James Joyce
“Të mërguarit”
Përktheu: Daviola Ndoja
Botoi: “Pika pa sipërfaqe”
Çmimi: 700 lekë
“Të mërguarit” është libri më i ri që i vjen lexuesit shqiptar nga shkrimtari
i njohur, James Joyce. Pikërisht për këtë vepër, Padraic Colum shkruan: “‘Të
mërguarit’ nuk është një dramë mbi tradhtinë, të njëmendtë apo të dyshuar.
Autori i ‘Portretit të artistit në rini’, nuk do të na paraqesë diçka kaq
banale. Nuk është një duel mes Richard Rouanit dhe Robert Hendit për të zotëruar
Bertën. Në skenën kulminante, njëri i thotë tjetrit: Një duel për shpirtrat
tanë, ashtu të ndryshëm siç janë, kundër gjithçkaje që ata dhe bota ka të
gënjeshtërt. Një betejë e shpirtit tënd kundër fantazmës së besnikërisë dhe
shpirtit tim kundër fantazmës së miqësisë”.
*********
Kanë kaluar 90 vjet nga koha e publikimit të “Siddhartha”. Romani i vogël që
Herman Hesse nisi të shkruante në dimrin e 1919-s, lindi edhe si një reagim ndaj
luftës dhe shkatërrimeve të saj. Prej kohësh, në mendjen e tij kishte bërë
strehë ideja se Europa ishte një qytetërim që po perëndonte. Pak vite më parë,
shkrimtari kishte ndërmarrë një udhëtim në Indi, që i kishte dhënë shijen e një
fillese të largimit nga Europa. “Unë i shmangesha dhe thuajse e urreja Europën
me shijen e saj tepër të theksuar, me rrëmujën e saj si prej një panairi, me
ambientin e saj mbytës, me shijen e saj të ftohtë”, shkruante Hesse në një ese.
Nuk qe e lehtë për atë të shkruante “Siddhartha”. Një krizë e rëndë i kishte
tharë venën krijuese. Bashkëshortja e tij e sëmurë mendore ishte mbyllur në
psikiatri, varfëria i bëhej gjithnjë e më tinëzare dhe ndarja nga fëmijët,
kontribuuan mjaftueshëm që shkrimtari të ndihej i pasigurt në vetvete. U deshën
më se dy vjet që Hesse të arrinte të përfundonte “legjendën e tij indiane”. Kur
më në fund, më 1922 romani i tij doli në treg, pritja që iu bë nuk ishte
entuziaste. Ia tregoi Romain Rolland zhgënjimin që kishte ndier veçanërisht për
miqtë e ngushtë që heshtnin dhe shtonte se nga kritikat në shtyp nuk kishte
dëgjuar tjetër veçse “shprehje të një respekti të sikletshëm”. Mund të kuptohet
ky reagim jo i favorshëm ndaj një libri të pazakontë që me sytë e një europiani
tregonte Indinë. Por me kalimin e viteve, ky rrëfim, herë, herë edhe përrallor,
do të mblidhte rreth vetes dhjetëra milionë lexues. Ku qëndronte sharmi i tij?
Hesse shkroi një histori pa qëllim spekulimi. Kushdo që do të kishte lexuar
historinë e jetës së Siddhartha, do të kuptonte dëshirën e këtij të riu për të
gjetur rrugën e tij pa kompromise. Siddhartha, një shpirt i trazuar, dëshironte
një fillesë drejt jetës dhe të vërtetës. Në parim donte të bëhej një
“Samana”(mendimtarë që jetonin me pak gjë), duke menduar se praktikat mistike do
arrinin ta depersonalizonin, duke krijuar brenda tij boshin e nevojshëm për t’u
shndërruar në çfarëdolloj forme që bota i ofronte: një çakall, gurë, dru apo
formën e urisë dhe të etjes. “Siddhartha mësoi shumë nga savana-të, mësoi si të
përshkonte shumë rrugë për të dalë nga ‘Uni’”, shkruan Hesse. Por i riu,
inteligjent dhe i ndjeshëm nuk do të mjaftohej me artin që i mësuan savana-të.
Në atë kohë një tjetër figurë e intrigonte: Buda. Kur Siddhartha e takoi, e
njohu menjëherë. “E pashë, një njeri i thjeshtë, me mantelin portokalli, që ecte
e në dorë mbante tasin ku mblidhen donacionet”. Siddhartha, ndryshe nga miku i
tij, Govinda, nuk do që papritur t’u bindet ideve të mjeshtrit të tij. Ndonëse e
admironte për qetësinë dhe forcën, diçka e pengonte të përqafonte atë besim. Në
mënyrë misterioze, ai e dinte se duhet të vazhdonte udhëtimin “jo për të kërkuar
një doktrinë më të mirë, sepse nuk ka asnjë, por për t’i braktisur të gjitha
doktrinat dhe mjeshtrit, për të arritur gjysmën time, ose më mirë të vdes”. E
vërteta sipas Hesse nuk është fryt i një doktrine që mjeshtri ia transmeton
mjeshtrit, nuk është një dije e kodifikuar, por një kërkim shpirtëror, një
vështrim i lirë që drejtohet brenda vetes. Në rrugëtimin e tij ai takon
Kamala-n, prostitutën pas së cilës dashurohet, e provon ato që më parë i
përçmonte. “Duhet të zbriste në këtë botë, të humbte në kënaqësi e pushtet, të
humbte mes grave e arit, duhej të bëhej tregtar derisa prifti apo samarin në të
të vdiste”. Në këtë rrugëtim të tijin, Siddhartha kërkon të gjejë të vërtetën
brenda vetes dhe këtë duket se lexuesit e gjetën në roman. Pasi fitoi çmimin
“Nobel” më 1946 dhe pas mbështetjes që mori nga Thomas Mann(Tomas Man), Stefan
Zweig(Stefan Cvajg), Hugo Ball(Hugo Boll),
Hesse u kthye në një burim të ndriçimit shpirtëror, dëshmitar i një dhuntie
të jetuar me sinqeritet. Kështu ndodhi që ata djem të viteve ’70 e futën
“Siddhartha” në çantën e tyre të udhëtimit, në kërkim të njohjes së Lindjes.
Nëse do të shohim mirë, “Siddhartha” ishte libri i parë i një serie librash
“pedagogjikë”, të cilët kishin për qëllim të kujdeseshin për shpirtrat tanë.
Edhe pse India, nuk është më ajo e dikurshmja. “Nuk e kam marrë asnjëherë
seriozisht ‘botën’ dhe njerëzit e botës. Me kalimin e viteve e bëj gjithnjë e më
pak. Por, aq sa fisnik më dukej kristianizmi i praktikuar nga prindërit e mi, si
një jetë e jetuar me sakrifica, si komunitet e mision, po aq më rezultonte i
dyshimtë dhe herë, herë i patolerueshëm krahasuar me atë predikim kaq të
thjeshtë, me vargje që ndonjëherë ngjanin të ëmbël, me pastorët e mërzitshëm,
bota fetare dhe ajo e poezisë indiane, më dukeshin më tërheqëse”, shkruan Hesse.
Laureati i çmimit “Nobel”, Hermann Hesse, vdiq para 50 vjetësh. Por vepra e tij
jeton. Ai është një nga shkrimtarët më të njohur gjermanë në botë. Për prindërit
e tij, Hermani duhej të bëhej klerik, si ata vetë. Babai i tij punonte, që para
se të lindte ai, si misionar në Indi, nëna e tij ishte e bija e një misionari.
Më 2 korrik 1877 ajo lindi Hermanin. Hermani u lind në Calë, pranë Shtutgartit
dhe u rrit në një shtëpi shumë fetare. Prindërit e tij e dërguan në vitin 1891
në seminarin protestant Maulbronn. Pas disa muajsh ai u arratis që andej, sepse
nuk mund ta duronte edukimin kristian. Ai e kishte marrë vendimin: “Ose do të
bëhej poet, ose asgjë”. Rruga drejt të shkruarit qe një odise e vërtetë. Hesse
shkoi në shkolla të ndryshme, nuk mundi të përshtatej, në një fazë depresive u
përpoq të vriste veten në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare. Më vonë punoi në një
punishte, ku prodhoheshin makineri, në një fabrikë, që prodhonte sahate kullash
dhe në librari. Kërkimi i identitetit të tij, procesi i vështirë për të
realizuar veten, ishin temat, që Hesse do të trajtonte më vonë në romanet e tij.
Kur Hermann Hesse vdiq në vitin 1962 në shtëpinë e tij në Montagnola të Zvicrës,
duket se popullariteti i letërsisë së tij, të nderuar me çmim, ishte zhdukur.
Kritikët e përshkruajnë punën e tij si një mbledhje imitimesh pa nivel. Ishte
lëvizja e hipive në SHBA, që i risolli popullaritetin letërsisë së tij.
***************
Paul Erdman
“Paniku”
Përktheu: Selami Xhepa
Botoi: “Tirana Times”
Çmimi: 1000 lekë
Paul Emil Erdman (1932 – 2007) ishte një nga shkrimtarët kryesorë të biznesit
dhe financave në Shtetet e Bashkuara, që u bë i njohur me romanet e tij të
bazuar mbi tendencat monetare dhe faktet historike në lidhje me probleme
komplekse të financave ndërkombëtare. Ai ishte një ekonomist i shquar në fushën
e ekonomisë ndërkombëtare dhe autor i nëntë romaneve, të cilat kanë qenë shpesh
bestseller dhe janë përdorur edhe si skenarë filmash artistikë (The Silver
Bear). Stili i tij i të shkruarit u mundëson lexuesve mësimin e koncepteve të
ndërlikuara ekonomike dhe i mbërthen lexuesit si mjeshtër i intrigës financiare.
************
Florence Littauer
“Si të bëhesh president”
Përktheu: Vladimir Marku
Botoi: “Mësonjëtorja”
Çmimi: 900 lekë
“Si të bëhesh president” është historia e filozofisë së qeverisjes së mirë
amerikane nga koha e Luftës së Dytë Botërore deri në ditët e sotme. Autorja e
librit, Florence Littauer, nëpërmjet formimit të saj si historiane, shkrimtare
dhe psikologe, nëpërmjet portreteve të presidentëve amerikanë, u drejtohet të
gjithë lexuesve duke u treguar rrugën se si mund të bëhen menaxher të zotë, si
mund të drejtohen programe edhe pa ndihmën e një lidershipi. “Për një kohë të
gjatë ne paskemi qenë djegur për një lidership të mirë, gjithmonë kemi dashur të
pranojmë një mungesë aftësish menaxhuese apo edhe një performancë mediokre; që
të mund të kemi një lider mbretëror për të na frymëzuar shpresa të pabesueshme e
për të na prirë drejt një ëndrre të pamundshme, për të parë bekime të Zotit në
tokën tonë”, shkruan autorja.
**********
Çarls Dikens
“Oliver Tuist”
Përktheu: Skënder Luarasi
Botoi: “Infobotues”
Çmimi: 800 lekë
Për lexuesin shqiptar vjen një ribotim i “Oliver Tuist”
(Oliver Tuist) i Çarls Dikens. Personazhi i dashur për të gjithë, jetimi
Oliver, i cili pëson një sërë keqtrajtimesh në përpjekje për të mbijetuar, është
një personazh që i shërbeu Dikens-it për të folur mbi shoqërinë angleze dhe
problemeve të shumta sociale. I dyti i libër i tij, është një nga veprat më të
njohura të Dikens. Ishte i pari roman në gjuhën angleze që pati për protagonist
një djalë, një nga ata të varfrit, duke sjellë kështu një roman social,
përkundrejt rrymës romantike që mbizotëronte. Përmes një humori të zi, romani
analizon jetën angleze të viteve ‘800: varfërinë, punën e të miturve,
kriminalitetin urban dhe hipokrizinë e kulturës viktoriane. Romani është sjellë
në shqip nga një prej përkthyesve më të njohur, Skënder Luarasi.
********
Arlinda Dudaj e Botimeve “Dudaj”, e cila ka ekskluzivitetin e botimeve të
shkrimtarit Salman Rushdie, nuk ka asnjë dilemë që romani më i diskutuar i tij,
“Vargje satanike”, do të botohet së shpejti edhe në gjuhën shqipe. Pavarësisht
valës së dhunës që ka përfshirë disa vende pas shfaqjes së filmit “Pafajësia e
myslimanëve” dhe reagimit të shkrimtarit Salman Rushdie në një intervistë të
dhënë dje në BBC, Dudaj shprehet se kjo nuk e ndalon atë që të botojë “Vargjet
satanike” të Rushdies. Në intervistën e tij, Rushdie shprehet ndër të tjera se
për të botuar sot romanin “Vargje satanike” në ato vende që ende nuk është
botuar, duhet një guxim nga ana e botuesve. “Unë nuk mendoj se botimi i këtij
libri do të jetë një problem në Shqipëri. Në intervistën e tij për BBC-në,
Salman Rushdie përcjell mesazhe guximi për botuesit. Nëse dikush të kërcënon dhe
ti përulesh, ai më shumë do të të shtypë, - thotë ai. Kjo valë dhune që ka
ndodhur dhe po ndodh, gjithsesi mua nuk më pengon që ta botoj librin ‘Vargje
satanike’ edhe në shqip, sepse mendoj se në Shqipëri jo vetëm nuk është, por as
nuk mund të krijohet kurrë një situatë e tillë dhune. Unë e kam bindje se ne
jemi vendi i fjalës së lirë dhe i tolerancës fetare. Nuk besoj se mund të ketë
reagime të tilla, aq sa të më detyrojnë mua si botuese që të tërhiqem nga botimi
në shqip të ‘Vargje satanike’”, – shprehet për “Mapo”-n botuesja Arlinda Dudaj.
Në librin me kujtime “Joseph Anton”, që do të dalë nesër në tregun e librit
shqip nga Botimet “Dudaj”, Salman Rushdie rrëfen pikërisht historinë e jetës së
tij pas botimit të romanit “Vargje satanike”; sesi iu desh të fshihej për vite
me radhë nën një emër të rremë pasi kishte marrë dënimin me vdekje. “Ne vërtet
jemi një vend me shumicë myslimane, por e theksoj sërish se unë nuk mendoj se te
‘Vargje satanike’ Salman Rushdie shprehet kundër Islamit. Kur lexuesi shqiptar
të lexojë “Joseph Anton”, do ta kuptojë se libri “Vargje satanike” është
keqkuptuar dhe ekzagjeruar pikërisht për shkak të ‘fatwa’-s (dënimit me vdekje)
që iu dha shkrimtarit Salman Rushdie”, – tha Dudaj. Në librin biografik “Joseph
Anton” që është botuar njëkohësisht më 18 shtator në disa vende europiane
(ndërkohë në shqip romani del nesër në treg), Rushdie i referohet shumë librit
“Vargje satanike”, sepse e gjithë beteja e tij për fjalën e lirë merr shkas
pikërisht nga ajo që ndodhi me botimin “Vargje satanike”. “Kjo është një arsye
më shumë për të sjellë në shqip “Vargje satanike” me të drejta autori të plota
që i ka vetëm Shtëpia Botuese ‘Dudaj’”, – thotë botuesja. Krahas këtij romani,
Botimet “Dudaj” kanë sjellë në shqip nga ky shkrimtar edhe romanet: “Psherëtima
e fundit e Arapit”, “Furia”, “Haruni” dhe “Magjistrica e Firences”. “Vargje
satanike” është një novelë satirike dhe është frymëzuar pjesërisht nga jeta e
Profetit Muhamed.