Poezi nga ADEM ZAPLLUZHA
Nga libri "Ky def prej hëne"
Ky def prej hëne ende s’pushon
Bini daulleve miqtë e mi
Bini mbi lëkurën hënës
Sonte po e festojmë frymëmarrjen e lirisë
Bini e mos pushoni
Ju o daulltarë të vyer
Le të pëlcasin daullet
Do i veshim kasnakët me lëkurën mëngjesit
Bini edhe mbi lëkurën time
Ajo i përngjan hartës së atdheut
Bini sa të doni nuk shqyhet dot
Me rrezet e diellit e kemi regjur ditën
Bini daulltarë e mos pushoni
Dasmat zgjasin me vjet në atdheun tim
Bini daulltarë bini
Është mësuar kjo lëkurë me të rrahurat e erës
HARTA E VJETËR
Unë do të ju flas shqip
Mbase gjuhë të tjera s’di
Por vetëm mos harroni
Se kjo hartë e vjetër quhet histori
E grisur dhe e shpërfillur
Deri në asgjësim
Thua se vetëm nën lëvoret e lisave
Gjeti strehim
Në ashtin tim një i huaj
Hasi diçka të shenjtë si prore
Dhe me mjeshtri të përsosur
Ngriti në shpirtrat e mjegullave
Prej eshtrave një përmendore
Nga libri me poezi “Ky def prej hëne”
Adem Zaplluzha lindi në Prizren më 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi si mësues nëpër fshatra : Studenqan të Therandës (ish Suharekës) dhe Hoça e qytetit afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me shkrime filloi të merret kryesisht me poezi që nga mosha fëmijërore. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë të cilën e botoi në revistën : “PIONERI”, me 1957.
Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës bashkë me shokët e punës dhe pendës formoi grupin letrar : “Lulëkuqet e Kosovës”.
Në Kuadër të punës së këtij grupi letrar qe botuar përmbledhja : “Ngjyra e kohës”, në të cilën u botua një numër i poezive të tij. Veç krijimeve që i publikoi në revistat për fëmijë botoi edhe nëpër gazetat e kohës që dilnin në Prishtinë dhe Shkup. Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës.
No comments:
Post a Comment