrit.
Kështu është një paradoks: prostitucioni për vehten imoral, shërben për të ruajtur moralin; kundër familjes, është në mbështetje të bashkimit familjar. Eshtë pandershmëria, me fjalë të tjera që shpëton nderin. Ajo i ngjan atyre rojeve të burgut, të egër, që na ruajnë nga rreziku që na vjen nga të egrit. Si këto roje, prostitucioni ka një funksion shoqëror e etik të dorës së parë. Ai i shërben moralit, i shërben në fund interesit shoqëror. Tek Ai nuk mund të shohësh të bukurën e të mirën, por të nevojëshmen. "Eshtë qëllimi që justifikon mjetin", thotë Makiaveli.
E kuptoj se këto që po shkruaj dikë e bëjnë të qeshë e të tjerëve i krijojnë shqetësim; nuk e mohoj që edhe unë që po shkruaj provoj në një farë mënyre një frenim e shqetësim. Por duhet t'i njohim gjërat si janë, në shoqërinë e sotme me burrat aktualë, duhet të njohim çfarë është e nevojëshme, edhe se e nevojëshmja ndonjëherë vret të bukurën.
Burrin e gruan, nevojitet t'i studiosh siç janë në shoqërinë e ditës, se është kjo që është, jo ajo që duhet të jetë. Burri e gruaja, si kafshët zotërohen nga dy instinkte kryesore, ushqimi e riprodhimi. Burri i sotëm është i shtërnguar në mes të dy ligjeve, atij fetar kristian "Mos dëshiro gruan e tjetrit", dhe atij shoqëror të ndërtuar mbi të parin. Por disa burra i shkelin këto duke pushtuar gratë e të tjerëve (të shumtën me dëshirën e këtyre të fundit), duke sjellë dëme të mëdha për familjet e për moralin. Prostitucioni, si martesa, është rrjedhojë e tregëtisë, e pra e shoqërisë së zhvilluar.
Ajo i përket vetëm erës së qytetërimit, nuk është tek njeriu primitiv, siç nuk është në asnjë specie të kafshëve. Ajo është tregëti dhe si e tillë rritja e rënia janë të rregulluara nga oferta e kërkesa. Në historinë e njerëzimit janë parë ndërhyrje mes martesës e prostitucionit, që u shfaqën me format e këmbimit të grave tek njeriu primitiv, që këmbente motrën për një grua, më vonë hyri këmbimi në natyrë, e deri tani vazhdojnë disa forma blerjesh me para si në Kamerun, ku një grua blihet 6000 lira (dorë e dytë, pra që shitet nga dikush që e kish blerë më parë, e përdorur). Kurse Marko Polo tregon, se një vajzë që ishte prostitutë me sukses dhe kishte fituar shumë peshqeshe si "shenja dashurie" nga dashnorët e shumtë, shihej me respekt se ishte shumë e kërkuar për cilësitë fizike (në Kinë). Po e njejta gjë është vënë në dukje shumë më parë nga Erodoti që tregonte se si në Babiloni shitblerja e vajzave bëhej në treg në formë ankandi, ku shitësi vinte në dukje vetitë fizike e kënaqësitë që sillte dhe blerësit ngrinin çmimin, kush e kush ta merrte.
Sot pak a shumë kjo ndodh në Japoni ku të prostituohesh është e ligjëshme për një femër të pa martuar Ky prostituim i shërben femrave për të mbajtur vehten, për të paguar një borxh familjar, ose për të gjetur burrë.
Kanë ekzistuar edhe forma të tjera, si ajo që blihej një grua për një djalë të shtëpisë, por për t'i shërbyer të gjithëve si shërbëtore por edhe si prostitutë, duke filluar nga vjehrri tek xhaxhallarët, vëllezërit e burrit etj., brenda kësaj familje koloni.
Koncepti i dashurisë sipas Kantit është "Bashkimi i dy individëve me sekse të ndryshëm për zotërimin e vlerave seksuale të njeri-tjetrit, gjatë gjithë jetës".
Në botën zoologjike mashkulli është, me përjashtime të rralla, poligam. I tillë është edhe burri i cili nuk mund të konsumojë forcat e tij vetëm me një grua. Ai si mashkull ka ngjashmëri me kafshët, pastaj i pushtuar nga dëshira, ai veçon një femër e cila bëhet e dashur, xheloz nga rivalët e ruan. Kështu u zgjodh nga vatha një femër që u bë grua. Ajo u bë gjithçka për burrin dhe i dha atij gjithçka donte, duke iu afruar vazhdimisht.
* * *
Tek prostitutat zakonisht ka një zhvillim, qëndrim dhe rënie të fuqive fizike, freskisë e bukurisë, të shkaktuara këto jo aq nga mosha sa nga abuzimi seksual e alkolizmi që shpesh i shoqëron, por dhe nga kurat arsenikale që bëjnë për të kuruar sëmundjet e ndryshme. Kështu shënohet perëndimi i tyre shpesh i rëndë, se vetëm pak nga ato dinë të ekonomizojnë jetën e tyre e të mos bien në varfëri. Shembuj të veçantë të sukseseve janë psh: Maria Plesi, e shitur që 12 vjeç nga i jati, e martuar me një të alkolizuar, 17 vjeç bëhet modiste në Paris e shitëse lulesh. Kjo vajzë me origjinë lypëse bëhet Maria Du Plessy e më pas Margarita Gauthier prej dashurisë së Aleksandër Dumasë birit, e "Traviata" në artin e pavdekshëm të Verdit. Ajo kështu, nga një vajzë me origjinë të ulët bëhet një kurtizanë e admiruar dhe adhuruar nga burra si Teofil Gauthier, Jules Simon, e List që për të shkroi: "Ajo është e jashtëzakonëshme, ka zemër të madhe, është ideale dhe e veçantë në llojin e vet..." Por nëse Maria Plessi ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së saj triumfuese, kjo i kushtohet fatit që vdiq 23 vjeçe, ende e bukur e interesante, megjithë sëmundjen që e gërryente përbrenda.
Po ashtu Madamë Pompadur që ndër kurtizane arriti shkallët më të larta të fuqisë, vdiq 43 vjeçe. Ajo diti të pushtojë apatikun Luigji XV, duke i falur kohët e fundit edhe tradhëtitë për t'a mbajtur afër. Ajo që vdiq në mënyrë të parakohëshme në një ditë të tmerrëshme me shi e erë e shoqëruar në banesën e fundit nga i dashuri i saj që nuk pati asnjë keqardhje për të, është "Zonja me kamelie"
Hallka e këtij zinxhiri dashurie është vetëm bukuria, hallkë që këputet sapo bukuria zbehet. Kështu nuk ndodh kur dashuria bazohet në vetitë e gruas, që janë bukuria e shpirtit, e cila nuk humbet në kohë, përkundrazi, me kohë pasurohet, përsoset e rritet, e prandaj të pushton krejtësisht në një bashkim shpirtëror; është kjo dashuria e vërtetë, e përbërë nga admirimi e respekti. "Kjo është rezerva e gruas, që e di se çfarë thesari ruan, në të cilin bukuria e trupit e kënaqësia e seksit vlejnë një çast" (Oriani "Matrimonio")
Nuk duhet ushqyer asnjë iluzion se mund të zhduket kjo shfaqje e shëmtuar, që solli qytetërimi, (prostitucioni), për të cilën akti seksual, krijues e përtëritës i forcave, kthehet në objekt tregu e spekullimi e shpesh shkak degjenerimi e infeksioni. Burrat janë të vetmit të dënuar që kundërshtojnë Natyrën (me prostituimin, nuk i binden funksionit të krijimit për të realizuar egoizmin e tyre) - ndryshe nga të gjitha qeniet e tjera ata kanë vuajtje fizike të rrjedhura nga prostitucioni.
Gruaja normale është më e mirë se ne burrat, se në shtytjen seksuale i mbizotëron jo dëshira si qëllim në vetvete, por dëshira për amësi. Kurse tek burri është dëshira për kënaqësi e për ndërrim. Ai kërkon të drejtën për poligami dhe dënon poliandrinë, siç thotë Shopenhaueri: "Ai është de jure monogam e de facto poligam". Ai nxorri beqarinë për të cilën Darvini shkruan tek "Origjina e njeriut": "Ndëshkimi kërkon një shkallë të lartë të zotërimit të vetvetes (kur nuk është shfaqe e psikopatisë seksuale, në të cilën ka shembuj të burrave që urrejnë gratë) për këtë është nderuar që në antikitet. Si rrjedhojë e paarsyeshmja praktikë e beqarisë ishte konsideruar si virtut.
Fatmirësisht është zhdukur një lloj beqarie e aristokracisë dhe borgjezisë së lartë në të cilën vetëm djali i madh duhet të martohej, të tjerët jetonin si beqarë ose brenda mureve të kuvendeve.
Prostitucioni i krijuar nga egoizmi i burrit e për të kënaqur seksin e tij, gjen qenie të seksit femër që, jo për t'iu bindur një nevoje fiziologjike apo ndjenje, por gati gjithmonë prej një degjenerimi moral, i përgjigjen kërkesës mashkullore duke u afruar si mall në tregun e pangopur. Këto janë prostitutat që zbresin në sheshe e bëjnë tregëti me vehten; jo si gra, sepse bëhet fjalë për një zanat, në të cilin zemra nuk ka e nuk mund të ketë asnjë pjesë, por, ajo që është më keq, as si femër, sepse ftohtësia është karakteristikë e tyre. Tek prostitutat shpirti dhe trupi rrinë indiferentë e pasivë në raportet me burrat, të cilët i shtërngojnë atëherë që ato të kënaqin të gjitha veset duke i bërë instrumenta kënaqësie, saqë ato arrijnë të ndjejnë zhgënjim për individin e seksit të kundërt, duke u kthyer shpesh në homoseksuale (lesbike) që sipas një statistike arrijnë në 30 % të prostitutave.
Prostitucioni rodhi nga popujt primitivë, nga koncepti i autokracisë mashkullore, të pronësisë së burrit mbi gruan, që me zhvillimin e shoqërisë mori format e shitjes e tregëtimit, duke ia ofruar mikut (prostitucioni i mikpritjes) ose priftit për sakrifikim (prostitucion i shenjtë) apo kryetarit të vendit, ose pastaj në shitje. Më vonë prostitucioni u përsos me zhvillimin e shoqërisë, ishin prostitutat estetike që frymëzonin burrat e shquar në epokën e Arqiboldit e Perikliut, apo në Romë në kohën e Cicëronit (shekulli V para Krishtit). Më tej u zhvillua dhe në fund edhe institucionalizua.
Prostitucioni paraqet shfryrjen e lirë, mbi bazën e të gjitha manifestimeve e tendencave atavike.
Klasifikimi i prostitutave
Shumë kanë qenë parimet e kriteret e klasifikimit të prostitutave.
Prostitutat e lindura nga prostituta, pra tek prostitutat e lindura mungon karakteri thelbësor dhe më i përpunuari e i qenësishmi i femrës; ndjenja e amësisë. Kështu ato bëjnë abort pa thyerje në ndërgjegje, i keqtrajtojnë fëmijët e tyre, i shesin, bile dhe i vrasin. Ato janë rrenacake, hajdute, shantazhiste, alkoliste, të paturp.
Dashuria e tyre për mbrojtësin apo shfrytëzuesin e cilitdo rang, është false, është dashuri interesi pa asnjë dridhje të shpirtit të keqformuar. Ftohtësia është natyrë, turpi mungon krejtësisht ( jo se humb, si tek gratë nga një ndjenjë e dëshirë e fuqishme), zakonisht ato nuk arrijnë të dalin nga mjedisi i vet, se nuk arrijnë shkallën e inteligjencës, forcës së vullnetit, njohurive, dëshirave.
Prostitucioni nëse nuk është kriminalitet është aleat me të. Eshtë inferioriteti psiko-analitik i prostitutave që nuk arrijnë të luftojnë shoqërisht dhe janë të ekspozuara para kriminalitetit.
Pas prostitutave të lindura, Lombroso në klasifikimin e tij ka vendosur prostitutat e rastësishme. Tek këto të fundit lidhja me këtë mjedis nuk është aq e fuqishme. Në kuadrin moral e psikik ato ndryshojnë me të parat në tendencat për punën e dashurinë për fëmijët. Fëmijët për prostitutat e rastit janë nder, ato e kanë për nder amësinë që i afron me gratë normale. Ato zakonisht janë të lehta e rrenacake. Prostituta e rastit, poqese nuk arrijnë të shkëputet nga mjedisi, vetë ose me ndihmën e të afërmve, apo ndonjë mashkulli që arrin ta dojë, integrohet në mjedis e bëhet prostitutë e mësuar.Rënia në këtë gjendje ndodh zakonisht si dobësi karakteri, pas një dashurie të humbur e të mospërfunduar në martesë, nga humbja e virgjërisë, aksidentalisht, nga një përdhunim apo nga një dhënie në çaste dobësie. E pastaj nga turpi, vrarja e ndërgjegjes etj., ato zhyten gjithnjë e më shumë në mjedisin e botës së krimit. Shumë tentojnë ose edhe arrijnë të vrasin vehten, është e vërtetë, por janë shumë edhe ato që bëjnë përpjekje të pafund për t'u kthyer në jetën normale. Na përket të gjithëve t'i ndihmojmë e jo t'i braktisim, apo ç'është më keq t'i japim shtysën. Grandpré (siç referon Lombroso e Ferrero) tregon një rast të njerës prej këtyre vajzave të pafat, që ishte shtruar në spital e neveritur nga jeta që bënte, me dëshirën e pafund për t'u kthyer në jetën normale e në punë. Por këtë u largua nga Parisi duke përshkuar 200 lega në këmbë për të gjetur punë dhe arriti të punojë e lumtur në një hotel, por një ditë e njohu një udhëtar që e denoncoi tek pronari i cili e përzuri. Atëhere ajo u rikthye në jetën e mëparëshme. "Unë ëndërroj, shpresoj, dëshëroj me gjithë shpirt të jem e ndershme, por nuk mundem", këto janë fjalët e saj. Fjalë aq të rënda për ne të gjithë, fjalë që më shumë se atë na akuzojnë Ne. Të Gjithë Shoqërinë!

Por fatkeqësisht pjesa më e madhe e tyre i nënshtrohen fatit të përdhunuara, të shtërnguara me forcë në çdo gjë, të kthyera në skllave mishi.
Zonja Buchner në Kongresin e I të Grave të Italisë, na paraqiti një nga ata plehra të shoqërisë që krijojnë këtë ferr, një trafikant grash, që kur u gjykua, rezultoi se ishte martuar 35 herë. E pastaj nuset e shkreta përfundonin për t'u ribërë të virgjëra e shitur kështu me çmim më të lartë, zakonisht jashtë shtetit, ku të mos kishin asnjë mundësi komunikimi e për të krijuar afërsi me kërkënd, për të evituar që ato t'i kërkonin dikujt ndihmë. Aty ato trajtoheshin si skllave.
Regullimi dhe liria
E gjithë kjo veprimtari, prostitucioni është e nevojëshme të rregullohet me ligje, së pari për arsye shëndetësore e shoqërore, e pastaj edhe ekonomike.
Regullamentarizmi kërkon që prostitutat të grupohen në shtëpija, të njihen nga shteti e të paguajnë taksa.
Liberalizmi kërkon që të lihen të lira të qëndrojnë ku të duan, të kontrollojnë vetë vehten, duke u edukuar ato e masa që të ruhen e kurohen nga sëmundjet e ndryshme.
Këto janë dy tendencat.
Ne nuk duhet në harrojmë për asnjë çast rrezikun e sëmundjeve veneriane e përhapjen që mund të marrin poqese lihen në ndërgjegjen e njerëzve, të prostitutave e të atyre që janë pas tyre.
Kurse Regolamentarizmi propozon që t'i nënshtrohen kontrollit shëndetësor e të ushtrojnë profesionin në vende të autorizuara e të kontrolluara dhe me aktivitet të kontrolluar; e jo të abuzohet me to duke i detyruar siç ka pasur raste edhe deri në 200 akte në 24 orë pa pushim. Mundësisht duhen kontrolluar edhe meshkujt, sa është e mundur, që siç kam thënë më parë në vizitën paramartesore, janë padyshim më të rrezikshëm se gratë. Kështu mund të bëhet një kontroll në këto shtëpija kënaqësie, para kryerjes së aktit.
Gratë duhet të mësohen ta konsiderojnë prostitucionin si një sëmundje të pashërueshme. Gratë duhet të mësohen të mos i përbuzin e të mos i quajnë fajtore të pafalëshme. Kërkohet që gruaja të ketë arsye për mëshirë, e për dinjitetin e seksit të saj duhet t'i ndihmojë kryesisht psikologjikisht, por edhe duke i gjetur punë, duke i afruar me familjet e tyre (që shpesh fatkeqësisht i refuzojnë), apo duke ndihmuar edhe fëmijët e këtyre fatkeqeve, se ndryshe edhe të vëgjëlit do të jenë të dënuar të vuajnë prej fatit apo gabimeve të nënave.
Një zonjë më tha se kishte parë në Maternitetin e Bolonjës, një fëmijë 12 vjeçe duke i dhënë gji fëmijës së saj. Cili është fati i kësaj fatkeqeje e fëmijës së saj, pa një ndihmë, pa ju dhembsur kërkujt.
Ky është programi që duhet të ndërtojnë gratë; të shpëtojnë gjithkund me punën e shembullin e tyre, duke bërë të mundur që asnjë grua për dobësi a për padije të bëhet pre e vesit, mashtrimit, forcës e pangopësisë spekullative. T'i japin dorën e të dëgjojnë nga buzët e tyre të dridhura, të shohin me sy tek përloten këto krijesa të bukura, të hedhura në baltë, ku shpesh lindin e ku dhunohen duke ruajtur thellë në shpirt thesarin e ndjenjave të tyre. Ato janë gra, janë njerëz! Shoqëria i gjykon padrejtësisht si fajtore duke mos i përmendur shfryrtëzuesit e krijuesit e kësaj gjendjeje.
Skeptikëve i kujtoj thënien e Henrik Hajnes: "Vesi nuk është gjithmonë ves. Kam parë gra që korrupsioni i kishte lyer me të kuq, e që në zemër kishin një pastërti qiellore."
Ajo që duhet ndaluar është që prostitutat të shtërngohen të bëjnë një jetë të pambrojtur nga shfrytëzuesit.
Patjetër duhet ruajtur dinjiteti femëror, se prostituta e lirë vihet përballë gruas duke e shqetësuar; se është ajo që ka pushtetin e rrugës e trotuareve duke gjuajtur për klientë me shëtitjen provokuese, besdisëse, ngacmuese për qytetarin që kalon rrugës me gruan a vajzat. Nuk është vallë e dëmshme për dinjitetin femëror, nuk përbëjnë një spektakël imoral? Me liberalizmin i hapet rruga edhe prostitucionit konkubinat (bashkëjetesës). Bloch na bie shembullin e një gruaje që i jepej me qera (bashkëjetonte) 40 burrave të martuar.
Pa menduar se kam rrokur të gjithë problemin mendoj se duhet organizuar e programuar:
1. Edukimi moral në familje, veçanërisht nga gratë, dhe në shkolla.
2. Reforma morale seksuale, duke dënuar dymoralin seksual mashkullor e femëror.
3. Luftë kundër martesës me interes.
4. Kërkimi i Atësisë e mbrojtje e Amësisë. Luftë beqarisë me mjete fiskale.
5. Masa kundër alkolizmit.
6. Lëvizje e grave kundër prostitucionit.
7. Rregullimi i prostitucionit.
8. Rregjistrimi i detyrueshëm i prostitutave.
9. Ligje të ashpra kundër shfrytëzuesve të të vegjëlve dhe prostitutave.
10. Vizita paramartesore e detyrueshme për burrat.
Higjena seksuale e profilaksia e sëmundjeve veneriane
Profilaksia e sëmundjeve seksuale mbështetet në dy këmbë; edukimin seksual nga një anë, e nga ana tjetër higjena e pastërtia. Tualeti intim është i njohur edhe tek kafshët, këto janë mësimet e Natyrës. Mbrojtja më e mirë vjen nga mbajtja e vazhdueshme e pastëstisë e veçanërisht para aktit seksual. Gruaja nuk duhet të kryejë aktin pa parë sipërfaqësisht organin e burrit e të mos pranojë kontaktin nëse vëren gjë të dyshimtë e infektim. Para e pas aktit seksual të dy duhet të lajnë organet gjenitale dhe duart me sapun e solucion antiseptik. Përdorimi i perservativit është gjithashtu një mbrojtje mjaft e mirë, por kjo nuk do të thotë të mos bëhet larja e dizinfektimi. Pas kryerjes së aktit seksual është mirë të urinohet se kështu bëhet pastrimi mekanik si dhe dizinfektimi i uretrese ose vaginës respektivisht për burrin dhe gruan; dhe sigurisht duhet të lahen sërish organet seksuale. Larjet bëhen edhe me dizinfektant (permaganat 1 %0, lisoform 5-10 %, sublimat 0,20 %0). Kujdes duhet treguar se mjaft nga infektimet me sëmundjet gjenitale mund të vijnë, dyshoj, edhe nga sfyngjeret, vaskat e banjës, peshqirët apo të linjtat, por edhe nga WC-të, të cilat në rastet e atyre publike është mirë të përdoren ato alla turka. Prandaj është e domosdoshme mbajtja pastër dhe dizinfektimi i WC-ve dhe vaskave, si dhe pasja e sfyngjereve dhe peshqirëve personalë. Duhet edhe paisja e banjave me bide, që për çiftin është mirë të jetë e veçantë (banja) në dhomën e gjumit. Se më shpesh i lejojmë vehtes blerjen e mobiljeve tepër të shtrenjta duke lënë pas dore këto gjëra të domosdoshme.
Nganjëherë të gëzojnë masat e ndërgjegjëshme shëndetësore që hasim çdo ditë; njerëzit nuk puthen me njeri tjetrin kur takohen, varin në qafën e fëmijëve shkrimin "Nuk dua puthje", apo ndarja në familje e pjatave, gotave etj.
Onanizmi
Onanizmi paraqet shfaqjen, të themi ndryshimin nga forma fiziologjike në formën patologjike të seksualitetit, që kërkon të kënaqë nevojën seksuale në një mënyrë të ndryshme, mekanike (me dorë ose objekte të ndryshme që imitojnë organet seksuale).
Në Bibël, Onan, nipi i Izraelit, paraqet njeriun, që, për të mos pasur fëmijë, shpërndante farën e tij në tokë. Ai u shtërngua nga Juda, babai i tij, që të martohej me Tamar, e veja e vëllait të tij Er dhe për të mos pasur fëmijë me të e hidhte spermën në tokë, për këtë zëmëroi Zotin që e bëri të vdesë (Genesi, 38-9). Onanizmi është manifestim i të dy sekseve. Ai është fiziologjik e patologjik. Eshtë patologjik kur ekzagjerohet me këtë manifestim duke dëmtuar edhe shëndetin, ndërsa fiziologjik kur është pak a shumë normal dhe nuk e dëmton shëndetin.
Epoka në të cilën fillon të manifestohet onanizmi është ajo e prepubertetit që përkon me moshën 9-10 vjeçare, kur nuk mund të flitet për ves ose perversion (ndryshim) me ide e fantazi larg përmbajtjeve seksuale, por duke iu bindur organizmit, një nevoje vegjetale. Pra në këtë periudhë kur gjëndrat seksuale nuk kanë arritur pjekurinë dhe kur mungojnë sekrecionet e prodhimit të farës. Hans Sachs në "Neurologjia, psikiatria e psikoanaliza" 1922, për të shpjeguar jo vetëm ndryshimet e sekseve, por për të treguar funksionin e nevojshëm të onanizmit, thotë se është i pari që mësohet; "Masturbimi, që lind në prepubertet me energji të re, edhe se përkohësisht, njihet si një funksion i rëndësishëm në zhvillim", kjo periudhë e onanizmit fiziologjik që përhapet e shtohet në pubertet (në të cilin vala hormonike që del nga gjendrat endokrine të pjekura, bën të ndjehet i papërmbajtur në nevojën seksuale, që me shumë vështirësi mund të kënaqet), është forma e parë thelbësore e masturbimit, që me dorë stimulon organin pa asnjë përmbajtje erotike. Eshtë seksualiteti që zgjohet e që nga forma të pavendosura e të një teritori të papërcaktuar, të shpërndarë e të mjergullt që në fillim kupton gjithë lëkurën; gradualisht përqëndrohet tek organet gjenitale, të cilat, në këtë moshë pa ngacmime psikike, anësore ose ideative i binden eksitimit mekanik. Flitet për onanizëm organiko-vegjetativ pra fiziologjik, si tek djali edhe tek vajza.
Kjo mënyrë nuk mungon edhe tek kafshët, sidomos tek disa p.sh. qentë; këto i kap vërtetë një valë dalldije, saqë, po ta afrosh mashkullin afër një qenusheje të ngrohur, ai do të bëjë mekanikën e aktit në çdo pjesë të trupit të saj, si edhe mbi një qen mashkull, në këmbën e një njeriu, ose mbi një kafshë tjetër cilëndo. Pra mungon stimuli i vërtetë seksual me origjinë qendrore, cerebrale, sepse deri tani në të vërtetë asgjë nuk është organizuar në jetën psikike por ekzistojnë vetëm impulse të jetës vegjetative.
Në specien tonë kemi onanizëm fëminor, që konsiston në prekjen e gjenitaleve; onanizmi i pubertetit, në të cilin adoleshenti i mbizotëruar nga dëshira e nevojave seksuale, është nën ngacmimin e prodhimeve endokrine. Deri këtu bashkëpunimi me fantazinë nuk diskutohet që mungon. Ndjenja, mendime, vizione e kujtime, prekin e eksitojnë trurin e të riut, jo shumë prej stimujve që vijnë nga periferia, sa prej rikthimit të imazheve që eksitojnë; është fantazi, janë eksitime që vijnë nga brenda personit. Atë që Havelock-Ellis e quan autoerotizëm. Pastaj kemi onanizmin e të rriturve që zevendëson aktin seksual. Eshtë onanizëm i atyre që i kanë provuar marrëdhëniet seksuale.
Në këto raste instinkti stimulohet nga një imazh i përcaktuar që mund të jetë një person i njohur apo i panjohur, që e duam nga larg ose që na mungon etj.
Pra kemi tre stade.
1. Onanizëm i fëmijërisë
2. Onanizëm psiko rievokues në pubertet
3. Onanizëm aluçinativ, që rithërret në mendje eksperienca seksuale e figura reale femrash a pjesësh trupore (jo si në stadin e dytë imazhe ideale të papërcaktuara).
Këto janë tre format e onanizmit që si tek burri dhe tek gruaja në masë të ndryshme, sipas natyrës individuale, formimit e temperamentit, mund të quhen fiziologjike, (këto poqese bëhen normalisht nuk janë të dëmshme për shëndetin), dhe në formën e tretë kanë efektin e aktit seksual normal, megjithëse ndryshojnë se kërkojnë një sforco më të madhe e një lodhje të vlerave cerebrale që hyjnë në lojë për krijimin e imazheve e kujtimeve, gjë që nuk i kërkon akti seksual normal. Hammond vëren: "Shpirti i onanizmit ka një pjesë shumë aktive në prodhimin e orgazmës; onanizmi dëmton më shumë shpirtin, akti dëmton më shumë trupin". Edhe Krafft-Ebing thotë: "ndërsa akti është gati një akt refleksi automatik, në fakt onanizmi është i vullnetshëm dhe aktivizon e konsumon materien nervore, e cila ka një vlerë të lartë funksionale.
Ndërsa burrat masturbohen me dorë, mënyra më e përhapur që përdorin gratë për masturbim është futja e një ose më shumë gishtave në vaginë. Por është e njohur jo rrallë edhe futja e objekteve si: kalema, qirinj, karrota, shtiza, etj., etj, si dhe së fundi një insrtument i prodhuar për këtë qëllim që i ngjan organit mashkullor (që mbushet me ujë të ngrohtë i cili pastaj sprucohet nga një pompë që komandohet në fund e që imiton daljen e spermës).
Siç thashë onanizmi është karakteristikë edhe e kafshëve si tek peshqit, qentë, macet, kuajt etj.,etj., por më i afërt me njeriun sigurisht është majmuni që përdor dorën.
Onanizmi patologjik shpesh është i trashëguar, si p.sh. në një familje të studiuar nga Bloch, në të cilën, gjyshja ishte shtruar për dalldi masturbimi në çmendinë, ku kish vdekur; e bija ishte masturbatore edhe e mbesa e cila që në moshën 2 vjeçare masturbonte me të gjitha format e kënaqësisë seksuale me skuqje në fytyrë e mimikë karakteristike.
Tek fëmijët onanizmi vjen për shumë arsye, që nga më të dëmshmet është kur vjen si imitim i asaj që fëmija sheh të bëjnë nga ata që e mbajnë, plakat e pamartuara (që shpesh e mësojnë).
Për onanizmin si dhe aktin seksual ajo që dëmton është abuzimi.
Onanizmi nganjëherë arrin forcë të tillë tek disa individë të cilët arrijnë orgazmën seksuale vetëm kur mendimi i tyre drejtohet tek një person që e dëshirojnë, a që e kanë parë më parë. Një pjesë e masturbatorëve nuk arrijnë atë kënaqësi në aktet seksuale si me masturbin, sepse me masturbim arrin të imagjinojë gjëra nga më të paarritëshmet për këta.
Prostitucioni e onanizmi paraqesin shfryrjet e nevojës së instinktit seksual. Por masturbatorët janë individë normalë. Onanizmi ndërsa tek burrat është më i shpeshtë në moshat e pubertetit e rinisë, tek gratë është më intensiv tek ato të pjekura.
Nga abuzimi i onanizmit mbetet e goditur më shumë sfera cerebrale, onanistëve i zvogëlohet dëshira e i zbret kënaqësia sidomos në aktin seksual e nganjëherë dëmtimi arrin tësjellë deri impotencë (mungesë e energjisë virile), pa humbur dëshirën që provokon edhe derdhjen, por pa arritur forcën e nevojëshme për të hyrë në vaginë.
Një rast nga pacientët që kam patur, ishte një djalë që edhe pasi u martua vazhdonte onanizmin dhe nusja e tij e re, ende e virgjër, ishte shumë e shqetësuar se ai masturbohej para saj pa bërë dashuri me të.
Lufta kundër onanizmit është mbushja e kohës me sport, studim dhe shoqëri të shëndoshë moralisht, jashtë familjes e brenda saj.
(Përgatiti për botiom në www.bruqi.com : Mr.sci.Flori Bruqi)
Copyright 2009 © Agjencioni Floart-Press

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit