Policia e Kosovës ballafaqohet me rreth 60 vrasje çdo vit. Ata i hetojnë të gjitha këto raste, por hasin në probleme siç është mungesa e një qasje të standardizuar në përcjelljen e rasteve nga vendi i ngjarjes e deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Sipas, Carsten Twelmeier, drejtor i departamentit për siguri publike në OSBE, policët e Kosovës që punojnë në hetimin e rasteve të vrasjeve deri më tani kanë pasur vetëm trajnim të përgjithshëm për hetimin e krimit. “Çdo krim kërkon teknika specifike të hetimit,” thotë ai, duke shtuar se në mungesë të njohurive të specializuara, provat në disa raste nuk janë mbledhur si duhet dhe për pasoj ka pasur vështirësi në shqiptimin e dënimeve.
Për të tejkaluar këtë situatë dhe për të përmirësuar hetimin e vrasjeve dhe kapacitetet trajnuese të policisë, Misioni i OSBE-së ka organizuar një trajnim të specializuar pesë ditor në korrik të vitit 2011. Trajnimi është përqendruar në mbledhjen e provave, teknikat e hetimit, analizimin e regjistrimeve telefonike dhe deklaratave, përcaktimin e shkaqeve të vdekjes dhe kategorizimin e llojeve të ndryshme të vrasjeve.
“Qëllimi jonë është të përmirësojmë punën e hetuesve dhe ta ndihmojmë policinë e Kosovës t’i zgjidhë rastet më shpejt,” thotë Twelmeier.
Qasje të reja
Arta Krasniqi dhe Sinisha Saviq janë dy nga 20 pjesëmarrësit e trajnimit të avancuar. Krasniqi, e cila është një ndër hetueset femra të pakta në Kosovë i është bashkuar ekipit para nëntë muajve. Para se të bëhej hetuese e vrasjeve në rajonin e Prishtinës, Arta ka punuar në njësinë për hetimin e dhunës në familje. Kurse Sinisha ka punuar si hetues i vrasjeve në rajonin e Gjilanit që nga viti 2002.
Qëllimi i trajnimit, sipas Twelmeier, ka qenë të standardizojë njohuritë e tyre, duke u mundësuar hetuesve të punojnë nga e njëjta pikë. “Kjo është arsyeja pse kemi dashur t’i trajnojmë se si ta ndjekin një rast nga momenti kur ndodh deri në përfundim të procesit gjyqësor,” shpjegon ai.
Lidhja në mes të teorisë dhe praktikës
Në trajnim kanë ligjëruar tre ekspertë të policisë nga Turqia, të cilët udhëheqin njësitë për hetimin e vrasjeve në vendin e tyre.
“Trajnimi ka qenë shumë interesant sepse është mbajtur nga ekspertë të cilët kanë lidhur teorinë me rastet në të cilat kanë punuar,” thotë Krasniqi. “Për mua ka qenë shumë e rëndësishme mundësia për t’i shtuar përvojës sime njohuri për mënyrat se si të fitojmë besimin e të dyshuarve derisa i intervistojmë ata për të zbuluar të vërtetën dhe për t’i zgjidhur rastet më lehtë,” shton ajo.
Kolegu i saj Saviq shpjegon se kjo ka qenë një mundësi e mirë për ta rifreskuar njohurinë e tij dhe për t’u trajnuar nga hetues të vrasjeve me më shumë përvojë. “Ekspertët na përshkruan lloje të rasteve që ne nuk i kemi përjetuar deri më tani, si dhe metodat të cilat i kanë përdorur për t’i zgjidhur me sukses,” thotë ai.
Qëllimi i dyfishtë
Misioni i OSBE-së që nga viti 2009 është angazhuar në krijimin e një ekipi të trajnuesve brenda policisë së Kosovës për hetim të vrasjeve. Deri më tani janë mbajtur disa seanca për trajnim të trajnuesve dhe seanca e fundit ka rezultuar me nëntë trajnues të kualifikuar.
“Ky trajnim i avancuar e ka përmbushur qëllimin e vet të dyfishtë. Kemi ndihmuar ngritjen e kapaciteteve për hetimin e vrasjeve në Kosovë dhe po ashtu kemi shtuar kapacitetet e policisë për të ofruar trajnime,”