2012-10-13

KUR PS FLET PËR ISH TË DËNUARIT POLITIK

mujo-bucpapaj

Mujë BUÇPAPAJ

Partia Socialiste ka përshtatur këto ditë një retorikë që nxit viktimat e regjimit të saj 50-vjeçar për t’iu kundërvënë egërsisht qeverisë së Partisë Demokratike, biles ajo ka filluar të flasë edhe për gjoja vonesat në likujdimin e kësteve të dëmshpërblimeve, ndërsa ka punuar egërsisht për t’ua vështirësuar edhe më shumë jetën çdo ish-të dënuari politik gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit.
Historia shpeshherë ka shumë paradokse. Dhe një nga këto është mënyra se si një grup ish-të dënuarish politikë, i kanë lejuar vetes të keqpërdoren nga ata që nuk kanë kërkuar kurrë, qoftë edhe një falje formale për ato çfarë u kanë krijuar këtyre bashkëkombasve dhe familjeve të tyre të nderuara, pa u ndalur, pa u frikësuar dhe pa u penduar.
Nuk besoj se një falje e çfarëdo natyre qoftë të ketë patur ndonjë faturë financiare, por është e qartë se kjo parti nuk mund të dalë mbi trashëgiminë e saj idelogjike dhe nxitja e ish-të dënuarve apo të një grupi të tyre për të ndërmarrë shfaqje publike që prishin imazhin e PD-së, bëhet për të krijuar mosbesim ndaj saj, bëhet thjesht për të dëmtuar qeverisjen e saj. Për të krijuar idenë se PD-ja nuk është më e para, sido që faktet flasin vetëm në favor të PD-së, sido që në arkivin e Kuvendit të Shqipërisë janë regjistruar votimet e panumërta të deputetëve socialistë kundër çdo vendimi për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë, ish-pronarëve etj. Është krejt e qartë se Shqipëria nuk ka mundur që të rehabilitojë si duhet viktimat e regjimit komunist, qoftë edhe për faktin se çështja e dëmshpërblimeve nuk u shndërrua në një problem të të gjithë shoqërisë shqiptare. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Grupit parlamentar të PD-së, Partia Socialiste gjatë këtyre 22 vjetëve ka bllokuar disa herë Parlamentin apo bojkotuar atë, kur është bërë fjalë për ligjin e ish-të dënuarve politikë, për faturat e dëmshpërblimeve dhe sidomos për dënimin e krimeve të komunizmit.
Socialistët në mënyrë të egër dhe hakmarrëse u janë kundërvënë nismave ligjore të PD-së, me pretendimin se, “dëmshpërblimi ndaj ish-të dënuarve politikë krijon pabarazi sociale”, se, “shoqëria shqiptare nuk mban përgjegjësi për atë faturë të krijuar nga regjimi i kaluar” dhe akoma më tej, duke përkufizuar vendimet për dëmshpërblime si “luftë e re klasash”, si “faturë financiare për fushatën elektorale të demokratëve” etj.
Nuk do të pyesje se PS nuk ka dashur kurrë që ish-të dënuarit politikë të rehabilitoheshin politikisht dhe financiarisht, që ata të ishin një komunitet me përfaqësues në vendimmarrje dhe me ndikim në jetën politike të vendit.
Të gjithë e dimë se ligji i vitit 1995 u siguronte një fitore të fortë morale ish-të dënuarve politikë, për shkak se dënonte krimet e komunizmit, ndalonte kastën e vjetër, që të zgjidheshin në poste publike deri në vitin 2002. Ligji hodhi bazat për hapjen e dosjeve të sigurimit, por çdo gjë mori fund me rikthimin me luftë të ish-komunistëve në pushtet në mars të vitit 1997. Konkretisht në shtator të vitit 1995, Parlamenti pati miratuar Ligjin “Mbi genocidin dhe krimet e tjera kundër njerëzimit të kryera në Shqipëri gjatë sundimit komunist për arsye politike, ideologjike, fetare” “që përjashtonte ish-komunistët dhe ish-bashkëpunëtorët e sigurimit nga funksionet publike deri në vitin 2002″. Sipas këtij ligji, anëtarët e Byrosë Politike, anëtarët e KQ të PPSH-së, ministra, deputetë, prokurorë të Përgjithshëm, si dhe ish-agjentë të Sigurimit të Shtetit dhe informatorë të sigurimit, përjashtoheshin nga Parlamenti, qeveria, organet gjyqësore dhe mediat.
Është për t’u diskutuar gjithmonë nëse qeveritë e Partisë Demokratike mund të kishin bërë më shumë përsa i përket rehabilitimit të ish-të dënuarve dhe ish-persekutuarve politikë, lëvrimi në kohë i fondeve apo përfshirja më shumë në administratën aktuale, por një gjë është tashmë e provuar. Largimi i Partisë Demokratike nga pushteti nuk i lehtëson vuajtjet e tyre, nuk u jep zgjidhje atyre problemeve ekzistenciale me të cilat përballen sot ish-të dënuarit politikë, përfshirë edhe një pjesë të familjes time dhe kjo është provuar shumë qartë më 1997. Disa ish-të dënuar politikë u vunë në krye të Forumit për Demokracinë që udhëhoqi rebelimin neokomunist, por në fund ata e panë veten shumë më të përqeshur, të bojkotuar dhe të përjashtuar nga pushteti që erdhi siç thoshin ata “me grykën e pushkës”. Socialistët që erdhën në fuqi në korrik 1997 gjënë e parë që bënë ishte anulimi i Ligjit “Mbi genocidin dhe krimet e tjera kundër njerëzimit të kryera në Shqipëri gjatë sundimit komunist për arsye politike, ideologjike, fetare”, duke i hapur rrugë me triumfalizëm rikthimit në jetën politike të njerëzve të ish-nomenklaturës.
Akti i dytë ishte anulimi dhe mosnjohja e asnjë vendimi të qeverisë demokratike për dëmshpërblimet dhe të tjera favore që u krijonte ligji shqiptar ish-të dënuarve politikë si të drejta studimi, përfshirja pa konkurs në administratë, si dhe prioritete të tjera në privatizimet e objekteve publike etj. Nuk është se edhe me këto masa të Partisë Demokratike, çështja e ish-të dënuarve politikë u zgjidh, sepse gjendja e trashëguar ishte një katastrofë e vërtetë, por duhet thënë se vetëm në tre vitet e para të qeverisjes së PD-së, 1992-1993-1994 nga ish-të dënuarit politikë shkuan me listë në shkollat e mesme dhe të larta 16 mijë vetë. U bë punësimi i rreth 4000 personave. Përfituan rreth 23% të vlerës së privatizimeve në nivel kombëtar. Iu dhanë gratis 400 apartamente banimi. U dhanë rreth 1.5 miliardë lekë pagesë për përmbushjen e statusit të të përndjekurve politikë. Pagesa me letra me vlerë për vitet e vuajtjes në rreth 14.2 miliardë lekë. Dhënia e rreth 1.5 miliardë lekëve në formën e pensioneve dhe në zbatim të ligjit të pafajësisë. Ky proces filloi në vitin 1994 dhe vazhdoi deri në fillim të vitit 1997.
Me t’u rikthyer në pushtet ish-komunistët ndërmorën aktin e tretë. Anuluan dëmshpërblimet për ish-të dënuarit politikë dhe vendosën dëmshpërblimet për ish-byroistët e PPSH-së, dhanë pensione të larta për oficerët e Sigurimit të Shtetit dhe të tjerë persekutorë. Për ish-të dënuarit politikë rifilloi kalvari i vuajtjeve të reja të paparashikuara. Me mijëra ish-të dënuar politikë që kishin hyrë në administratë edhe si rezultat i Ligjit 24/1 të vitit 1992 dolën të papunë me qindra drejtues të lartë të strukturave shtetërore që kishin marrë me të drejtë postet që mbanin në sistemin e administratës publike, gjyqësorit dhe diplomacisë, një pjesë edhe me shkolla dhe kualifikime në Perëndim, u përjashtuan në mënyrë demonstrative, si të padëshirueshëm. Në disa sektorë si gjyqësori u përjashtuan rreth 70 gjyqtarë të rinj të shkolluar në Universitetin e Tiranës në vitet 1992-1996, për t’u zëvendësuar me ish-prokurorë të regjimit komunist. Kjo bëri që disa institucione kushtetuese si në SHIK, të riktheheshin gati 80% e ish-oficerëve të Sigurimit të Shtetit, duke lënë të papunë oficerë të rinj, të këtij shërbimi që vinin kryesisht nga Lëvizja Antikomuniste e Dhjetorit apo ish-të dënuarit politikë.
Më e keqja është se pas largimit të PD-së nga pushteti, jeta e ish-të dënuarve politikë jo vetëm që u bë më e vështirë, por edhe u rivu në shënjestër të strukturave kriminale shtetërore. Lekë Çokaj, Besnik Hidri, Rasim Lumeshi, Ilir Gosturani, Skënder Kalenja, Adem Shehu, Sylë Lusha, Avdyl Matoshi, Skënder Frangaj, Besim Çerja, Bashkim Shkurti etj., qenë viktima të kësaj politike. Pavarësisht se kush dhe me ç’motive organizon një grevë në emër të ish-të dënuarve politikë, çdo anëtar i kësaj shoqërie ndihet fajtor për mosintegrimin si duhet të ish-të dënuarve politikë. Por lotët e krokodilit të PS-së, janë të tepërt në këtë peizazh parazgjedhor. Ato nuk u japin zgjidhje problemeve të grumbulluara prej 70 vjetësh me këtë pjesë të shoqërisë tonë, por vetëm mbështetja e programeve të qeverisë demokratike për zbutjen e problemeve të tyre. Kërkesat e ish-të dënuarve politikë në parim janë të drejta dhe vetë fakti që qeveria e PD pas vitit 2005 ka caktuar një faturë financiare për këtë qëllim e reflekton drejtësinë e kërkesave të këtyre njerëzve, pavarësisht nëse janë në çadrën e PS-së apo të PK-së. Pas vitit 2005, qeveria e Partisë Demokratike riktheu në programin e saj praktika që reflektonin politikat e saj të integrimit dhe rehabilitimit të ish-të dënuarve politikë, që ishin edhe janë votuesit e saj më të vendosur.
Vetëm në tre vjetët e fundit janë dhënë për këtë grupim shoqëror nga qeveria shqiptare mbi 6.5 miliardë lekë. Siç deklaroi ministri i Financave, “fondi për këtë kategori nuk është zeruar asnjëherë në fund të vitit, përkundrazi depozitat normale të buxhetit kanë lejuar që ky fond të jetë i trashëgueshëm. Sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Integrimit kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimeve 10.500 vetë nga 18.00 mijë persona që kanë aplikuar në total, ndërsa kanë marrë këstin e dytë 1600 vetë. Në fund të vitit 2012 pritet të shpërndahet kësti i plotë për ish-të dënuarit mbi 85 vjeç. Fondi që do të akordohet deri në fund të vitit është 1.8 miliardë lekë, ndërkohë sektori i pagesave të ish-të dënuarve politikë pranë Ministrisë së Financave dy herë në muaj miraton listat me emrat e përfituesve apo të trashëgimtarëve të tjerë, që vjen nga Ministria e Drejtësisë.
Ish-të dënuarit politikë pas vitit 2005 kanë fituar të drejtën e studimit me kohë të plotë 200 maturantë. Pesë vitet e fundit janë dhënë të drejta studimi me kohë të pjesshme nga 150 kuota, po kaq edhe për vitin 2012. Për vitin 2011 kanë përfituar të drejtën e studimit të nivelit master 50 kandidatë. Nga heqja e tarifës së studimit me kohë të plotë dhe me kohë të pjesshme kanë përfituar 2500-3000 studentë. Sipas Institutit Kombëtar të Integrimit kanë përfituar kredi strehimi të butë ata persona që kanë aplikuar. Po kështu janë në pritje të banesave sociale që do të ndërtohen nga Bashkia e Tiranës.
Mendoj se ish-të dënuarit politikë duhet të kërkojnë të drejtat e tyre me këmbëngulje, por pa etiketuar shtresat e tjera, grupet e tjera politike apo shoqërore. Ata i kanë shërbyer vendit me dinjitet të pashembullt me punën e tyre të papaguar përgjatë 50 vjetëve të regjimit stalinist dhe kërkesat për t’u shpërblyer të paktën financiarisht është mëse e drejtë. Por nuk duhet harruar se Shqipëria pluraliste është edhe e ish-të dënuarve politikë, edhe ish-komunistëve, e ish-ballistëve, e ish-monarkistëve, e ish-pronarëve dhe punistëve. Kërkesa për të larguar njërin grupim nga skena për t’ia zënë vendin apo për të ricikuar revanshin është e padrejtë.
Prirja për të gjetur komunistë në çdo parti të djathtë, në çdo qelizë të strukturave shtetërore etj., deri edhe duke vënë barazinë mes së majtës dhe të djathtës, apo PD-së dhe PS-së, nuk i shërben zgjidhjes së halleve të ish-të dënuarve politikë. Kjo vetëm i bën më të paragjykueshme kërkesat e njerëzve tanë që kanë vuajtur burgjeve, kampeve të punëve të rënda, fushave të internimit, përfshirë edhe vëllain e nënës time me 25 vjet burg politik dhe vëllain e babës tim me 12 vjet heqje lirie. Kjo është një ditëshkurtësi dhe mungesë realizmi e theksuar. Vuajtjet e papërshkueshme dhe dëshpërimi në tranzicionin e gjatë dhe të pamerituar, nuk mund t’i japin të drejtë askujt të kryejë veprime të gabuara, aq më tepër ekstremiste, siç pamë këto ditë. Ekuilibri kombëtar bazuar në dënimin e së kaluarës kriminale, por edhe në respektimin e ligjit, rendit dhe rregullit, mund të jetë i vetmi shans për të lënë pas të kaluarën dhe ecur përpara.
Natyrisht që regjimi komunist ka lënë shumë plagë në trupin e shoqërisë tonë dhe më e madhja prej tyre, është plaga e të dënuarve politikë. Partia Demokratike është e vetmja forcë politike që ka bërë gjithë çka mundur për ish-të dënuarit politikë, por kufizimi financiar dhe kundërvënia e egër e socialistëve, kanë qenë pengesa serioze për rehabilitimin më të plotë dhe më të gjithanshëm të ish-të dënuarve politikë. Qeveria kaq ka mundur, por shoqëria mund të bëjë shumë më tepër. Mendoj se duhet të heqim të gjithë diçka nga vetja jonë për të përmirësuar jetën e mijëra ish-të dënuarve të regjimit totalitar që janë duke vuajtur pleqërinë në mjerim dhe varfëri, ndoshta edhe përmes një huaje popullore që të dedikohet për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...