Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar rolin e kontribuesve shpirtërorë që kultivuan në shekuj identitetin kombëtar, me konceptin feja e shqiptarit është Shqiptaria, dhe me predikimet fetare vendosën bazat e shtetit laik shqiptar, ndërkohë që vlerësoi tolerancën fetare në Shqipëri, si tregues të qytetarisë së një kombi.
Në fjalën e tij në konferencën shkencore për bashkësinë islame kryeminstri evokoi kohën e diktaturës, në 100 vjetorin e pavarësisë, në të cilën roli dhe kontributi i udhëheqësve shpirtërorë u mohua dhe harrua.
“Kjo e vërtetë e hidhur ka shpjegimin e vet të qartë, sepse për dikaturën dhe diktatorin në Shqipëri, armik më të egër se besimi tek Zoti nuk kishte, ndaj edhe ai ndërmori barbaritë më të pashembullta në historinë moderne të njerëzimit. Në Kosovë e trojet etnike shqiptare pushtuesi do përpiqej në rregullin e vjetër t’u impononte qytetarëve besimin e tij”-e nisi fjalën e kreu i qeverisë shqiptare, i cili duke vlerësuar veprën e udhëheqësve shpirtërorë të kombit, tha se ky kapitull i rëndësishëm i historisë sonë duhet të vendoset në piedestalin që meriton.
Sipas tij Elita fetare e vendit ka meritat më të para nga të gjitha elitat e tjera, pasi ka një specifikë që nuk e ka asnjë komb tjetër, që është toleranca fetare, e cila për kryeministrin është diamant i vërtetë i të gjitha kombeve.
“Nëse shohim kombet dhe historitë e tyre ju do gjeni në raport kombe që kanë tradita mijëravjecare shkrimi, këndimi, alfabetesh, librash, bibliotekash, qytetërimi të admirueshëm. Po ka një specifike që s’e ka asnjë komb tjetër dhe që është diamant i vërtetë i të gjitha kombeve dhe kjo është toleranca fetare. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë tregues më epror për qytetarinë e një kombi më shumë sesa toleranca fetare”- vijoi më tej Berisha.
“Krijohen keqkuptime kur thuhet feja e shqiptarit është Shqiptaria dhe ky koncept është meritë e udhëheqësve shpirtërorë, që e kultivuan në shekuj për të ruajtur identitetin kombëtar, sepse mësimet e profetit nuk ndajnë kurrë atdheun nga feja dashuria dhe Shqiptaria është pjesë e pandarë e besimit, përkundrazi ka një thelb mendimi doktrinor të bazuar në mësimet e ndritura të profetit në mësimet e librave të shenjtë”-shtoi ai, i cili theksoi se udhëheqësit shpirtërorë fetarë i shndërruan institucionet e kultit, kodra të fuqishme lirie.
“Drita e Lidhjes së Prizrenit u ndez në Medresenë e Bajrakut në Prizren, Teqetë, kisha kudo qëndruan si tempuj të besimit dhe frymëzuan për liri e dinjitet”.
Berisha u shpreh se me mësimet e tyre e klerikët e të gjitha besimeve e bënë shqipen të hyjë në gjuhën e Zotit u angazhuan në kontributin historik në mëvetësimin e kombit shqiptar.
“Për alfabetin punuan shumë studiues, mendimtarë e poetë por rolin më përcaktues e kanë patur udhëheqësit e besimeve fetare. U buroi nga shpirti se gërmat e kësaj gjuhe s’mund të jenë tjetër veçse latine. Ata predikonin besimin fetar, por shtetin e vendosën mbi baza laike, ishin klerike ata që hapën shkollën e parë shqipe”- nënvizoi kryeministri, i cili shtoi se ata bënë gjithcka me mësimet e shenjta, që drita e dijes laike të ndriçojë mendjet dhe zemrat e shqiptarëve.
Gjithashtu kreu i qeverisë tha se besimet e mëdha u shndërruan në rezistencën më dinjitoze ndaj diktaturës shqiptare.
“Ata për vlerat që besonin, për lirinë e dinjitetin njerëzor u martirizuan, por nuk u mposhtën kurrë. Nuk pranuan të luteshin as për diktatorin, as për pushtuesin ndaj dhe përjetuan kalvarin më të egër që kanë përjetuar ndonjëherë”- theksoi ai.
Në fund të fjalës së tij kryeministri shprehu edhe njëherë nderimin për të gjithë udhëheqësit shpirtërorë të kombit, të cilët e ndërtuan nga hiri infrastrukturën shpirtërore të shqiptarëve kudo ndodhen dhe që janë sot me qëndrimin e tyre kontribues madhor të tolerancës, mirëkuptimit dhe unitetit kombëtar.
“Një komb i bashkuar në vlera, në respektin ndaj njëri-tjetrit, një komb i bashkuar në respektin e të gjitha lirive, që është besimi tek Zoti, ka dhe do ketë të ardhme të ndritur”- përfundoi fjalën e tij shefi i ekzekutivit.