2012-10-16

Nga spiker i lajmeve në Shqipëri, mjek në karrierë në Gjermani

Mjeku i ri Kreshnik Hajdari tregon eksperiencën e tij në Gjermani, përparësitë që gjen atje dhe çfarë i mungon nga Shqipëria. Ëndrra në sirtarë? Spiker lajmesh    















Eliana Xhani

Sëmundjet janë të njëjta në të gjithë botën. Ajo që ndryshon sot në mjekësi është mënyra e trajtimit të pacientit, kushtet e spitaleve dhe teknologjia që përdoret. Kjo gjë bën që mjekët ta kenë relativisht të lehtë të gjejnë një vend pune thuajse në çdo vend të botës, mjafton të njohin shumë mirë profesionin e tyre. Këtë gjë mendoi edhe 31-vjeçari Kreshink Hajdari, para se të mbërrinte në Gjermani për të bërë specializimin e tij. Ai ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitin 2005. Pas një stazhi pune për mjekësi familjeje në Spitalin e Lushnjës, qyteti i tij i lindjes, vendos për të bërë një hap më të sigurt drejt të ardhmes profesionale duke kryer një specializim në mjekësi të brendshme në spitalin “Sankt Elisabeth Krankenhaus” në qytetin e vogël të Gerolstein. “Ishte një sfidë e madhe për mua. I kam thënë vetes një gjë: Nëse njerëzit në Gjermani e bëjnë këtë, mund ta bëj edhe unë. Duke qenë se këtu punohet më shumë se në Shqipëri mund të arrish shumë në një kohë shumë të shkurtër. Dëshiroja të praktikoja më shumë dhe të isha më i aftë profesionalisht”, tregon mjeku asistent Kreshnik Hajdari. Në planet e tij të mëparshme nuk kishte qenë asnjëherë Gjermania, por këshilla e një miku dhe informacioni se ishte një vend i lirë në spitalin “Sankt Elisabeth Krankenhaus” në Gerolstein, bëri që për 5 muaj të mësonte gjuhën gjermane me anë të një kursi intensiv dhe të aplikonte në internet. “Spitali u përgjigj menjëherë. Erdha për të bërë intervistën e punës dhe më pranuan. Pasi u ktheva në Shqipëri për të bërë procedurat e nevojshme për vizën e punës u ktheva sërish në Gerolstein, ku nxora lejen e profesionit dhe atë të qëndrimit. Fatmirësisht nuk ishte aq vështirë për shkak se këtu ka nevojë për mjekë”. Gjatë vizitës që i bëmë në ambientet e spitalit, mjeku shqiptar përshëndetej nga të gjithë kolegët e tij ose pacientët dhe komunikimi ishte i rrjedhshëm, por nuk ishte kështu fillimi. Mjeku i ri na tregoi se në ditët e para e kishte shumë të vështirë të komunikonte, sepse i mungonte praktika e gjuhës gjermane. Situatat e vështira tashmë kanë kaluar falë ndihmës së kolegëve, por natyrisht edhe mos ngurrimit të tij për të pyetur dhe për të mësuar gjëra të reja. “Në fillim kisha frikë se sa shpejt do të kapja ritmin e punës dhe se sa shpejt do mësoja si funksiononin gjërat, por falë ndihmës së stafit kjo frikë nuk ekziston më. Nuk ka bërryla nga kolegët. Ka një etikë pune që është shumë e mirë. Nuk ka nervozitet, nuk shkarkon asnjeri nervat mbi ty, madje as familjarët e pacientëve, ndryshe nga ç’ndodh në Shqipëri sepse kjo përbën stres për mjekun. Këtu është një ambient shumë i rehatshëm për të komunikuar dhe mbi të gjitha për të menduar më shumë për pacientin”. Jo vetëm sistemi i sigurimeve, por edhe infrastruktura e spitaleve dhe përgatitja akademike e stafit është shumë më e mirë se sa ajo që Kreshinku ka lënë në Shqipëri. Ai na tregon se në çdo spital të Gjermanisë gjen një profesor sepse shefat e pavionëve duhet të kenë titull akademik, ndërkohë në Shqipëri mjekët e mirë janë të përqendruar vetëm në Tiranë, ndërsa në rrethe ka mungesë të theksuar specialistësh. Por sipas tij, që edhe në Shqipëri të ketë një sistem shëndetësor tërësisht në shërbim të pacientit duhet të ndryshojnë dy gjëra: Mentaliteti i çdo mjeku, që duhet t’i shërbejë sa më mirë pacientit dhe jo ta shikojë si një profesion ku mund të bëjë para dhe duhet të ndryshojë totalisht skema e sigurimeve shëndetësore. “Kam ardhur në Gjermani me mendimin për t'u kthyer në Tiranë, pavarësisht se atje mund të ketë më shumë probleme. Më pëlqen të jetoj në Shqipëri, për të ndryshuar diçka atje dhe për t’u shërbyer pacientëve shqiptarë”.
Kreshniku është
 duke jetuar në Gerolstein me bashkëshorten e tij Donikën, por nëse krahason Tiranën me qytezën e vogël në Gjermani, ai na tregon se i mungon gjallëria e kryeqytetit shqiptar. Jo vetëm gjallëria, por edhe diçka tjetër shumë e rëndësishme për të: puna në media. Publiku në Shqipëri e ka parë si spiker lajmesh në televizione të ndryshme dhe shumë pak e dinë që ai është edhe një doktor. “Media është ëndrra në sirtar. Është një eksperiencë shumë e bukur dhe do të dëshiroja ta vazhdoja. Tani jam i përqendruar tek mjekësia, por ndoshta në të ardhmen mund të bëj edhe një edicion lajmesh në televizionet gjermane.”

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...