Intervistoi: Elvin Luku
Në këtë intervistë të realizuar në tetor
të 2010-ës, pas vrasjes së Pastor Dritan Prroit për gjakmarrje, Dom Marian
Lumçi, në atë kohë prift në kishën e “Shën Palit” në tiranë, na hedh dritë mbi
rolin e kishës dhe dënimin që ajo u jep besimtarëve që kryejnë krime të rënda.
Dom Lumçi shpjegon kuptimin e fjalës “çkishërim” në Bibël, dhe rastet kur
përdorej kjo formë “mallkimi”. Dom Lumçi
thekson se çkishërimi mund të ketë efikasitet në fshatra apo qytete të vogla,
ku prifti i njeh banorët e zonës, por në qytetet e mëdha, ai është i vështirë të
zbatohet për shkak të urbanizimit. Intervistën me Dom Lumçim, të pabotuar në
vitin 2010, po e sjellim tani, për të
kuptuar më shumë lidhur me vendimin e ndërmarrë nga institucioni
kishtar i Veriut, për çkishërimin e të
gjithë atyre që kryejnë krimin e vrasjes.
Sipas Komitetit
të Pajtimit Mbarëkombëtar, numri i vrasjeve mbi baza kanunore është 10 mijë në
20 vitet e fundit. Cili është roli i kishës katolike duke patur parasysh se
edhe numri më i madh i familjeve të ngujuara është pikërisht në Shkodër?
Aktualisht, unë zhvilloj një shërbim në
burgje dhe duke u nisur nga ajo çeshtja e statistikave për të cilën ju folët,
që janë shumë të rënda, unë di të them vetëm kaq: dëmi të cilën ia kanë bërë
vitet 97-98 Shqipërise, nuk e di se cila periudhë tjetër mund t’ia ketë sjellë.
Kjo, për arësye se të gjithë të burgosurit dhe ai që quhet fenomeni i gjakmarrjes,
ndodhi pikërisht në këtë periudhë. E gjitha kjo ndodhi, sepse praktikisht
pushoi ekzistenca e shtetit. Të gjithë të burgosurit të cilët janë për gjak në
burgje, të paktën unë flas për burgjet në Tiranë, Durrës, Krujë e Fushëkrujë,
janë për shkak të gjakut, të cilën e ka nxitë edhe ajo “trimëria” e 97-ës.
Çfarë
parashikon Bibla për dënim në rast vrasjesh, a përmendet ç’kishërimi?
Në Bibël çështja e mallkimit
(çkishërimi), përdoret një herë prej Shën Palit ku flet për heretikët, pra, për
ato të cilët mohojnë praninë e Krishtit, e shpirtit të shenjtë në jetën e
personave. Pra, vetëm një herë Shën Pali e përdor, megjithëse, kisha e ka
aplikuar vazhdimisht. Në “Koncilin II të Vatikanit” në vitet 1962-1965,
normalisht, ajo shprehje që në latinisht e përdor “Anatenamo”, me anatemu, ajo
formë mallkimi është hequr. D.m.th Kisha nuk e ka përdorur më.
Cilat kanë qënë
metodat me të cilat kisha i ka penalizuar ose i ka mallkuar personat të cilët
kanë vrarë apo kanë kryer krime të rënda?
Metoda me të cilat dikur prifti i zonës
ka mallkuar kanë qënë këto: Nuk janë kryer shërbimet fetare në momentin e
vdekjes së atij personi; Varrosja e personit, nuk është bërë në varrezë bashkë
me të tjerët. Duhet të dini se në çdo varrezë katolike, e cila është paralel me
varrezën e të gjithë fshatit, ekziton një tjetër varrezë ku preheshin ata
persona që kishin ndarë gratë, pra, ata që kishin bërë divorc; personat që
kishin vrare dikë dhe personat të cilët kishin vdekur të papagëzuar, zakonisht
këtu futen fëmijët e vegjël. Pra, kjo ishte mënyra që këta persona
penalizoheshin. Sot, ka raste kur, ne, priftat, i kemi mohuar shërbimin fetar
një personi, i cili ka bërë një skandal publik. Psh: Personat që kanë bërë
vrasje të rënda.
Në Bibël thuhet
se, “Zoti është ai që ta jep jetën, dhe po ai, t’a merr”. A ju duket e drejte
që një njeri, paradite mund të lutet në kishë, dhe pasdite të dalë e të
vrasë? Çfarë dënimi merr ky besimtar nga
kisha, i cili ka thyer ligjet e shenjta?
Duhet të kemi parasysh diçka. Ne jetojmë
sot në një kohë kur, kisha, nuk ka autoritetin që kishte dikur. Kur bëhet fjalë
që kisha duhet të dënojë dikë, flitet për kohën kur ajo, fatkeqësish, ishte e
lidhur dhe bashkëjetonte me pushtetin tokësor. Pas “Koncilit II të Vatikanit”,
ndarja është shumë e qartë midis pushtetit tokesor, që është qeveria dhe
pushtetit qiellor, të cilin e përfaqëson kisha. Ju them me bindje se, krimet i
kryejnë edhe personat që mund të jenë katolik, por që nuk kanë lidhje me
kishën. Nuk ja kanë idenë se çfarë është me të vërtetë feja. Një person që ka
një kryq ari në gjoks, që kur e sheh të jep përshtypjen se ky është ndonjë
prelat i kishës, kur i thua mos e kryej këtë krim, ai kap kryqin në dorë dhe
betohet në kryq se do ta vrasë. Nuk mund të betohesh në kryq që do ta vrasësh.
Në kryq mund ta falësh. Kjo nuk është feja, nuk është besimi. Jezusi thotë: “Nëse
dikush të godet në njërën faqe, ti nxirri tjetrën”. Pra, ti je fanatik,
fondamentalist, kamikazë, ç’të duash ti, por jo besimtar. Fatkeqësisht, ndjenja
e gjakmarrjes në vendin tonë është e ngulitur thellë.
Atëherë
kur e merr dënimin vrasësi?
Sot, dënimi i personit nëse ai është
vërtet besimtar, ndodh në çastin e rrëfimit, dhe në çastin kur ai do të vi të
marrë kungimin në kishë. Në këto dy momente, ai person, nëse nuk është i
penduar për aktin që ka kryer, ai nuk rrëfehet dhe nuk kungohet. Pra, nga ana
jonë, përjashtohet nga praktikat fetare. Kjo është e padiskutueshme. Por, kjo
ndodh në vendbanime të vogla, në fshatra, ku të gjithë e njohin se ai është
vrasësi. Fatkeqësia më e madhe është se, këtu po flas prej eksperiencës që kam
në burgje, unë shikoj brenda në burg persona, të cilët janë të pafajshëm dhe
sikurse dhe ju mund të njihni raste, kriminelat lëvizin në rrugë të lirë. Pra,
cili është ai person që duhet të marrë kurajon dhe t’i thotë: Jo, ti ke vrarë,
ndaj largohu nga këtu.
Ky
është një problem shumë serioz.
Ju keni shumë të
drejte kur kërkoni nga shteti që vrasësin ta dënojë sipas ligjit. Por, a nuk
duhet edhe vetë kisha paralelisht të marrë masat e saj për të ndëshkuar
vrasësin, pavarësisht nëse ai dëshiron ose jo të vijë në kishë?
Ne nuk mund të krijojmë “lista të zeza”,
në kuptimin e plotë të fjalës. Pra, ju keni vrarë dhe jeni persona me të cilët,
ne, nuk kemi më punë. Normalisht, kisha, meqënëse ka institucionin e rrëfimit,
atëherë beson dhe shpreson në rikuperimin e personit. Ne nuk jemi me idenë që
ti gabove dhe tashmë përfundimisht je i përjashtuar. Vetë misioni i Jezusit në
tokë ishtë për të falur mëkatarët, me shpresën e kthimit të tyre. Masat e
mallkimit kanë qënë disa masa parandaluese ose friksuese, për ti thënë popullit
që mos e bëjë atë gjest.
Edhe
në këtë rast, ky është qëllimi pse po ju pyes?
Po,
por në kushtet në të cilat zhvillojnë jetën e tyre besimet tona, popullsia
është përzier në atë masë, saqë, unë nuk e njoh çdo besimtar që vjen në kishë. Këto
masa mund të zhvillohen e aplikohen shumë mirë në fshatra, në zona ku banorët
njihen të gjithë njëri me tjetrin, e ku prifti i fshatit i di të gjitha
ngjarjet atje.
Po
në rastin e vrasjes së Pastor Dritan Prroit?
Nëse unë e njoh dhe e shoh vrasësin, unë
nuk ja jap kungimin dhe e kthej mbrapsht. Na kanë ndodhur disa raste kur e kemi
kthyer mbrapsht. Kjo ndodh derisa personi të bëjë një pendesë publike, ku
shpreh dënimin e vet dhe ku kostatohet, që ky person, është penduar. Siç janë
rastet kur falet gjaku. Këtyre personave, u lejohet kungimi, sepse ata janë
rehabilituar tashmë.
Politika vepron sot gabim me kanunin.
Është një përrallë shumë e lezeçme kjo, ku i lihet faji kanunit. Ngjarja që ndodhi në Shkodër, edhe mund të
evitohej. Këto janë disa mllefe që ndodhin si pasoje e mungesës së shtetit,
sepse edhe njerëzit janë edhe shumë ngacmues dhe nxitës. Përjashtohesh prej
shumë rretheve, nëqoftëse nuk ke marrë gjakun dhe nëse nuk ka shkuar drejtesia
në vend.
Një mikut tim i kishin vrarë babain për
gjakmarrje dhe vetë u largua nga Shqipëria. Gjatë periudhës që ndenji në Shqipëri
pas vrasjes, rrethi shoqëror vazhdimisht e ngacmonte dhe e nxiste për të marrë
gjakun, ndaj dhe ai zgjodhi të largohej. Pra, janë dy rrugë në mungesë të
shtetit: Ose duhet marrë gjaku i të afërmit, sepse është vetë shoqëria që të
ngacmon; ose duhet të largohesh.
Po
në botë aplikohet çkishërimi sot?
Jo, me sa di unë jo. Me ndarjen e kishës
nga shtetit, gjithcka është e qartë. Ne nuk jemi hetues, ne gjithçka e marrim
vesh në rrëfim. Më ka ndodhur që persona që kanë kryer vrasje të rrëfehen. Disa
prej tyre, ata që unë kam ndjerë se janë penduar vërtetë, i kam dhënë kungimin,
disa të tjerëve jo. Unë, në rrëfim, mund të marrë vesh shumë sekretë, të cilat
as gjykata nuk i di. Dhe dua t’ju them se rrethanat kanë të bëjnë shumë me
mëkatin që kryen një person. Nuk jam unë autoriteti që duhet të dënoj.
Në vitin 93’ në Brazil, një person shkon
te prifti për tu rrëfyer (formula jonë është ajo e faljes së mëkatit) dhe i
thotë kam vrarë. Ai ishte realisht i penduar, ishte vërtet i mërzitur për aktin
që kishte kryer. Dhe prifti pasi e pyet si ka ndodhur, pra, pas rrëfimit,
vendosi t’a falë. Në bisedë e sipër vrasësi thotë se i kishte ndodhur edhe një
vrasje tjetër. Prifti nxehet, dhe e nxjerr jashtë, pa i falur mëkatet. Ky
personi, del i përlotur dhe pret jashtë për të biseduar me priftin, për t’a
sqaruar se si kishte ndodhur. Pas
shpinës së tij ishte një kryq, i cili tupëzohet, merr formën e njeriut, e prek
në shpatull, i bën një kryq në ball dhe i thotë: “Ai nuk të fali, por në të
vërtetë, ai që të fal jam unë”.
Me këtë dua të them se, fatkeqësia më e
madhe e kishës ka qënë se shumë herë ka kërkuar të marrë vetë rolin e Krishtit.
Ne jemi shërbëtor të fjalës së tij, dhe nuk duhet të marrim në dorë shkopin e
dënimit. Dua të them se, çlirimin e vërtetë kisha e ka pësuar pikërisht kur
është ndarë me pushtetin tokësor.
Cili
ka qënë qendrimi i kishës suaj në rastin e vrasjes së Pastor Dritan Prronit?
Është lejuar që varrimi i tij të bëhet
në kishë, duke patur prasysh edhe pozitën si Pastor. Nuk e di nëse ka qënë i
“Shuguruar”, por, për t’i shprehur në njëfarë mënyre edhe solidaritetin, është
lëshuar kisha. Kam lexuar një shkrim për reagimin e komuniteteve fetare në këtë
çështje. Unë jam prift, ti je gazetar, por të dy ne, para Zotit kemi të njëjtin
status. Ndaj, nëse ne duhet të shpreheshim ndaj vrasjes së Pastorit, ne duhet
të shprehemi për çdo vrasje të cilitdo personi. Kjo do të thotë, që ne ditë për
ditë të bëjmë denoncime. Ne si katolikë në Shqipëri, na janë vrarë dy
priftërinj, dy të tjerë janë plagosur, dy murgesha janë vrarë me automatik, dhe
askush nuk është shprehur për këto krime.
Me këto shembuj nuk dua të justifikohem,
përkundrazi. Ne sigurisht që kërkojmë solidaritet, por pikësëpari kërkojmë që
shteti të bëjë punën e tij.