2012-10-24

Shkruan: Avni Rudaku: Vrasjet e nderit dhe tradita shqiptare


Tradita shqiptare duke marrë si bazë kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili ka qenë mjaft me ndikim për qindra vjet, sidomos në Shqipërinë e Veriut dhe po ashtu ky kanun ka ndikim edhe sot, duke u nisur me faktin se shumë raste të vrasjeve të gjakmarrjeve në Veriun e Shqipërisë janë bërë edhe nën arsyetimin e ruajtjes së traditave zakonore të kanunit për shekuj. Pa dyshim se kanuni i zbatuar pas rënies së komunizmit ndërlidhet edhe me brishtësinë e drejtësisë së shtetit shqiptar, por edhe me shumësi arsyesh të tjera të tranzicionit dhe transformime të thella kulturore-sociale, por edhe ekonomike. Sidoqoftë, ky kanun, nëse paska ndikim, mund të thuhet se ka ndikim edhe për “vrasjet e nderit”, ku në “Nye i tridhjeteparë”, Theku i prem (Me lshue gruen), në librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, rregullohet tekstualisht si në vijim: “Per dy punë e ka fishekun në shpinë grueja e per nji punë i pritet theku e lshohet.
a) per kurvni; b) per mik të prem. Per këto dy punë të pabesijet i shoqi e vret të shoqen, e rrin pa ndore, pa besë e pa kenë i ndjekun për gjak, se prindja e nuses së vrame marrin çmimin e gjakut, e këtij do t’i napin fishekun e do t’i qesin dorëzanët…” Duke e ditur faktin se ndër shtyllat e kanunit mbetet rregullimi i raporteve bashkëshortore, martesës, fejesës, shkurorëzimit, nderit dhe çështje të tjera të sferës familjare dhe fisnore, atëherë, pa dyshim se në këtë pikëpamje, kanuni shqiptar e ka edhe rolin e vet duke u bazuar nga vetë kodet e shkruara në të dhe të cituara më lartë, ngase këtu e përcakton tradhtinë bashkëshortore si “dënim me vdekje” (“fishekun në shpinë”), duke e legjitimuar vrasjen. Është interesante të analizohet kur përmendet opsioni b) për mik të prem, ngase duke vrojtuar analiza mbi këto “vrasje nderi” për tradhti bashkëshortore, përmendja e mikut, tregon për intensitetin e rëndë të prekjes emocionale dhe pasojave kur bëhet sidomos me shokun, të afërmin, por edhe për të ruajtur kohezionin dhe ekuilibrimin social, ngase dihet se në shumicën e rasteve shpesh rezulton që tradhtia bashkëshortore ka ndodhur në rrethin e të njohurve të të tradhtuarit dhe tek tradhtuesi (p. sh. pala e tretë jashtëmartesore, shoku e tradhton mikun, fqinji, etj.). Tradita shqiptare po ashtu, njeh shumë raste të martesave të hershme të vajzave shqiptare, ku disa tradita vazhdojnë edhe sot. Dhe pa dyshim se kjo merr shumë kohë për elaborim.

Vrasjet e nderit dhe fshati

Disa raste që kanë ndodhur në Kosovë i kemi analizuar nga pikëpamja e prejardhjes dhe disa mostra të cilat i kemi marrë nga lajmet, dalin se disa prej tyre ndodhin në fshatra. Kjo s’do të thotë që nuk ndodhin edhe në qytete, por duke ditur rolin e madh të komunitetit për individin në fshatra, lidhjet e fuqishme farefisnore, fqinjësia më e dendur, presionin social; stigma, izolimi dhe turpi social për atë që i ka ndodhur dhe nevoja për rikuperim të turpit personal para familjarëve, duke e vrarë ‘interferuesin’ apo edhe ‘bashkëshorten’ ngase arrihet edhe te prishja e kohezionit social, etj. Edhe në vendet e ndryshme të botës, sidomos në fshatra ku tradita ka ndikim më të madh, qoftë e vendeve të Lindjes, Afrikës, apo edhe vendeve të Amerikës Latine, kemi vrasje nderi, si tendenca ekstreme për të ruajtur rendin e vjetër tradicional të marrëdhënieve sociale dhe në mes sekseve. Duhet ta kuptojmë se vrasjet e nderit nuk bëhen vetëm pse zihet në akt tradhtie bashkëshortore dhe shkel kurorën një grua, apo edhe vritet një burrë si palë e tretë, por edhe për thashetheme të paprovuara; apo edhe në raste të shfaqjes publike të orientimit homoseksual ngase ekziston një traditë fetare apo nacionale-historike që e përjashton homoseksualizmin në sistemin normal të marrëdhënieve seksuale; apo vetëm për mënyrën e veshjes të perceptuar si imorale e shumë aspekte të tjera. Vrasje nderi është edhe kur vritet burri që ka bërë tradhti, jo vetëm kur vritet gruaja, mirëpo, zakonisht janë gratë që pësojnë dhe në disa vende si shoqëria shqiptare, zakonisht burri shfaqet shmek kur ‘ndërron’ partnerë, ndërsa gruaja etiketohet. Po ashtu, nuk janë vetëm në fshatra, por sidomos edhe kur kemi të bëjmë me familjet shqiptare apo kudo, të cilat emigrojnë dhe përpiqen t’i ruajnë disa tradita dhe kode morale tradicionale kundruall kulturës në shtetin emigrues. Këtu vrasjet e nderit janë edhe si rezistencë psiko-kulturore ndaj ndryshimit të mënyrës së jetesës tradicionale në kontekst të një ‘kulture të huaj’, apo shoqëri bashkëkohore.

Vrasjet e nderit dhe patriarkalizmi

Studimet sidomos feministe, por edhe antropologjike bashkëkohore, e ndërlidhin “vrasjen e nderit” me strukturën sociale të përqendrimit të pushtetit te meshkujt, ku mashkulli duke ‘vrarë’ gruan për të cilën dyshon se e ka ‘turpëruar’, apo se ka shkuar me ndonjë tjetër jashtë ‘kontratës martesore’, për të frikësuar femrat e tjera që të bëjnë një gjë të tillë, për ta ruajtur ‘nderin e burrit’, e bën këtë edhe për ta riforcuar përsëri pushtetin e burrit në të drejtën e tij për kontrollin e vetë ‘jetës së gruas’. “Sipas moralit patriarkal, nderi i të gjithë familjes varet nga virgjëria e vajzës ose nga pastërtia (dëlirësia) e gruas së martuar. Nuk ka rëndësi nëse vajza e humb vullnetarisht apo me dhunë virgjërinë. Nëse “turpi” bëhet i dukshëm për të tjerët, nga një shtatzënësi, atëherë nderi i vajzës mund të shpëtohet vetëm nga vdekja. Gruaja e prekur nuk mund të presë ndihmën e grave të tjera në familje, sepse ato duhet ose duan të ruajnë të pacenuar nderin e familjes. “Çnderimi” i një familjeje nga vajza mund të shkatërrojë edhe shanset për t’u martuar të gjithë motrave të saj…”- shkruan Dorette Uesemann, redaktuar nga Ragnar Müller, në një sajt shumë profesional të literaturës mbi tema të ndryshme sociale, politike, kulturore dhe morale. Një mik im e ironizon skajshëm ndikimin patriarkalist: “Për shkak se në traditën shqiptare patriarkale gruaja është konsideruar rob i shtëpisë, atëherë i bie se nëse gruaja e tradhton burrin, i bie se ‘skllavi’ e ka turpëruar në fakt ‘pronarin’ dhe me këtë rast pronari është mashkulli, i cili jo vetëm që e ndien turpin social para komunitetit, por edhe ‘çuditet’ për shkak se qysh me tradhtue robi pronarin!!!” Shumë feministe perëndimore, por edhe kosovare kritikojnë me të drejtë standardet e dyfishta të pushtetit patriarkal, duke thënë se “kur mashkulli tradhton, quhet donzhuan dhe gruaja duhet ta falë atë, ndërsa kur femra tradhton, jo vetëm që stigmatizohet si lavire, por edhe merret e drejta e burrit për ta vrarë atë”. Pa dyshim se kjo është moral i papranueshëm kur legjitimohet e drejta e njërit seks për tradhti, ndërsa për tjetrin në rast se ndodh kjo, të vritet. Mirëpo, studiuesit jo të gjithë pajtohen se vrasjet e nderit mund të shpjegohen me pikëpamjen mbi patriarkalitetin dhe lidhjen me vrasjet e nderit. Disa prej tyre thonë nëse qenka ashtu, atëherë pse nuk po vriten për çështje të tjera, por vetëm në këtë kuptim të marrëdhënies seksuale. Po ashtu, nëse qenka çështja kështu, pse atëherë ndodhi vrasja e dy personave dhe vetes në Korçë, ku nuk vrau vetëm partnerin, por edhe burrin interferues, apo edhe një rast që u raportua në medie në Gjakovë, ku e vrau partneren dhe veten, duke thënë policia se ishte me “motive të ulëta të xhelozisë”?! Pra, pikëpamja patriarkaliste pa dyshim se mund të shpjegojë motivacionin e ruajtjes së nderit të burrit, pabarazinë në mes sekseve, vlerësimin se çfarë duhet të bëjnë gratë apo burrat, me kë të shoqërohen, si të sillen, çështja e punës së gruas dhe veshjes, shoqërizimit me meshkujt e tjerë, etj., por edhe për shumë kontekste të tjera të veçanta, duhet të ketë analizë holistike. Është jashtëzakonisht interesante nëse analizohet se si shumë vrasje nderi ndodhin te komunitetet emigrante, të cilat nuk ndërlidhen fare me strukturën patriarkale, por me frikën nga ndryshimet kulturore, tjetërsimet, integrimet apo asimilimet në kulturën vendëse, marrjen e zakoneve të huaja kulturore perëndimore etj., siç ndodhin vrasje nderi në komunitetin pakistanez në Angli, apo në komunitetin shqiptar në Itali, ku në këtë të fundit, për vrasje nderi kemi dëgjuar vrasjen nga bashkëshorti shqiptar të një nëne e dy fëmijëve për “çështje nderi”. Këtë e pohon edhe Dorette Uesemann, ku thotë: “Edhe vajzat dhe gratë e atyre që kanë emigruar në Evropë, janë të kërcënuara, sidomos kur pretendojnë të kenë të drejtat që i shohin edhe te gratë evropiane.”

Vrasjet e nderit dhe feja


Ndonëse feja ndihmon në ruajtjen e disa kodeve vrastare për nderin familjar e farefisnor, edhe para feve monoteiste janë gjetur kode të rrepta mbi dënimin e tradhtisë bashkëshortore, duke filluar edhe nga kodet e Hamurabit, në Egjiptin e Vjetër, në Greqinë Antike, në Romë, në Mesjetën e krishterë, në vendet e sotme të Pakistanit, Turqisë, Afganistanit, Irakut, vendet islame në përgjithësi, e sidomos në shtetet e rregulluara me sheriatin islam. Në disa vende ku jetojnë në teokraci, ku shteti dhe feja janë një, vetë shteti merret me dënimin me vdekje ose me gurë të gruas apo burrit, që ka shkelur kurorën bashkëshortore, madje edhe ekziston policia morale në Arabinë Sauditë, Iran, etj. Mirëpo, disa studiues duke analizuar tekstin e shenjtë të myslimanëve dhe traditës profetike, thonë se njerëzit vetëm arsyetojnë veprimet e tyre të vrasjes së nderit, sepse nuk mund të thuhet se feja ka përgjegjësi. Ata thonë se edhe në thëniet e profetit islam, gjeni se i është kushtuar shumë rëndësi që të gjinden thuajse disa dëshmitarë për të përcaktuar vërtetësinë e tradhtisë bashkëshortore, vetëm për të shmangur dyshimet nga ‘thashethemet gojore’, por edhe nga xhelozia patologjike e vetë tipit të individit apo çrregullimi skizoid paranoik. Sipas një raporti të lexuar të OKB-së, vrasjet e nderit kryesisht janë të përhapura në shoqëritë tradicionale në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Azinë e Jugut, mirëpo kjo s’do të thotë se ndërlidhet vetëm me normat morale religjioze, apo vetëm me islamin, por me traditat historike-kulturore të shoqërive, varësinë ekonomike të gruas, kontekstin e emigrantëve të cilët frikësohen nga asimilimet kulturore dhe akulturizimet në vendet mikpritëse, mosadaptimi social me sistemin e vlerave të reja sociale dhe kulturore, etj. Ka edhe pikëpamje biologjiste të cilat thonë se vrasjet e nderit janë ‘defekt i evolucionit’, ngase është tema e riprodhimit seksual dhe mashkulli parahistorik e ka pasur këtë mekanizëm për ta ruajtur gjenin e vet, në mënyrë që gruaja e tij të mos shkojë me dikë të fisit apo grupit tjetër, për ta vazhduar riprodhimin, qoftë për arsye të ruajtjes së gjenit të vet, qoftë edhe për mosfuqizimin e fisit tjetër. Ka një rrjedhje psikopatologjike të individit që e njeh literatura, e cila ndërlidhet me personalitetin skizoid paranoik, ku dyshimi nuk bazohet në vlerësimin objektiv, por në natyrën e sëmurë mendore, ku partneri mendon se gruaja po e tradhton, apo e kundërta. Po ashtu, është i njohur edhe një term tjetër që ka të bëjë me xhelozinë patologjike të individit, ku personi ia vështirëson jetën partnerit, duke kontrolluar çdo gjë, duke dyshuar në secilën marrëdhënie, pa u bazuar në të dhëna objektive, por thjeshtë shpjegohet me shumë teori të zhvillimit të dërmuar të personalitetit për shkaqe të shumta të natyrës bio-psiko-sociale. Disa prej tyre madje paguajnë denoncuesit dhe përcjellësit e bashkëshorteve.

Përfundim

Secila tradhti është e rëndë, qoftë edhe një mik i saponjohur që e ka tradhtuar dike për të dalë në një takim e s’ka dalë, e lëre më në bashkëshortësi, ku ndahet secili moment jete intime dhe ndjehet tradhtia. Pa dyshim, se këto ndjenja faji, turpi, etj., edhe më shumë i fuqizojnë traditat e ndryshme shoqërore kulturore, normat morale fetare, tradicionalizmi, patriarkalizmi, komuniteti, psikologjia e fajit dhe dëshpërimit individual, thirrja për ruajtjen e nderit të burrit, konkurrenca parahistorike e burrave në gjueti, e të ngjashme. Për dikë nuk është “motiv i ulët i xhelozisë” në rastin e tradhtisë bashkëshortore, mirëpo në shumë raste ndodhin vrasjet me vetëm dyshimin për tradhti. Sado që duket se janë rritur numri i rasteve të vrasjeve për nder, mund të themi se edhe është rritur toleranca në një kontekst tjetër të liberalizimit të ndarjes bashkëshortore dhe ‘faljes’. Shoqëria në Kosovë duke kaluar nga tradicionalizmi në bashkëkohësi, ka edhe vështirësitë e saj në pranimin e ‘vlerave të reja’ dhe largimin nga ato të vjetrat. Po ashtu, tradhtia duhet të kuptohet se edhe vetë është simptomë e brishtësisë së marrëdhënies, qoftë në pabarazinë në lidhje, shfrytëzimin; vetërespektin, vetëvlerësimin dhe vetëbesimin e dobët; shpërputhja seksuale, pavarësia e rritur e dy bashkëshortëve, veçmas edhe e gruas; botëkuptimet kulturore të ndryshuara mbi jetën seksuale te gratë shqiptare, hapja e shoqërisë, kalimi në zonat urbane, teknologjia, etj. Sidoqoftë, vrasjet e nderit mbeten shqetësim që duhet të studiohen nga studiuesit shqiptarë, duke i marrë të gjitha të dhënat në raportet e policisë, duke analizuar më pas tërë kontekstin, se cilat mosha janë të përfshira më shumë, statusin social, pjesa rurale apo urbane, statusi ekonomik dhe kulturor, etj. Fatkeqësisht, këto studime nuk po ndodhin me kërkime shkencore, por me muhabete hamendësuese! Pavarësisht, burra e gra, kujdesuni për njëri-tjetrin! Edhe vetë akti i vrasjes është i pandershëm, pa gabuar thellë për ta promovuar edhe tradhtinë si vlerë!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...