2012-09-28

Mikel Gojani : POEZI QË PËRÇON SHTRIRJEN SINTETIZUESE TË IDESË DHE TÊ MESAZHIT POETIK

NË BOTËN E LIBRIT




Angjelina Krasniqi - Bardhaj: Tingujt mallëngjyes, poezi, botoi Shtëpia botuese ADA, Tiranë 2012.



Krijuesja, Angjelina Krasniqi – Bardhaj, e cila jeton dhe vepron në diasporë, përkatësisht në Gjermani, këtyre ditëve lexuesve u ka dhuruar librin e saj të titulluar: “Tingujt mallëngjyes”, ku nëpërmjet këtij vëllimi poetik ka paralajmëruar talentin dhe prirjet që ka për këtë fushë të letërsisë, po ashtu edhe mundësitë krijuese të saj.


Vargu i kësaj krijueseje, në përmbledhjen e poezive “Tingujt mallëngjyes”, është një varg nga aspekti motivor qëndron mjaft i rrahur në letërsinë shqipe, i cili ngërthen një frymëmarrje të gjerë dhe shumë të thellësishme. Shqetësimet dhe emocionet që e përshkojnë gjithë poezinë e saj janë shumë të theksuara dhe dalin në sipërfaqe shumë qartë. Nga ama e frymëzimit të saj buron ai delli i fuqishëm poetik, që trand botën shpirtërore të poetes; shpërthen si një erupsion i vrullshëm mbi atë guall të mbërthyer në aortën e atij zjarri frymëzues. Me fjalë të tjera, Bardhaj, shpalon një notes voluminoz të botës së saj; shpalos një libër të madh të një bote interesante me plot trazime të brendshme; e ndjen dhe e lexon thellë atë duke gërmuar nga shumë kënde të tjera mistike, të cilat qëndrojnë në thellësi të qenies shpirtërore të krijueses.



Krijuesja Krasniqi, vargun e saj e ka begatuar me metafora dhe figura të tjera stilistike që edhe më shumë e begatojnë këtë varg dhe i japin një natyrshmëri të thellë poetike, nëpërmjet të cilave vargut të kësaj krijueseje edhe më shumë i japin shpirt dritësie dhe jetë. Krijuesja Bardhaj, me dashje, gjithsesi, përpiqet të jetë e tillë në varg, në shtjellimin e fenomeneve, si në pikëpamje të ideve dhe të tematikës duke ngritur edhe më lartë vargun e saj në planin e figuracionit, të strukturës dhe të mjeteve të tjera të shprehjes.



Libri i autores Bardhaj, Tingujt mallëngjyes”, është i ndarë në tre cikle, Dardania ime, Tingujt mallëngjyes dhe Këshillat e Nënës, që ngërthejnë një koncept unikat përmbajtjesor.



Në poezitë e këtyre kapitujve të librit “Tingujt mallëngjyes” të autores Bardhaj vërejmë një individualitet poetik mjaft të stabilizuar, konstrukte leksiko-figurative të një natyre poetike mjaft impulsive, karakteristikë në poezi të këtij rrafshi. Në dukje na bën përshtypje që kemi të bëjmë me një poezi të thjeshtë, mirëpo në esencë me një poezi mjaft të bukur, me plot shprehje figurative, ku frymon në mënyrë të veçantë shpirti njerëzor dhe i pavdekshëm i njeriut tonë.



Nëse gjykojmë dhe vlerësojmë sipas titujve, simboleve dhe figurave poetike (që hasim në poezitë e këtij vëllimi poetik), atëherë mund të thuhet se krijuesja Bardhi është shoqëruar njësoj me atdheun e saj, përkatësisht vendlindjen e saj, po ashtu, edhe si me të kaluarën tonë historike, edhe me bashkëkohësinë, me ç’rast e kaluara dhe e tashmja e përbëjnë palcin poetik të saj. Lirisht mund të konstatojmë se kjo krijuese, pothuajse në secilin varg ka dhënë nga një situatë poetike-jetësore-historike. E kjo do të thotë se ajo e ka pasqyruar shumëvlershmërinë e këtij akti jetësor. Prandaj, edhe vetë titujt e cikleve, po ashtu edhe titujt e poezive, me vendosmëri pasqyrojnë konceptin mbi aktualizimin poetik. Kjo poezi, sikur pasqyron dhe vlerëson situatat që ngërthehen brenda aktualizimit poetik.



Kapitulli i parë i këtij vëllimi poetik, Dardania ime, hapet pikërisht me një poezi po me të njëjtin titull, siç e përmban edhe ky kapitull, pra Dardania ime, një poezi që me të gjitha elementet arrin konceptin e ndërtimit të saj, ku krijuesja për Kosovën, ose më mirë Dardaninë Antike, si trualli i bekuar dhe pjesë shpirtërisht e pandarë e Shqipërisë etnike, “kërkon me shekuj një ëndërr të dëlir”.



Dardania ime,

Mendim i këndshëm,

Ngushëllim për jetën dhe për mua...

Lumturia ime, gëzimet be mia!

Por ti ngrihesh përballë botës,

Në furtunat dhe dhimbjes së kohës,

Dhe nga stresi i pazakontë, përgjumësh,

Në një ëndërr tjetër të dhimbshme përkundesh! (Poezia Dardania ime, fq. 9.



Ndërkaq te poezia tjetër që pason pas kësaj e titulluar, “Zgjohu shqiptar”, autorja kërkon një zgjim të brendshëm kombëtar dhe, siç shprehet autorja, citoj:



Të bashkuar dhe unik mynxyrën ta kthejmë në festë,/ të vemi në Krujë Gjergjin ta zgjojmë e madhërojmë/ Fundin e humnerës së vrerosur në tokën e njomë e flakem, pavarësinë sot e festojmë!



Si rëndom gjithë krijuesit tanë të cilët jetojnë dhe veprojnë në diasporë, mallin dhe brengën për vendlindjen e kanë si ndjesinë më të fuqishme që sëmbon shpirtin e tyre dhe shprush reminishencën, duke u bazuar në ndjenjën se gjeografia e vendlindjes ndërton edhe gjeografinë e mendjes dhe të frymëzimit.



Një zë i mekur, i trazuar në mendjen time,

U këndon të bukurave që lashë në vendlindje.

Pas hapave të gjyshit ecja për te i vjetri bli,

Fjalët e urta i merrja me vete si një kuti.

Ktheheshim te kullat, te i gdhenduri oxhak,

Që ngrohte jo vetëm shpirtin, por edhe damarët me gjak.



(Poezia, Malli i vendlindjes, fq. 21.



Aktualiteti i kësaj poezie është mbështetur në angazhimin permanent të krijueses për aktualizimin e figurave të ndritura letrare, kulturore, e kombëtare, si të Fan S. Nolit, Azem Shkrelit etj., që nëpër etapa dhe kohë kanë luajtur rol të rëndësishëm në jetën tonë letrare, por edhe kombëtare. Këto poezi – figura kanë jo vetëm domethënien e vet simbolike, por edhe vlera shumë të rëndësishme estetike, e të tjera.



Edhe poezitë të kapitullit vijues, Tingujt mallëngjyes, janë poezi pothuajse të të njëjtës frymë me një brumosje të thellë në pikëpamje estetike dhe stilistike. Retorika poetike, metaforat dhe figuracionet janë jashtëzakonisht të kapërthyer aty ku edhe e kanë vendin, prandaj edhe poezitë na dalin të një vlere të veçantë. Këtu poezia me titull “Tingujt mallëngjyes”, nga e cila është marrë edhe kapitulli edhe vetë titulli i këtij vëllimi poetik, është një poezi shumë e fuqishme dhe që ngërthen nj filozofi të thellë. Tingujt mallëngjyes që personifikojnë një kapitull të caktuar jetësor, sikur e ngrehin në piedestal amën e frymëzimit dhe mesazhin poetik të vargut, që janë vargje të shkaktuara me nga një brendi shpirtërore të trazuar, të mbërthyer me vuajtje, mallëngjim etj.



Violina notat lart kishte hapur,

Qëndronte vajtueshëm e hapur.

Diçka sikur rrinte dhe priste,

Që këngën me mall të vadiste.

Ajo pritje, ishte si vegim,

Që shkaktonte vuajtje, mallëngjim... (Poezia Tingujt mallëngjyes, fq. 55).



Po me të njëjtën oktavë shprehëse poetike janë edhe poezitë të tjera që pasojnë, si Gërmim në mendje, Nuse në kurbet, Ikja nga vetvetja, Në këtë shekull, Feja nuk ndan, Mos jam unë, Fantazma etj.



Figura e nënës, siç shprehen rilindësit tanë “Perëndeshës së botës”, është një figurë që mjaft dendur gjendet e shprehur edhe në vargun e kësaj krijueseje. Mbi këtë motiv autorja ka ndërtuar disa poezi, si Këshillat e nënës, nga është nxjerrë edhe kapitulli i fundit të këtij vëllimi poetik, pastaj Xeherore ari, Nënë etj. Në kuadër të këtij kapitulli ndeshi edhe poezi që autorja ju kushton fëmijëve të saj, ku edhe me një motiv të tillë, përkatësisht me poezinë “Me thërret aroma e tokës”, që u kushton pikërisht fëmijëve, autorja përmbyll kopertinat e librit:



Sot, o fëmijë, me ju dua të ndërtoj, uluni pranë,

Përveç jush në këtë vend dritë që shndrit nuk kam.

Në prehrin tim si djep u nanurisa, u përmenda,

Mu bëfshi fjalëmbël si të bardhët pëllumba.

Mos lejoni shpirti im të hyjë në botën e zhgënjimit,

Mundësojeni largimin tim të ngjitet drejt hyjnimit.

Atje ku lotin e gjakut kam pirë dhe fshirë me krenari

Atje, o fëmijët e mi!... Atje dua të prehem,

Atje edhe në varr NJERI do të ndjehem!... (Fq. 96).



Në fund lirisht mund të konstatojmë se krijuesja Angjelina Krasniqi – Bardhaj përmes librit poetik, “Tingujt mallëngjyes”, në botën letrare ka sjellë një varg të bukur poetik duke përçuar vlera të mirëfillta ideoartistike dhe mesazhe shumë të qëndrueshme që do t’i qëndrojnë kohërave. Te poezia e Bardhajt hasim një shkrirje shpirtërore dhe idenë e sakrificës sublimuese, një poezi që përçon shtrirjen sintetizuese te idesë dhe të një mesazhi poetik.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...