Faik Ahmet Xhani ka lindur në fshatin Lis të Matit 01.06.1948. Aktualisht banon në Tiranë. Ka mbaruar Universitetin "Luigj Gurakuqi" Shkodër për histori-gjeografi. Ka punuar mësues, instruktor rinie dhe inspektor i organeve të pushtetit lokal për rrethin e Matit. Ka një veprimtari të gjërë botuese në medien e shkruar. Ka botuar librin Mikpritja Shqiptare, mrekulloi George W. Bush. Është anëtar i kolegjumit të gazetës "Zëri i Arbërit" dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ka kryer disa detyra shoqërore, ku ka spikatur ajo e drejtorit të marrëdhënieve ndërkombëtare me vendet Aziatike tek "Sofra Shqiptare".

Nga: - Faik XHANI - Studiues
- Tashmë emri dhe kontributi i Bujar Nallbanit si ithtar i demokracisë, ka vite që është bërë i njohur. Ai është një nga nismëtarët e parë të lëvizjes Demokratike në Shqipëri. Më 10mars 1990 i vuri dinamit bustit të Stalinit pran Hotel “Dajtit” Tiranë. Është një nga pionierët e turmave për shembjen e komunizmit dhe agimin e demokracisë. Geni familjar i tij antikomunist ishte shndërruar në një lavë përvëluese për atë sistem e atë diktaturë. Çdo qelizë e trupit të tij, çdo neuron, deri dhe miofibrilet ishin ushqyer me zemërim dhe urrejtje për Diktaturën dhe me ajrin e freskët të lirisë. Ndonëse, si krimbi nën gur, nën trysninë e surveimeve e hingëllimave të prangave të sigurimsave të kohës, me dinakërinë e kunadhes, me vrerin e Boas, me diellin rrezatues të “Zërit të Amerikës” e Radio “Vatikanit” formoi botëkuptimin e tij perëndimor. Ai, që në moshë të re, ëndërroi e luftoi për Shqipërinë demokratike, për lëvizjen e lirë dhe ekonominë e tregut. Ja sepse që në fillimet e lëvizjes së Dhjetorit Bujari u gjend i gatshëm dhe ndër të parët që dha intervista “Zërit të Amerikës, krahas Rexhep Qoses e Ismail Kadaresë.
Tani, kur kanë kaluar më shumë se 20 vjet, ata përpjekje të mëdha,jo vetëm të Bujarit, por të mijëra shqiptarëve hodhën themelet e Shqipërisë anëtare të NATO-s, sollën diellin dhe dritën e duhur për të shijuar frytet e demokracisë, lëvizjen e lirë në Shengenin Europian, emancipim e përgjithshëm të shoqërisë dhe progresin e vendit.
Në këtë marrshim dy dekadash Bujar Nallbani,jo vetëm i gëzon demokracisë, por ka qenë dhe është nga më sensiblit, nga më të vendosurit e më të përkushtuarit që demokracia të zhvillohet e konsolidohet çdo ditë e më shumë, ashtu si në djepin e saj botëror, SHBA. Bujari gjatë gjithë jetës së tij dhe aktualisht nuk resht së punuari për propagandimin e vlerave demokratike perëndimore. Në vazhdimësi është gjendur në studio televizive shqiptare si UTV, NTV, Koha, Planet duke dhënë mendime të vlefshme për zhvillimet e vendit e të shoqërisë shqiptare. Flet me admirim të veçantë për drejtuesit e këtyre emisioneve dhe në veçanti për z. Robert Papa, Alen Xhelili, Julia Xhoko etj.
Ky njeri ka një guxim të madh, një besim të plot, një shpirt iniciative të spikatur, një shije të hollë artistike dhe një entuziazëm për t’u admiruar. Ai ka një shpirt human, që jo vetëm njerëzve, por edhe kafshëve u shërben me shumë përkushtim, ashtu si një rritës i vërtet rezervati në botën e zhvilluar. Bujari ka një dorë të artë. Çfarë i sheh syri, i bën dora. Është shofer i klasit të parë, mekanik e elektrout i mirë, saldator dhe një mjeshtër i mozaikëve, çka e ka bërë që edhe pse prej shumë vitesh, nuk ka patur një post apo punë stabël, në shtet, të mos mbetet xhepshpuar, përkundrazi i kamur, i gjendur dhe sofër-shtruar. Ku nuk kulloi djersa e tij? Në Australinë e largët, në plantacionin e agrumeve e vreshtin e rrushit, pronë të tij në Berat dhe në Tiranë, ku aktualisht banon e jeton. Bujari, te hapja me botën, te demokracia dhe puna e ndershme shijon prehjen, ndjen gëzimin dhe ushqen shpresën për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët. – “Njeriu duhet të çajë vetë, me guxim në jetë, buzëqesh dhe përfundon, kështu i dashur, pa punë s’arrihet asgjë. Duhet të luftosh e të punosh që të fitosh sadopak. Bretku më ka rënë në punë, por diçka kam bërë,qoftë për familjen time,qoftë edhe për të ndihmuar një mik apo shok në nevojë”. Te demokracia dhe puna sheh dy armë të fuqishme që i nevojiten njeriut.
Në veçanti për nismëtarët e lëvizjes demokratike, qofshin studentë, sindikalistë, kuadro apo punëtorë të thjeshtë ka debulesë dhe i mbron me fanatikllëk. Ushqen mirënjohjen e respektin më të thellë për titanin e demokracisë Azem Hajdarin, për liderin, Kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha, Prof.Adem Demetin, Fatmir Merkoçin, Ilir Demalinë, Dr, Gëzim Shimën, Valter Xhekën, Gëzim Qaton, Gjosh Gjoçin, Kujtim Xhanin dhe grevistët e Urisë
Bujar Nallbani nuk është vetëm ithtar i demokracisë, por është edhe një gjurmues i vlerave artistike. Si bir i Beratit me histori e kulturë mijëravjeçare është hulumtues dhe dashamirës i artit. Veçanërisht preferon artet figurative dhe shijon e kap si rrallëkush të bukurën. Syri i Bujarit është një sy artisti. Në kërkim të këtyre vlerave ka bërë shumë miq dhe ka siguruar një galeri me piktura të piktorëve të mëdhenj si Botiçelit, Vangogut, Pikasos, Zyriut etj. Flet me shumë konsideratë për këto riprodhime të rralla dhe autorët e tyre si Altin Revania e Agron Polovina. Edhe lokalin e tij “ Bushi “, në Tiranë e ka kthyer në një klub Arti. Aty të kënaqin së tepërmi mozaikët punuar nga dora e tij, këndi i punimeve me dru, pikturat e afishuara si dhe një sërë librash të ekspozuara sipas viteve të botimit. Bujari është një mik i ngushtë i librit. Ka siguruar një bibliotekë të pasur. Ai admiron dhe flet me konsideratë për shkrimtarë, poetë, publicistë, artistë, botues e kineastë si Ismail Kadare, Rexhep Qosen, Xhevahir Spahiun, Ylli Polovinën, Nuri Dragoin, Ndriçim Kullën, Luan Ramën, Namik Selmanin, Fatime Kullin, Fahri Balliun, Mevlud Bucin, Roland Lushin, Kastriot Miftarin, Dukagjin Hata, Spase Thanasin, Qazim D. Shehun, Jona Kukelin, kinastin Ilia Dede, inxh. Baskurt Kukelin etj.
Shërbimi i tij dashamirës, simpatia dhe respekti që ka Bujari e familja e tij për njerëzit e ditur, të penelit e të pendës si dhe predispozicioni që ka ai për t’i ndihmuar njerëzit e artit, e kanë bërë lokalin e tij një çerdhe promovimesh të librave, debati konstruktiv dhe një mjedis, ku ndiqet me ëndje sporti dhe shumë veprimtari të vendit e rajonit. Ai lokal më shumë se të ardhura, afron dije, kulturë dhe të reja shkencore kurse pronari i tij, Bujar Nallbani është më tepër i predispozuar, për tu shërbyer këtyre njerëzve të ditur, duarartë e mendjendritur se sa për fitimet. Ka sakrifikuar dhe militon çdo ditë për zhvillimet demokratike dhe hulumtimin e vlerave më të vyera kombëtare, prandaj nuk duhet të mbetet në pluhurin e harresës, por meriton të vlerësohet me dekoratën “Nderi i Kombit”.
No comments:
Post a Comment