Dollia, për hatër të premierit shqiptar Sali Berisha








Deputetët e Aleancës votojnë sipas bindjeve të tyre, e jo sipas diktatit të partisë. Kështu vepruan edhe të enjten, kur u votua mocioni për ndaljen e privatizimit. Për koalicionin e mundshëm me PDK-në, vendos Ramush Haradinaj. Është e vërtetë se me Hashim Thaçin ngritëm nga një gotë të premten, por për shëndetin e Kryeministrit Sali Berisha, e jo për ndonjë bashkëpunim politik. Kështu ka thënë Daut Haradinaj, deputet i AAK-së.

Vëllai i liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt, Dauti arsyeton votimin e fundit të deputetëve të partisë së tij në Kuvendin e Kosovës, kur disa sish e përkrahën opozitën, ndërsa disa abstenuan.

“Secili deputet duhet t’i mbajë parimet dhe qëndrimet e veta dhe nuk është hera e parë kur deputetët kanë qëndrimet dhe bindjet e veta personale dhe votojnë ashtu siç mendojnë. Ndërsa qëndrimi i subjektit politik është i bërë publik. Asnjë dilemë nuk ka. Edhe kjo është një dëshmi e mirë se lejohet votimi i lirshëm”, ka thënë Daut Haradinaj në një intervistë për Express.

Ai mohon se votimi në Kuvend të jetë sinjal për përafrimin e AAK-së me PDK-në, duke thënë se AAK-ja asnjëherë nuk ka qenë kundër privatizimit.

Haradinaj gjithashtu ka sqaruar edhe fotografinë e publikuar në media, ku shihet ai me kryeministrin Thaçi duke ngre dolli në odën e Haradinajve.

“...kemi ngritur dolli për shëndet të Kryeministrit Berisha dhe për qytetarin më të ri të Deçanit”.

Ndërsa, lidhur me zhvillimet dhe lëvizjet e pozicionit të AAK-së në raport me PDK-në për koalicionin qeveritar, Dauti thotë se “Koalicioni qeveritar në çdo variant të mundshëm, do të jetë me Ramush Haradinajn Kryeministër. Qëllimi final i Aleancës është ky. U rrimë parimeve tona dhe punojmë në atë drejtim”.

Ai mohon të kenë folur me Thaçin për mundësinë që Ramush Haradinaj të bëhet Kryeministër.

“Nuk kemi pasur mundësi për shkak se ka qenë sofra e madhe dhe kanë qenë të pranishëm me mijëra njerëz. Por, ajo drekë ku është parë fotografia ime, është e prerë dhe gjithsesi se do t’i shihni edhe fotografitë komplet, ku kanë qenë edhe plot njerëz të tjerë aty. Është e vërtetë që kam ngritur dolli me Kryeministrin Thaçi, por për shëndet të Sali Berishës”.

Ndërsa, për koalicionin eventual PDK-AAK, sipas Dautit, i vetmi që vendos është Ramush Haradinaj. “Edhe një herë po them se i vetmi njeri që mund të marrë këtë qëndrim, ose të vendos, është Kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj. Edhe një herë po e them, Ramushi është kandidat për Kryeministër. Ne besojmë në fuqinë e tij, në punën e tij dhe presim që shumë shpejt ai do të jetë Kryeministër. Ndërsa në forma dhe veprime të tjera do t’i shohim më vonë”.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)