2012-10-24

BRIGJEVE TË VJOSËS KU DASHNOR SELIMI 'SHTEGTON' TUFAT E POEZIVE Nga KUJTIM MATELI





Poeti Dashnor Selimi ka dalë kohë më parë me vëllimin e ri poetik “ Lirikat e Anëvjosës”. Janë shpërndarë këto poezi brigjeve të lumit, që nga malet e Pindit e deri në bregun e detit Adriatik...

Shikon aty: ëndrra që copëtohen nëpër pasqyra pellgjesh , braktisjen që rënkon në palcën e qirinjve, një gërshetëz uji ku arratisej dashuria, liqenin që thinjej në mjegulla, trëndafilin e artë që mbulon ngjyrat e natës, lulet që kërcenin valsin e mbrëmjes, degët e pemëve që lëviznin për të hapur shtegun e dritës, yllin që fle si princ i heshtur në qiellin e larë, erën që shtrydh mbi gjoksin e poetit pafundësinë e botës, diellin që pret rrënjët e pemëve, ëndrrat e fëmijërisë që tirren si fije e hollë në një furkë, bukurinë që dridhej nën çarçaf, qerpikët e rënduar që pikojnë ftohtësirë… dhe që i japin lexuesit kënaqësinë që të përjetojë artistikisht bukurinë që natyra ka derdhur në atdheun e dashur.

*****
Ka në këto poezi një shpirt që ndien peshën e rëndë që shkaktoi koha e këtij fillim mijëvjeçari. Poeti ka ardhur ndanë Vjosës, aty ku është vendlindja e tij. Aty ku Vjosa takohet me të bijën e vet, Dëshnicën. Ka ardhur aty në fshatin Goricë.

Ka ardhur mërgimtari. “ Përqafim e dhimbje” e titullon poeti poezinë. Jeta njerëzore ashtu i mban bashkë, gëzimin dhe hidhërimin, mallin dhe dhimbjen, harenë dhe trishtimin, të qeshurën dhe lotët. I mban bashkë zemra e njeriut, siç mban bashkë trupi gjymtyrët.

Natyra merr pjesë në këtë takim të mërgimtarit me vendlindjen. Natyra ndien si dhe shpirti njeriut. Strehëza e shtëpisë loton sapo sheh kthimin e atij që kujdesej se mos rrëzohej ndonjë pllakëz prej erërave të forta të vjeshtë-dimrit. Po kthehet te shtëpia e vjetër që po krruset nga pesha e viteve.

Po edhe pemët e oborrit janë zhveshur dhe e kanë humbur hijeshinë e dikurshme. Mungesa e një dore njerëzore ka mbjellë trishtimin në shpirt e në natyrë.

Natyra është pikturuar në harmoni me atë që ndien njeriu pas një kthimi në vendin e tij të lindjes.

Një trëndafil e një zambak shkuan të flenë. Po mërgimtari nuk ka gjumë. Kërkon t`i shohë dhe t`i takojë të gjitha. Hardhitë nëpër lisa… Ç`bëjnë lastarët e pjegullave që janë pleksur me krahët e pemëve? Edhe ata e ndiejnë trishtimin në mungesë të kësaj dore njerëzore.

Po kroi rrjedh ashtu pa u ndalur. Kroi që s`di të ndalet. Kroi që ka rrjedhur në mijëvjeçarë e që ka parë e dëgjuar shumë të flitet pranë tij. Ka parë shtamba e enë të ngjyrave të ndryshme, që kur mendja njerëzore mendoi si ta fuste ujin e burime brenda tyre e ta çonte pranë strehëzës së tij. Me atë freskinë e tij pret e përcjellë breza. Pret e përcjell njerëz. Vetëm pret e përcjell.

Ndërsa dora njerëzore pushon pakëz ndënë çarçafët e bardhë pas një dite të lodhshme, e kanë radhën sorkadhet të zbresin lëndinave e të shkojnë pranë çezmës së bardhë.

Në agun e ditës, mërgimtari duhet të niset përsëri për udhë. Fushat përcjellin siluetën e tij, teksa ecën në të njënjtin drejtim me rrjedhën e lumit të vendlindjes. Mbrapa , vendlindja zhduket për ta parë përsëri pas një stine a viti. Këtë ndarje, të përkohshme a të përhershme, poeti e shpreh me ngjyra të forta emocionale, pasqyrë e shpirtit të plagosur prej mërgimit:
“ Dashuria që lashë pas,
tani përqafon dhimbjen time”. (Poezia “ Përqafim e dhimbje”, fq 31)

Poezia “ Qan një vajzë nëpër shkëmbinj” të trondit me pamjen që paraqet, një dhimbje ku edhe natyra thërmohet nën peshën e pikëllimit që ndien një vajzë. Janë vetëm 10 vargje, por që përjetimi që ndien pas leximit të asaj poezie, nuk të lë të shkosh te poezia pasardhëse. Të mban mbërthyer aty në atë breg të detit, ku nuk dëgjohen më klithmat e pulëbardhave. Ç`të ketë ndodhur që edhe natyra është topitur? Çfarë pritet pas atij shiu të përzier me erën e fortë e gjëmimin e detit?
Enigma nuk vazhdon gjatë. Pamja që shohim është e dhimbshme dhe e trishtë. Thellë, mes leshterikëve, përkundej një kostum dhëndërie. Një kostum që priste ditën e dasmës për t`u veshur. Nga vjen ky kostum që nuk e pati fatin të vishej?! Ishte ky kostum i peshkatarit që deti i egër nuk e la të vishej për ditën e dasmës? Ishte vallë kostumi i emigratit që nuk e pati fatin të zbriste bregut të detit? Kush kishte thurrur ëndrra e shpresa? Një gjë është e sigurt: ai kostum i përkiste një banori të viseve arbërore. Një kostum i thurrur me ëndrra e me ngjyrat e ylberit që rrëzohet pllajave të maleve deri në buzë të detit me tallaze. Një kostum që nuk e pati fatin të vishej.

Por edhe në anën tjetër të detit pamja nuk është më pak e zymtë:
“ Në breg, nëpër shkëmbinj,
qante një vajzë.
Me fustanin e nusërisë në duar”. (Poezia “ Qan një vajzë nëpër shkëmbinj”, fq 19)

***
Poezia “ Përmeti” është një krijim ku autori mjeshtërisht ka krijuar e ka ndërthurur tablonë e qytetit të kohës së sotme me historinë. Kjo ndërthurje ka ardhur natyrshëm. Çdo pjesë e qytetit mban brenda një histori, një ngjarje, një bukuri.
Qyteti i Përmetit ka dy emblema pa të cilat nuk mund të kuptohet: Vjosa dhe Guri i Qytetit. Të dyja janë dhuratë e natyrës. Ai që e themeloi qytetin në këtë segment të Vjosës, sigurisht që ka patur parasysh këto dy mrekulli. Vjosa që mbart me vete freskinë e ujrave të Pindit dhe Guri i Qytetit që mbart një histori nga më të vjetrat e njerëzimit. Pindi nxjerr nga gjiri i vet dy lumenj: njëri që shkon e derdhet në Jug, në gjirin e Artës dhe Vjosën që shkon drejt perëndimit dhe derdhet pranë Vlorës. Po aty, në Përmet, Vjosa krijon një nga mrekullitë e saj. Nëpër shkëmbinjtë e mbuluar me leshterikë, përplasen stërkalat e bardha. Aty ndalet vrulli që morën duke zbritur shpatit të maleve. Ura që lidh të dy brigjet është porta ku kalon Vjosa dhe njerëzit tregojnë copa bisedash për shenjtërinë e lumit.

Në planetin Tokë , Përmeti është grimca e arit që Zoti ia hodhi tokës teksa shkonte të ngrinte parajsën qiellore. Ndaj Përmeti është kaq i bukur e me njerëz të mirë, për të cilët flitet e përmenden ngado që shkohet.

Guri i qytetit të Përmetit vazhdon ende të mbetet i mbështjellë me mister. Njerëzit pyesin për të e mundohen të japin shpjegime. Po asnjëra prej përgjigjeve nuk të bind. Ai qëndron i mbuluar me enigma, siç mbulon mjegulla agimin e një dite.

Edhe poeti mundohet të thotë diçka për ta larguar sado pak perden mitologjike. Po pamja që na jep është pjesë e një historie të largët. Aty:
“Dëfrejnë zogjtë dhe lulet,
me çuditë dhe magjitë e natës,
nën jastëk shkëmbinjsh te Guri i Qytetit,
Shtojzovallet në furtuna erërash,
mbajnë peng hënën dhe yjet e rënë,
në puthjen diellore të mëngjezit”. (Poezia “ Përmeti” fq. 20).

Poeti nuk mund të mos ishte i vëmendshëm e të mos shikonte edhe detaje që nuk i sheh një sy që nuk është përqëndruar për të parë në thellësi të bukurisë së natyrës dhe të shpirtit, atë çast:
“ kur prehen pak zogjtë e lodhur,
mbi gdhendjet e daltës së Odise Paskalit”. (Poezia “ Përmeti” fq. 20).

Poetin e ka tërhequr portreti i vajzës përmetare. Nuk është thjesht një nxënëse shëmbullore. Nuk është thjesht një amvisë e mirë që ka marrë petsin për të bërë byrekët e mrekullueshëm. Këto cilësi i gjen te çdo vajzë përmetare. Këto cilësi e lartësojnë dhe e zbukurojnë femrën përmetare, por…..
Vajzat këtë herë:
“ … butë, si sorkadhe haplehta,
me një varg të Naimit në buzë,
shkojnë buzëburimeve të Dhëmbelit,
aty ku vaji i kabasë së Laver Bariut,
përpëlitet në sytë e tyre”. (Poezia “ Përmeti” fq. 20).

Poezia “ Një natë gushti” është një nga ato poezi që të josh e të fton të dalësh në natyrë, ta kundrosh nga afër bukurinë që të jep një mbrëmje fund-gushti. Secili, aty ku banon, e ka një kënd të preferuar ku të soditë natyrën e të përjetojë emocionet që të jep peisazhi, duke filluar nga grija e dimrit e deri tek ngjyra e bakërt e vjeshtës. Janë këto ngjyra të natyrës që ndikojnë dukshëm te njeriu. Njerëzit e parë e ruanin natyrën me fanatizëm. Korije e livadhe, madje dhe lumenj mbanin emra perëndish, me qëllim që ato të mbeteshin të paprekshëm. Mbanin emra perëndish që të mbteshin të virgjëra. Se dora njerëzore përherë ka shkatërruar duke prerë e shfarosur. Po ky shkatërrim kishte një kufi ku ndalej kjo dorë: para një hapësire hynjore që ishte lëndinë, korije, pyll apo lumë.

Po tek njeriu nuk është shkatërruar përfundimisht kulti për natyrën edhe në këto kohë moderne. Njerëzit e duan atë. Aty gjejnë çaste të lumtura për të larguar lodhjen a stresin e ditës. Aty gjejnë njëri-tjetrin edhe në orët e vona të natës. Komunikojnë mes tyre pa fjalë, të përkëdhelur nga e njënjta erë që rreh buzët e rrugëve a bregun e liqenit. Aty:
“ Unë s`isha i vetëm në makthin e natës,
kur në jastëkët e shkëmbinjve zhvishen dallgët.
Një violinist ishte rrethuar nga zogjtë,
një zanë në ishullin e vogël,
padronia e ëndrrave të mia”. (Poezia “ Një natë gushti” fq. 22)

*****

Poezia “ Në agimin e një dite” jep atë çast brilant që krijohet kur nata dhe dita takohen e i lënë vendin njëra-tjetrës dhe kur bota i gëzohet këtij çasti magjik. Veçse njëra ditë nuk i ngjan tjetrës. Herë-herë, nata dhe dita takohen e ndahen në një çast kur qielli është i mbuluar me re e dielli del me vonesë në harkun e ditës. Ka raste kur agimi troket në portat e ditës, kur qielli është i kthjellët e dielli përflak horizontet në të kuqen e tij të ndezur. E kështu dita fillon me ngjyra të shumta në varësi të stinës dhe të vetë kupës qiellore që duket sikur projekton nuanca të ndryshme për të gjitha ditët e vitit, ndërsa ne ndjekim dhe shijojmë kënaqësinë me këto dhurata të çmuara të natyrës. Për një çast:
“ Vizatimet qiellore, si art i dhimbjes,
shtrirë në një plazh estetik,
kishin rrëmbyer pasqyrimin e yjeve,
me një hënë të vjedhur ndër dhëmbë”. (Poezia “ Në agimin e një dite”, fq. 26 ).

Poezia “Treten kujtimet” të zhyt në stinën e pranverës. Një stinë e bukur që të zgjon herët se duhen shpurë herët delet në kullotë e ugari pret të thërmohet. Në mugun e natës, kur gjoni e ndërpret këngën e tij, ti duhet të hapësh portën e oborrit të shtëpisë e të nisësh ditën e re ngarkuar me projekte të reja.
Por, edhe kur dita ia lë vendin natës, prapë shpirti i bujkut nuk qetohet. Po nuk qetohet as shpirti i mysafirit që ka shkuar të kalojë pak ditë aty në fshatin e tij të lindjes a diku gjetkë. Aty:
“Shpirti im,
bridhte si një yll gjithë natën.
Klithi ndaj të gdhirë,
një shpend i lirë.
Pas një plisi,
treteshin kujtimet e fëmijërisë”. (Poezia “Treten kujtimet”, fq. 67)

****
Për poetin janë një pjesë e jetës njerëzore edhe ata që nuk jetojnë më, por jetojnë tek zemrat e të afërmëve të tyre. Bisedohet me ta në të blertën e trishtë të livadhit ku gjendet pylli i dendur i mermerëve. Edhe pse nën tokë, njeriu nuk largohet kollaj nga kjo jetë. Ai mbetet pjesë e jetës njerëzore. E kujton Ai me të cilin ka pirë një cigare a ka ndezur një qiri në vendin e shenjtë. Kur ikën dhe njeriu i fundit që ruan kujtimet për të, atëhere ai shkon përjetësisht në botën e të vdekurve. Po deri atëhere, disa breza do të kenë zëvendësuar njëri-tjetrin.

Poeti kuvendon me emocion e mall e i kushton kujdes : nënës së dashur, që me ikjen e saj oborri i shtëpisë ka mbetur pa pjergulla, pa dallëndyshe, pa lule dhe silueta e njeriut i ngjan një hijeje mortore; vëllait të vet, Fredit, me të cilin komunikon në heshtje para pllakës së mermertë, për t`i thënë ca fjalë që nuk mundi dot t`ia thoshte së gjalli; fëmijës që u gjend nën rrotat e makinës teksa ndiqte një flutur.

****

Kjo është poezia e Dashnor Selimit, poezia e një krijuesi që ka ditur të përcjellë bukur tek lexuesit mesazhet e tij për kohën në të cilën jetojmë.

Imazhet e poezisë që ngjajnë si reflekset e shkëlqyera të lumit me emrin Vjosë, reflekse që pasqyrohen në shpirtin e banorëve që shtrihen në të dy anët e tij.


KUJTIM MATELI

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...