2012-10-24

Naim Kelmendi: Vepër poetike për Adem Jasharin dhe Ali Podrimën



Intervistë me shkrimtarin Naim Kelmendi me rastin e botimit të veprave më të reja, me titull “ Shqiptari vdes duke kënduar ”, ”Është vetëm kujtesë” ,” Esenca”, “Antologjia e dhembjes poetike”

Intervistoi: Naile Demiri

Info Globi: A mund të na thoni ku po gjeni kohë, durim dhe inspirim, kur dihet se përkryerja e një vepre letrare kërkon angazhim të madh?
Naim Kelmendi: Po,është e vërtetë se puna krijuese në një vepër letrare, kërkon kohë e angazhim dhe dua të them, sakrificë të madhe, për krijuesin e vlerave. Mbase më idealja për krijuesin është vepra. Kjo ka qenë kështu që kur shkruhen veprat dhe vazhdon të mbetet kështu edhe sot. Në tërë rrugën time krijuese, them me sinqeritet se mbase dhe kam sakrifikuar shumëçka në jetën time vetëm që të krijohet vepra arstistike, ama vepra që le gjurmë në kohë dhe që i reziston kohës me vlerën e saj letrare. Unë mendoj se këtë gjë e ka theksuar dhe vlerësuar edhe kritika letrare e kohës që ka përcjellur veprën time në kohë,(tashmë janë dikund afër 20 vepra të botuara letrare)duke i cilësuar vlerat e krijimtarisë dhe të veprave. Është fakt i vërtetë se për ta krijuar veprën duhet lënë anash shumëçka tjetër dhe duhet të kesh kohën për punën krijuese.  Për të krijuar duhet pasur edhe durimin,por mbase dhe inspirimi është gjithmonë pikënisja për të krijuar. Unë them se këtu ka diçka nga dhuntia e lindur,apo sikur e kanë thënë dhe të tjerë se dhuntia dhe talenti do të mbesnin në gjysmërrugë, po të mos punohet për ta ngritur më tutje veten në këtë drejtim, ngase krijimtarinë artistike, e dallojnë shumë faktorë, e që duhet gjithmonë të jenë koincidues në mes vete. Për faktin se a është një vepër letrare vërtet e denjë artistikisht,këtë gjë më mirë ë thotë mendimi i kritikës apo dhe i lexuesit, ngase ata janë barometri më i saktë për këtë, por mbase dhe krijuesi deri dikund e di për nivelin e punë së vet krijuese. Unë i detyrohem gjithmonë kritikës dhe mendimit objektiv të saj në raport me veprën letrare, në këtë rast edhe për veprat e mia lerare.


Info Globi: Me botimin e veprave të fundit,  keni arritur sukses të jashtëzakonshëm, edhe me vlerësime të tilla se gjatë këtyre viteve të fundit  ishin  veprat  më të mira.  Çfarë mund të thoni ju si autor?
Naim Kelmendi:Veprat poetike, për të cilat juve më pyetni, vërtetë besoj së shquhen për një stad të mirë të nivelit artistik, në vazhdën e veprave pararendëse, të botuara këtu e sa vite më parë dhe që përbëjnë kështu opusin e krijimeve të mia letrare, por këto të këtyre kohëve të fundit, besoj se shquhen jo vetëm përnga motivet krijuese, por shquhen edhe përnga preokupimet e mia krijuese dhe përnga ndërtimi dhe nivelizimi poetik i fjalës së shkruar poetike. Këtë e vërtetojnë vetë veprat me lëndën e tyre artistike, pra me prurjen poetike të veprave. Besoj se mund të ndjehem paksa deri dikund i kënaqur përnga niveli artistik i krijimit të këtyre veprave dhe përnga mesazhi dhe qëllimi i krjimit të tyre për të përcjellur mesazhin artistik të tyre edhe tek lexuesi. Dhe, kur krejt kësaj ia shton edhe atë konstatimin e opinionit për arritjen e nivelit të tyre, atëheërë do t’i lejoja vetes vetëm një çast kënaqësie artistike se, ia ka vlejtur puna e bërë krijuese dhe koha dhe përkushtimi krijues ndaj veprave. Unë, them të drejtën kur krijoj mendoj se ekzistoj. Në asnjë rast nuk mund të rri indiferent ndaj jetës dhe të ngjarave të saj në përditshmëri dhe në realitetin në të cilin jetoj dhe frymoj.

Info Globi: Çka është e veçanta e këtyre veprave për dallim nga krijimatia jote e mëhershme?
Naim Kelmendi: Po, e veçanta e këtyre veprave, për të cilat juve i veçuat, janë vetë lënda artistike që ofrojnë këto. E veçanta janë motivet dhe diskursi letrar i tyre. E veçanta është vetë mesazhi poetik i tyre që sjellin ato për lexuesin. Nëse kam arritur vetëm një shkallë të komunikojë dhe të transmetojë ashtu ekzaktësisht mesazhin e veprës tek ai lexues i apasionuar dhe të mbërthejë horizontin e tij të mendësimit, të shijes artistike dhe të frymëzimit, atëherë besoj se vepra letrare e ka kryer dhe do ta kryejë kështu misionin e saj. Për këtë qëllim dhe krijohet një vepër letrare, pra që të transmetojë gjithmonë tek të tjerët mendimin,qëllimin,idetë, dhe të frymëzojë me pëmbajtjen e saj, pra të krijimit. Në të shumtën me humanizmin e saj, e që i duhet gjithmonë lexuesit, njerëzores.
Info Globi: Na thuaj më gjerësisht për veprën “Shqiptari vdes duke kënduar”, kujt ja keni kushtuar dhe pse?
Naim Kelmendi: Vepra poetike në fjalë, i kushtohet legjendës së trimërisë shqiptare dhe të sakrificës kombëtare, Adem Jasharit. Ajo kap horizont më të gjerë të sakrificës shqiptare në historinë e saj shekullore, por dhe deri tek lufta, heroizmidhe qëndresa e Jasharëve, e që mbeten piemonti i sakrificës sonë kombëtare dhe i luftës për liri. Pikënisjen e krijimit kjo vepër-poemë, e ka në vitet e bujshme të luftës sonë për liri, pra në vitet 1998-1999. Atëbotë poema”Shqiptari vdes duke kënduar”, u botua në një gazetë ditore në perëndim, derisa isha unë atje në Zvicër, dhe krejt pak kohë para se të shkoja si reporter lufte, dhe unë atëbotë, për t’u gjendur në vijat e luftës në Koshare. Por poema është plotësuar më vonë, dhe them se është dhe përfunduar vite më vonë pas luftës, por në të zënë vend poashtu dhe disa krijime poetike nga koha e luftës, derisa isha reporter lufte atëbotë në Koshare, atje ku u thye kufiri shqiptaro-shqiptar, që po ndante kombin shqiptar përgjysmë për më shumë se njëqind vjet.
Info Globi: Kurse te vepra “Esenca”?
Naim Kelmendi: Edhe vepra “Esenca”, vjen si një trandje e mendimit dhe frymëzimit e mbase dhe e kuptimit, për ta shikuar botën dhe jetën përreth paksa më ndryshe. Por, dhe për ta thënë preokupimin e subjektit krijues, me gjuhën poetike disi më ndryshe. E them këtë ngase këtu vërtet edhe krijimi është diçka më ndryshe. Gjuha, semantika, figuracioni dhe ligjërimi në tërësi të veprës janë më ndryshe. Pra, është një horizont tjetër i kuptimësisë, mendësisë dhe të të kuptuarit e gjuhës metaforike në shpjegimin e fenomeneve të jetës dhe më gjerë.
Info Globi: E te vepra” Është vetëm kujtesë”?
Naim Kelmendi: Krijuesi gjakon gjithmonë për ta bërë të përkryer veprën në procesin e krijimit të tij, por ky mbetet një iluzion i tij apo lë hapësirë vetë fenomeni i krijimit për ta cilësuar dhe vlerësuar kulmin dhe rëndësinë e veprës dikush tjetër, pra ata që merren me me studimin e saj. Unë nuk besoj në të përkryeren as te një vepre letrare, por besoj në më të mirën, pra besoj se e kam krijuar më të mirën që kam mundur ta krijoj.Vlerësimet le t’i bëjnë ata që duan.Besoj në atë se, mbase dhe beson se e ke  bërë më të mirën, prapë nuk mund t’i besosh përfundimisht vetvetes. Duhet të ta thonë të tjerët, ata që e shijojnë krijimin artistik dhe mbase ata që merren me studimin e veprës. Por, me veprën”Është vetëm kujtesë”, mendoj se kam gjakuar atë pikën kulmore të ligjërimit dhe ndërtimit të fjalës së shkruar poetike, për t’i vënë pikën dikund nivelit artistik të veprës. Nëse këtë e arsyeton vepra në fjalë, krijuesi ndjenë së paku një shlirim njerëzor dhe i gëzohet ndikimit të saj tek lexuesi, pra tek ai për të cilin dhe shkruhet vepra.
Info Globi: Te vepra kushtuar poetit tonë të letrave shqipe , 101 përkushtime Ali Podrimjes, pra “Antologjia e dhembjes poetike”?
Naim Kelmendi:Pas vdekjes së poetit tonë të madh kombëtar Ali Podrimjes këtë verë,atje në Lodeve të Francës,them se na ka pllakosur dhembja secilin prej nesh që e kemi njohur Podrimjen si poet dhe si njeri,por mbase dhe të gjithë ata teë tjerët që e kanë lexuar dhe janë prekur nga vdekja e tij fizike. Menjëherë pas vdekjes së poetit, kanë filluar përkushtimet poetike gjithandej Evropës dhe deri në Amerikën e largët, pastaj nga poetë nga tërë gjeografia kombëtare, Kosovë, Shqipëri, etj, dhe gjithkund ku jetojnë shqiptarët muzat e poetëve për vdekjen e poetit sikur u zgjuan. Unë hartova këtë libër për të futur brenda një vepre tëra këto krijime të dhembjes së poetëve për humbjen e mikut të tyre të fjalës, por edhe të njeriut dhe poetit që mbase e kanë ndjerë si humbje dhe e kanëë treguar dhembjen e vet përmes shprehjes së figurshme, pra poezisë. Them se libri doli i suksesshëm,dhe mbetet një “Antologji e dhembjes...”, për poetin Podrimja, për ta ringjallur në vargjet e krijimet e këtyre poetëve, pra të 101 poetëve, që shkruan përkushtimet e tyre poetike nga dhembja njerëzore dhe poetike për poetin e madh, njeriun e madh dhe shqiptarin e madh Ali Podrimjen.
Info Globi: Po mirë, në përgjithësi në veprimtarinë e juaj letrare janë përfshirë shumë periudha kohore, na thuaj cilat janë ato?
Naim Kelmendi: Si të them, mendoni në periudhat e krjimtarisë sime letare mesiguri. Fillimet te mia krijuese datojnë që herët, që në kohën e shkollës fillore, por ka vazhduar më pastaj kështu me krijimet e fillimeve krijuese, pra në vitet shtatëdhjeta, por botimi fillon në vitet tetëdhjeta, dikund më sa më kujtohet me 1984. Me librin e parë të botuar daton viti 1985, dhe kështu ka vazhduar më pastaj gjatë tërë kësaj dekade duke botuar dikund një pjesë të mirë të krijimtarisë që përmbledhë disa tituj. Më vonë do thosha se edhe periudha e viteve të nëntëdhjeta ka qenë e theksuar në botimet e veprave të mia poetike, pastaj publicistike etj,por dhe pas kësaj dekade kam vazhduar dhe pas luftës deri më sot. Besoj se do të vazhdojë ende këtu e tutje.
Info Globi: Zotëri Kelmendi, po tash kah e keni orientuar tehun e aktiviteteve?
Naim Kelmendi: Krijuesi gjithmonë ka projekte ideore e që më pastaj ose shkruhen ose skicohen për t’u kthyer më vonë me shkrimin e tyre. Kam disa dorëshkrime që më presin për t’i përfunduar.Por, në krijimtarinë time letrare do të jetë primare proza dhe romani, pra në të ardhmen e këtij synimi krijues. Janë disa dorëshkrime në këto gjini letrare, por dhe tjerat që do shkruhen. Pak a shumë jam treguar i padrejtë ndaj këtyre projekteve, por mbase në t’ardhmen do merrem denjësisht me to. Paqim uratën e Zotit dhe dashurinë tij për të na dhënë kurajën, mundësinë dhe kohën

Naim Salih-Kelmendi
Naim Kelmendi u lind me 10 shtator 1959 në Ruhot të Pejës. Studioi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Shkruan poezi e prozë, por merret edhe me publicistikë. Nga kritika jonë letrare e kohës, konsiderohet si një ndër poetët tanë më të dalluar në poezinë tonë moderne. Edhe në fushën e publicistikës sonë Naim Kelmendi dallohet dhe çmohet si një ndër publicistët tanë më në zë,sidomos për angazhimin dhe guximin e tij intelektual në mision të fjalës së shkruar.
Ishte edhe reporter lufte i gazetës kombëtare “Bota sot” në luftën e Koshares me 1999.
Që nga viti 2002, pas kthimit nga Zvicra, ku kishte jetuar dhe vepruar që nga fillimi i viteve nëntëdhjeta, tash jeton dhe vepron në Kosovë.
Naim Kelmendi ka botuar deri tash këta libra:
Shtreza në fjalë,1985
Nyja e Gordit,1992
Albanoi,1992
Pse ashtu Pandorë,1993
Çka të bëj me dhembjen, 1993
Satanai me fytyrë tjetër, 1994
Eklipsi i diellit, 1997
Përballje me vdekjen,1999
Shqiptari vdes duke kënduar,2000
Kohë për të folur gurët, 2001
Sipërfaqja e padukshme,2003
Vrasja e deputetit-monografi,2003
Beteja e Koshares…,publicistikë,2008
Pikëpamje dhe reagime,publicistikë,2008
Në një jetë pas Krishtit,2010
Esenca,2010
Shqiptari vdes duke kënduar(botim i dytë),2010
Është vetëm kujtesë, 2012
Antologjia e dhembjes poetike, 2012

1.


Gjaku është e vetmja metaforë e kuqe
vdekjes i jep kuptim përjetësisë rrënjë
mbi imazhin e sakatosur të Dhe Atdheut
po kënga në momentet e vdekjes hijezezë
a s’është idealizëm shqiptar i shpirtdhembjes
së madhe shqiptare vurratave të historisë
aty ku dhemb Kosova a nuk derdhet gjaku
aty ku vritet Kosova a s’është gjasë e vjetër
vetëvdekja, dënimi me vdekje për veten
për hir të dritares në ardhmëri bardhësish
po vdekja shqiptarçe aty ku vdesin burrat
a s’është e vetmja fije e hollë që s’këputet
kur e kafshojmë dhembjen e dashurinë
me Kosovë të përcëlluar n’melodi vajtimi
dhe s’vajtojmë kur marrim vendim mbi veten
të biem flijim përmbi kthetrat e natës lubi



2.



Kur na e futën ujin përfundi e mishin e dhisë
në mes gjakut nuk flihet më në atë shtrat
përfundi na ruan një gjarpër që na kafshon
kur të dojë natën në mesnatë, ditën në mesditë
ta lëmë tokën nuk bën se është mëkat
ta lëmë kokën është jetë e përtejme pa fund
s’ka mbetur kohë për rruaza në pe,por koha
është kohë për luftë, kohë për kryqëzatë, kohë
për të marrë frym shqip dega e gjethit n’maje
kohë për Lulëkuqe Llapi e Drenicës etjes në zgjim
kohë për t’i rënë bririt në të katër anët e dheut
kohë për të filluar kohën e lidhur n’zingjir si qen
mor, kohë është për kohën që di të lind nga hiri
do ta ndjek për zotin në gur e në galinë
ka për t’u çuditur alemi e polemic kur i dal n’pritë
e prite i them tash këtë plumb shqiptari në ballë
që të merr në kokë e nuk i shkon krisma huq
robi e ka balsam vdekjen sesa jetën pa ajër t’lirë
prej se mbitë ju ushtri djajsh këtë gjuhë flas me ju
dembabaden përmes tytës i kemi ndarë me ju pleqëritë
me ty vetëm pushka vetëm plumbi sa t’ia këpus kohës
një hallkë nga jeta e robit e sat a lëvizë nga vendi
kohën zero e sa ta përkufizoj përgjithmonë këtë fund


 
3.

   Një hije më del e më flet përmallshëm
   krejt e papërkufizuar në është ëngjëll, në është    
shfaqje e djallit s’e di por i flas, i rrëfehem, ajo
më pyet ndoshta nga shqetësimi i vet, përvuajtur
unë pranoj t’i përgjigjem pa dorëza, pa të keq
atdheu s’është leckë që vihet në bisht të sorrës
është për jetë që nuk hahet, nuk pihet, ka shije
të pashpjegueshme, aromë të pasosur, përkufizim
të qartë në fjalët e djegura, për çdo sakrificë rruge
ashpërsi krizash e akullnajë kur e ke larg e djeg
në eshtra, djeg në vargje përcëllon në këngë
kur e ke pranë fle në të si në gjirin e nënës
ia thith gjinjtë e s’ia shterr qumështin e bardhë
të rrit më ëndrra të përkund nëpër ninulla
të jep peshën e gurit ngjyrën e fjalës dhe emrin
me mbiemër dhe ta mban besën kur i flet në besë
e tam ban fjalën kur burrash i lidhesh për fjalë
edhe kur i vjen deri në fyt era e plehut është durimtar
nuk nxiton të anatemojë emra të përdhosë mbiemra, t’jep rast
të përmirësosh veten njëherë përveç kur më e rënda
nëse e tradhton mallkimit të tij as në varr s’i shpëton

 

4.

Përse je ulur mbi atë gur i vetëm i menduar
në sy të vezullojnë pika lotësh e nuk ke zë
a s’është më mirë të bësh diçka konkrete
mundimi yt i brendshëm trishton në rrënjë
po çka po kapërthuresh në atë këngë, e çka
është ai vaj i burrit që nxjerr kënga flakë
e mbush trimëri odën e burrave e çan fushën
si të ishte fundosur anija në det, si të ikte
jeta e djegur nëpër gjurmë të humbura në humnerë
piskamash në orbitë të errët e thirravajesh
në trajta të paajër e zbrazëtive pa emër
ecejakeve pa një thirrje që vezullon rrugët
përmbi pamjet e vdekura e të burgosura keq
të rrahura tërë natën kokës që nuk bindet
të jetë kokë e dëgjueshme nën udhra asisoj
të djajve me ide nështruese e nënçmuse
duke u munduar të t’japin mësim e doktrinë
e shkencë të rreme mbi mitin e gënjeshtrës
dëshpërimin duke dashur të ta bëjnë mësim
e ti s’pranon as të parën herë as të dytën
as të tretën as kurr jehërë nënshtrimin
edhe nëse të vrasin s’pranon të të thyejnë
në ideal të shenjtë as ta thyesh rrugën e nisur




 

5.

Nuk e di se kujt i bëjnë përshtypje
këta lot zemre këto dhembje të tmerrshem
që s’i duron as zoti e s’mund t’i drynoj
por ja po e qaj këtë pamje të ftigshme
që na rrethon me armiq të rrezikshëm,
botën na e kanë bërë si një top leckash
që kah ta vërtitesh e shikon si ndizet
i del flaka etje, shuhet, digjet tjetërkund
përrmbyllet njëra krizë hapen varret
bëhet varr pas varri deri në çmenduri
u humbin edhe emrat pa i ditur ku i kanë
as eshtrat as letërnjoftimet as pa ditur
përse kanë lindur aq të pafat pse vdesin
pa asnjë mbrojtje në duar gjakpirësish
ndërsa atje në kancelaritë hijerënda
mbahet prapë mbledhje dhe shkojnë
e flasin të mëdhenjtë pështyma u thahet
fjalët bëjnë spektakël fjalët keq tradhëtojnë
të vërtetën e shenjtë fjalët bëhen kafshë
të egra dehjes me shampanjë me shikime
të dhelpërta me orekse të egra ujqërie


 

6.

Po unë ç’të bëj tjetër, kërkoj veten time
terësive të humbura të masakruara i gjej
veç gjurmët e gjakut për liri përgjëruar
këtu viti, këtu datë vdekja, këtu epoka
e shiut epoka e thatësirave e thirrjeve
për shpëtim në emër të zotit në emër
të së drejtës në jetë njeriu pa vrasje
pa shëmti të verbër e të prishur nervash
e të dalë arsyes së gjërave në vetvete
prandaj këtu i gjej të gjitha me emër
e mbiemër me datëlindje e fundshekull
duke kafshuar e keqja afër e duke hyrë
sikur shushunja në mes të ajrit të pastërt
pa vetëdijshëm kemi kopjuar diçka
pahetueshëm a s’po e sheh gjakun tim
të shprishur gjeografisë popullore copat
e ndara në duar të ndyra në gojë myku
përgjaket njëri cep shpopullohet tjetri
masakrojnë të parin e copëzojnë të dytin
andej ua vrasin zogjve këngën e parë
ajrin e lirë ua verbojnë gjith këndej
dikund tjetër s’i lënë as t’shohin ëndërr
fatin e tyre në udhë drejt diellit, heej
nxinin turr e turr barbarët, spijujtë, agjentët
çatalloheshin fytyrave mesjetave të zeza
e zinin viktimën e lidhnin me litar në fyt
e venin në kryqin e tyre dhe e kryqonin
antinjerëzisht pse thoshin se jeta jonë

 

7.

Shqiptaria pi qumësht me etje në rrënjë Ilirie
në sofër shtrohet buka e kripa e zemra përplot
besë ora e saktë në dashuri brezash pa rrena
fjala e pathyer në emër të Atit e të Birit
e në emër të shpirtit vetëvdekja e trimit
në shtat e shtatëqind vafshin se Unë njëherë
kam vendosur ta bëj timen për dhe Kosove
ah këtij dheu i pëlciti mjaft zemra, iu bënë dëng
nervat e tij, duke ia zënë diellin mbi kokë kërkushi
me fatin e zi duke luajtur me gjakun e tij me lotin
me ofshama nënash me tragjedi nusesh e krushqish
nëpër ëndrra t’përflakshme përplot zbrazësirë
mot e përmot veç shkrumbi dhe fajtoret e mortit
vit e për vit burgjet prit e përrcjell shqiptarë
nënat, motrat e shtëpitë pëlcitur i ka trishtimi
para tytash, para fytyrsh gjelatësh, para thikash
më prit tash kalorësi i gjakut, çast i bukur
për t’ia shkrepur shqip nga damarët e plasur


 

8.

Po unë kush jam Unë që rri në këtë lëngatë të zezë
durimi a s’është i sëmurë e kush i beson brengës tij
ai tjetri t’i bën të nëntëdhjetenëntat e s’pendohet
ne ia pimë mëkatet me katran këtij Ballkani plak
po Unë mos qofsha bre burra në m’u rrudhtë syri
nga vdekja që s’do ta lë pa e përshtyrë në sy bote
atij askushi pezmin e mbledhur do ia derdh
në fytyrën e pistë le ta shënjtërojë pësimi, dhe
le të ikë prej kah kla ardhur me tërë atë Mesjetë
ose në mos ikt kam për ta varë si qenin e jo
me një vjershë porn ë Fushbetëjë do piqemi
do i masim pëllëmbët e shikimit e hapat e pezmit
dhe krismës shqipëtare do ia nxjerr me zë tymin
prej shkrumbit të durimit prej helmit dhe gjakut
le të burojnë kuq tëra të djegura vrragëve të fatit
mjaft ka zënë myk ndër ne ndeshtrasha dhe mjaft
e kanë ngrënë shpirtin tonë tradhtitë e askushëve
vend më s’u ka mbetur fjalëve veç pushka e ka fjalën
a ta lëviz pak gurin njëqindvjetësh Evropa sa t’shohë
se gjarpërinjtë do të dalin, sa kokat me helm, sa tmerri
ka për ta shëmtuar njeriun pranë tij, se ne prapë jemi
asht i vjetër para kanibalëve me thika në duar, gjëmës
me xhelatë të tërbuar e skenare krajlash për të na zhbërë



9.

Ejani t’ia këpusim dënimin, mjerimin
Sizifit me atë gur mbi shpinë keq e kan dënuar
perënditë e pezmit që dinë aq egër të dënojnë
i pafund mundimi i përjetshëm se tmerr i madh
të mos na qesin kodra pas bregut magjistarët
gënjeshtrat e kripura në filozofi mjerimi
kanë ditur të lëshojnë rrënjë në shpirt  psikë
të vetëburgosur të vetëvrarë të vetevdekur
nga frika e mosvdekjes dhe bëhen torturë
e fjalëve të pathëna në pushin e vetvetës
pa mos ia thënë popullit të drejtën si qiriri
të vërtetën që digjej si pisha nëpër gropina shpirti
mor ejani t’ia këpusim prangat robërisë e shekullit
që ka ditur të na ndajë në Berlin e në Londër
t’ia themi me krismë gjaku se shqiptari nuk vdes
ashtu si ia gatuajnë zhdukjen kokat e barbarisë
mor ne s’jemi katandisur të gjithë bre, jemi këtu
qëkur nxeu ky diell, qëkur dimë për Shkup e për Shkodër

e patëm nga Molla e Kuqe gjer në Artë pamjen një me Ilirinë
e ku keni parë ju ore armiqtë t’i trembni me britma  e gogolë                                                                    
                         
 
10.

Dhe i them Hamzës t’ia dridhë pak telin
më pyet se cilën këkgë e dua cilën histori
po këndoj të gjitha bre burrë të tërat me radhë
krejt qka janë shqiptare dikah u del tymi
se ia kam dhënë besën vetes me një betim
betim të shënjtë tek ngjyra e flamirit tek fara
e fisit tek rrënja e lashtësisë tek buka e vatrës
se kush ia ka lakmi ecjes së ngadaltë të breshkës
s’e arrinë kurrë lirinë dhe s’del tej robërisë
breshkat dhe minjtë s’ia dalin kurrën e kurrës
të krijojnë mendësinë e qëllimit të tyre final
për të arritur përgjithmonë lirinë e qenies
ngase janë minjtë pa zemër e breshka pa mend
lëvizjes i duhet ngjyra e gjelbërt ecjes më alegro
ja si i kanë bërë vend njeriut tënd në humbella botës
herë në atë skaj herë në këtë skaj si vezët e qyqes
thirr andej e këndej thirr njëqind vjet në të shurrshër
kalë i Skëndërbeut a s’e ndanë në dysh hapësirën e erdhi
Gjergj e na mblodhi tok dhe të doli zot zogu i shqipes 



11.

Në oda burrash është pjekur burrëria është djegur
teli i lahutës janë përrcëlluar këngët në trimëri
trimëri pas trimërie betejë pas beteje i kemi vrarë
i kemi ndjekur me turp i kemi mundur, pyetni vitet
epokat e shkruara me gjakun tim pse i hesht det-o
pse m’i mban kaq gjatë pezmet e derdhura në valë
që të vrasin që të mbysin me lemerinë e misterit tënd
ku je tash vuajtje e përvuajtur po zi na i ke rënë
e zi na i ke shkruar këto stinë e vite, po zi të është
derdhur përmbi kohë e kokë e trup trishtimi
i marrë ishte zjarri i tij dhe ngulfatja jote
dhe hovi yt i zi, revan pa kokë e pa sy
po a zhdoket një popull bre ç’të drejtë
i dhatë mendimit sadist e shpirtit të zi çetnik
urrejtje të zbrazni mbi mua sa uji i detit
s’kanë gjethe drunjtë sa paskësh urrejtje në ju
sëmundja anemike në shije bishe e nerv patologjik
 u ku bërë hije brezave deri në çmenduri totale
detyrë nacionale për ta zhdukur një popull etnik
nga kjo çmenduri zoti u steb, bota bëri u dridh
panë e çka s’panë kohët n’kafshërim të një race
por ne prapë vumë ca gurë fjale atje në Kaçanik

 

12.

Fjalës do t’i japim ujë Rugove e ajër Llapi
në poret e dheut që është i yni, i lashtë
sa vet rruzimi sa vet drita e diellit
sa vet Drenica me përrballje me xhelatë
njëherë do ta mësojmë kohën t’kohojë shqip
prej Çamërie me Lidhje e Besë nga Prizreni
e s’do t’u falet asgjë as kokat e tyre prej kuçedre
kur s’ka dritë kur të vritet e drejta e saj ne jemi
kthetrat e shqiponjës ku thërrmohet epshi i territ
kur s’ka liri thashë, në shtëpinë tënde hyn
e del i mpirë ndjenjash e fjalësh dhe i tëpërt
të duket vetvetja ngase s’di ku ia kanë lidhur nyjën
cilës plagë i dhemb më shumë etja për dritën
terrinës njëqindvetshe duhet ndezur fitilaqen
ta shohim njëri-tjetrin ku ramë e ku shkelëm
në magji të zeza e në puse me ujë që s’ec e s’pihet
dritës në memorie t’ia nxjerrim për diell qëllimin
pa e pyetur kurrë veten a është herët a vonë
vonë është sa t’duash, herët është mjaft për tu nisur
rrugët në një pikë e në një drejtim e në një ditë
dhe do ta marrim ja hurin ja tirqit ja orët e liga
do të na e shtydhin lëngun e kujtesës me të zitë e ullirit




13.

Nesër keni për t’ia parë majen lisit e kokën e tij
si i pretë rrufetë e mnerta me urrejtje të serrta bishe
ata që ishin dje nuk janë sot jemi ne këtu mbi dhe
përsëri Ata që duhet të vdesin në vetëmbrojtje
njërin sy e mbajnë harur për Veri, tjetrin për Jug
ujkonjat na ndërsehen sërish në këtë fundshekull
me pabesi si gjithë jetën të pangopur në toka shqipesh
dheut të Kosovës i mbjellem te plisi i bardhë
këtë radhë po ia shkruajmë këtë histori të ashpër
gjurmën e vjetër me dy kobure të Isë Boletinit
do t’jemi çdokund aromë toke në vesën e mëngjesit
nesër, pra, në prehjen e barit, në paqe, në liri tonën
le të blerohen stinët dhe një libër le të lexojnë
për luftën e fundit, krimet e tyre makabër animalësh
me gjak shqipesh po bukur ia ngjyrosëm të ardhmen
po bukur i dolëm përballë ia gjetëm lulen e ballit
andaj s’duam lot duam histori Kosove e këngë ilirishte
ekzodet kurrë më të mos ekzodojnë nga dheu ç’është yni
jo ikjen po ardhjes t’ia mësoni kohën shqip tek burimi

 
14.

Në tokën arbërore Gjaku i arbrit shihet vadave
luleve e pranverave në secilën stinë cicërrimash
atyre që e tradhtojnë vetëm anatemën e përjetshme
të vdesësh kur duhet të vdesësh nuk është vdekje
përjetësisë i duhen emra, ideale, zëra, etje, atdhetarë
e atdhetarizmës kënga në gojë mu aty para vdekjes
një zë kushtrim për t’i zgjuar edhe të vdekurit në varre
e dredhim nga një duhan kaçkakësh me babën Shaban
derisa rreh dora, rrah gjoksi, pëlcet pezmi nëpër damarë
është ora jonë e shenjtë, idealja, jetën ia lëmë peng
tëra të ardhmeve se u duhej lavdia këngëve tona
librave të historisë, vargjeve, ugareve të përjetësisë
u duhej një udhë tjetër një shteg në ajrin pa dhunë
përsë ne jemi përse është e jona përse është gjaku ynë
gjakimit tij përgjërimi për jetën e lirë të bimëve tona
në Golgotë kryqëzimit na kanë helmuar dritëshikimin
kanë pirë gjakun tonë e kanë derdhur si ujë burimi
e tash kush ia rrah më mirë telin se lufta që erdhi
plumb për plumb e ballë për ballë e zjarr për zjarr
p one nga luftëtarët ende i kemi të përcëlluar sytë
me luftën lozim si me macë se fat tjetër nuk kemi

 


15.

Pushkën top, babë, syri s’na lëviz as këmba
sa të kemi luftë me bisha të gjallë jo se jo
të vdekur s’na falin të bëjnë copë të shqyejnë
deri në frymën e fundit pingul jemi para egërsisë
të nesërmet s’vdesin kurrë, babë, vijnë më mijëra
marrin bekim në këtë gjurmë në këto plagë gjaku
e shkrimi ku janë drynuar egër vitet e burgosura
sot s’është luftë është dasmë e madhe e kremtë
e shpirtit të shtypur që pëlcet përtej stuhive
le ta dëgjojë Evropa pëlcimën e t’i mërrolet
ndopak vetullat mbi syrin e dhisë e në shikim
të akullt e t’i ndizte pak bishti, pak hija e turbullt
e pak hidhërimi i saj kur ai masakrojnë paqen
kur i përgjaken popujt kur s’ka vend për robër
e të ikur, kur s’ka kah ua mbyll derën urive
për drejtësi njerëzorë për liri kombëtare
mor, ejani se na ranë e t’ia shkrepim shqip
një jetë që e kemi rritur e pjekur për këtë ditë

16.

Ore , ata vrasin magjet e miellit e brumin e bukës
njerëzoren me shpirtra mizore ia vrasin zogjtë
ditës me diell degës në pemë të bleruar
ia përgjakin tëra dritaret e kthyera kah e diela
e paqtë në pushim hyjnor me urdhër të zotit
mor, cili guxon të na prek në këtë tokë hyjnore
e të mos ua lëmë kokën si qenve në tyta armësh
bandës së tëbuar turr pas gjakut të shqiptarit
ishin çdoherë janë e do t’jenë armiq të kohës
në verë në pranverë në vjeshtë e në dimër
në krejt çka shihet e fluturon qiellit të vet paqësor
e shohin egër paqen plot llahtar kohën plot kaos
ecjen e zezë nga secila gjeneratë deri në pikën zero
lumturohen në pikën zero shkallë në minus në zemra
që ndjejnë zi ngjyrimit me të zezën e tjetrit si përherë
s’ua gjen për be të bardhën në asnjë shtegdalje
është dritë e tyre nata që i ka zbukuruar me shëmtim

17.

Trishtimi i tepërt për të vjellur nga pamja
e tyre nga mendja e sëmurë me paranojë shpirti
ka për të ckurruar gjak ora e shëmtuar viti 1998
viti 1999, e kanë për të vdekur e kanë për të ndodhur
vdekje përplot lavdi e kanë për ta ngrënë tradhëtitë
vetë njeriun e turpit që do t’ia ha si kob jetën e tij
do t’ia vulosë fundin e tmerrshëm, humbjen e madhe
për të mos u ngritur kurrë më përmbi lirinë njerëzore
mbi lirinë e bimëvë mbi lirinë e fjalëve mbi të menduar
ka për të dalur guximi nga nëntoka nga epika
arbërore, kanë për të shprepur orët me trimëri burrash
trimëri trimash e trimëri shqiptare që pëlcet si kripa
shenjën (UÇK) do ta kenë në uniforma e në djepa
në LAVDI kombëtare në male në shtigje në thepa
aty ku bien zogjtë e shqipes përjetësive të shenjta


18.

Pamjes do t’i kërleshen leshrat e kokës e trupit
ata që s’i kanë ditur gjërat kanë për t’i mësuar
ata që s’i kanë njohur kanë për t’i parë me sy
e për të mos besuar se paskësh kaq mizorë
e mizori të egra prehistorike e paranjerëzore
ata që s’kanë besuar do ta shohin të vetetën
përplot sy të nxjerrur, koka të prera, njerëz të vrarë
nëna të therrura me shtatëzëni e pleq e plaka
bërë për shëmtim të zotit nga duart e krimit
pastaj vijnë nga perëndimi vijnë nga Evropa
plot epsh mëmëdhetar ngritet flamuri i Arbrit
betohen një nga një para tij para atdheut
lidhen besë për besë për Vdekje o Liri, dhe
ua shohim syrin në shënjestër, gishtin në këmbëz
madhështinë shqipëtare në urtinë e hershme të Gjergjit
kushtrimit i del fjala e nga jehona e saj nxihen malet
toka ua ka të madhërishme pamjet, koha të përflakur
ua nxjerr shikimin e pangopur mbi kokat barbarësh



19.

Hyjnë e dalin e hyjnë tepër mjerueshëm
me syte e kaosit në të gjitha rrugët e përtëritjes
lakmi e zezë i ndez i verbon keq i vampiros
pranverat në sytë e tyre s’janë për të qenë stinë
me kaltërim e me lule e me dashuri njeriu
për atë qiell të kaltërt mbi kokë e mbi tokë
për pak diell mbi qiell për pak shtrojë pa gërmadhë
askund s’ua gjen shembullin për mendësi lubie
për rast të veçantë me sëmundje të pashëruar në farë
të egër në shpirt të egër në gjakra vrerë e helmët
urive të tyre s’u del as planeti s’ngopen me shqiptarë
i duan tri pjesë të botës detet për mish popujsh
burra armiku mbetet armik i përjetshëm brezave
asnjërit s’i zihet besë për ne janë ata që ishin, ata
që janë histori mizore, urrejtje e çmenduri mbi etni

 

20.

Kosovës mos m’i dërgo më letra nga mërgimi
nga të katër anët e globit anëve të errta të zbrazëtisë
 kjo tokë ju do brenda balsam i tëra plagëve të saj
kur t’i gjendemi pranë kur t’ju ka gjelbërim dhembja
për t’ dalë zot në orë të liga tek ia vrasin zigjtë
tek ia bëjnë gërmadhë pamjet e rrugët e një qëllimi
tek i mbushen fushvdekjet me kufoma e fushbetejat
t’i jemi pranë dhimbjeve të lindjes në ara në male
e mos t’i thuhet për të flakës së shpirtit të mos digjet
dhimbjeve të harbuara kur ia përgjakin epikën, këngët
kasapët e përkryer për t’i prerë dhe pipat e fundit
e për ta zhbërë nëse munden me pemë e frymorë
me teshë e koteshë duke e ndjekur me tmerr deri në themel
veç gurëve të themelit që s’i lëkund kurrë as ia merr
nga rrënjët e trrollit etnik e nëpër farë e fortë epike



21.

Ah, shqiptarë plisbardhë e mi zemërdjegurit
të tmerrshëm, ah, mbi supe vitet e robërisë
kudo gjurmë dhëmbësh fashistë të një bishe karpatesh
që s’e di kurrë ku është kufiri i mizorive të çmendura
ngjarje tragjike e kanë kripur kohën mizore e shpirtgur
anë e kënd globit të shpërndarë tragjikisht pikë e pesë
brenda e jashtë të ndarë në mes veti nëpër rrathë ferri
ah tmerri im përplasja ime e tmerrshme në ty
në therrtore therren në fyt arsyet e pastra e kombëtarët
i lënë kokat për dhe të atdheut e flamur shqipeje
pse jo unë ka çdo të drejtë ta lë kokën për tokën
për zotynë kjo racë është patalogjikisht e pashëruar
t’u biam, ta ndjekim deri te një farë të djallit
e mallkim u paçin të ardhmet e tyre deri në një
u shofshin brezat e tyre barbarë e çdi gjë qe e kanë
mësuar antinjerëzisht zoti ua mbuloftë me shëmtim
edhe në fund të globit po të jetë mbirë far shkjau
mos u mashtrone bre se nuk ka kund shkja të mirë
ka vetëm shkije vampirë kudo racë e fëlliqur, mjerim
ka toka kah e shkelin, mjerim kanë pamjet kah i djegin

22.

Pa u ndarë mirë dita e nata krimbohen të papritura
nga vrimat do të dalin veç krimba me krimbërinë e vet
na vërshojnë të etur për pushtet e jo për shtet, medet
po verbim u ka mania për sundim farë e pakuptim
tragjedinë s’e shohin e kanë mësim të huaj lakminë
e prishur për kurtha pas shpine për hile e shërbime
kobëzeza në emër të djallit kur hapet kutia e Pandorës
janë zaptues të egër fronesh të pista e grabitës
me koka përbindëshe pa e parë përbindëshin tjetër
përbindshëm të sulur mbi shqiptarë-heeej burra more
po e lëshuam një këmbë dhe` Kosove këtë plagë të madhe
më mirë t’i biem not detit e të dalë ku të dalë
por jo pa u zhdukur në njeri të fundit e në shqiptar
të fundit pa mbetur shqiptaria pa gjak pa farë
s’e lëmë Kosovën në gojët mesjetare në ujqëri karpatesh
është shenjti me ne është NJERIU që vjen andej
atlantikut i dërguari i zotit në mrojtje të drejtash
është miku ynë më i miri në ditët e vështira
dhe s’kemi për t’i mbetur borxh për miqësi të shtrenjta
dhe s’kemi për t’ia harruar kurrë dorën e zgjatur
në këto orë të liga përfytjes me vampirë e shtriga

23.

Erdhën t’i fryejnë prapë të zezës mbi mua
vetevrasje të bukur u kishte rruga e ardhjes
me mite në maje shtize me lutje për krime
me bekim tek historitë e tyre primitive
tek rrenat që e kanë shkencë nacionale
dikush më ta prit t’i shohim deri ku e kanë
unë i thashë le t’i shohë zoti le t’i gjykojë e drejta
le t’i shohë njerëzimi se si turren radhë me radhë
me kokë gongone plot shëmtim për t’u trishtuar kuptimi
se si përkryhen urrejtjve pas tokave të huaja si yshten
tek Molla e Kuqe ishte kufiri yne deri tek Arta në Jug
por këtë herë të ka mashtruar keq mëkata e gjakut helm
të ka verbuar sysh historia e krimit tash në Kosovë
fundi yt do të jetë turp fund i përjetshëm
para shek XXI s’u desht shpjegim t’i jipja njerëzimit
që s’iu ngopën kokat me tragjeditë tona me tokat
që s’janë tuajat këtë radhë do t’ia korrni të kotat
mendimit mizor me barbari mesjetash tek fara katile

24.

Nëna, motra, fëmijë me fëmijërë të këputur
trishtuar ju ka kaosi, traumat e rënda të këtij fundi
me lotët tuaj do bëheshin riga shiu për një shekull
uh, po ç’tmerre keni parë po ç’dhembje keni ndjerë
para syve të ju pushkatohen më të dashurit, të zënit
rob në duart e kanibalëve sadistë e antinjerëz
ata s’kanë gjak njeriu, janë krijesa shpirt djalli
vijnë nga terri monstruoz i historisë makabre
të mësuar brez pas brezi të pinë gjak shqiptari
ju që vdiqët padashje në illim e në mess ë jetës së ëmbël
me sy të nxjerrur me koka të prera me gjymtyrë copa
ç’faj i patët kohës e zotit që lindët shqiptarë e pse
jetuat shqiptarçe pse vdiqët me pasthirrma shqipe në gojë
ç’faj i patëm lindjes duke ia bartur jetës qefinin
shtigjeve kah kemi stisur ndjekjeve gjysmë të vdekur

25.

Pamëshirshëm qindvjetshavë ke shkelur mbi mua
ke bërë çka s’bëhet, ke stepur edhe zotin atje lart
Uh po armik i egër ke qenë e ke mbetur për jetë po ai
që kur ke ardhur e zure vend përeth tokave të mija
atëherë e sot ke mbetur barabar në tëra ecjet e tua
ku je vuajtje e përvauajtur po zi na i ke rënë epokës
po zi na i ke shkruar këto stinë e vite me të zezën
i zi na është derdhur pqrmbi koka e shpirt trishtimi
Ah, falë të qofsha zoti ynë, ku rendin kështu spijujt
tradhtarët, antinjerëzit, antindërkombëtarët, kurrë s’u falet
shiten lirë për ndonjë shërbim si kuaj pa shërbim
dëgjojani tash gjëmen krismës në këtë zgjim Kosove
është gjaku që ia shkruan historinë Ilirit e Ilirianës
është jehona e tij që pëlcet tek ndërgjegjet e botës
dhe vijnë radhë më radhë shqiptarët dhe i prijnë
luftës dhe epokës tek rrënja e lashtë ia bekojnë tytën
pastaj vijnë kremtet dhen shqip çelin sërish lulet e
bari rritet sërish dhe shpendët përsëri shihen sndej
e shumohen prej vezës së vet e bashkë me njerëzit
ecin lumenjt e stinët e mungojnë vetëm të rënët
s’mungojnë në asnjë çast emrat tanë mësa kohët tona
i yni i bie cep më cep pa drojë duke prekur zgjimin
duke mos besuar se nga hiri i vet Ringjallet Kosova

____________
     Poema  Shqiptari vdes duke kënduar është botuar në numrat e 15.3.1999 dhe 31.3.1999 të gazetës së përditshme “Bota Sot”.Më vonë janë bërë disa plotësime dhe është përfunduar.

 

Nga Skender Buçpapaj

POEMË NË GUR

Nuk është e rastit që një letërsi të ketë një roman në gur (kujtoni “Kronikë në gur) dhe një poemë në gur, këtë që i kushtohet Adem Jasharit,legjendes moderne të trimërisë shqiptare.

Në kuadrin e lirive poetike, dihet, ka poetë që kanë parapëlqyer dhe ka plot të tillë që edhe më tej parapëlqejnë të mos përdorin fare shenja pikësimi.Kështu ata mëtojnë që vetë lexuesi të gëzojë po ato liri të cilat vetes ia ka dhënë poeti.Pra, të jetë ai që vendos sesi ta lexojë krijimin poetic,duke vënë aty qoftë përvojën e tij si lexues, qoftë ndjenjat apo fantazinë, ashtu duke plotësuar, sekush për vete, atë që poeti e ka hedhur në letër. Autori i poemës në gur “Shqiptari vdes duke kënduar” është rigoroz në pikësim dhe shkrim. Është rigoroz dhe madje në përjashtimin e shenjave të tilla si pikëpyetja apo pikëçuditësja (pikëthirrësja-siç cilësohet në disa gjuhë).Është pra një liri poetike, e cila, në dukje të parë, ngjan se e kufizon lexuesin, në vend që t’ia krijojë edhe atij, bashkudhëtarit të poezisë, privilegjet e lirisë së leximit të poezisë.

Ky kufizim, megjithatë, bëhet në emër të lexuesit si një gjest i mirëfilltë njerëzor. Poeti nuk do që dhimbja, të cilën e transmeton në çdo ind të saj, të jetë çmobilizuese, përkundrazi, ajo të jetë e tillë që dhimbjen ta transmetojë me atë gradualitet që t’i shërbejë kujtesës kombëtare, pra të jetë po ajo dhimbje për t’u ndjerë sesa dhimbje për të mos u harruar.

Kështu, pra, dhimbja merr formën e statujës, të statujës që sa herë poema lexohet, ajo del nga shkëmbi prej nga është marrë dhe sa herë poema vendoset në raftin e librave, ajo përsëri kthehet në shkëmbin prej nga ka dalë. Në këtë rrafsh zbulohen marrëdhëniet e magjishme që poeti ka vendosur me bashkëkrijuesin e tij, pra me lexuesin, marrëdhënie të krijuara në heshtje, në mirëkuptim, si dhe të gurit me gurin, të cilat së bashku krijojnë edhe kështjellën, edhe bjeshkën, madje edhe Bjeshkët e Nemuna, ku i vendos një pjesë të ngjarjeve krijimtaria e librit të ri të Naim Kelmendit. Ato krijojnë edhe kullën legjendare të Jasharajve të Drenicës, ku u përsërit nga Adem Jashari, epopeja e Oso Kukës, por edhe Kosharen po aq legjendare, ku ngriti epopenë moderne Agim Ramadani, i cili ishte po aq sa luftëtar edhe poet, poet i ngjyrave dhe i fjalës.

Naim Kelmendi ka përjashtuar nga pikësimi i poemës shenjat emocionale, duke vënë frymëzimin brenda piketave të tre- katër shenjave racionale, të cilat përmbyllin leximin vetëm në arsyetimin, vetëm në të arsyetuarit, duke e lënë për në fund a duke abstraguar krejtësisht dhimbjen si kulm të ndjenjës dhe ndiesisë.

Dhe pra ai këtë e bën në një poemë ku dhimbja pulson në çdo strukturë të brendshme sadopak ta gërvishtësh secilën prej tyre.

Duke lënë jashtë shenjat emocionale, pra, poeti e udhëheq leximin drejt thelbit racional, ndërsa dhimbjen e vë në shtratin e poemës, e cila, do ta shoqërojë lexuesin nga fillimi në fund, po gjithsesi, pa u përfshirë në asnjërën nga shtresat kuptimore të poezisë. E them këtë, sepse në poemë nuk mungojnë as mjetet emocionale të poezisë. Autori shtron pyetje pa fund por që nuk ua do përgjigjen jashtë tekstit të poezisë, prandaj nuk i kufizon ato me pikëpyetje. Autori përdor pasthirrma, përdor strukturën thirrëse, të cilat shndërrohen mes tyre shpesh nga vargu në varg, por lejon që grafikisht ato të shfaqin theksin e tyre emocional, sepse, thashë, aty i intereson theksi racional.

Ne shqiptarët e kemi shprehjen “Fol gur”. Këtë ne e përdorim në raste kur dikush ka plot për të thënë por që i mban për vete. Poeti, në rastin tonë, të folurit e kufizon mes vetes dhe lexuesit. Prandaj struktura e poemës është në natyrën e një shprehjeje të ngurosur metaforike, ku pozicioni i çdo fjale, i çdo shenje, është paracaktuar. Në gramatikë kjo kuptohet edhe si trajtë e ngurosur e kuptimit, pra e strukturës së leximit. Poema ka strukturën e një proverbi, të një proverbi me fabul, pra është një krijim ku poeti ka vetëm rolin e firmës, ndërsa autorësia i përket përvojës njerëzore të përfituar në trojet liridashëse të Kosovës mijëra e mijëra vjet nga të gjithë bardët, nga të gjithë mendimtarët, nga të gjithë pleqnarët e Kosovës, prandaj ajo ka vërtet strukturën e poemës në gur.

Naim Kelmendi është reporter i Luftës së Kosovës. Nga vija e parë e frontit, në epopenë e madhërishme të Koshares, ai ishte krah për krah me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në ditën e shumëpritur të lirisë. Edhe reportazhet e para nga Kosova e lirë i përkasin penës së tij. Prandaj frymëzimet e tij për heroikën moderne shqiptare janë nga më autentiket.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...