Suksesi i studiueses së informatikës

Ajo është pedagoge e informatikës në Universitetin Politeknik në Darmshtat të Gjermanisë ku ajo drejton laboratorin shkencor për inxhinierinë e programeve dhe për gjuhët e programimit




Me planifikimin për të ardhur në Gjermani në vitin 1989 për mbrojtjen e temës së doktoraturës, nis edhe rruga e karrierës së Mira Mezinit, në atë kohë pedagoge në Universitetin e Tiranës, dega Informatikë. Trazirat që nisën në ato vite bënë që ëndrrat e saj të shuheshin shpejt pas anulimit të të gjitha bursave për studime jashtë shtetit për shkak të situatës politike.|Por Mira me iniciativën e saj kontakton drejtuesin e qendrës informatike të Universitetit të Siegen-it që e kishte njohur gjatë një vizite të tij në Universitetin e Tiranës e më pas edhe me profesorin që do ta drejtonte në dhënien e doktoraturës. Kështu në fund të shtatorit 1989 ajo u gjend në Gjermani, në Qendrën e Informatikës në Siegen, dhe këtu e ka zanafillën e ardhmja e saj ambicioze. Fillimisht katër muaj, pastaj një vit e kështu me radhë projekte dhe titulli Doktore e Shkencave inxhinierike. Pas kësaj vijon një periudhë si Profesore në Universitetin Northeasten në Boston të SHBA-së dhe që prej vitit 2002 ajo është Profesore dhe drejtuese katedre në fakultetin e informatikës në Universitetin Politeknik të Darmshtatit, në atë kohë Profesorja e parë femër dhe më e reja në moshë në këtë fakultet.
Pak fat në fillim dhe vullnet në vijim ajo realizon ëndrrat
Vajza nga Tirana që kishte studiuar për informatikë në kryeqytetin e Shqipërisë diktatoriale nuk e fsheh faktin se jo pak, atë e kishte ndihmuar edhe fati: “Njohja menjëherë e diplomës shqiptare nga autoritetet gjermane ishte vërtet fat, pasi më pas procedurat ndryshuan. Por fat ishte edhe profesori i doktoraturës, i cili më ftoi në shtëpinë e tij dhe më trajtonte si vajzën e tij. Kjo më ndihmoi shumë në atë fillim të vështirë dhe pa përvojë”. E mirëpritur në punën, që nisi në Qendrën Informatike të Siegenit, Mira filloi të përballonte më lehtë sfidat që kishte përpara. Për punën e saj shkencore dhe hulumtimet e bëra në fushën e informatikës në Universitetin Teknik të Darmshtatit, ajo ka fituar dy herë çmimin “IBM Eclipse Innovation Award”, duke u renditur ndër pesë fituesit gjermanë të këtij çmimi. Përmes këtij çmimi, koncerni kompjuterik IBM promovon shkencëtarët që pasurojnë me ide të reja teoritë, metodat dhe mjetet për rritjen e prodhimtarisë në programimin e softwarit.
Puna e saj shkencore vlerësohet nga koncerni IBM
 Inxhinierja Mezini është autore dhe bashkautore e disa librave shkencorë për informatikën në gjuhën gjermane dhe angleze e respektuar në komunitetin internacional shkencor në fushën e saj, ka drejtuar disa konferenca dhe shoqata ndërkombëtare shkencore. Ajo është zëvendësdekane dhe dekane e ardhshme e Fakultetit të Informatikës dhe në bordin drejtues të dy institucioneve shkencore. Rruga e saj e suksesshme do të përballonte edhe një sfidë tjetër të saj, atë të të qenit nënë e një vajze. Ishte pikërisht vullneti dhe dëshira e Mirës që të bënte realitet edhe këtë ëndërr: “Kam pasur mendimin se nuk do t'i përballoja dot, prandaj u bëra mama pak më vonë, se sa duhej të isha bërë. Megjithatë tani që jam bërë mama them që gjërat me një vullnet gjithmonë arrihen.”
 Emri: Mira Mezini 
Vendbanimi: Darmshtat, Gjermani
Shkollimi: Universiteti i Tiranës
 Profesioni: Pedagoge e informatikës pranë Universitetit Teknik, Darmshtat
Jeta: Inxhinierja Mezini është autore dhe bashkëautore e disa librave shkencorë për informatikë në gjuhën gjermane dhe angleze. Sot Mirën, që e quan fat që ka ardhur në Gjermani dhe jeton mes gjermanëve, nuk e pengon fakti që është shqiptare, sepse “vetë arritjet, puna ime më bëjnë të jem krenare, edhe pse në Gjermani ka ende njerëz që kanë imazh jo të mirë për vendin tonë”, thotë ajo. Kanë kaluar më shumë se dy dekada në Gjermani, dhe Mira përsëri e kthen kokën pas duke ndjekur nga afër auditorin e Tiranës, kolegët e saj në këtë degë. „Më vjen keq që atje mungojnë punët kërkimore shkencore dhe që mungojnë kushtet e mirëfillta për pedagogët dhe studentët e kësaj dege dhe mbi të gjitha respekti i shoqërisë së sotme shqiptare për edukimin dhe punën shkencore. Mungon kreativiteti i studentëve dhe dëshira për të bërë një mësim më aktiv". Mësimdhënia në gjuhë të huaj është një sfidë për Mirën. Por ajo e adhuron profesionin e saj, faktin që punon mes të rinjve, studentëve dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të etur për dije dhe për të "ndryshuar botën", konfrontimi i vazhdueshëm me ide të reja, me projekte kërkimore shkencore që kërkojnë ta mbash trurin gjithmonë në aktivitet, thotë ajo. Për projektet e saj në të ardhmen, ekspertja për informatikë, Mira Mezini nuk e përjashton edhe rrugën e komercializimit. 

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit